*Shtatorja Monumentale që u promovua në Tiranë me 27 nëntor 2015, është vepër e skulptorëve Kreshnik Xhiku dhe Pjerin Kolnikaj/
Më në fund, dëshira e malësorëve dhe e të gjithë shqiptarëve për t’i ngritur heroit Dedë Gjo Luli një Shtatore në Tiranë u bë realitet. Kjo ka qenë një ëndërr e kahershme, që në fillim të viteve ’20 të Shekullit të shkuar, kur deputeti Avni Rustemi kërkoi të nderohej kryetrimi i lirisë Dedë Gjo Luli me një shtatore në Tiranë. Kjo nuk ndodhi as në kohën e Republikës as në Kohën e Mbretërisë, e as në atë të Diktaturës komuniste, edhe pse me vonesë ia patën dhënë titullin”Hero i Popullit”. Shpresat u ringjallën në kohën e Demokracisë, por nuk qe e lehtë, u deshën 25 vite që të rrëzoheshin barrierat e vendosura nga burokracia shtetërore dhe politike.
Gazeta Dielli e ka ndjekur në vazhdimësi nismën e shqiptarëve të Nju Jorkut dhe të Michiganit për të mbledhur kontributet financiare që duheshin për finalizmin e shtatores monumentale në Tiranë.
Në një informim që morëm nga z. Gjon Dedvukaj mësuam se: Sponsorizimin e Shtatores e kanë marrë mbi vete dy shoqatat me të njëjtën emër”Malësia e Madhe” në Michigan dhe Nju Jork. Fushata synoi për të grumbulluar rreth 60 mijë dollarë, sa ishte kosotoja e llogaritur e shtatores dhe e ceremonisë promovuese në Tiranë.
- Dedvukaj sqaron për lexuesit e Diellit se Shtatorja e heroit Kombëtar Dedë Gjo Luli ishte planifikuar që të promovohej me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij,me 15 Shtator, por planet u shtynë për shkak të zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe rikonstituimin e Këshillit Bashkiak, që nxorën vendimet, lejet përkatëse.
Për z. Gjon Dedvukaj vendosja e Shtatores së Dedë Gjo Lulit në Tiranë është vlerësim i kontributit të tij kombëtar për lirinë e trojeve shqiptare. Ajo shtatore i bën nder kryeqytetit të shqiptarëve.
Gazeta Dielli, para promovimit të Shtatores, u lidh me skulptorin Kreshnik Xhiku në Tiranë dhe mori këtë informacion prej tij: Monumenti ,tha ai, do të përurohet në daten 27 Nentor 2015 dhe do te vendoset ne lulishten mbrapa Muzeut Historik kombetar ne Tirane. Aty eshte dhe rruga me emrin Dedë Gjo Luli.
Kjo vepër është fryt i bashkëpunimit të dy skulptorëve, Kreshnik Xhiku dhe Pjerin Kolnikaj.
Vepra skulpturore është inicuar nga z. Pashko Gjokaj dhe shoqatat Malesia e Madhe në Michigan dhe New York, që e kanë financuar këtë projekt, tha për Diellin Kreshnik Xhiku, ai shton se: Realizimi dhe vendosja e monumentit ka pas mbështetje të plotë nga presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani, po kështu ka pasur mbështetje të kryetarit të bashkisë së Tiranës Z Erion Veliaj, dhe kryetarit të Këshillit bashkiak z Aldrin Dalipi.
Skulptori tregon për Diellin procesin krijues me këtë vepër arti. U desh kohë që vepra të merrte formën përfundimtare. Puna nisi me një projekt fillestar, ku u vlerësua gjithçka, duke pasë parasysh edhe vendi ku do të vendosej, madhësia e sheshit , drejtimi i dritës, sfondi, si do të përputhej figura me karakterin psikologjik të heroit, si do të ishte lëvizja, ç’të veçantë do të kishte si vepër, me qëllim që të mos dukej si të gjithë monumentet e tjerë, duke krijuar monotoni.
Këto, dhe sfida të tjera, u kapërcyen me sukses nga dy artistët, Xhiku dhe Kolnikaj. Kështu u kalua nga bocetet deri tek monumenti me përmasat reale ,që kap lartësinë 3 metra, plus piedestalit prej 170 cm. Lartësia e përgjithshme e Monumentit shkon në 4 metra e 70 cm.
Xhiku tha për Diellin se: “Ne kemi bërë monumentin e Dedë Gjon Lulit në lëvizje, të përmbajtur , pa xheste të jashtëme demonstartive dhe në të njëjtën kohë lëvizja është shumë e natyrshme. Tjetër cilësi pozitive në këtë monument është se ka një përshtypje të freskët, nuk është (lodhur sipërfaqja, textura). Piedestali ku do të qëndrojë heroi, përbëhet nga një bllok monolit guri.
Për artistin Kreshnik Xhiku, Dedë Gjon Luli është pjesë e atij grupi personalitetesh historike, që përbëjnë krenarinë e kombit tonë, e atyre që ne u përulemi me respekt të përhershëm. E atyre që bënë historinë e Kombit Shqiptar.(Dielli, Nentor 2015)
Caption: Kjo është pamja e momumentit në atelien e artistëve gjatë procesit, dërguar gazetës Dielli nga skulptori Kreshnik Xhiku,- është pamje jo përfundimtare. Pas këtij procesi monumenti u dërgua në fonderi, ku është derdhur në bronz.
Komentet