Bujar Kapexhiu përgjatë karrierës së tij artistike si krijues arti u mor me politikë përmes karikaturës, duke goditur atë që e pa si të pavend. Në diktaturë, politika e ndoqi ngado, kurse në demokraci Kapexhiu vendosi ta ndiqte vet nga pas politikën. I frymëzuar nga karikaturat politike përmes tyre artisti dhe regjisori i njohur vendos mendimin e tij…
PD-së ia bëri të qartë një vit më parë kur po garonte për anëtar të Këshillit Kombëtar se gardhi i saj nuk do ta izolojë dot. Zgjodhi oborrin e partisë dhe jo zyrat e saj, sepse siç thotë Kapexhiu për gazetën “Panorama”, brenda forumeve të partisë problemet zbërthehen hollësisht… Z. Kapexhiu beson se më e lehtë është të bësh politikë sot, sesa të bësh një vepër arti.
Një artist i talentuar, shprehet Kapexhiu, duhet të trokasë fort në derën e hekurt të galerisë, me shukun e parave në dorë kurse për një Kryeministër artist mediokër, dyert hapen me çelës kopil të markës “politika” dhe ai hyn në sallën e boshatisur, duke tërhequr pas vetes thesin me para”.
Ky Kryeministër sipas tij, duhet rrëzuar ndaj fton shqiptarët që të “zgjohen” për ndryshimin, për të ardhmen e tyre. Sali Berishës dhe Ilir Metës, u kujton se duhet t’i organizojnë shqiptarët kundër “përbindëshit me emrin Rilindje, krijesës së pështirë, të frikshme që është ngulur dhimbshëm mbi kurrizin tonë, fatkeqësisht të përkulur”.
Z. Kapexhiu, duke qenë brenda politikës, pasi tashmë jeni pjesë e PD-së, a bëhen më frymëzuese për ju karikaturat politike përmes së cilës vendosni mendimin tuaj?
Fillimisht dua t’ju informoj se unë nuk jam anëtar i PD-së, pra nuk jam pjesëtar në zyrat e partisë. Jam zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar, pra jam pjesëtar në sallën e madhe të konferencave, por prej vitit 1990 jam person në oborrin e partisë. Në çdo grumbullim entuziast e festiv, ashtu dhe në turmën e mërzitur, nervoze e protestuese. Meqë në diktaturë politika më ka ndjekur hap pas hapi dhe më ka dënuar, sot e ndjek unë politikën hap pas hapi, për ta demaskuar e korrigjuar me artin tim të karikaturës. Me humor dua e përpiqem që edhe politika të buzëqeshë. Me që ju më quani brenda politikës dhe unë duke e pranuar përcaktimin tuaj, po ju them jo se politika më frymëzon, se atë e kam pasur qysh në fillimet e krijimtarisë artistike për humorin, por sot më bëjnë më të saktë e më të larmishëm për tematikën, këndin e vështrimit të problemeve dhe gjetjen e mjeteve shprehëse humoristike për talljen, shpotitjen apo goditjen në thelb të problemit apo fenomenit të trajtuar në çastin e duhur. Brenda forumeve të partisë problemet zbërthehen hollësisht me ndërthurjen e shumë mendimeve që përplasen duke nxjerrë një përfundim të saktë, nga i cili unë e kam më të lehtë të konkretizoj dhe mendimin tim, i cili më hap rrugën drejt frymëzimit dhe figuracionit humoristik. Mendimi kolektiv futet në mullirin tim artistik e pasi bluhet mirë dhe imtësisht del produkti i vizatuar që godet, të bën të qeshësh, të mendosh e nuk mungojnë rastet edhe të mërzitesh, kur je objekt i artit komik.
Pas përfshirjes suaj në politikë, a po e shfrytëzoni monopolin tuaj prej artisti mbi politikanët?
Politika është profesion, ashtu si dhe arti, dhe secili ka monopolin e vet të produktit që nxjerr nga veprimtaria e tij prodhuese. Kur them politikanë, e kam fjalën për ata që e meritojnë këtë titull, që janë fare pak, e jo për ata që unë i quaj politikanë sezonalë, që mbas një stine të shkurtër partiake bien nga lista si gjethe të kalbura e zhduken në harresë. Politika është e vështirë, por akoma më i vështirë e i mundimshëm është arti që merret me politikën, sepse mbi politikën reale bën politikën artistike të saj, në kapjen e problemit, zbërthimit, gjetjes së mjeteve shprehëse, përcaktimit të këndit humoristik, konfigurimit të personazheve e mjedisit, evidentimin e thelbit politik, ambalazhuar me artin komik dhe i tërë ky grumbull produktesh kalon në procesin përfundimtar si një përzierje e një kokteji, del produkti artistik, ai që ne e quajmë karikaturë. Më e lehtë është të bësh politikë sot, e këtë e shohim kudo, sidomos në parlamentin tonë të papërgjegjshëm, mediokër e qesharak, sesa të bësh një vepër arti, sepse ky art mbetet, fiksohet në arkivin politik, ndërsa e kundërta ndodh me produktin politik, që shkrihet, shuhet, sfumohet e zhduket për të mos u kujtuar më. Të paktë në numër janë ata politikanë, profesionistë të vërtetë dhe të pakta janë produktet e tyre politike që mbesin në arkivin politik dhe pikërisht këta politikanë fiksohen dhe në artin e karikaturës, megjithëse me deformacionin dashamirës të artit humoristik. Një karikaturë për një politikan është e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë. Karikaturistët janë ata që i bëjnë të dukshëm, popullorë e të qëndrueshëm politikanët e vërtetë në mjedisin politik. Ky është monopoli që kanë artistët në krahasim me politikanët. Me profesionet e tyre, politikanët bëhen të pasur e të padëshirueshëm; ndërsa artistët, më të varfër, por më popullorë e të admiruar.
Ju personalisht a keni tentuar të hapni një ekspozitë me karikaturat tuaja jashtë vendit?
Po, kam hapur një ekspozitë me karikatura politike në Kosovë, njëkohësisht kam marrë pjesë në shumë konkurse dhe ekspozita ndërkombëtare që janë organizuar në shumë vende të botës. Organizatorët shpallin hapjen e konkursit me temën përkatëse dhe artistët marrin pjesë në një proces përzgjedhjeje dhe vlerësohen me çmime të ndryshme. Kështu ndodh dhe me galeritë që reklamojnë hapjen e një ekspozite me krijime të ndryshme artistike, ku janë të lirë të marrin pjesë krijues nga e gjithë bota. Unë, për shembull, do të kisha shumë dëshirë të hapja një ekspozitë në Bruksel, me karikatura me personazhe të njohur të politikës ndërkombëtare. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Pse për një artist është e vështirë, kurse për një kryeministër është kaq e lehtë? Kush i mbyll dyert e galerisë për një artist të talentuar dhe kush i hap për një Kryeministër që pikturon?
1.Për një artist mediokër, galeria ka vetëm mure, nuk ka dyer fare, ndalohet hyrja; 2.Për një artist të talentuar, duhet të trokasë fort në derën e hekurt të galerisë, me shukun e parave në dorë; 3.Për një artist të panjohur, hapet gjysma e derës, që artisti të hyjë me vështirësi, megjithëse mban mbi shpinë trastën me para; 4.Për një kryeministër artist të talentuar, galeria i ka hequr dyert fare, se në hapësirën e sallës ka vërshuar turma e vizitorëve kureshtarë; 5.Për një kryeministër artist mediokër, dyert hapen me çelës kopil të markës “politika” dhe ai hyn në sallën e boshatisur, duke tërhequr pas vetes thesin me para.
Si e konsideroni hapjen e ekspozitave të Kryeministrit Rama në Firence dhe Kinë, duke shkëmbyer favore prej postit që mban? Kush i paguan këto para?
Rama është piktor dhe si të gjithë artistët e tjerë të artit figurativ ka të drejtë të krijojë vepra artistike (mirë do të ishte jo në orare zyrtare, se aty është kryeministër dhe jo piktor), të hapë ekspozita në Galerinë e Arteve në Tiranë (që nuk ekziston) dhe kudo në galeritë e botës. Për të hapur një ekspozitë personale në një galeri serioze kudo në botë duhen disa kritere me kërkesa të domosdoshme, duke filluar nga cilësia e lartë artistike e veprës, origjinaliteti, njohja ndërkombëtare, pranimi nga galeristi i huaj, përkrahja e një kuratori dhe e fundit, që shpesh del e para dhe më e domosdoshmja, paraja. Kryeministri ynë ka pikërisht këtë të fundit, kryesoren, paranë.
Se ku i gjen paratë piktori ynë, nuk është pyetje për mua. Duhet pyetur autori. Unë mund të them këtë, pa para nuk të hap derën asnjë galeri serioze dhe po kalove aty pranë mos kthe as kokën, se nuk të pranojnë. Sikur qeveria të financonte organizimin në galeritë e huaja të ekspozitave kolektive apo personale të artistëve tanë të talentuar, do të qe një rast i admirueshëm e për t’u përshëndetur, por kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë në këta 30 vjet dhe çuditërisht ndodh vetëm me Ramën. Ky më duket një veprim i kritikueshëm, ndoshta një subjekt për artin humoristik. Në galeritë serioze të botës ekspozitë me veprat e një kryeministri! Jam i sigurt, nëse diku ndodh, që një kuzhinier province bëhet kryeministër, me siguri do i hapeshin dyert e restoranteve më luksoze të botës dhe do të shënohej në kapakun e çdo menyje.
Posti kryeministror dhe hapja e ekspozitave sigurisht që kanë një lidhje. Se cila është forma, shtetërore apo private, kjo duhet shikuar me seriozitet. Financimi privat është i pranueshëm dhe i padiskutueshëm. Unë radhis lëvdata e falënderime për pasionantë e dashamirës që mbështesin krijimtarinë artistike, por nga ana tjetër e quaj të papranueshme që me privilegjin e postit zyrtar të nënshkruhet një faturë ekspozite në këmbim të një leje ndërtimi të një kulle, të një fshati turistik, të një pusi nafte, të një tenderi apo koncesioni. Mua, si artist e qytetar, për një rast të tillë më takon të bëj një karikaturë, ndërsa të tjera veprime u takojnë organeve ligjore përkatëse.
Edi Rama është më profesionist si politikan apo si piktor? Pse kaq i vështirë largimi i tij nga qeveria?
Zakonisht te ne politikanët janë me dy profesione, atë fillestarin, që kanë studiuar e janë diplomuar dhe më tej atë të politikanit, që e kanë filluar në kohë të mëvonshme. Të rrallë janë ata politikanë, sidomos të rinj në moshë, që kanë studiuar për Shkencat politike, në shkollat tona apo jashtë shtetit, dhe direkt nga bankat e auditorit kanë nisur rrugën e vështirë të politikës. Kështu është edhe kryeministri ynë, me dy profesione, piktor dhe politikan, pa përmendur këtu pjesëmarrjen në aktivitetet e tjera jashtë profesioneve, në kohën e lirë. Ka studiuar për pikturë dhe është diplomuar. E theksoj, i diplomuar. E theksoj se për politikë nuk ka studiuar dhe nuk ka diplomë. Kështu janë në përgjithësi politikanët tanë të viteve të para të demokracisë, të padiplomuar për politikë. Për krahasim: Kemi muzikantë të diplomuar në shkollat muzikore, por kemi sot edhe muzikantë të pashkolluar, që interpretojnë muzikën me instrumentin e tyre me vesh, pa nota, pa partiturë përpara, përmendësh. Kështu vepron në veprimtarinë politike dhe artistike kryeministri ynë.
Pikturon dhe pikturat ia blejnë si kryeministër e jo si piktor, ndërsa politikën e ka me vesh, por me dëgjimin ka qëlluar defektoz. Ka mangësi, për të mos thënë që është shurdh. Ky është pra dyprofesionëshi Rama. Sa i takon pyetjes që përse nuk largohet nga qeveria, sipas meje, ka disa arsye, objektive e subjektive, politike, administrative, shoqërore e konjukturale, sot, me raportet kombëtare e ndërkombëtare e për të folur për to duhen disa faqe gazete, sepse secila prej tyre është një faktor i rëndësishëm e delikat për t’iu përgjigjur pyetjes, prandaj unë po e them fare shkurt. Në fund të mandatit të tretë, pa asnjë sukses të dukshëm, për të mos thënë keqësim në të gjithë treguesit, nën thirrjet gjithëvjetore “Rama ik!” dhe mbas skandaleve të fundit, nuk lëviz nga vendi sepse si politikan me vesh nuk dëgjon, siç thashë më lart është shurdh, dhe me shurdhët zakonisht nuk përdoret fjala, por veprimi fizik.
Krerët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen e të rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti. A besoni se shqiptarët do të “zgjohen”, do të ndërgjegjësohen se kjo qeveri e ky kryeministër duhet të ikin?
Që shqiptarët duhet të ngrihen e të rrëzojnë këtë qeveri, është imediate. Kanë kohë që flenë në një gjumë të thellë, aq sa unë dëgjoj dhe gërhitjet e një gjumashi dembel, të lodhur, të mërzitur e të pashpresë. Berisha dhe Meta, si opozitarë, po mundohen t’i zgjojnë, t’i ndërgjegjësojnë, t’i organizojnë, që së bashku të mund të kryejnë misionin opozitar të largimit të kësaj qeverie të paaftë, hajdute e zullumqare e të zgjatin duart drejt pushtetit. Por kam përshtypjen se opozita mund të ecë drejt pushtetit, mund t’i afrohet, por nuk e kap dot, se i ka krahët të prerë, të copëtuar në disa pjesë. Copëza të një krahu që godasin njëra-tjetrën. Nëse nuk do të bashkohen këto copëza e të riformojnë ata krahë të fuqishëm si dikur, për të mbërthyer fort këtë mazhorancë të shthurur e të korruptuar, atëherë ky përbindësh me emrin “Rilindja” do të vazhdojë më gjatë të na shkelë, të na varfërojë e të na përzë nga shtëpitë e tokat tona. Zgjohuni, bashkohuni e sulmoni me votë këtë krijesë të pështirë, të ndyrë, të frikshme, që është ngulur dhimbshëm mbi kurrizin tonë akoma çuditërisht të përkulur.
Sipas jush cila është strategjia më e mirë e protestave të opozitës, me qëllim që kësaj here të mos jenë thjesht një shëtitje në bulevard?
Protesta, një mjet demokratik i opozitës për të ndalur keqqeverisjen. Pushteti nuk merret me protesta, sado të fuqishme e masive të jenë edhe në vazhdimësi, por janë të domosdoshme. Protesta me zhvillimin e saj paqësor është një tregues për qeverinë, një kujtesë për të mos harruar që është një grupim tjetër, më i vogël a më i madh, që po përpiqet të marrë pushtetin. Protesta është goditje në dyert e dritaret e pushtetit, zhurmë e frikë në korridoret e zyrat e institucioneve, çoroditje e dridhje gjunjësh e mazhorancës, njëkohësisht stërvitje për forcimin e muskujve të opozitës, ndërgjegjësim e bindje se kjo qeveri duhet të ikë e për më tepër ky regjim monopartiak duhet shembur e zhdukur njëherë e përgjithmonë. Të triumfojë demokracia me votën e lirë, ky është sot misioni i opozitës me fjalë e me veprim.
A duhet hetuar Edi Rama nga drejtësia e reformuar shqiptare? A mund të ketë edhe ai fatin e Charles McGonigal?
Sigurisht që duhet hetuar. Përderisa ne pranojmë në saktësinë e drejtësisë amerikane dhe besojmë në dokumentin zyrtar ku Rama përmendet 14 herë në këtë procedurë penale, del e nevojshme ligjërisht për këtë sinjalizim zyrtar amerikan, edhe drejtësia jonë duhet të hetojë këtë veprimtari të paligjshme të kryeministrit, nëse është e tillë. Drejtësia amerikane heton e gjykon qytetarin amerikan, zyrtarin e FBI-së, ndërsa drejtësisë sonë i takon të hetojë e gjykojë qytetarin, zyrtarin shqiptar. Unë mendoj që, edhe nëse drejtësia jonë, e fjetur, çalamane, e trullosur apo frikacake, nuk guxon të hapë një proces, duhet vetë qytetari Rama të këmbëngulë në hapjen e këtij procesi, që të armatoset me dokumentin “I pafajshëm”, që këtë t’ua përplasë të gjithë atyre që shpifin e që mundohen të baltosin figurën e tij. Pafajësia e dhënë nga drejtësia jonë është sfungjeri që do të pastrojë figurën kryeministrore nga balta e llumi i hedhur sistematikisht nga makineria zhurmëmadhe e politikës opozitare. Guximi për t’u përballur, garanci e pafajësisë, hezitimi, fshehja, frika e përballjes, janë nënvizim i fjalës, faj. Sa i takon pyetjes se a duhet të ketë edhe ai fatin e Charles McGonigal, kjo nuk më takon mua të jap përgjigjen, është drejtësia që e përcakton këtë fat. Unë nuk dëshiroj dhe i lutem Zotit që Kryeministri im të mos ketë fatin e amerikanit të FBI-së. Drejtësia gjykon, drejtësia vendos, ne pranojmë verdiktin e saj.
Ju apeloni për bashkim të demokratëve por pse PD vazhdon të jetë e përçarë? Kush po e mban peng atë…?
Sikur të qe kaq e lehtë përgjigjja për të përcaktuar arsyet e përçarjes, po kaq e lehtë dhe e menjëhershme do të qe edhe mbyllja e çarjes kaq të madhe e bashkimi i këtyre copave. Nuk dua që mendimin tim ta nis qysh nga “non grata”, kuvendet e veçuara partiake, statutet hileqare e absurde me përjashtime, me ankimime për pronësinë e vulës dhe logos dhe ja tani së fundi me primaret dhe kandidatët e veçuar për kryetar bashkie. Sot, ajo më e dukshmja, më e lakmuara, më konfliktualja, por dhe më shpresëdhënësja është vendimi i Gjykatës së Apelit. Kujt do t’ia japë këtë dhuratë me një vulë e një logo? Kjo do të tregojë dy rrugët që do të marrë opozita, ndarjen apo bashkimin. Me sa shoh unë në mendimet, arsyetimet, veprimet e drejtimet e ndjekura, vendimi i gjykatës, i ndikuar, i shtytur apo i lirë e ligjor do të sjellë ndarjen. Koha do të sjellë bashkimin. Dëshira për pushtet do të shtyjë e bindë për një bashkim opozitar. Bashkimin e pengojnë kryetarët e partive të vogla fosile private. Qytetarët e ndershëm, largpamës, fisnikë e të guximshëm do të bashkojnë votat për qëllimin final, votën e lirë për progresin e Shqipërisë me partinë e madhe opozitare.
A duhet krijuar një grup negociatorësh me qëllim sheshimin e ndasive brenda partisë dhe bashkimin e demokratëve?
Ndoshta një grup negociatorësh partiakë, të mençur, të ndershëm e të besueshëm, nga të dyja palët që mendojnë vërtet se duhet e mund të arrihet bashkimi, do të qe një veprim pozitiv, por fillimisht, në start të kësaj ideje, duhet të lihen mënjanë hatërmbetjet, fjalët fyese, denigruese të ndërsjella. Mospranimet absolute nuk të çojnë drejt bashkimit, por ngrenë mure që vështirë të shemben apo të kapërcehen. Retorika e deritanishme nga të dyja palët, diku më e butë e diku tjetër më e ashpër, nga dikush nervoze, e ashpër, fyese e denigruese, e nuk mungon nga një tjetër bllokimi, përjashtimi, papajtueshmëria e pakorrigjueshme. Në thelb nuk ka ndarje, një ideologji e djathtë, një strukturë konservatore, një mendësi, i njëjti dimension partiak, me të njëjtën ndjesi shpirtërore për demokratët për të njëjtën ngjyrë që pranon në spektrin e saj, nuancat më të lehta e më të forta që përcaktojnë nuanca pikëpamjesh për gjëra anësore, që nuk prekin e aq më tepër nuk deformojnë thelbësoren. “Buzëqeshja, rruga më e shkurtër midis njerëzve!”. Demokratë të çdo lloji bashkohuni!
Ju a do të ishit i gatshëm të bëheni pjesë e këtij grupi, me qëllim paqetimin e dy palëve në PD?
Unë si natyrë jam rrumbullak, pa qoshe. Me artin tim jam paqësor dhe jap buzëqeshjen dhe pse ndonjëherë ndoshta e kam tepruar e kam dhënë goditje të ashpër, që për dikë buzëqeshja është zëvendësuar me shtrëngim dhëmbësh. Arti i karikaturës ka në strukturën e vet krijuese edhe shtrëngimin e dhëmbëve, si bashkudhëtare, apo binjake të buzëqeshjes apo të të qeshurit. Unë deri tani, në këtë periudhë të trazuar kam bërë karikatura me buzëqeshje bashkimi dhe me shtrëngim dhëmbësh për ndarje, pikërisht atë që kam dëgjuar e ndjerë nëpër debate publike, në mbledhje, konferenca, debate televizive, apo fjalë konfidenciale që dalin nga një gojë vetmitare e që vjen në veshët kolektivë. Arti im është art bashkimi. Arti i karikaturës është konkretizim figurativ i mendimit personal që frymëzohet e ndërtohet nga mendimi masiv, popullor, që fiksohet në median e shkruar, në atë televizive, në biseda kafenesh, rrëfime familjare, përshtypje personale të thëna në fshehtësi, të vërteta apo gënjeshtra që qarkullojnë në eter, çuditërisht të padukshme, por fatmirësisht të kapshme, konkrete. Karikatura politike, me një qëllim progresiv, me dukuri moralizuese, që i bën mirë çdo politikani të mençur që di të përfitojë prej saj.
Sa do e dëmtojë PD-në ndarja në zgjedhjet lokale, nëse deri atëherë nuk arrihet dakordësia mes palëve për bashkim?
Pyetja juaj më duket me shumë delikatesë e me fisnikëri gazetareske, thoni fjalën “dëmtojë” dhe i shmangeni realitetit me fjalët “sa do e shkatërrojë”. Ndarja është vërtet shkatërrim, por të mos harrojmë e të shpresojmë tek ata që e kanë në dorë bashkimin, tek ata që unë kam besuar dhe midis tyre bëj çdo hap, masa e gjerë, militantët, anëtarët e vërtetë demokratë, simpatizantët e të tjerët burra, gra të rinj e të reja që duan progresin, të cilët do të votojnë rotacionin, do të kërkojnë ndryshimin. Rotacioni është zhvillim. Pushteti si pronë është prapambetje. Unë si krijues arti, në mendjen dhe shpirtin tim krijoj skena me shumë dashuri dhe përfytyroj në fantazinë time ditën e protestës, më 3 mars, çastin e verdiktit të Gjykatës. Cilido qoftë vendimi, le të jetë çasti i bashkimit. Të gjithë bashkë nga sheshi në bulevard të kthehen e të festojnë në oborrin e partisë, dhe të harrojnë pretendimin, ejani ju tek ne e jo ne tek ju, të gjithë bashkë në një drejtim, drejt shtëpisë së përbashkët, godinës me logon dhe flamurin PD. U lutem demokratëve dhe Zotit që kjo fantazi imja të bëhet realitet./Panorama/