Shqiptarë nga gjithë bota parakaluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Me nismën e shoqatës “Rrënjët shqiptare”, me seli në SHBA, Parada kuqezi – me këngë e valle të trashëguara brez pas brezi – u organizua për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.
Bora Zukali, i lindur në Turqi, por me prejardhje shqiptare, ishte në mesin e mijëra të pranishmëve.
“Në çdo festë, ne, shqiptarët e Stambollit, mblidhemi së bashku, në mënyrë që fëmijëve dhe brezave që vijnë t’ua lëmë këtë trashëgimi të madhe – gjuhën, traditat, zakonet tona”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Me një shqipe të pastër, ai tregoi se familja e tij është vendosur në Turqi nga viti 1952. Tha se, viteve të fundit, e viziton shpesh Shqipërinë dhe se një ditë mendon të jetojë aty.
“Këtë e kam diskutuar në familje… Do të duhet të presim edhe pak sa të më rriten fëmijët që duan të studiojnë në vende të ndryshme evropiane dhe dua të kthehem”, tha Zukali, kryetar i shoqatës “Vatra” në Turqi.
Paradës i priu “Skënderbeu” – një i ri nga Tirana, i veshur si heroi kombëtar i Shqipërisë.
“Është krenari që unë performoj me këtë përkrenare të Skënderbeut, i cili ishte ndër të parët që e ngriti flamurin”, u shpreh Shkëlzen Brahaj.
Në Paradë parakaluan grupe nga SHBA-ja, Australia dhe mbarë diaspora shqiptare.
Të pranishëm ishin edhe rreth 180 arbëreshë të Italisë, që me shekuj kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare.
“Është shumë emocionuese të jem sot këtu. Kam dashur gjithnjë ta vizitoj Shqipërinë, për të cilën kemi dëgjuar aq shumë nga të parët tanë… Na kanë mësuar arbërisht, na kanë mësuar zakonet… Festat kombëtare i kemi festuar gjithmonë”, tha arbëreshi Michele Cangale.
Mes grupit të arbëreshëve ishte edhe Nikoleta Panajoti.
“Jetoj në Krotone, në Kalabri, prej 30 vjetësh. Atje ka një dëshirë të madhe për të ruajtur gjuhën dhe traditat [shqiptare]. Unë punoj atje me fëmijët pikërisht për këtë qëllim – për t’ua mësuar gjuhën, këngët, vallet… Atje ruhen gatimet e hershme, edhe meshat mbahen në gjuhën arbëreshe. Është emocion të kthehem në Tiranë, por sigurisht jetën tashmë e kam ndërtuar atje”, tha Panajoti.
Mbi 150 grupe në paradë ishin nga trevat shqiptare në rajonin e Ballkanit.
Bedrana Duka tash e 25 vjet jeton në SHBA. Ajo ka shkuar atje në moshën 17-vjeçare nga Maqedonia e Veriut.
“Është bukur të mblidhemi të gjithë shqiptarët, sepse i dimë sakrificat që kanë bërë të parët tanë. Kemi mësuar fshehtas historinë tonë në bankat e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Ndaj, kisha dëshirë t’i sillja fëmijët këtu. Jetojmë në Nju Jork, fëmijëve ua trashëgojmë gjuhën dhe traditat. Krejt gatimet i kemi tradicionale…”, rrëfeu Duka.
Këtë 28 nëntor u shënua 111-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, e cilësoi atë si festën më të bukur të të gjithë shqiptarëve.
“Sot jemi shtet i pavarur në sajë të mençurisë, guximit dhe vendosmërisë së patriotëve shqiptarë 111 vjet më parë, në emër të dashurisë për atdheun dhe kombin, në emër të dashurisë për këtë flamur, në emër të lirisë”, shkroi Begaj në llogarinë e tij në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se 28 Nëntori u kujton të gjithë shqiptarëve “çmimin e lartë për lirinë”.