Në Shqipëri u mbyll procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste pretendon fitoren. Optimizëm ka edhe tek Partia Demokratike. Kurse Lëvizja Demokratike për Integrim thotë se “timoni perëndoi bashkë me bandat e Rilindjes”.
Megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu me 60 minuta, për në orën 20.00, mbylljen e procesit të votimit, për të nxitur një pjesëmarrje më të madhe, sërish përqindja mbeti e ulët.
Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, raporton Zëri i Amerikës, pjesëmarrja ishte ne 45.17 për qind, nga 53 për qind që morrën pjesë në votimet e 2013. Temperaturat e larta dhe Festa e Bajramit janë vlerësuar nga KQZ-ja si shkaqet që mund të kenë ndikuar pjesëmarrjen në zgjedhje.
Pas përfundimit të votimit ka nisur menjëherë transferimi i kutive drejt qendrave të numërimit në 90 Komisionet zonale. Ndërkohë që partitë politike kanë nisur të shprehen për rezultatin e pritshëm.
Në një mesazh telefonik dërguar deputetëve socialist, kryeministri Edi Rama shprehet optimist për fitoren.
“Sipas të gjitha të dhënave, timonin do ta kemi. Ju lutem, ju lutem, ju lutem, mobilizim total për çdo votë në numërim dhe qetësi e durim ndaj çdo provokimi! Na duhet proces i pastër dhe i pakontestueshëm”, shkruan zoti Rama në mesazhin e tij.
Optimizëm dhe nga ana e kreut demokrat Lulzim Basha. “Procesi vazhdon akoma, por sipas raportimeve tona të strukturave të Partisë Demokratike, unë jam shumë optimist për rezultatin tonë dhe për fitore”, u shpreh në një deklaratë për mediat kreu demokrat ndërsa theksoi se:
“Tani që votimi përfundoi, ka mbetur pjesa tjetër e rëndësishme, vendimtare e procesit demokratik, që është procesi i numërimit. Ndaj dua t’i bëj një thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces, të sigurojnë dhe të garantojnë përmes zbatimit të ligjit dhe performancës së tyre, që vullneti i popullit të përmbushet”.
Lëvizja socialiste për Integrim nga ana e saj foli për një humbje të socialistëve. “Timoni perëndoi bashkë me bandat e Rilindjes. Shqipëria foli. Të gjithë në këmbë për të mbrojtur verdiktin e shqiptarëve”, tha ish kryetari i LSI-së Ilir Meta.
Ecuria e procesit
Që prej orës 7.00 të mengjësit të së dieles eri në orën 20.00 të mbrëmjes, shqiptarët votuan për të zgjedhur se kush do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme. Një proces, që dallueshëm nga më parë, ka reflektuar qetësinë me të cilën u zhvillua dhe fushata elektorale. Edhe problemet e zakonshme teknike nëpër qendrat e votimit, kanë qenë shumë më të kufizuara. Pasdite, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, vlerësoi me tone shumë pozitive ecurinë: “Procesi po shkon shumë mirë. Duke patur parasysh se ndonjë parregullsi të dorës së dytë që nuk ndikon në mënyrën se sip o zhvillohet procesi zgjedhor, në ecurinë e vetë ai po shkon shumë mirë”
Tensione LSI-PS
Disa incidente në pjesë të ndryshme të vendit mbetën të izoluara, përveç një ngjarjeje në Shëngjin, ku pati të shtëna në ajër dhe një aktivist të LSI-së të lënduar, e cila mori më pas përmasa politike. Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, ish kryetar i LSI-së shkoi personalisht në Lezhë: “I thoni të gjithë popullit të Lezhës që ka ardhur Ilir Meta me të gjithë eskortën e vet, me të gjithë miqtë e vet, për të mbrojtur votën dhe dinjitetin e lezhjanëve. Të ngrihen të gjithë për t’i treguar vendin bandave të Rilindjes, bandave të drogës dhe bandave që duna të vjedhin votën”
Më pas zoti Meta do të përdorte tone edhe më të ashpra: “Për çdo dhimbje që shkaktohet nga dhuna e sadistëve të ryesadistit, për çdo pikë gjaku që shkaktohet prej tyre janë vetëm dy përgjegjës sot në Shqipëri, njëri është kryesaditsi dhe tjetri është Haki Droga. Këta të dy do të marrin atë përgjegjësi që nuk u ka shkuar kurrë në mendje në rast se do të ketë qoftë dhe një viktimë për shkak të këtij kursi të shfrenuar sadizmi dhe dhune që duan ushtrjnë ndaj qytetarëve të Shqipërisë”.
Deklarata e tij pasuan me një reagim të Partisë socialiste e cila foli për sjellje antiligjore të Presidentit të zgjedhur, i cili po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor, thuhet në deklaratën sipas së cilës “përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën me deklarata të papaërgjegjshme dhe deklaratat e zyrtarëve të LSI-së me akuza vulgare ndaj Partisë socialiste dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme motralisht, politikisht dhe ligjërisht”. Shkëmbimet e replikave mes palëve u shtrinë dhe në zona të tjera si për zhvillimet në Vorë apo dhe në Elbasan.
Kryetari i KQZ-së bëri thirrje që forcat politike të respektojnë ligjin, “pikërisht nenin 77 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se heshtja zgjedhorevijon deri në orën e mbylljes së votimit, ekzaktësisht në orën 19:00”
Nga ana e saj ministria e Brendshme gjatë ditës njoftoi se ka patur një rritje të denoncimeve për përpjekje për blerjen e votës. Të paktën 6 persona janë ndaluar që prej ditës së djeshme, ndërsa sot, tre të tjerë u arrestuan pasi fotografuan votën e tyre me telefon celular.
Gara
Në këto zgjedhje garuan 18 forca politike, të cilat konkurrojnë mes vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve nëpër qendrat e votimit
Zgjedhjet e se dieles u ndoqën nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga Parlamenti Evropian.
Komentet