83 vjeçari Nexhat Merxhushi është një nga shqiptarët e lindur në Paramithi të Çamërisë që ka përjetuar gjenocidin, familja e të cilit ishte prej rreth 20 personash
TIRANË – Fatjon Cuka
Pjesëtarët e komunitet çam që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri ende kujtojnë fushatën e egër të dhunës dhe masakrave të viteve 1944-1945 kundër popullsisë çame, ku si pasojë humbën jetën mijëra persona. Popullsia në Çamëri kishte dy grupe fetare, ku shumica dërmuese ishte myslimane dhe një pakicë e vogël ortodoksë.
Masakrat masive filluan më 27 qershor të vitit 1944 dhe përfunduan në mars të vitit 1945, ku u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh. Nga kjo fushatë spastrimi u vranë të paktën 2.500 persona, të moshuar, fëmijë dhe gra, të gjithë civilë dhe vdiqën dhe rreth 2.000 të tjerë nga vështirësitë e mëdha të migrimit.
83 vjeçari Nexhat Merxhushi është një nga shqiptarët e lindur në Paramithi të Çamërisë që ka përjetuar gjenocidin, familja e të cilit ishte prej rreth 20 personash, ndërsa pronat në Çamëri i kishin së bashku me xhaxhallarët, përfshirë edhe prona nga gjyshja që ka pasur një pasuri të veçantë.
– Para masakrave ndaj popullatës çame, ishte internimi
Merxhushi në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shpjegon se para masakrave ishte internimi, si dhe thekson se mban mend internimin që iu bë çamëve në vitin 1940, para se Italia të pushtonte Greqinë. Ai thotë se masakrat filluan në vitin 1944, por se ka pasur edhe në vitin 1943, kur zervistët përveç vrasjeve morën edhe bagëtitë.
“Në atë kohë grekët na paragjykuan, pa e parë akoma okupatorin na quajtën bashkëpunëtorë me okupatorin italian dhe të gjithë burrat nga mosha 17-70 vjeç i internuan në ishujt e Egjeut”, shprehet Merxhushi.
Ai duke theksuar se ka pasur plot masakra në vitin 1943, kujton se në po të njëjtin vit kanë vrarë edhe djalin e xhaxhait të tij, Haki Merxhushi, 25 vjeç, ku i dolën në pritë zervistët dhe e vranë.
“Vrasje të tilla sporadike para masakrave të mëdha që u bënë në vitin 1944 kishte plot në Çamëri. Iniciatorë të këtyre masakrave ishin vetë grekët. Ekzekutuesit kryesorë të masakrave te çamët myslimanë shqiptarë ishin gjiridasit, ishin nga Kreta, që internuan çamët me forcë dhe dhunë në ishujt e Egjeut”, thekson Merxhushi.
– “Çamët vriteshin me armë të ftoha, rrallë përdorej pushka”
Siç thotë 83 vjeçari, masakrat më të mëdha u bënë në Paramithi dhe Filat, por se masakra kishte edhe në fshatra të tjerë të Çamërisë.
Kur edhe filloi gjenocidi masiv ndaj çamëve në vitin 1944, një ndër shqiptarët e shumtë që i përjetuan ato momente ishte edhe Merxhushi, i cili thekson se të gjithë burrat u vranë dhe mbetën vetëm fëmijët. Në atë kohë, Merxhushi ishte vetëm 9 vjeç dhe kur shqiptarët e Çamërisë filluan të ikin, ai bashkë me nënën dhe gjyshen e tij dështuan të iknin dhe mbetën në shtëpi.
“Pasi i vranë burrat, në shtëpitë ku nuk gjenin burrat iu merrnin grave stolitë. Bashkë me gratë na mblodhën dhe na futën tek shtëpia e Sali Hafuzit, në burg, ishte një shtëpi e madhe me mbi 30 dhoma. Çfarë mbaj mend nga kjo. Vajzat e reja dhe gratë çame u përdhunuan nga zervistët. Vrasjet u bënë në shkollën e Paramithisë, ku gjoja u bë një gjyq i improvizuar dhe aty filluan masakrat, ku çamët vriteshin me armë të ftoha, si me sëpatë, hanxharë, me bajonetë, thika, dhe rrallë përdorej pushka. Iu nxirrnin sytë, iu prisnin veshët dhe gishtat, ndërsa kufomat i merrnin me karrocë me duar të lidhura. Dy vëllezërve Gani dhe Abedin Bako iu nxorën sytë nga torturat nga më të tmerrshmet dhe ua dërguan motrave të tyre në burg ku ishim ne”, dëshmon Merxhushi, duke kujtuar momentet e gjenocidit ndaj çamëve.
Ai më tej poashtu kujton vdekjen nga ushqimi i keq i 30 fëmijëve të vegjël të moshës 1-2 vjeçare në shtëpinë ku qëndronin, rast për të cilin thekson se për sheqer është përdorur xham i thyer i thërrmuar i cili është hedhur në supë nga e cila edhe vdiqën fëmijët.
“Këtë e di Evropa, politika jonë, e di Amerika, të gjithë e dinë, dhe të gjithë çuditen sot që mos na lejojë Greqia të shkojmë atje. Masakrat që ka bërë Greqia ndaj çamëve janë të ditura, janë në arkivat e Evropës, por i fshehin, por ai që fsheh krimin është pjesëmarrës në krim”, shprehet Merxhushi.
– Ardhja në Shqipëri
Më tej Merxhushi shpjegon se pasi qëndruan 6 muaj në një vend të cilin ai e quan “shtëpi-burg”, ku një oficer anglez së bashku me dy zervistë kanë mbledhur gratë dhe fëmijët dhe i kanë pyetur se ku duan të shkojnë, duke u thënë se “ky nuk është vendi juaj dhe ku doni të shkoni, në Australi, Egjipt, Itali apo në Shqipëri”. Të gjithë gratë, thotë ai, njëzëri thanë Shqipëri.
“Mendjen e kishim tek Shqipëria dhe u nisëm disa në këmbë e disa në karroca erdhëm në Shqipëri, ku ne erdhëm në Tiranë direkt. Edhe vetë Shqipëria ishte në kohë lufte, por njerëzit nuk na lanë në baltë. Shqiptarët, vëllezërit tanë na pritën shumë mirë sikur të ishim njerëzit e shtëpisë së tyre. Këtu pata mundësi të mësoj gjuhën shqipe, të shkollohem deri në universitet për gjuhë-histori dhe kam punuar arsimtar pothuajse gjithë jetën”, deklaron Merxhushi.
– Persekutimi në kufi
“Kemi dashur të shkojmë. Unë kam arritur një herë, nëpërmjet një pasaporte shërbimi shkova, por më vonë kam provuar të shkoj, por nuk lejohet më sepse kam vendlindjen në Paramithi, në Çamëri, pra mjafton që shënohet Paramithi në pasaportë për të na penguar. Dëshira jonë është që të shkojmë se kemi pasuritë, por kemi edhe miq, me popullin grek nuk kemi asgjë, është politika ajo që na solli në këtë gjendje. Vëllai nuk ka qenë dhe më thotë që nuk shkoj dot se më duket sikur rrugës do shkel mbi varre sepse të vrarët i varrosnin edhe në rrugë”, shprehet Merxhushi, duke shpjeguar dashurinë ndaj vendlindjes së tij.
“Pse nuk përdorët reciprociteti. A kërkojnë grekët të drejta për minoritetin e tyre këtu, pse të mos përdoret reciprociteti edhe për problemin tonë dhe të insistohet për këtë se nuk po kërkojmë ndryshim kufijsh, as hakmarrje, por kërkojmë të drejtat tona”, apelon më tej Merxhushi.
Komentet