Të paktën 7 persona, të cilët dyshohet të jenë emigrantë të paligjshëm si dhe shoferi shqiptar i automjetit me të cilin ata po udhëtonin, humbën jetën në një aksident në Jug të Shqipërisë, në rrugën “Këlcyrë- Përmet”. Sipas Policisë së Gjirokastrës, makina mendohet të ketë humbur kontrollin, dhe ka dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi e madhe.
Sipas të dhënave të para, migrantët duket të kenë kaluar kufirin ilegalisht në zonën pranë “Tre urave”, ku dhe më pas janë marrë nga shoferi, një 21 vjeçar nga Shkodra. Gjatë rrugës nga Përmeti në Këlcyrë, automjeti, është kthyer pas, në momentin që ka hasur një patrullë policie, duke udhëtuar me shpejtësi të lartë.
Pasi kalojnë kufirin greko-shqiptar, migrantët transportohen nga trafikantët drejt veriut të vendit, për t’i kaluar ata drejt Malit të zi apo Kosovës. Gjatë viti të shkuar, numri i atyre që kanë kaluar përmes Shqipërisë, erdhi duke u ulur. Sipas të dhënave të Frontex-it, në territorin shqiptar u evidentuan më pak se 9 mijë migrant të huaj të parregullt, ku pjesa më e madhe e të cilëve kishin hyrë nga Greqia, në pikën e Qafë Botës në Sarandë.
Shqipëria, ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor, i cili në maj 2019, nënshkroi marrëveshje me Frontex-in për kontrollin e kufijve. Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë kufitare Shqiptare.
Në të ashtuquajturën “Rrugë ballkanike”, të kalimit të migrantëve të paligjshëm, të cilët hyjnë kryesisht nga Greqia, gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Frontex-it, kanë lëvizur afro 99 mijë qytetarë, pjesa dërrmuese afganë dhe sirianë. Krahasuar me vitin 2023, bëhet fjalë për një rënie prej 31 përqind.