Ekipi kombëtar i Shpresave, siç konsiderohet ndryshe përfaqësuesja e 21-vjeçarëve, ka arritur një rezultat surprizë ndaj bashkëmoshatarëve izraelitë, duke barazuar 1-1 në “Qemal Stafa”, edhe pse luajti thuajse gjatë gjithë pjesës së dytë me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Dionis Avdijaj.
Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe dhe e dyta sa i përket këtij edicioni për kuqezinjtë 21-vjeçarë, pas fitores që kishin arritur fillimisht në transfertë ndaj Lihtenshtajnit 0-2.
Edhe pse izraelitët kaluan të parët në avantazh pas rreth 30 minutash lojë në pjesën e parë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe synuan vazhdimisht të ndryshonin këtë rezultat. Shpresat e tyre morën edhe një goditje tjetër, kur Avdijaj u ndëshkua me të kuq në fillim të pjesës së dytë, e megjithatë sërish nuk rreshtën së tentuari gjetjen e rrugës së rrjetës.
Gjithçka është bërë e mundur falë 11-metërshit të akorduar rreth 8 minuta nga fundi i kohës së rregullt të takimit, të cilin e mori përsipër ta ekzekutonte Çekiçi, lojtar që aktivizohet me Dinamon e Zagrebit në Kroaci – ekip që eliminoi Skënderbeun në fazën e “play-off”-eve të Champions League, – e që barazoi rezultatin në 1-1.
Ky barazim e ngjit Shqipërinë e 21-vjeçarëve në vendin e dytë të renditjes me 4 pikë, po aq sa edhe Izraeli, ndërkohë që ndiqen më pas nga Hungaria me 3 pikë, por me një ndeshje më pak. Në grupin kualifikues ndodhen edhe kundërshtarë si Portugalia U21 dhe Greqia U21, ekipe që ende nuk e kanë nisur këtë fushatë kualifikuesesh.
Ndeshja e radhës për kuqezinjtë U21 do të luhet sërish në Shqipëri, më 8 shtator, ndaj portugezëve.
Komentet