Qëndra Kulturore Shqiptare Stuttgart /Albanisches Kulturzentrum Stuttgart
Hapet dera e Avionit….Ajri gjysmë i ngrohtë i funprillit na prek fytyrat..Jemi në tokën shqiptare…jemi në tokën tonë.
Prej kohësh e kishim menduar dhe ëndërruar këtë udhëtim,por kur realiteti i kalon pritshmëritë e ëndrrës,atëherë s`kemi si të mos themi“S`ka si vendi ynë“.
Kështu nisi ky udhëtim i shumëpritur për Qëndrën Kulturore Shqiptare të Shtutgartit,kështu nisi aventura jonë ndër perlat e Shqipërisë.
Humor,batuta,të qeshura të pafundme,gëzim,e mbi të gjitha,dashuri e pa matë për këtë vend gjeografikisht të vogël,e shpirtërisht më i madh se gjithë bota.
Tirana na priste…Parku i Liqenit Artificjal,tashmë I lulëzuar ishte stacioni ynë I parë.Një kokteil freskie,I ndërthurur me histori (Amfiteatri i Tiranës)e letërsi (monumentet e vëllezërve Frashëri).Gjithcka kalonte pa u ndier nën lupën e aparatit fotografik.
Orët ecin,ecim edhe ne.Drejtohemi për tek sheshi Skënderbej,ku pa asnjë dyshim,veç madhështisë së sheshit,na pret edhe Xhamia e famshme e Et´hem Beut,e cila është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit të XVIII dhe XIX që ka rezistuar dhe e shohim edhe sot.
Rrugëtimi ynë tashmë na çon drejt qytetit historik të Krujës.Krujës së Gjergj Kastriotit,Krujës heroike.Shumë mund të thuhet për këtë qytet,sepse cdo gur themeli i tij,ka një histori,por për ne,kënaqësia qe e dyfishtë.Përkuam pikërisht me 555 vjetorin e çlirimit për herë të tretë të Krujës si dhe vdekjen e Ballaban Pashës.Rastësia ishte edhe më e bukur kur një grup shqiptarësh Arbëreshë,mbushën rrugët e kalldrëmta të Krujës.Të gjithë për një qëllim,si ata,si ne.Kthimi në foletë tona.
Të panjohur me emra,të njohur me rrënjë.Kënduam të gjithë një zëri,vargjet e këngëve si melhem për shpirtin.
Tashmë Krujën e lëmë pas,na pret Shkodërlocja ,e dashur,e bukur,plot jetë.Natyrisht që të quhet se „ke ken n`Shkodër“,në rradhë të parë duhet të vizitosh Kalanë shekullore të Rozafës.Prej madhështisë e lartësisë së saj,duket sikur lumi poshtë saj e qielli mbi të,bëhen njësh me njëri- tjetrin.Shkodra me lumenj e me liqen,e mbi të gjitha me njerëz të mrekullueshëm,të grish të mos largohesh asnjëhërë prej aty,por ne na presin të tjera qytete……
I jemi drejtuar Mirditës.
Busti i Anton Çettës,heroit të Mirditës patriotike qëndron si mikpritës për të gjithë ata që duan ta vizitojnë këtë qytet.Në pallatin e Kulturës ,ku na priste Drejtori i Pallatit tè Kulturès Rrèshen,Z.Gjergj Marku,mund të gjeje veshje tradicionale të zonës si dhe instrumente të ndryshëm muzikorë.Për të qënë të sinqertë,Vitori,kryetari i qendrës sonë, e shijoi pa masë këtë qytet,ne të tjerët jo më pak,por ai aty gjen rrënjët e tij,krenarinë e tij.
Çdo qytet ka vecantinë e tij,e natyrshëm secili nga ne do të dijë më shumë,por udhëtimi ynë duhet të vazhdojë…..
Jemi në Laç.Kisha e Shën Ndout eshtë emblema e këtij qyteti,dhe natyrisht nuk mund të mos ishte pjesë e udhëtimit tonë,as vizita tek ky vend e as lutja që percillet nëpërmjet ndezjes së një qiriu.
Ditët pasojnë njëra-tjetrën,qytetet gjithashtu.Tashmë para nesh shfaqet Elbasani.Ndalesa e parë në këtë qytet ishte Rozafa Fish City.Vërtetë është një bisnes privat,por ajo që pronari i saj ka realizuar brenda këtij kompleksi është magjike.Z.Gjergj Luca,i biri i aktorit të pa përsëritshëm Ndrek Luca,ka ndërthurur dy botë të ndryshme si në kohë ashtu edhe ne koncept.Një kinema shqiptare,statuja e buste,një bisnes krejtësisht modern.U munduam të shijonim gjithçka nga kjo mrekulli.Një tjetër veçanti që hasëm në Elbasan ishte historia e Priftit ortodoks At Nikolla,i cili prej vitesh luftonte të ndante kishën ortodokse shqiptare nga ajo greke.Një njeri sa i ditur aq edhe patriot i zjarrtë.Nuk di se sa emocione kemi marrë gjatë këtij udhëtimi,di vetëm të them se secili nga ne,do të ruaj në zemrën e tij,një copëz Shqipërie,si djamant i pa përpunuar,plot vlerë.
Tashmè Elbasanin e lèmè pas,e drejtohemi pèr nè Berat.Berati i Uneskos,ai i njè mbi njè dritareve,qè shtrihet qetè faqeve tè kodrave ,ndarè na Osumi si stoli mes tij.Nè kèto qytete antike,ora ka ngrirè.Pamja e tyre duket si njè vegim lashtèsie.U munduam ta shijonim nè maksimum panoramèn dhe kulinarinè e tij.Njè magji mè vete.
Tepelena mbi Vjosë tashmë na pret.Hije rëndi Ali Pashai,i cili me trimërinë e zgjuarsinë e tij arriti të krijonte pothuajse një shtet brenda shtetit në Perandorinë Osmane,dhe i solli dëme të pa llogaritshme Portës së Lartë.Vjosa,për mbrojtjen e të cilës u fol në të gjithë botën,na fal freskinë e madhështinë e saj duke rënë në grackën e aparatit tonë fotografik.
Pranë është Gjirokastra,nuk na u desh te ecnim shumë. Gjirokastra është një qytet i vogël por i këndshëm, përballë janë malet e mbuluara me borë të Çajupit,kurse rrugët karakteristike prej guri të krijojnë idenë se gjëndemi në një qytet mesjetar.Kalaja e Gjirokastrës është shumë e njohur. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës kalaja u rindërtua dhe u zgjerua në madhësinë që është sot.
Emri Argjiro është i lidhur me legjendën e një princeshe që u hodh nga kështjella me fëmijën e vogël për t’u shpëtuar otomanëve.
Destinacioni ynë tashmë është Vlora heroike.Këtu Ismail Bej Vlora shpalli pavarsinë e Shqipërisë me 28.Nëntor 1912.Këtu u mblodhën të gjithë Burrat e ditur e trima nga të gjitha trojet shqiptare,me besa-besë,me ja të vdesim e ja të rrojmë…ËSHT E JONA SHQIPËRIA.Falë këtij akti,Shqipëria shpëtoj nga kthetrat e fqinjëve grabitqar.Sot vlora është një qytet modern bregdetar.Me Lungomaren ajo është një perlë e bregdetit shqiptar. Falë pozicionit strategjik në hyrje të detit Adriatik, Gjiri i Vlorës, i cili është një port natyror, ka qenë një qendër tregtare e lakmuar nga shumë popuj.Ne shijuam çdo dallgë deti e çdo gurë bregu.
Pas një nate të këndshme në Vlorë vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Apollonisë antike. Ky Antikitet zë një sipërfaqe prej 99 hektarësh. Në hyrje ndodhet një muze i pasur me shumë figura antike që tregojnë origjinën pellazgo-ilire të shqiptarëve. Grupi është i mahnitur me pasurinë arkeologjike të Apollonisë.
Tashmë fjalët i kanë lënë vendin ndjesive.Apollonia duket si një Olimp magjepsës që flet shqip.
Me këtë shije historike të pa përsëritshme,ditëve tona në Shqipëri u erdhi fundi.Mbrëmjen përmbyllëse e kaluam në Tiranën plot gjallëri e plot vende të ndryshme për të provuar e shijuar.
Në çdo qytet u munduam të provonim pjatat karakteristike të zonave ku ndodheshim,sepse në fund të fundit,edhe kulinaria është vlerë e pallogaritshme e një vendi.E po kështu bëmë edhe në Tiranë.
Është herët,mëngjes…
Po largohemi Shqipëri,me copëzat e tua me vete…..me krenarinë tonë që jemi shqiptarë,me gjithë mbresat e pa shlyeshme që na le….me urimin”Mirupafshim së shpejti”,por edhe me një lot të fshehtë që pështjell mallin tonë të pafundëm….
E megjithatë kurrë mos e harroni se”Shqiponjat kthehen sërisht në fole.
Xhafer LECI,pak fjalë për: Qendra Kulturore Shqiptare Stuttgart
Në cilësinë e Kryetar nderi të Shoqatës Kulturore Shqiptare,“Kadri Zeka“me seli në Nürtingen të Gjermanisë, jam njëri nga aktivistët e shumtë, të terenit dhe veprimit,pjesëmarrës me ftesë, në organizimet e shumta, të fushave të ndryshme…, nga kjo Qendër
Përherë jam përshëndetur nga organizatorët, e nganjëherë edhe jam ftuar në foltore, nga Kryetari i sukseshëm i kësaj Qendre, z.Vitor Spaqi, gjegjësisht nga moderatoret, të flasë para pjesëmarrësve.
Përherë sallat e mëdha dhe moderne, kanë qenë të stërmbushura,me mosha të ndryshme dhe,personalitete të njohura shqiptare e gjermane.
Kam bërë dy shkrime në lidhje me aktivitet e kësaj Qëndre.
Për më shumë,po sjell një link:
http://www.zemrashqiptare.net/news/30514/xhafer-leci-100-vjetori-ne-stuttgart.html?skeyword=xhafer%20leci
Wendlingen,14.05.2022
Komentet