Pas deklaratës së Athinës zyrtare për pronat e minoritetit në Himarë, reagoi edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Tirana i cilësoi tonet e deklaratës si kërcënuese dhe njohjen e cekët të situatës si të pakuptueshme dhe më shumë se sa adresim për Shqipërinë janë për konsum të brendshëm politik në Greqi.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka thërritur për sqarim ambasadoren greke në Tiranë.
“Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm. Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim, përcjell TCh.
Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, thuhet në njoftim më tej.
“Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar. Bazuar në sa më sipër e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqisë në Tiranë duke shprehur qëndrimin e mësipërm”.
Komentet