Laboratori kombëtar Pacific Northwest, në Riçland të Shtetit Uashington është një prej qëndrave më të sofistikuara në botë në fushën e biologjisë molekulare. Laboratori është pjesë e Departamentit të Energjisë dhe nëpërmjet studimeve, eksperimente të shumta e zbulime, ky institucion shkencor ndihmon për nevojat e vendit në fushën e energjisë e të mjedisit. Prej disa vjetësh në këtë laborator punon shkencëtari shqiptaro amerikan, doktor Niko Qafoku, i cili është edhe redaktor shkencor i revistës së njohur të Shoqatës Amerikane mbi Shkencat e Tokës, një revistë e njohur shkencore cila del dy herë në muaj dhe shpërndahet në qëndrat më të rëndësishme shkencore në mbarë botën. Le të ndjekim në vazhdim, intervistën që kolegu ynë Astrit Lulushi i mori zotit Qafoku nëpërmjet telefonit.
Zëri i Amerikës: Doktor Qafoku, laboratori ku ju punoni, ështe një prej laboratorëve të Departamentit amerikan të Energjisë, dhe ndonese i krijuar relativisht më vonë, ka arritur të bëhet shumë i njohur në disa fusha të kerkimeve shkencore e madje të rendidet krahas laboratorëve të tjerë të njohur si për shembull ai në Los Alamos në fushën e fizikës bërthamore. Sigurisht po të kihet ketu parasysh edhe buxheti prej disa qindra milionë dollarësh, kjo tregon se ju dhe shkencetarë të tjere atje dicka bëni, çfarë konkretisht?
Dr. Qafoku: Laboratori ka aktualisht rreth 4000 punonjës. Aty kryhet kërkim teorik dhe i zbatuar shkencor në fushat e biologjisë molekulare dhe mikrobiologjike, mbrotjes së mjedisit, radiologjisë, kimisë analitike, informatikës dhe të teknologjisë. Laboratori u krijua në vitin 1965 mbi bazën e disa laboratorëve egzistues, të cilët ishin pjesë e projektit Manhatan, ku sic dihet u kryen eksperimentet e para të aplikuara në fushën e fizikës bërthamore, gjatë viteve të luftës së dytë botërore. Rezultatet cilësore të punës shkencore në këtë laborator kanë bërë që ai të fitojë një emër shumë të mirë në qarqet shkencore dhe akademike këtu ne Amerikë, por edhe në Botë.
Zëri i Amerikës: Mbrojtja e mjedisit është tashmë në vetëdijen e secilit. Këshilla e udhëzime praktike për mbrojtjen e tij ka plot. Shkencat molekulare japin një ndihmesë të madhe në këtë drejtim. Cilat janë disa nga rezultatet e kësaj ndihmese?
Dr. Qafoku: Eshtë e vërtetë që studimet në nivelin molekular japin informacion bazë pa të cilin nuk mund të kuptohen proceset tepër të ndërlikuara dhe të ndërthurura, me karakter fizik, kimik, mikrobiologjik, dhe hidrologjik, që ndodhin në mjediset e ndotura. Për vetë natyrën e tyre komplekse, këto procese mund të studjohen vetëm nga një grup shkencëtarësh të specializuar në fusha të ndryshme. Si pjestar i këtij grupi, unë merrem me studimin e lëvizjes se disa nga formave molekulare të uraniumit dhe të kromiumit, në shtresat e tokës dhe të nëntokës si dhe në ujërat nëntokësore. Për këto studime kërkohet eksperimentim në laborator si dhe përdorimi i teknikave moderne të mikroskopisë elektronike dhe sperktroskopisë. Kam arritur që rezultatet e studimeve të mija t’i botoj në revista cilësore me qarkullim botëror.
Zëri i Amerikës: Doktor Qafoku, ju keni perfunduar Institutin Bujqësor të Kamzës në Shqipëri, me planet për t’u bërë agronom. Sot ju punoni në një nga laboratorët më të sofistikuar në bote. Si ndodhi ky kapërcim? Apo ishte një evolim i juaj?
Dr. Qafoku: Unë erdha në Amerikë në vitin 1994 si Fulbright Scholar në Institutin Politeknik dhe Universitetin Shteteror të Virxhinias. Po atë vit u pranova në shkollën pasuniversitare të Universitetit të Xhorxhias. Mbarova aty studimet ne 1998 dhe fitova njëkohësht gradat shkencore Master në Matematikë të Aplikuar dhe Informatikë, dhe titullin PhD në kiminë e tokës dhe të mjedisit. Gjithashtu, bëra një specializim 3 vjecar post-doktorature, dhe vetëm pas kësaj mu afrua pozicioni i studiuesit në laboratorin ku punoj aktualisht.
Zëri i Amerikës: Revista e Shoqatës Amerikane të Shkencave të tokës u shpërndahet instituteve të njohura shkencore në mbarë botën. Ju merreni me redaktimin shkencor të punimeve dhe shkrimeve që botohen në këtë revistë. Ku e gjeni kohën?
Dr. Qafoku: Puna e redaktorit shkencor më tërheq jo vetëm për faktin që kjo revistë amerikane, por edhe ndërkombetare, renditet si më e mira në botë ndërmjet revistave të së njëjtës fushë. Artikujt që dërgohen për botim në këtë revistë janë vërtet cilësor dhe jo vetëm që mësoj shumë prej tyre, por është edhe kënaqësi për mua të miratoj botimin e tyre. Puna si redaktor shkencor më ka krijuar gjithashtu mundësinë që të njihem e bashkëpunoj me studiues të shumtë nga e gjithe bota. Pa dyshim ja vlen mundimi dhe koha që i dedikohet këtij aktiviteti.
Zëri i Amerikës: Doktor, nga sa thatë, duket se ju keni pasion të madh për shkencën dhe dëshira juaj sikur e mposht edhe lodhjen. Me këtë dua të them se ju redaktoni e administroni edhe një tjetër revistë, këtë herë ne internet, për t’u ardhur në ndihmë shkencëtarëve shqiptarë kudo në botë që të shkëmbejnë mendime, të krahasojnë studime e te bashkëpunojnë. Nuk është kjo pak si shumë, për një 40 vjecar familjar si ju, në një vend si Amerika e me një vendpune të zgjedhur si në laboratorin ku ju punoni?
Dr. Qafoku: Ju falenderoj për këtë pyetje. Eshtë vërtet kënaqësi e vecantë për mua që të kontribuoj me mundësite që kam për zhvillimin e shkencës shqiptare nëpërmjet botimit të revistës ANASH, e cila boton më të mirën e shkencës shqiptare pavarësisht se ku prodhohet ajo, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Diasporë. Por jo vetem kaq. Rreth 5 vjet me parë u krijua në internet Forumi Alb-Shkenca që aktualisht ka rreth 1300 antarë, shumica e të cilëve jane studiues, studentë dhe intelektualë shqiptarë nga e gjithë bota. Me nismën edhe të disa kolegëve të tjerë, u krijua para disa muajsh Instituti Alb-Shkenca i cili aktualisht ka rreth 170 anëtarë. Instituti ka 8 seksione shkencore dhe, me sa di unë, është grupimi i parë i Diasporës shkencore shqiptare dhe i studiuesvet shqiptarë nën ombrellën e një institucioni të vetëm. Qëllimi kryesor i ngritjes së Institutit Alb-Shkenca është që të ndikojë në zhvillimin e shkencës shqiptare nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit mes studiuesve shqiptarë. Instituti do të organizojë takimin e dytë vjetor të tij në Prishtinë, më 15-16 gusht 2007. Interesi për këtë takim ka qenë vërtet i madh dhe pritet që gjatë këtij takimi të paraqiten rreth 150 punime shkencore. Ne jemi shume te interesuar qe te zgjerojme rradhet e Institutit Alb-Shkenca me studiues shqiptarë, dhe të gjithë të interesuarit mund të na shkruajnë pa hezitim në adresën elektronike alb-shkenca.org
Zëri i Amerikës: Doktor, ju në këtë rast, sic e thatë, keni krijuar një ombrellë për të gjithë shkencëtarët shqiptarë kudo në botë dhe me këtë nismë apo ambicje sikur ua keni kaluar apo u keni bërë një sfidë Institucioneve shkencore e akademike të themeluara prej kohësh si në Shqipëri e Kosovë. Si është pritur kjo nismë prej tyre dhe a ju kanë ofruar zyrtarisht ndonjë përkrahje apo bashkëpunim?
Doktor Qafoku: Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Në fakt deri tani nuk kemi patur shumë përkrahje. Megjithatë ne po punojmë e po përpiqemi që në radhë të parë Instituti ynë të njihet në Shqipëri, Kosovë e kudo nëpër botë dhe mendoj se do të marrë pak kohë derisa ky institut të zerë vendin që i takon mes institucioneve të tjera shkencore e akademike. Por një gjë është e sigurt që koncepti i organizimit të Diasporës shkencore është një koncept i ri jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vende të tjera dhe unë mendoj se Instituti Alb Shkenca po bën një punë të mirë në këtë drejtim.
Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.
Suksese të tjera Niko Qafokut! Na gëzon çdo arritje e shqiptarëve të talentuar, që të huajt i çmojnë dhe u japin çfarë meritojnë!
Një tjetër rast suksesi, që duhet t’i vërë të reflektojnë sa më shpejt institucionet tona të shkencës dhe jo vetëm ato.
Respekt për këtë shkencëtar shqiptar. Jo vetëm diaspora shqiptare, por gjithë kombi e ka për mburrje që nga radhët e tij dalin personalitete të tilla në shumë fusha të shkencës.
I urojmë suksese shkencëtarit Qafoku.
Më lind një pyetje a dilemë, si mund ta quaj.
Për deri sa në shumë fusha të ndryshme të shkencës kanë dalë personalitete e shkencëtarë të shquar si z. Qafoku, si ka mundësi që nuk po dalin personalitete të këtyre përmasave edhe në fushën politike kombëtare e atdhetare, po kemi shumë liderë politikë në Shqipëri, Kosovë, Sërbi, Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, por edhe nga shqiptarët e Greqisë të cilët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët me të cilën të bashkojnë qëndrim të unifikuar atdhetar në të gjitha trojet ku banojnë, po ” njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit”, haen e grinden, zihen e pajtohen, puthen e kafshohen vetëm për të qëndruar ose hipur në pushtet. Dhe çfarë pushtetërimi?! Vetëm për interesat e kastës së tyre të ngushtë në dëm të interesave të popullit në sejcilin truall ku banojnë në veçanti e të kombit në përgjithësi.
Le të shpresojmë se kombi ynë do të nxjerri dhe personalitete politike të rangut të shkencëtarëve në shkencat ekzakte si z. Qafoku.
Sepse, Studienrat/et shumica nuk kan mbaru fare shkoll politike, nuk kan lexu ma shumë se 1% për politik dhe ata që kan mbaru për politik ishin nxanesit me të dobët të shkollave tmesme apo në gjimnaz, dhe që nuk mujten të regjistrohen në drejtime tjera. Pra ktu asht kmeta e politikes Shqiptare, dhe në fend patriotizmi ska të bëj fare me politik, sepse patriotat e sjellin dhe e rujn lirin, kurse politika e mbron me deshmi vendin, trojet po ashtu duhet të kujdeset për rritjen e popullit dhe vendin, shtetin për popullin bashkë me popullin.
Urime dhe suksese për shkenctarin zotriun Niko Qafoku.
I deshiroj afirmim dinjitoz në zbulime, shkencore të reja dhe nga ato të vjetrat në drejtim të kombit dhe trojeve tona.
Urime Dr. Qafoku! Kur egziston nje mjedis i tille si Amerika, padyshim qe shkenca ecen perpara duke i hapur rrugen atyre qe punojne per te. Amerika (por jo vetem) shpenzon per shkencen diku tek 3-4 % te GDP-se.
Per fat te keq, ne Shqiperi ky tregues eshte vetem 0.16%! Jemi ne 6-7 vendet e fundit te botes, me keq se shumica e vendeve me te varfera te Afrikes dhe botes! Me keq nuk behet! Dhe megjithese njerez te ditur dhe te ndershem e kane ngritur zerin per kete situate asnje qeveri nuk pergjigjet dhe askush nuk “can koken”. KATASTROFE