Një Komb të gjallë dhe të vdekur apel Sulltan Ramës
Jo më kufi mes shqiptarëve
Beteja e Koshares e 9 prillit të vitit 1999 është një nga betejat më të lavdishme të historisë së kohës së re të shqiptarëve.
Ajo është qendra e gravitetit shqiptar, epiqendra e perimetrit ku historikisht shqiptarët janë ndeshur me armiqtë tanë shekullorë.
Në këtë perimeter të lavdishëm janë përleshur Kreshnikët e Jutbinës me krajlitë serbe, Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.
Këtu janë organizuar kryengritjet e para kundër Reformave të Tanzimatit, aksionet e para të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga coptimi, nga traktatet e kongreset e hartuara në kurriz të tyre nga Fuqitë e Mëdha, për të paguar haraçet e Perandorisë Osmane të mundur.
Prej këtej e nisën turravrapin drejt Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Mic Sokoli, Sylejman Vokshi, Ali Ibra. Nga Tropoja fluturoj Tahir Sinani si shqiponjë për Kosovë, Preshevë, Shkup e Tetovë.
Këtu janë zhvilluar luftrat e përgjakshme të viteve 1909- 1910 në Qafë të Morinës me ushtrinë e Turgut Pashës.
Kosharja shtrihet përballë Shkëlzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike.
Ajo shërben si kurorë e Junikut të lavdishëm, djepit të Kuvendit të 21-25 majit të vitit 1912, ku u mblodhën 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar dhe hartuan Platformen e Kryengritjes së Përgjithshme që çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit nga plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali. Truri i këtij Kuvendi, Hasan Prishtina, i mbështetur fort nga Bajram Curri dhe Isa Boletinn lëshoi Proklomatën ” Shpëtim a vdekje”.
Në 100 vjetorin e Kuvendit të Junikut zëri brilant i Shkurte Fejzës evokoi historinë në vargje të poetit Hamit Alia Mjeshtër i Madh:
“O Junik me kulla guri,
Prej tek ti u nis Flamuri.
Prej n’Koshare n’Kaçanik,
Thërret Kosova: o Junik”.
Ne Tropojë u mblodh Kuvendi i Bujanit dhe u kërkua Bashkimi Kombëtar pas Luftës së Dytë Botërore sipas Paktit të Atlantikut, të Drejtës së Popujve për Vetë vendosje.
Prandaj në Luftën e UÇK-së, Tropoja, u ba mbështetja kryesore për të përmbushur ëndrrën e mbetur përgjysmë.
Në Junik ranë heroikisht dragonjtë Bedri Shala, Bekim Berisha, Elton Zherka, Permet Vula, me 10 gusht 1998.
Këtë vepër sublime na e përcjell me dhimbje e krenari zëri piskamë i kantautorit Ilir Shaqiri:
“Kush vjen nga Tropoja,
Nga po vjen ushtima,
Thonë vjen Bedri Shala,
Thonë vjen Bekim Berisha,
Kullat e Junikut nga një gjamë e lëshojnë
Bedriu dhe Bekimi thonë: k’tu do të luftojmë”.
Në djepat e Junikut u përkund Edmond Hoxha, i cili ra heroikisht me Zahir Pajazitin e Vushtrisë, dhe Hakif Zejnullahun e Llapit, më dt 31 Janar 1997, të cilët ishin pushkët e para të lirisë.
Në odën e Met Shalës në Junik shtrëngoj duart me plakun me plis të bardhë e me mustaqe “buldozeri i Ballkanit”, Richard Holbrooche. Në foto, prapa burrit me plis e mustaqe, shihet Flamuri Kuq e Zi, ndërsa pas shpinës së Holbroochet Flamuri Amerikan, çka do të thotë Çertifikim ndërkombëtar i UÇK-së.
Djem e vajza nga të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore dhe nga Diaspora u rreshtuan në rradhët e UÇK-së dhe qindra prej tyre ranë heroikisht në luftime të përgjakshme me makinerinë e satrapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi.
Ata ju kishin përgjigjur thirrjes së Atdheut me moton: ” Një Komb një qendrim”:
Jam çlirimtar, jam në trojet e mia.
Kur thërret Atdheu në këmbë Shqiptaria.
Beteja homerike e Koshares, më dt 9 prillit 1999, është më e përgjakshmja, më e vështira për shkak të terrenit të thyer, pozicionit strategjik të Rrasës së Zogut 1.600 m mbi nivelin e detit, me mbi 1 m. borë, dukshmëria e dobët, me forca të pabarabarta, e armatim simbolik përballë ushtrisë serbe ku kishte të inkuadruar edhe oficerë rus. Luftohej në distancë të afërt dhëmb për dhëmb e trup me trup, për çdo metër për çdo pëllëmbe tokë.
Operacioni i Brigadës 138 titullohej “Shigjeta”, hartuar nga djaloshi i Karadakut Agim Ramadani, me nofkën “Katana” dhe Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”.
Aktet heroike të kësaj luftë na i përcjell kënga popullore:
“Shqip kur flet gur e lis
E çajnë qiellin përmjedis.
Për Kosovën jap dy jetë.
Vdekjen time e vras vetë.
Kush është trim, kush është djalë,
Zot Atdheut për me i dalë,
Pasha qiell e pasha dhé
Plumba s’kanë sa jemi né”.
Kjo luftë spartane, gjakatare, e dhimbshme por heroike na kujton Betejën e Termopileve, ku Leonidha me 300 spartanë u ndesh me ushtrinë e madhe të persëve të Kserksit. 300 spartanët ranë në fushëbetejë nga i pari tek i fundit. Ata luftonin, pavarësisht humbjes së armëve, duke përdorur thonjtë dhe dhëmbët në përpjekje për të kafshuar dhe për të shkuar drejt fitores duke u çjerrë. Vrisnin vehten e nuk dorëzoheshin të përballeshin me turpin.
Gladiatorët e Brigadës 138 ‘Agim Ramadani” ngjiteshin Rrasës së Zogut si shqiponja në gurë.
Ashtu si nënat spartane kur përcillnin djemtë për luftë i porositnin: “Kthehu me mburojë ose mbi të”. Edhe Ajkunat e Kosovës u kërkonin Omerëve të tyre të shtrenjtë: “Kthehuni me fitore ose mbështjellë me flamur”.
Trimat e Koshares përseritën Epokën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ashtu, si në Albulenë, më 2 shtator të vitit 1457, Heroi ynë me ushtrinë e tij shpartalloi 80.000 ushtarë të ushtrisë turke edhe UÇK-ja e lavdishme shpartalloi ushtrinë serbe dhe shembi kufirin.
Operacioni “Shigjeta” ia doli të shembë kufirin mes Shqiptarëve e hapi korridorin e furnizimit me armatim e mbështetje logjistike. Shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte rendësi juridike në të Drejtën Ndërkombëtare.
Kjo ua bënte të pamundur forcave serbe kontrollin e territorit që ndante një Komb në mes.
Në Koshare u shemb Kufiri, që ishte thyer më 6 maj të vitit 1997 në Vlahen të Hasit në drejtim të Kuzhinit, që përkon me ditëlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.
Forcat okupatore u kishin zënë pritë flakadanëve të Lirisë, që u printe Luan Haradinaj. Luani ishte me Ramushin, Femi e Xhevë Lladrovcin, Emrush Xhemalin, Iliaz Kodrën, , Ali Ahmetin, Selim Krasniqin etj. Në këtë përleshje të përgjakshme ra Luani dhe u plagosën Ramushi dhe Femi Lladrovci. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda altilerie me qëllim për të asgjësuar të gjithë luftëtarët shqiptarë.
Ndonëse i plagosur, Simboli i Qëndresës Shqiptare, Ramush Haradinaj, përmes plumbave dhe granatave e tërheq trupin e pajetë të vëllait e mban mbi supe për katër orë dhe e varrosin në Vlahen të Hasit për ta rivarrosur, më dt 24 gusht të vitit 1999 së bashku me luftëtarët e tjerë në Gllogjan.
Veprën e Luanit, dhembjen e krenarinë për të, na sjell zëri i spikatur i Ilir Shaqirit:
“Gjoksi i Luanit një qiell me furtuna.
Bëhen tok e rrjedhin dy Drinat e Buna.
Gurin e kufirit e shkul si dhëmballën,
Mbi krater vullkani trimi e hedh vallen”.
Trimat e Kosharës shembën Kufirin që e kishin thyer në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 Mujë Krasniqi (Komandant Kapuçi) me 36 luftëtarët e tij, të cilët ranë në mënyrë heroike. Ushtria dhe policia serbe u kishte organizuar pritë në vendin e quajtur “Te likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut.
Mujë Krasniqi ishte komandant i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.
Ai ka qenë pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Drenasit, ku në varrimin e mësuesit Haliti Geci, vrarë nga forcat serbe, Mujë Krasniqi bashkë me Rexhep Selimin dhe Daut Harajdinin, më dt. 28 nëntor 1997, bënë publike daljen e UÇK-së.
“Kapuçi” ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në zonën operative të Drenicës dhe në zonën e Dukagjinit. Në nderim të veprës së tij në vendlindje, në Klinë, organizohet çdo vit Festivali ” I kendojmë lirisë”, më dt. 6 , 7, 8 qershor.
Brigada 138 “Agim Ramadani”, që operonte në Zonën Operative të Dukagjinit, me Komandant Ramush Harajdinin, e përmbushi detyrën, perfundimisht e shembi Kufirin.
Më datë 9 prill piramidat ranë.
Për disa ditë është bërë luftë përtej fantazisë njerëzore.
Krojet e gjakut rridhnin nëpër Rrasen e Zogut e bashkoheshin me përroin ku trimat çdo mëngjes lanin sytë, rruheshin e kriheshin duke u parë në ca pasqyra të vogla që mbanin në xhepa me qëllim që të bëheshin të bukur para vdekjes.
Shumë prekëse janë pamjet që transmetonin kamerat e vëllezërve Ismail e Ilir Buçpapaj. Në një krah luftohej, në anën tjetër marigotë qendisnin Flamurin Kombtar. Ashtu si luftëtarët e Aleksandrit Madh, Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit kërcenin dhe këndonin para se te hynin në luftë edhe luftëtarët e UÇK- në terren ja merrnin Këngës së Patriarkut të rapsodisë shqiptare, Dervish Shaqja:
“Moj Shqipëri, mos thuaj mbarova,
Se djemtë e tu hala janë gjallë.
Rrept’ është çue në këmbë Kosova,
E bajnë luftën ballë për ballë”.
Buçpapajt me kamerat e tyre mbajtën lart moralin e luftës duke transmetuar aksionet heroike të pishtarëve të lirisë.
Gjatë luftimeve ranë në fushëbetejë për të mbetur në altarin e lirisë më dt. 11 prill, poeti, piktori, anëtari i Akademisë Europiane të Arteve, Komandant “Katana”, Agim Ramadani. Gjatë luftës u tregua strateg i zoti, i pari që shembi Kufirin. Pas thyrjes së kufirit ra në Zharet për të mos vdekur kurrë e përjetësuar në këngë.
“ n’ Malet e Koshares shkrep një pushkë e vjetër.
Me lirinë moj loke djali po t’vjen n’Zhegër.
Prapë në Dardani po bie tupani.
Vjen n’dasëm t’Kosovës, Agim Ramadani”.
Me 14 prill, në Majën e Gllavës, vritet trimi nga Tetova, Mujdin Aliu. Populli e këndon:
“Jam djalë nga Tetova, me ka thirrë Atdheu.
Vetë Adem Jashari, gjaku i Skënderbeut.
Lamtumirë, moj loke e ti o babë Qerimi,
Vet me mesuat si duhet Atdheu, si bëhet betimi”.
Më dt. 19 prill, vritet Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”, intelektuali, juristi, oficeri gueril, veprimtari i madh që nga Protestat e Vitit 1981 që diti në mënyrë unikale të gjitha cilësitë që kishte t’i përdorte pa u kursyer në shërbim të Atdheut e çështjes Kombëtare.
Gjatë luftimeve të ashpra ranë në fushën e nderit 114 dëshmorë që prehen në lëndinat e Koshares, në hijen e lisave.
Ata ranë për të mbetur lisa të rritur mbi eshtra që kanë vetëm një Atdhe.
Lulekuqe që çelin mbi gjakun e derdhur sa herë vjen pranvera. Ata janë rreze dielli në sytë e fëmijëve, kokërr loti në faqet e rrudhosura nga dhimbja të nënave që kanë humbur djemtë, cicërimë zogu, sy shqiponje, vetëtimë muzgu dhe agu, krushq lirie në dasmat e Atdheut, përmendore e shpirtit të Kombit. Çdo vit i kërkojmë tek guri i kufirit, ku reja shkrepi e gjaku rrodhi damarëve të tokës.
Në këtë përvjetor të 19- të që përkon me 10 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 20 vjetorin e Epopesë legjendare të Jasharajve dhe Haradinajve, me Vitin Jubile të Gjergj Kastriotit, janë Krushq Lirie në sofër të parë.
Nderim të veçantë e përkulje me respekt për protagonistët e kësaj Beteje që shembi kufirin mes shqiptarëve.
Mirënjohje për heronjtë e vdekur dhe të gjallë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Nuhi Tahiri, Abaz Thaçi, Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Mehmet Fetahu, Nasim Haradinaj, djemtë e Tropojës: Xaj Çela, Rakip Sadiku, vëllezërit Kuçana, Rexhep Kortoçi, Hysni Neziri, Xhevahir Selmani, Bylbyl Breçani, Feriz Trezhnjeva e Avdyl Trezhnjeva.
Gjaku i derdhur për shembjen e kufirit, për liri e pavarësi, është apel për Sulltan Ramën.
Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur, i thonë “Jo më kufi mes Shqiptarëve”.
Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur, i thonë Edvin Duçes, Edvin Hitlerit, nuk mund të vendosesh kurrë kufi të shembur me gjak e jetë njerëzore të dhëna në lule të rinisë.
Shqiptarët, të mbështetur nga Amerika dhe NATO-ja, nuk do ta lejojnë instalimin e kalifatit tënd me mbështetjen e Erdoganit dhe Putinit, duke ushqyer neo-otomanizmin e neo-bizantizmin.
Shqiptarët do t’i thonë “Jo, Jugosllavisë së Re”, që Edi Rama po përpiqet ta bëjë me Vuçiçin; “Jo shitjes së pasurive kombëtare”. Do të mbrojnë me çdo çmim Çështjen Çame e Sovranitetin Kombëtar. Do të mbrojnë me çdo çmim Simbolet Kombëtare e Vlerat e Demokracisë. Tani e ka fjalën Sovrani Popull.
Azgan HAKLAJ
Komentet