Partitë shqiptare të Luginës së Preshevës, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2020 kur ishin bërë bashkë në një listë për të marr pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, kësaj radhe janë ndarë në dy koalicione.
Në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën e 3 prillit, po garojnë “Koalicioni i shqiptarëve të luginës” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi i cili deri tani ka mbajtur postin e deputetit dhe “Alternativa Demokratike shqiptare” që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi, ish kryetar i komunës së Preshevës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2020, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfaqësuar me tre deputetë në parlamentin prej 250 vendesh të Serbisë.
Përfaqësuesit politikë po shpresojnë që të përsërisin këtë përfaqësim me gjithë ndarjet e brendshme.
“Me një mobilizim që po shpresojmë që ia kemi arritur duke vizituar të gjitha vendbanimet edhe në Bujanovc edhe në Preshevë, do të jemi këto ditë edhe në Medvegjë shpresojmë që të ruajmë atë nivel përfaqësimi që kemi pasur në aspektin numerik do të thotë tre mandate edhe pse forca jonë politike është për më tepër se katër mandate por kjo do të varet nga ajo sa do të arrijmë të mobilizojmë gjithë elektoratin”, tha për Zërin e Amerikës Shaip Kamberi nga koalicioni i shqiptarëve të luginës.
“Unë mendoj që shanset janë reale për ta arritur një përfaqësim në parlamentin e Serbisë, çka duhet të bëjmë është që motivojmë qytetarët tonë me shumë energji për arsye se letargjia politike në zgjedhjet parlamentare është evidente, qytetarët tanë janë demotivuar për të votuar në këto zgjedhje jo vetëm për arsye të përfaqësuesve të tyre por edhe për arsye se nuk po ja vlen sepse Serbia nuk po ndalet në politikat diskriminuese, nuk po ndalet me politikat të pasivizimit të shqiptarëve”, tha për Zërin e Amerikës Shqiprim Arifi nga Alternativa Demokratike shqiptare.
Zoti Arifi që ka udhëhequr komunën e Preshevës, thotë se nëse fiton mandatin e deputetit, do të merret me problemet e shqiptarëve të luginës dhe jo me tema siç tha nacionaliste të ish deputetit Shaip Kamberi.
“Ne jemi realistë në atë të cilën mundemi ta arrijmë në Parlamentin e Serbisë, koha për të valuar me flamura dhe me bo fjalime nacionaliste dhe pseudopatriotike, unë jau garantoj juve që Serbia nuk i dëgjon ato dhe nuk ndikohet”, tha ai.
“Ngritja e flamurit nuk ka të bëj me simbolikat të thjeshta por është kërkesë për barazi sepse ajo që kam dërguar unë atëherë ishte kërkesa për vendosjen e barazisë të cilat në rajon po respektohen, në Republikën e Kosovës u lejohet pakicave e drejta e përdorimit të simboleve, në Mal të Zi po ashtu serbëve u respektohet ajo e drejtë sikurse në Maqedoni dhe Serbia mbetet i vetmi vend që i cenon ato”, tha zoti Kamberi.
Zoti Kamberi thotë se përfaqësuesi shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka për qëllim të faktorizojë pozitën e shqiptarëve dhe të flas për problemet e tyre. Ai thotë se nëse rizgjidhet deputet do të vazhdojë të luftojë që Serbia të përmbushë detyrimet e saja përballë minoriteteve.
“Duke filluar nga integrimi në institucione në mënyrë të barabartë në institucionet e shtetit, problemet e shumta të arsimit siç është problem i mosnjohjes së diplomave, pastaj çështja e zhvillimit apo pazhvillueshmërisë ekonomike të rajonit, përdorimi i simboleve kombëtare, përdorimi i barabartë i gjuhës zyrtare janë pika të cilat i kam trajtuar gjatë mandatit të legjislacionit që përfundoj dhe të cilat për shkak të një mungese të vullnetit në Beograd do të duhet të trajtohen sërish”, tha zoti Kamberi.
Zoti Arifi thotë ndërkaq se përparësi kryesore e punës së tij nëse zgjidhet deputet do të jetë ngritja e çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
“Ndikimi i pasivizimit në sferën politike është që ne sot i kemi 6 deri në 10 mijë votues më pak, që nënkupton është përafërsisht një deputet dhe kjo është ajo që po na dëmton në të gjtiha sferat, është duke i dëmtuar shqiptarët në Medvegjë sidomos të cilët sot nuk kanë adresë apo shtëpi, nuk i kanë tokat e veta në posedim dhe kjo është një krizë humanitare e cila po zhvillohet dhe po rritet para syve të Bashkimit Evropian midis Evropës”, tha ai.
Kandidatët shqiptarë të Luginës së Preshevës thonë se do të bashkëpunojnë me miqtë ndërkombëtarë për të çuar përpara synimet e tyre.
“Fuqia e një deputeti qoftë ai shqiptar apo një pakice tjetër nuk është ajo që do të mund ta detyrojë këtë shtet përveç se të kërkoj sensibilizim me problemet e shumta që i kanë shqiptarët dhe që për këto probleme të angazhohet bashkësia ndërkombëtare në radhë të parë ta detyroj këtë shtet të përmbush obligimet ndërkombëtare”, tha Shaip Kamberi.
“Kemi miqtë tanë të cilët janë ose SHBA ose BE-ja të cilët janë së bashku sidomos në këtë situatë të re të krijuar me luftën në Ukrainë janë afër neve dhe së bashku me ambasadorin e ri Kristofer Hill i cili tani vjen në Beograd duhet të ndalim pasivizimin e shqiptarëve”, tha Shqiprim Arifi.
Dy koalicionet e partive shqiptare po marrin pjesë në zgjedhje me nga 10 kandidatë dhe synojnë votat e rreth 70 mijë shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës.
Komentet