Kur më 10 gusht 1984, 19- vjeçari Shaban Tërstena – shqiptar i Maqedonisë – fitoi titullin e Kampionit Olimpik për Jugosllavinë në Olimpiadën e Los Angeles në mundjen e lirë të peshës 52 kilogram, edhe pse dëgjoja himnin e Jugosllavisë “armike”, unë ndjeja një emocion të rrallë. Ishte ndjenja e shqiptarisë që më mbizotëronte dhe as që doja t’ia dija se Tërstena i madh përfaqësonte Jugosllavinë e Titos. Po këto ndjenja ma përshkonin trupin sa herë që shihja filma të Bekim Fehmiut, aktorit legjendë, edhe pse shumë nga këto filma i bënin jehonë historisë e jetës së Jugosllavisë.
Duke u kthyer te ky vit 2022 i shekullit XXI, për përfaqësimin dinjitoz që realizoi në Katar 2022, Zvicra e Granit Xhakës dhe e Xherdan Shaqirit, më gëzoi jo për nacionalizëm e as për antiserbizëm. Më gëzoi thjesht ngaqë Xhaka e Shaqiri janë shqiptarë. Siç gëzohem për çdo shqiptarë kudo qofshin kur ata arrijnë një sukses. Kështu, siç jam gëzuar edhe unë si gjithë shqiptarët në botë për shenjtërimin e Nanë Terezës, ndonëse ajo nuk pat jetuar asnjë ditë në Shqipëri. Siç jam gëzuar dhe për titujt olimpikë e botërorë të Pirro Dhimës, Luan Shabanit, Mirela Manjanit e Elis Gurit, edhe pse ata kanë përfaqësuar jo Shqipërinë, por Greqinë e Bullgarinë. Dhe të cilët qeveritë shqiptare ende nuk i kanë nderuar.
Siç jam gëzuar qysh fëmijë kur më të rriturit më flisnin për titujt e Riza Lushtës e Naim Kryeziut me Juventusin e Romën e Italisë. Për të cilët kur u bëra gazetar kam shkruar jo dhjetra por qindra faqe, që janë në nivelin e librit historik.
E po aq, siç ndjehem i gëzuar sa herë që bashkëkombës të mi, të cilët e quajnë veten shqiptarë, kudo që të rrojnë e çfarëdo nënshtetësie që të kenë, kanë arritje të mëdha e të spikatuna aty ku jetojnë e janë rritur pra, e sidomos kur ata arrijnë suksese ndërkombëtare.
Padyshim që ndihem fort i nderuar edhe unë si miliona shqiptarë – se me miliona jemi apo jo?, madje i afrohemi 8 milionëshit anë e mbanë botës – kam dobësi për famën e aktorit të madh botëror Aleksandër Moisiun, po ashtu për piktorin Ibrahim Kodra, po i këtij rangu, ky madje edhe kampion e rekordmen i Shqipërisë në atletikën e lehtë. Edhe pse të dy u përfshinë jo në artin e Shqipërisë, por në atë të Austrisë e të Italisë. E po aq ndihem edhe më fort shqiptar kur lexoj pa ia nda për shqiptarët suljotë e të tjerë me në krye Marko Boçarin, edhe pse ata luftuan jo për pavarësinë e Shqipërisë, por të Greqisë. Dhe kam të vendosur përherë para syve të mi si një reliev i ndritshëm tabloje pikture, në radhën kryesore të bibliotekës sime fjalorin Frëngjisht – Turqisht të Sami Frashërit trashëguar prej babës im, edhe pse ky fjalor monumental është një kontribut madhështor për gjuhën e turke dhe jo atë shqipe.
Më vjen fort mirë kur kujtoj se në betejën e Kosovës bashkë me serbë e ballkanas të tjerë kanë luftuar edhe shqiptarë të atjeshëm. Po aq sa më vjen fort mirë që gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanë shqiptarë së bashku me serbë kanë luftuar për çlirim deri në Vishegrad. Të cilin për fat e kam vizituar dhe jam ndalë po me emocion te Ura e Mehmed Paša Sokoloviæ-it, urë e projektuar prej të famshmit arkitekt, shqiptarit Mimar Sinan, edhe pse ai i përkiste shtetit Osman.
Mund të vazhdoj me shembuj të tjerë, e me siguri emrat e figurave kësisoj nuk më ndalin, e sapo m’u kujtuan aktorët e mëdhenj shqiptarë, vëllezërit Belushi,të kinematografisë amerikane, por shqiptarë të pastër. Ashtu siç nderoj artistin Rexhep Mitrovica, nip i Rexhep Mitrovicës – Kryeministër i mirënjohur i Shqipërisë. Po këtë ndjesi shqiptarie kam edhe për artistin tjetër Angjelin Prejlocaj, ndonëse ai i përket Francës.
Më mjaftojnë kështu këta pak emra, pra, për të kujtuar se këtë krenari (ndonëse është një fjalë, me të cilën spekulohet shumë në Shqipëri, e nuk kam fort qejf ta përdor) – nuk mund të ma ndalojë askush. Qoftë ky njeri i zakonshëm, qeveritar, shtetar, Kryeministër a Mbret qoftë. Guximi i të cilëve po merr përmasa të tejskajshme kur pa përtesë e me një megalomani të papërmbajtshme, për kësi ndjenjash shqiptarie na akuzojnë për nacionalizëm. Them guxim sepse pa pikë modestie, pra, marrin përsipër e gati-gati na “urdhërojnë” se deri ku mund të na u lejoka masa e gëzimit dhe kënaqësia për sukseset e shqiptarëve me shtetet e tjerë. Kanë marrë “supergiro” për gjithçka, siç thuhet. Nuk na tutin, vetëm na bëjnë të vëmë buzën në gaz me ironi. Kjo, ngaqë këta tipa me interesa okulte të një politike, sigurisht jo kombëtare, ngatërrojnë nacionalizmin e një shpirti të ngushtë, me thellësinë e gjerësinë e shpirtit të asaj fisnikërie e atdhetarie që përcaktohet e njihet si Nacionale apo Kombëtare. Ata nuk kanë ndjenjën që buron prej zërit të brendshëm të shpirtit të një kombi, që të thërret sa herë i bëzan kombi, sa herë një i shquar i kombit të tij spikat kudo qoftë, a këdo që ai përfaqësoftë.
Kjo ndjenjë e shpirtit kombëtar nuk është as nacionalizëm, as antiserbizëm, që deri dhe njerëz të ngarkuar, bie fjala me detyrën e Kryeministrit, me sa duket luftojnë që me arrogancë të na cenojnë edukimin që na kanë dhënë prindërit tanë të paharrueshëm, të traditës së qyteteve tona ku kemi lindur, rritur e punuar që mund të quhen Shkodër a Tiranë.
Dhe ja, papritmas, mbërrij më tej, në fushën e profesionit tim. Dhe kujtoj se kam shijuar fort një Radivoje Markovic e Marko Markovic, një Dragan Nikitovic e Mladen Delic – gazetarë të radiotelevizionit të Jugosllavisë apo Serbisë, të një stili e mjeshtërie të rrallë. Dhe i jap të drejtë vetes kur kujtoj se kam shkruar me dashuri të madhe, madje një libër, edhe për serbin e Beogradit me emrin Ljubisa Brocic, i cili e çoi Shqipërinë deri në Kampione të Ballkanit më 1946. Ndërsa kujtoj se e doja fort futbollin e Dragan Xhaiçit e shpesh bëhesha edhe tifoz i tij. Mandej, kur Fadil Vokrri apo para tij Xhevat Prekazi, shkëlqenin me Partizanin e Beogradit, unë gëzohesha për fitoren e kësaj skuadre sepse përjetoja edhe talentin e këtyre shqiptarëve të Kosovës, falë të cilëve shqiptarësia më bënte t’i ndjeja krejt si të ishin të mitë.
Lexoj kujtimet e Kryeministrit të Italisë, Francesco Crispi, shqiptar “puro sangue”, pra, arbëresh i Italisë, ndjehem krenar që ai ka arritur deri në atë lartësi. Dhe kur në shtatorin 1877, sy më sy në Berlin, Bismarku i tha që Italia të pushtonte Shqipërinë, Crispi, i cili po e kundërshtonte për mbështetjen e madhe që Gjermania u jepte synimeve adriatikase të Austro-Hungarisë, assesi nuk pranoi. Dhe nuk tutem aspak kur kujtoj se Kryeministër i shtetit Osman për bukur nja pesë vjet të mira ka qenë një pinjuell i famshëm i Vlorajve të Vlorës, Ferid Pashë Vlora, për të cilin nuk është e vërtetë se qe indiferent për fatin e Shqipërisë, siç thonë me nxitim pseudohistorianët. Ndërkohë që më vjen keq që Shkodra ime ende nuk ia ka ngritur monumentin në hyrje të qytetit, aty pranë themeleve të Rozafës së tij, Kara Mahmut Pashës, sepse paska qenë vezir i shtetit Osman, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Ndërsa gëzohem fort që qyteti i Tepelenës ia ka ngritur në mes të mjedisit të saj vezirit tjetër Osman, Ali Pashë Tepelenës, legjendari tjetër shqiptar. “Ali Pasha, bashkoju me Bushtalinë që të bëni Shqipërinë”, siç thoshte poezia e vjetër e atdhetarëve shqiptarë.
Kështu, pra, këta farë modernësh të sotëm, të cilëve me naivitet e pa u menduar gjatë, shqiptarët partiakë iu kanë dorëzuar deri edhe skeptrin e drejtimit të Atdheut, “urdhërokan” a “këshillokan” që t’iu marrim leje nëse duhet të gëzohemi kur përjetojmë futbollin e nivelit botëror të shqiptarëve të Kosovës. E po deshe thuaj edhe të Zvicrës, të tillë si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Se ndryshe qenkemi “nacionalistë”.
Kur më 2014 Gjermania u shpall Kampione e Botës, një nga lojtarët e saj ishte shqiptari i Maqedonisë, Shkodran Mustafi – dhe e shihni se çfarë emri të shqiptarësisë ai mban! Dhe ne, të cilët nuk vuajmë prej nacionalizmit, por “vuajmë” vetëm prej shqiptarësisë, edhe më fort e deshëm titullin botëror të Gjermanisë. Dhe u shndërruam në tifozë të mëdhenj të saj, ngaqë përveç të tjerave, donim që një shqiptar të bëhej Kampion i Botës në futboll – sporti parësor i rruzullit. Është Shkodran Mustafi.
Sigurisht, më krijon një pështjellim edhe fiziologjik Presidenti i Serbisë, Vuçiç, kur thotë se nuk bëj asnjë lëshim për “Kosovë Metohinë”. Çka kjo kurrë nuk do të thotë se vuaj nga “nacionalizmi”. Nacionalizmi është ky i një Vuçiçi, që për fat mund të ndodhë që të mund t’i rrijë pranë qëndrimit të një qeveritari të Shqipërisë, i cili flet deri për miqësi vetjake me një nacionalizëm të tillë në këtë rast serb. Çka duket se është me të, por është kundër “nacionalizmit” të shqiptarëve të tij – nëse vërtet këta janë të tijtë. Kjo po. E ky i këtij të Shqipërisë është mû një lloj nacionalizmi tradhtues pra, në të mirë të ambicieve nacionaliste të shfrenuara, në këtë rast të politikës serbomadhe, që po shfaqet gjithnjë e më me egërsi edhe mbas Millosheviçit.
Ndoshta na urdhërojnë që të ruhemi fort prej “nacionalizmit” edhe kur shohim demonstrata serbe të një supernacionalizmi deri edhe kundër Zvicrës meqë një lojtar i saj shqiptar i paska shënuar gol Serbisë. Madje, u dashka ruajtë prej “nacionalizimit” edhe kur shohim foton “luftarake” të një egërsie, që nuk ka assesi të bëjë me futbollin, të portierit të Serbisë ndaj Xhakës. Çka më kujton natën serbe të stadiumit të Armatës Popullore të Beogradit në ndeshjen për EURO 2016, që kualifikoi Shqipërinë…
Mund të më ndodhë që të më kapë paksa nacionalizmi, pra, si padashur, por prapë nuk ia lejoj vetes. Pa sa për arritjen e Zvicrës me dy titullarë shqiptarë, për më tepër të “Nanës Kosovë”, siç e titullonte librin tij Dr. Vasfi Samimi ynë i madh, të cilit Partia i dhuroi burgun, arritja sportive në fjalë që përfshiu Zvicrën në tetëshe të Botës, me protagonistë dy shqiptarë të shquar, më gëzoi fort. Edhe ngaqë askush nuk mund të na urdhërojë përmes “feisbukëve” a radhëve prepotente të “twit”-rave. Kësisoj, qofshin shtetarë a qeveritarë të ngarkuar me detyrën e Kryeministrit. E të kërkojnë që t’iu marrim leje atyre apo atij, për gëzimin tonë, në këtë rast zvicerano-shqiptar, se mos na mërzitet “miku” Vuçiç.
E edhe nëse mund të mos kemi njerëz që bien në një mendje me ne, nuk mërzitemi aspak. Le të mërziten ata, ngaqë papritmas, për të eliminuar një Serbi nga Kampionati Botëror, paskan kontribuar, madje me role të dorës së parë edhe dy shqiptarë. S’kemi punë me këta tipa kushdo qofshin ata, sado të vegjël apo pseudo të mëdhenj qofshin. Dhe jo vetëm ne, natyrisht. Bëni sondazhe po të doni.
Dikur, prej Peles, Garinçës, Vavës, Didit, Zhilmarit, Santosit, Tostaos, Sokratesit e Falkaos gëzoheshim për fitoret e futbollit spektakolar të Brazilit e u bëmë tifozë të tij. Ndërsa sot, edhe pse Kombëtarja e Shqipërisë mungoi në Botëror, ja ku dalin dy shqiptarë të Kombëtares së Zvicrës, që papritmas na bëjnë të ndihemi sikur të ishim edhe ne paksa të përfaqësuar në Katar 2022.
Ndërkaq, me njerëz që harrojnë ose që bëjnë sikur harrojnë, kujtoj se profesioni që ushtroj nuk e duron harresën. E pra, a e dini se në Kombëtaren e Shqipërisë të “Franca 2016”, afër 80 për qind e lojtarëve nuk ishin shqiptarë të Shqipërisë, por me në krye Taulant Xhakën vëllanë e Granit Xhakës, ishin shqiptarë të Kosovës që kishin lindur e ishin formuar në shtete të Europës, me në krye Zvicrën e G.Xhakës e Shaqirit? Madje, kishte edhe nga ata që kishin veshur fanellën e Kombëtareve të Zvicrës. Dhe mandej erdhën te Shqipëria. A thua është “nacionalizmi” që i bindi që ata të luanin për Shqipërinë?
Mjerë ata farë “objektivësh” që jetokan me frikën e “nacionalizmit” nëse ne gëzohemi për fitoren e Zvicrës edhe të dy shqiptarëve ndaj Serbisë. Them se përveç nënshtrimit të vërtetë, tejet përulëse ndaj një Kryeministri të Serbisë a s’di se kujt, duket që iu mungon fort deri dhe një lloj kulturë që quhet universale.
Nuk besoj se mund të më akuzojnë për “nacionalizëm” shqiptarët e mi të dashtun, që i kam pasë dalë zot me nja dhjetë shkrime mosrrënimit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” apo për nja tri shkrime të forta për mosrrënimin e Teatrit Kombëtar. Po aq, nuk besoj të më akuzojnë për nacionalizëm nëse revoltohem për shkatërrimin kriminal të qendrës turistike të Golemit “Resort Prestige”. Përkundrazi, në këto raste ashtu si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë, mund të akuzohem vetëm për ndjenjë të fortë kombëtare. Në dy rastet e para sepse u zhdukën dy histori të mëdha kombëtare. Në rastin e tretë, sepse u zhduk një qendër pushimi, çlodhjeje, një pasuri e vërtetë moderne turistike, që iu shërbente njerëzve, shqiptarëve.
E çmoj fort rastin e kolegut tim të nderuar, Salvatore Lo Presti – gazetar i madh, sidomos i futbollit. Më dhuroi librin e tij historik “La Juve è tutta un quiz!”. Dhe me gëzim të madh më tha se “në këtë libër ke kushedi sa herë Riza Lushtën tënd”. Ndonëse nga njëra anë Lushta nuk ishte vetëm i imi, por sidomos i Juventusit. Por miku Salvatore ndjente dhe kuptonte fort mirë shqiptarësinë time dhe të Lushtës. Mandej, kur unë i dhurova Salvatores librin tim “Shqipëria Europiane e Gianni De Biasit”, ai i me presje e pikë, më shkroi këto fjalë:
“Shumë i dashur Besnik. Ke bërë një punë me të vërtetë shumë të shkëlqyeshme për Gianni De Biasi-n, libër fort i pasur me plot të veçanta dhe i shkruar me saktësinë tënde shumë të madhe. Do ta mbaj si dëshmi të miqësisë sonë të gjatë, midis librave të mi më të dashur”.
Ky ishte demonstrimi “nacionalist” i Salvatore Lo Prestit për italianin e tij bashkatdhetar, trajnerin e madh të Shqipërisë, Gianni De Biasi, i cili për herë të parë në histori e kishte çuar Shqipërinë në finalet e Kampionatit të Europës. Për suksesin e të cilit, si italian, gëzohej fort edhe Salvatore Lo Presti. Ishte ndjenja e fuqishme kombëtare e tij për bashkëkombësin, i cili kishte arritur suksesin e madh, qoftë edhe me një shtet tjetër.
Mjerë ata shqiptarë – nëse vërtet janë të tillë – të cilët duan të na e mpakin hapësirën e gjerë të shqiptarësisë sonë. Duhen abandonuar. (Fjalë që vjen prej italishtes dhe që don të thotë “me i braktisë”, siç e shqipëron Cordignano).
Komentet