Joe Biden ka mbështetur gjatë gjithë jetës popullin shqiptar dhe është Presidenti që i duhet SHBA-së dhe botës. Si zëvendëse zgjodhi një vajzë emigrantësh që frymëzon me historinë e saj – Ja kush janë shqiptaro-amerikanët që po angazhohen në fushatën e kandidatit demokrat
Nga Ruben Avxhiu
Një grup veprimtarësh të njohur shqiptaro-amerikanë kanë shpallur publikisht mbështetjen e tyre për zgjedhjen President i Shteteve të Bashkuara të kandidatit Joe Biden.
Me anë të një deklarate publike dërguar gazetës “Illyria”, ata i kanë bërë thirrje të gjithë komunitetit shqiptar në SHBA që të bashkohet me demokratin Biden të cilin e shohin si zgjedhja më e mirë për Amerikën, për botën, dhe për interesat shqiptare në Ballkan.
Thirrja vjen në një kohë kur zgjedhjet e radhës presidenciale amerikane janë vetëm disa javë larg dhe po marrin formën e një referendumi ndaj qeverisjes së Presidentit Donald Trump.
Shqiptaro-amerikanët kanë qenë historikisht të ndarë mes dy partive kryesore amerikane, por shqiptaro-amerikanët që mbështesin Zv-Presidentin Biden argumentojnë se Trump ka devijuar nga politika e jashtme dypartiake e disa dekadave duke rrezikuar edhe interesat kombëtare shqiptare si dhe paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Ata theksojnë se nuk është e rastësishme që zyrtarë serbë nga Ballkani po u bëjnë thirrje serbo-amerikanëve që të votojnë për Presidentin Trump. Kjo nuk është diçka e re. Fitorja e tij në 2016 u prit me entuziaëm në Serbi. Pas një vizite në Washington dy vjet më parë, ministri i Jashtëm Daçiq tha se është hera e parë që janë gati të na dëgjojnë edhe pikëpamjen tonë në Washington.
Këto episode, bashkë me dyshimet e forta publike për negociatat e udhëhequra nga Ambasadori Richard Grenell kanë shtuar bindjen e një numri të madh shqiptaro-amerikanësh se do të ishte në interesin e Kosovës dhe shqiptarëve që demokrati Biden të fitojë në 3 nëntor 2020.
Ramazan Bekteshi, një aktivist udhëheqës i orëve të para të Lidhjes Demokratike në SHBA dhe një nga nënshkruesit e thirrjes vë në pah kontrastin e theksuar historik mes kandidatëve Trump dhe Biden. Ky i fundit, në krye të Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan ka qenë një ndihmë e madhe për Kosovën. Bekteshi e ka ilustruar duke botuar tekstin e një rezolute për Kosovën të sponsorizuar dhe prezantuar në Senatin Amerikan nga Joe Biden.
Në mënyrë të ngjashme, një argument të vendosur në mbështetje të ish-zëvendës-presidentit Biden bën edhe një tjetër nënshkrues i njohur i thirrjes Prof. Sami Repishti, në një shkrim të botuar në median shqiptare, përfshi edhe gazetën “Illyria”, në të cilin e quan fitoren e kandidatit demokrat një domosdoshmëri për interesat shqiptare.
Një grup i larmishëm në të gjitha aspektet
Kush janë Shqiptaro-Amerikanët Për Presidentin Joe Biden? Listën e plotë të nënshkruesve mund ta gjeni në fund të thirrjes publike zyrtare. Ata janë të shtrirë gjeografikisht, me larmi pikëpamjesh politike, u përkasin brezave të ndryshme, me prejardhje gati nga të gjitha trojet shqiptare.
Ilaz Kadriu, ashtu si i lartpërmenduri, Ramazan Bekteshi, është nga Chicago, Illinois. Prof. Repishti, 95-vjeçar është nga Connecticut. Po andej është edhe Richard Lukaj, bankier i njohur. Si Lukaj edhe Repishti kanë udhëhequr në periudha të ndryshme Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan. Po ashtu edhe Ilirjan Rusi, një biznesmen nga Staten Island, New York. Një shqiptaro-amerikan që ka bërë histori duke u zgjedhur së pari në Asamblenë e New York-ut dhe pastaj në Këshillin Bashkiak të Qytetit, Mark Gjonaj është një tjetër nënshkrues i kësaj thirrjeje. Aktori James Biberi që ka luajtur në filmin me sukses ndërkombëtar “Ocean’s 8” i është bashkuar grupit. Brezi i moshës më të re përfaqësohet më së miri nga Suzanna Shkreli e Drilon Gashi.
Jo vetëm deklarata, pjesëmarrje aktive në fushatë
Një grup udhëheqësish të komunitetit janë bërë pjesë e fushatës së Joe Biden-it për President. Të udhëhequr nga Ilir Zherka (Washington DC), Avni Mustafaj (New York), dhe Anila Nicklos (Florida), ky grup përfshin zyrtarë të zgjedhur e figura të komunitetit që kanë përvojë në fushata zgjedhore amerikane. Mes tyre shquhet Dona Brady, nga Ohio, që ka shërbyer në Këshillin e Qytetit Cleveland për 20 vjet me radhë dhe është një organizuese veterane e garave politike. Suzanna Shkreli, juristja e njohur nga Michigan, ishte një nga kandidatet më të reja në histori që kandidoi për Kongresin Amerikan. Mark Gjonaj ka fituar praktikisht 100% të garave brenda-partiake dhe të përgjithshme si për në Asamble ashtu edhe për në Këshillin Bashkiak. Afërdita Rakipi, në zonën e Detroitit, ka qenë një udhëheqëse e komunitetit prej vitesh. Ajo ka drejtuar Zyrën e NAAC në Washington DC, në vitet kyçe të luftës në Kosovë dhe është shquar si Drejtore Ekzekutive e IPKO-s. Ken Biberaj, që ka punuar në Nismën Clinton ka kandiduar për Këshillin Bashkiak në New York City. Ai jeton aktualisht në Virginia dhe po vepron si anëtar i Komitetit të Financës në fushatën e kandidatit Joe Biden. Një tjetër zyrtar i zgjedhur shqiptaro-amerikan, Vedat Gashi, fitoi vjet në zgjedhjet për legjislaturën e Westchester-it, në New York.
Këta aktivistë dhe të tjerë janë të përfshirë në një mënyrë ose një tjetër në operacionin e fushatës së kandidatit Biden.
Lidhje historike me Partinë Demokrate
Ky bashkëpunim dhe pjesëmarrje në fushatën e Partisë Demokrate nuk është gjë e re. Shqiptaro-amerikanët janë angazhuar në vite. Mes dy partive kryesore amerikane, Demokratët janë të parët dhe në shumicën e fushatave të vetmit që kanë një strukturë për pjesëmarrjen e komuniteteve etnike.
Një rol nismëtar në këtë kuadër ka luajtur Ilir Zherka që qenë nga të parët që ka përfshirë shqiptarët si komunitet në fushatat presidenciale amerikane. Ai ka shërbyer si udhëheqës i organizimit për komunitetin në nivelin kombëtar amerikan. Kur Demokratët vendosët të shtrijnë fushatat e tyre në komunitetet etnike, Ilir Zherka ishte një nga themeluesit e Këshillit Kombëtar Demokrat të Koordinimit Etnik (NDEECC). Ky Këshill është pjesë e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe Zherka ka shërbyer si përfaqësues i komunitetit shqiptar që nga vitit 1994. Në veçanti, ai shërbeu si Drejtori Kombëtar për Komunitetet Etnike në fushatën për rizgjedhjen e dyshes Clinton-Gore, në 1996, duke luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e shqiptarëve me Administratën Clinton e në farkëtimin e lidhjeve që shërbyen shumë në ato vite vendimtare. Në 2008, Zherka kishte statusin e lakmuar të “superdelegatit” në Konventën Kombëtare ku dha pati fatin të votonte për kandidaturën historike të Barack Obama-s.
Dona Brady, Avni Mustafaj, Anila Nicklos, Ken Biberaj e të tjerë janë vetëm disa nga shqiptaro-amerikanët që kanë organizuar në vite grupe të komunitetit për të mbështetur kandidatët presidencialë të Partisë Demokrate.
Këtë vit, at apo organizohen për të bërë një përpjekje shumë më të fortë. Shpallja e mbështetjes për Biden President është vetëm hapi i parë. Organizatorët po përgatisin një faqen në Facebook kushtuar punës së tyre dhe do të vijojnë me aktivitete të tjera.
Rëndësi të madhe do të ketë angazhimi i shqiptarëve që jetojnë në shtete vendimtare për zgjedhjet si Florida, Michigan, dhe Ohio. Në këto shtet një numër i vogël votash mund të vendosë gjithshka dhe Ilir Zherka thotë se dëshiron që të shohë shqiptaro-amerikanët “në anën e duhur të historisë” duke votuar për dyshen Biden-Harris.
Teksti i plotë i Deklaratës:
Shqiptaro-Amerikanët Zgjedhin Biden-Harris
Ne, të nënshkruarit, mbështesim Joseph R. Biden, Jr. për President dhe Kamala D. Harris për Zëvendës-Presidente të Shteteve të Bashkuara.
Zv-Presidenti Joe Biden ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij mbështetjen e zëshme për popullin shqiptar, përkushtimin për të ndihmuar të gjithë amerikanët që t’ia dalin mbanë, dhe një devotshmëri ndaj institucioneve tona demokratike. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të gjitha këto karakteristika te Presidenti i radhës. Mbështetja gjatë gjithë jetës e Biden-it për shqiptarët ka qenë veçanërisht mbresëlënëse. Si udhëheqës në Kongres, ai përqafoi tranzicionin shqiptar drejt demokracisë dhe ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara ta mbështesin zhvillimin e saj që kur hidhte hapat e para. Kur populli i Kosovës luftonte për liri dhe pavarësi, Joe Biden qendroi përkrah tij. Kur qeveria serbe iu përgjigj kësaj aspirate me një fushatë mizore të spastrimit etnik, Joe Biden mbështeti ndërhyrjen ushtarake amerikane dhe më tej pavarësinë e Kosovës. Ai ka përkrahur gjithashtu demokracinë dhe të drejtat e njeriut për shqiptarët në mbarë Ballkanin, gjatë mandateve të tij në Senat dhe si Zv-President.
Këtu në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden ka punuar që të bëjë realitet mundësitë dhe sigurinë ekonomike që kanë nevojë amerikanët për ta mbajtur vendin e tyre të begatë. Zv-Presidenti ka udhëhequr duke kërkuar garantimin e shërbimit shëndetësor dhe arsimit cilësor për të gjithë. Ai ka mbështetur gjithashtu nevojën që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në luftën kundër ndryshimit të klimës dhe në zhvillimin e teknologjisë për këtë synim. Lidhur me pandeminë, Biden ka premtuar udhëheqje në rang federal të bazuar në rekomandime të zyrtarëve të shëndetit publik, si dhe nëpërmjet asistencës së gjerë ekonomike. Zv-Presidenti ka qenë gjithashtu një udhëheqës në luftën për barazi për gratë, pakicat, amerikanët LGBTQ dhe të tjerë. Më e rëndësishmja për një komunitet emigrantësh, Joe Biden beson thellësisht në demokracinë amerikane dhe institucionet ndërkombëtare. Ai ka bashkëpunuar me kundërshtarët politikë kur e ka kërkuar interesi i popullit amerikan, ka kërkuar consensus në disa prej çështjeve më të vështira me të cilat përballet ky vend, dhe ka dëshmuar integritet dhe ndershmëri. Këto janë cilësitë që duam të shohim në presidentin tonë të ri. Joe Biden ka punuar gjithashtu pa u lodhur për të mbështetur dhe forcuar institucionet ndërkombëtare. Këto institucione janë po aq të rëndësishme tani sa edhe kur Shtetet e Bashkuara ndhmuan që të themeloheshin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Ne gjithashtu mbështesim zgjedhjen nga Joe Biden të Senatores Kamala Harris për Zv-Presidente. Përvoja dhe dhembshuria e Senatores Harrisdo ta bëjnë atë një këshilltare të fuqishme. Akoma më shumë, historia e saj si fëmijë emigrantësh është frymëzuese ashtu si edhe dashuria e saj për këtë vend.
Për të gjitha këto arsye e shumë të tjera, ne përkrahim Joe Biden për President dhe Kamala Harris për Zëvendës-Presidente, në këtë moment kritik, për vendin tonë dhe për botën.
Zana Abdullai
Alicia Adam
Imelda Ahmataj
Ramazan Bekteshi
James Biberi
Ken Biberaj
Dona Brady
Man Celaj
Musa Dakaj
Almirah Cool
Drilon Gashi
Vedat Gashi
Mark Gjonaj
Ardiana Halim
Suzan Hyssen
Zinet Hyssen
Flaka Ismaili
Ilaz Kadriu
Mark Kosmo
Richard Lukaj
Emirson Lumani
Elisa Malile
Halil Mula
Murat Myftari
Avni Mustafaj
Shazo Myftari
Anila Nicklos
Valon Nikci
Ema Poni
Blerina Pople
Aferdita Rakipi
Sami Repishti
Ilirjan Rusi
Linda Semsedini
Viona Shaqiri
Suzanna Shkreli
Visar Tasimi
Lori Veliu
Valbona Xhilaj
Mirushe Yzeiri
Ilir Zherka
Komentet