Duke qenë se shqiptarët nuk kishin një mendësi të qartë shoqërore për shkak të rrethanave social-historike në zgjedhjen si duhet të vendimmarrësve të tyre, ata gjithmonë kanë qenë të rrezikuar shumë të binin në duart e ndonjë tirani dinak, i cili duke shfrytëzuar naivitetin e tyre, do t’u bënte premtime të bukura duke iu thënë se nëse ia jepnin atij pushtetin, ai do ta përdorte “shkopin magjik” të shtetit për të plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Këtë rrezik kishte parasysh Noli kur thoshte në një fjalim të tij se: “Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimërinë e pushkës, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit, me kurajën civile, e cila është më e lartë se e para”.
1.Opozita e Nolit humbi në zgjedhjet e vitit 1923, sepse nuk iu premtoi shqiptarëve veçse punë të vështirë për të ndërtuar “shtëpinë e përbashkët”, shtetin e prosperuar. Fituan ata që premtuan mrekullira me “shkopin magjik”. Noli nuk blinte vota, kështu që nuk ishte fare tërheqës si politikan. Noli u ofronte shqiptarëve idealizmin e tij, u thoshte se donte të punonte për të ndërtuar një shtet ligjor sipas modelit perëndimor. Problemi i Nolit ishte se shqiptarët, të cilëve iu drejtohej ai, kishin një refuzim të lindur për ligjin dhe për shtetin, sipas modelit europian, gjë që e kishte vënë re me shqetësim. Noli i njihte mirë shqiptarët. Fjalimi i tij i famshëm për pesë anarkitë e tregon qartë këtë. Ai e dinte se kujt ishte duke iu drejtuar, por si një idealist i pandreqshëm mendonte se mund t’i bindte shqiptarët me fjalë, të cilat ata nuk i kuptonin.
Sot, kur citohet Noli për pesë anarkitë, nuk citohet për pjesën ku ai flet për rrugëdaljen prej tyre. Në fakt Noli, pasi përshkroi me hollësi pesë anarkitë, përshkroi edhe sfidën me të cilën do të përballej ai që do të provonte të vinte rregull në vendin ku sundonin këto pesë anarki. Para se të dëbohej me armë nga pushteti, ai ishte ndëshkuar me votë nga elektorati refuzues ndaj ligjit dhe shtetit, sipas modelit europian. Shqiptarët e shikonin shtetin si një forcë të huaj, të cilin e shpërfillnin sa të mundnin, e refuzonin sa të mundnin dhe vetëm kur iu imponohej, i nënshtroheshin, pasi nuk kishin çfarë të bënin tjetër. Ideal për ta do të kishte qenë një shtet shqiptar, që të ishte i pranishëm sa për dukje në fshatrat e qytetet e tyre, me ligjet e tij, policët, gjykatësit, nëpunësit, por që në thelb t’i lejonte të vazhdonin të jetonin siç kishin jetuar para tij, duke bërë me këtë shtet kompromisin që kishin bërë me shtetin turk. Zogu iu shkelte syrin bashkëkombësve dhe iu premtonte një shtet europian me fjalë, por një shtet të tillë, siç e donin ata me vepra.
Zogu nuk dinte të fliste kaq bukur sa Noli, por shqiptarët e kuptonin shumë më mirë Zogun se Nolin, të cilin nuk e kuptonin fare. Shteti që premtonte se do të ndërtonte Noli i trembte ata. Nuk e gjenin veten në të, iu dukej i huaj. Në një fjalim të mbajtur në Parlament, më 1923, Noli, thoshte: “Cili është programi ynë? Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndershmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar, i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t’i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me ryshfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, por për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t’u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit”.
2. Gabimi i Nolit ishte se ai mendonte që bashkëkombësit e tij donin sundimin e ligjit, donin shtetin e fortë. Në fakt, ata donin vetëm aparencën e këtyre gjërave. Shteti që përshkruante Noli i trembte ata më shumë se kërbaçi i Zogut. Prandaj ata nuk entuziazmoheshin kur Noli thoshte se nuk do ta përdorte drurin. Ai mendonte se me këtë ua kishte fituar zemrën, por nuk e kuptonte se këta njerëz ishin mësuar me drurin dhe dinin si të merreshin veç me atë që kishte kërbaçin e shtetit në dorë. Kjo ishte gjuha që ata e kuptonin mirë brez pas brezi. Ai që kishte kërbaçin në dorë iu thoshte se unë e di që ju tregoni mospërfillje sa të mundni për ligjin dhe shtetin e unë ua njoh këtë të drejtë. Por unë kërkoj nga ju që t’ i nënshtroheni sa për dukje ligjit dhe autoritetit të shtetit, që Europa të shohë se ne kemi një shtet modern. Nëse ju nuk cenoni pushtetin tim, unë nuk do t’u cenoj juve më tepër se kaq dhe do t’u lejoj të jetoni siç keni jetuar brez pas brezi. Nëse disa nga ju dëshirojnë ta ndryshojnë mënyrën e jetesës aq më mirë.
Dhe kështu u arrit kompromisi i heshtur mes Zogut dhe shqiptarëve, që i mundësoi Zogut të bëhej mbret dhe ta mbante pushtetin deri kur u largua nga Shqipëria. Një njohëse e mirë e Shqipërisë, baronesha gjermane Marie Amelie Frein von Godin, në librin e saj “Nga Shqipëria e re”, të botuar më 1914, shihte si një problem të madh për shqiptarët në shtetin e tyre të ri, atë që ata nuk ishin mësuar të kishin interesa publikë: Për vështirësitë që kryesisht i kundërvihen një aksioni mbarëkombëtar në Shqipëri, mund të krijojë një ide vetëm ai që njeh vendin dhe karakterin popullor. Për shkak të shtypjes shekullore, gjatë së cilës shqiptarëve u ishte mohuar, madje me kërcënimin e dënimeve të rënda, çdo pjesëmarrje në jetën politike, pjesa më e madhe e popullatës ishte çmësuar të interesohej për çështjet publike dhe kjo, siç ishte e natyrshme, nga shpërfillja e plotë e ngjarjeve politike, çoi në humbjen e krejt shpresave për të ardhmen, që tek çdo popull tjetër, jo kaq të shkathët dhe energjik, do ta kishte degjeneruar në një letargji të thellë dhe pa shpëtim.
3. Pikërisht mungesa e interesimit të shqiptarëve për çështjet publike mund të shihej si arsyeja që në vend mbisundonin pesë anarkitë për të cilat fliste Noli. Një konstatim të ngjashëm me atë të Baroneshës von Godin, por të shprehur me më shumë hollësi, ka bërë 25 vjet më vonë një gazetar i shquar italian, Indro Montanelli, në librin e tij “Shqipëria një dhe njëmijë”, i cili gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri vuri re se përveç një elite intelektuale, te shqiptarët e thjeshtë mungonte interesimi për çështjet publike dhe se ata ishin të shqetësuar vetëm për gjëra që kishin lidhje drejtpërdrejt me interesat e tyre private. Montanelli shkruan: “Pyeta fshatarë, blektorë dhe njerëz të thjeshtë: ‘Çfarë do të dëshironit?’, m’u gjegjën, çdonjëri me fjalë të tijat, por të gjithë në të njëjtën mënyrë:
‘Dëshirojmë që të mos vidheshin paratë që Italia jep për përmirësimin tonë, që kjo tokë të kthehej nga moçal në bashtinë, që një rrugë të vinte deri këtu, që të kishte një shkollë ku të shpiem fëmijët, që ta kishim bukën të siguruar dhe jo të varur nga trilli i shirave dhe i diellit, që malaria të zhdukej, që qetë t’i kishim më të shëndoshë, që shtëpinë ta kishim shtëpi dhe jo kasolle të ndyrë’. Këtë më thoshin fshatarët. Askush nuk më tha ndonjëherë se lypsej organizuar një parti apo lypseshin kufizuar fuqitë e shtetit. Askush nuk kërkonte liri. Bukë kërkonin, edhe rrugë, edhe tokë për të lëvruar, edhe shtëpi, edhe qe. Ndërsa mua më shkonte mendja, si për sa e sa kryevepra të humorizmit, te librat që kisha lexuar mbi Shqipërinë, libra gazetarësh francezë, anglezë, amerikanë, në të cilët dëftohet se problemi shqiptar qenkësh një problem organizimi i lirive demokratike.
4. Askush nuk ishte interesuar për çështje publike jashtë sferës së tij të interesave private! A mund të thuhet se e kishte tepruar ky gazetar italian dhe se e vërteta nuk ishte pikërisht kështu si thoshte ai? Në fakt, edhe sot ne kemi dëshmi të panumërta në të gjithë televizionet shqiptare që kur gazetarët u drejtojnë mikrofonin njerëzve të thjeshtë në të gjitha anët e vendit, askush nuk flet për çështje publike, përveçse kur e pyesin drejtpërdrejt për diçka të tillë. Përndryshe të gjithë flasin vetëm për çështje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat e tyre private.
Shqiptarët e sotëm, jo më pak se ata me të cilët bisedoi Durhami më shumë se një shekull më parë, e shpërfillin dhe e refuzojnë ligjin dhe shtetin me sa të mundin, gjë që e demonstrojnë me ndërtimet e shumta pa leje, me kultivimin masiv të bimëve narkotike, me mospagimin e energjisë elektrike dhe të ujit etj.. Shqiptarët i binden pa dëshirë ligjit dhe shtetit, vetëm kur detyrohen ta bëjnë këtë gjë me mjete shtrënguese. Dhe shqiptarët ndoshta janë unikë për indiferentizmin e tyte shoqëror në mospërfilljen e tyre dhe refuzimin e tyre për ligjin dhe për shtetin. Mospërfillja dhe refuzimi i shqiptarëve për ligjin dhe shtetin nuk është një dukuri që shfaqet vetëm te njerëzit e thjeshtë, por edhe tek elitat politike, të cilat e shfaqin në mënyrën e tyre mospërfilljen për ligjet dhe shtetin. Thjesht duke mos i zbatuar ligjet që kanë bërë vetë, kur nuk iu intereson atyre. Shqiptari edhe sot për fat të keq është e vështirë të shikojë përtej pragut të shtëpisë, ndryshe nga bashkëkohësit e tyre europianë, që sillen si qenie shoqërore. Kjo është edhe sot një nga plagët e vjetra historike, që stigmatizonte dikur Lumo Skëndo alias Mitad Frashëri te libri i tij “Plagët tona”, por që e kanë vënë në dukje edhe rilindës të tjerë.
Referencat
1- (Fan S. Noli, Vepra, Akademia e
Shkencave, vol. VI., Tiranë 1996, f. 140)
2- (Fan S. Noli, Vepra, Akademia e
Shkencave, vol. VI., Tiranë 1996, f. 143)
3- Marie Amelie Frein von Godin:
“Nga Shqipëria e re”, Shtëpia botuese
“Koçi”, Tiranë 2007, f. 21)
4- (Indro Montanelli: “Shqipëria një
dhe njëmijë”, Shtëpia botuese “55”,
Tiranë 2005, f. 109-110)