Përshkrimi më i thjeshtësuar, në një fjali të zgjeruar të asaj që i ndodhi Kosovës në fillimgusht është: Sovraniteti i vendit është aq i dëmtuar për shkak të kapjes së institucioneve të shtetit nga ana e krimit të organizuar politik sa që nevojitet një ndërhyrje e veçantë, marrje e një pjese të sovranitetit të vendit për ta spastruar nga kjo kapje
1.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka gjasa të hyjë në analet juridike si shembull i vetëpërshkruar i mazokizmit kushtetues. Nëse mazokizmi është gjendja ku kënaqësia derivohet nga dhimbja a dëmtimi i vetëkrijuar, atëherë mazokizmi kushtetues është gjendja ku kënaqësia krijohet prej vetëdëmtimit kushtetues.
Një gjendje e këtillë është përshkruar ndoshta më së miri me fjalët e kryetarit të Kuvendit, i cili ftonte deputetët që të votonin për themelimin e kësaj Gjykate, duke e quajtur njëkohësisht një “Nuremberg të vogël” për shqiptarët, gjë që, kalimthi, me analogji e me jo ndonjë mençuri a konteksti real historik do t’i bënte të akuzuarit e ardhshëm versione të vogla të kriminelëve nazistë të Luftës së Dytë Botërore.
Në fakt, amplitudat emocionale të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës ia sigurojnë këtij institucioni një vend të spikatur në literaturën sadiste-mazokiste, apo sado-mazo. Amplituda shkon prej kulmimit të së mirës (“pastërtia e luftës”, “vlera më sublime e historisë së shqiptarëve”) deri te kulmimi i së keqes, Nurembergu. Kuvendi mund të krijojë vetëkënaqësi nga dhimbja, por njëkohësisht, duket se po krijon kënaqësi gjithashtu nga dhimbja që i shkakton çdokujt tjetër, në radhë të parë qytetarëve të këtij vendi. Mazokizmin vetjak po e përcjell me sadizmin ndaj qytetarëve të tjerë.
2.
Në javën e parë të gushtit, Kuvendi i Kosovës i shtoi një nen Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atë 162. Me atë nen, Kuvendi i Kosovës krijoi mundësinë që një forcë e jashtme të krijojë një rend juridik të veçantë në Kosovë. Në atë rend juridik të veçantë do të ekzistojë një prokurori e veçantë që do të urdhërojë arrestimin e qytetarëve të veçantë të Kosovës, do t’i dërgojë në dhoma arresti të veçanta jashtë Kosovës, do të mbajë gjykime të veçanta me gjyqtarë të veçantë. Në rast të dënimit, qytetarët e veçantë të Kosovës do të mbajnë burgun jashtë Kosovës, në burgje të veçanta të kontraktuara më herët në marrëveshje ndërshtetërore mes Gjykatës së veçantë (e cila del si palë shtetërore) dhe shteteve të veçanta që japin burgjet e veta. Gjykata e veçantë për këtë gjë e informon Qeverinë e Kosovës, siç e informon që nga fillimi se gjykimet bëhen me ligjet e Kosovës. I dënuari i veçantë nga Gjykata e veçantë ka të drejtë që të ankohet brenda sistemit të drejtësisë së veçantë, Gjykatën e veçantë të apelit, atë të veçantë supreme, përfshirë edhe shkallën e fundit, atë të Gjykatës Kushtetuese. Por edhe aty do të jetë një seksion i veçantë, nga tre gjykatës të veçantë ndërkombëtarë (të veçantë edhe nga gjykatësit ndërkombëtarë, të cilët janë të emëruar tanimë aty) të cilët do të merren me lëndët e Gjykatës së veçantë.
Brenda një dite, Kuvendi i Kosovës ka bërë këto pohime:
– Institucionet e Kosovës dhe ato të deritanishme ndërkombëtare (UNMIK-EULEX) nuk kanë qenë dhe nuk janë të afta të merren me krimet e supozuara nga raporti i Këshillit të Evropës (Raporti Marty)
– Meqë nuk janë të afta, institucionet e Kosovës e veçojnë një pjesë të sovranitetit të vet dhe ia delegojnë atë (përfshirë edhe kapacitetin e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dy a shumëpalëshe) një force të jashtme
– Veprimet e forcës së jashtme nuk i nënshtrohen ndarjes së pushteteve në rendin kushtetues të Kosovës; pushtetet e Kosovës i nënshtrohen forcës së jashtme
3.
Imagjinata dhe emocionet mund të prodhojnë një vistër emrash për aktin e votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës – prej autopuçit juridik deri te dorëzimi para presionit ndërkombëtar.
Por, përtej imagjinatës dhe emocioneve, është e rëndësishme të veçohet tema e sovranitetit dhe të zbërthehet ajo më tutje.
Kur, pra, më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Gjykatës Speciale, ai bëri njëkohësisht disa veprime që edhe brenda konceptit të sovranitetit kanë kundërshti të brendshme. Së pari, vështruar nga këndi pozitiv, Kuvendi i Kosovës cedoi një pjesë të sovranitetit të vendit, gjë që, paradoksalisht, tregon se është sovran. Pra, vetëm shteti sovran mund të japë pjesë të sovranitetit të vet. Gjendja do të ishte krejtësisht tjetër po të ishte themeluar Gjykata e veçantë sipas Rezolutës 1244 brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së apo madje edhe si njëra prej shpikjeve “sui generis” të Bashkimit Evropian (si një lloj misioni i veçantë pranë misionit të veçantë, pa kërkuar fare pëlqim prej autoriteteve kosovare). Në këso rasti do të flisnim për uzurpim të imponuar (a të dhunshëm) të sovranitetit nga një forcë e jashtme.
Por, në të njëjtin moment kur vendi sovran cedoi një pjesë të sovranitetit të vet (duke krijuar edhe një Gjykatë Kushtetuese të Veçantë – se kështu e ka emrin e vërtetë grupi prej tre gjyqtarëve ndërkombëtarë që do të merren me ankesën eventuale të Gjykatës së veçantë) ai ia bëri këtë një force të jashtme jo krejtësisht të definuar, qoftë në marrëdhënie, qoftë në përbërje. Pra, Kosova ia cedoi një pjesë të sovranitetit, formalisht, Bashkimit Evropian. Brenda tij, janë pesë shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës; d.m.th. Kosova ia cedoi një pjesë të sovranitetit të vet edhe atyre pesë shteteve që nuk pranojnë se Kosova është sovrane.
Për më tepër dhe për dallim prej shteteve evropiane të cilat cedojnë një pjesë të sovranitetit të vet në një proces kontraktual, ku sa më shumë që japin nga sovraniteti i vet aq më e thelluar bëhet marrëdhënia me BE-në (procesi i integrimit deri në anëtarësim), marrëdhënia e Kosovës me BE-në është parakontraktuale. Pra, e tëra që quhet kontratë mes Kosovës dhe BE-së e që shërben si bazë juridike të këtij cedimi të sovranitetit, është letërkëmbimi mes presidentes së Kosovës, Jahjaga, dhe ish-përfaqësueses së lartë, Ashton. Cedimi i integritetit, në rastin e Kosovës, nuk është pjesë e procesit të integrimit. Nëse do të duhej matur, brenda fjalorit të BE-së, Gjykata Speciale ka të bëjë më shumë me “stabilizim” të shtetit; pasi që të “stabilizohet” mund të shikohen perspektivat e “asociimit” që është faza para asaj të inicimit të bisedave për “integrim”.
Pra, Kosova po e jep një pjesë të sovranitetit të vet, jo si dëshmi se është e pjekur për integrim, por përkundrazi, se është e papjekur për të dhe do “stabilizuar” më tutje.
4.
Fjala sovranitet, kaq shpesh e shqiptuar në Kuvendin e Kosovës, bart më vete edhe më shumë paradokse.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbanin fjalimet e tyre me fjalën “sovranitet” në të, duke nënkuptuar se vendi ushtron sovranitet mbi territorin e vet. Por ky do të ishte përshkrim jo i plotë së paku në dy aspekte fondamentale.
Njëri, vendi nuk është sovran përderisa shteti është i kapur. Zaptimi i institucioneve të shtetit nga një grupim politik dhe kriminal e zhvesh vendin nga sovraniteti. Një ilustrim testues i thjeshtë janë financat: në një vend sovran, aty ku sovraniteti nënkupton edhe rolin e qytetarit, do të ishte e pamundur të shpenzohen një miliard euro në një projekt autostrade pa as edhe më të voglën mbikëqyrje publike.
Andaj edhe thirrja për sovranitet, tash, me Gjykatën e veçantë, është, thënë së buti, e tejkaluar. Nëse ekzekutivi i Kosovës disponon me paratë publike si me të vetat dhe nënshkruan marrëveshje sekrete për një projekt publik si autostrada; nëse Kuvendi i Kosovës nuk mund ta ketë në duar këtë kontratë; nëse sistemi gjyqësor është fare i painteresuar pse ky projekt ka kushtuar së paku 300 milionë euro më shtrenjtë sesa do të kushtonte në një vend si Gjermania, Austria e Franca – pra nëse nuk është mbrojtur sovraniteti me paranë publike, çfarë qenka ai sovranitet që u rrezikuaka nga një Gjykatë e veçantë?
Aspekti i dytë është se Kosova nuk ushtron sovranitet territorial të plotë, edhe pa Gjykatë Speciale. Në një pjesë të territorit të Kosovës pushteti ushtrohet si shtrirje e sovranitetit të një shteti tjetër, të Serbisë. Pra, kemi në rastin më të mirë ndeshjen e dy sistemeve që duhej të ishin sovrane, të Kosovës e të Serbisë. Në rastin më të keq, kemi pajtimin e bashkëjetesës së dy sistemeve sovrane, të Kosovës e të Serbisë në një territor të vetëm.
Shteti i kapur i Kosovës, i kapur prej një grupimi politik e të kriminalizuar, qysh prej vitit 2010 e këtej është futur në një proces negociator me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së për të definuar një ardhmëri për këtë puqje sovranitetesh me pak a shumë dy kahe të mundshme zhvillimi. Në njërin, ashtu siç dëshiron ta shohë Prishtina dhe një pjesë e madhe e BE-së, rrjedha do të duhej të ishte një transicion bashkëpunues mes Prishtinës e Beogradit drejt vendosjes së plotë të sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e vet. Në tjetrin, ashtu siç dëshiron ta shohë Beogradi dhe një pjesë e BE-së (dhe mund të paramendohet, Moska) transicioni duhej të shpinte drejt përligjjes së gjendjes së tanishme, gjegjësisht përligjjes, në njëfarë forme, të dualitetit të sovraniteteve në Kosovë. Njëra prej formave kryesore për një përligjje të këtillë është vendosja e Asociacionit të Komunave Serbe si nivel i tretë i pushtetit, mes atij qendror dhe atij lokal, pra Asociacioni si një autonomi territoriale-politike e serbëve të Kosovës me mundësi reale e të nënkuptuar të jetë zgjatje e sovranitetit të Serbisë në Kosovë.
Në pritjet e Prishtinës dhe Beogradit, se nga do të shkojë transicioni, rol të konsiderueshëm mund të lozë interpretimi (për këtë kontekst) i një ligji të fizikës, ligjit të tretë të Newtonit, me të cilin është më vështirë ta lëvizësh një objekt sesa ta mbash aty ku është po nuk ke forcë ndryshuese; d.m.th. është më vështirë të ndryshojë gjendja në favor të Prishtinës (duhet shumë më tepër energji se ç’është investuar) sesa të rrijë aty ku është, në favor të Beogradit.
5.
Përshkrimi më i thjeshtësuar, në një fjali të zgjeruar të asaj që i ndodhi Kosovës në fillimgusht është:
Sovraniteti i vendit është aq i dëmtuar për shkak të kapjes së institucioneve të shtetit nga ana e krimit të organizuar politik saqë nevojitet një ndërhyrje e veçantë, marrje e një pjese të sovranitetit të vendit për ta spastruar nga kjo kapje. Kapja filloi, këtë e kanë pranuar Kuvendi i Kosovës duke pranuar njëkohësisht bazat morale, filozofike e juridike të Gjykatës së veçantë, në formë të spikatur në t’u çliruar vendi nga ana e NATO-s dhe në ngarendjen e zaptuesit të shtetit të vendosin çdo gjë të vlefshme nën kontroll, prej patundshmërive deri te institucionet e pushtetit në themelim. Në atë ngarendje, pretendon Prokuroria e veçantë, u përndoqën dhe u vranë pjesëtarë të minoriteteve dhe kundërshtarët politikë (shqiptarë).
Shteti i Kosovës, pra, ka pranuar se duhet të vijë një forcë e jashtme për ta spastruar nga uzurpuesit e sovranitetit.
Po të përdorej fjalori konceptual i kumarxhinjve, për bashkësinë ndërkombëtare ky është basti i cili duhet të rikuperojë të gjitha humbjet e deritanishme. Pra, basti i UNMIK-ut nuk arriti të krijojë, përtej përqeshjes, ndonjë relacion mes popullatës dhe sundimit të ligjit. EULEX-i shpenzoi aq shumë kohë duke u “dislokuar” në Kosovë (sikur të ishte fjala për një mision që është dërguar në subkontinentin indian, e jo në territorin e vockël të Kosovës) saqë edhe ndonjë sukses që po arrin kohëve të fundit nuk po regjistrohet në mbamendjen kolektive të vendit. Gjykata Speciale do të duhej të ishte, pra, instanca ku do të ngrihej një standard i gjyqësisë çfarë e kanë shtetet që po e vendosin këtë Gjykatë Speciale (BE dhe SHBA); diçka krejt ndryshe prej modelit të UNMIK-ut dhe EULEX-it.
Në kazino, ky hap quhet “va banque”, pra momenti ku vihen të gjitha bastet në një numër a ngjyrë, hapin e fundit me të cilin pritet të dilet në saldo pozitive.
Komentet