Kam shkruar në librat e mi që kombi shqiptar ka humbur shumë pjesë fizike të tij gjatë aksidenteve të historisë. Por, kam theksuar gjithashtu se në kohërat e reja demokratike, që kanë ardhur në Ballkan e në Europë, është detyra e shtetit dhe e kombit për korrigjimin e këtyre aksidenteve. Një rast klasik është ai i shqiptarëve të Sanxhakut në Serbi, i cili deri para 100 vitesh ka qenë pjesë e vilajetit të Kosovës dhe pjesa më e madhe e popullsisë ka qenë shqiptare. Gjatë mbi 100 viteve të pushtimit serb popullsia autoktone shqiptare u shkul me dhunë nga vatrat e veta. E çkombëtarizuan atë pjesë që mbeti, duke e detyruar të harrojë gjuhën dhe të boshnjakëzohet me zor dhe sot statistikat serbe japin shifrën e pavërtetë prej 0,2 për qind shqiptarë në Sanxhak. Shifra reale është shumëfish më e madhe dhe spekulimi statistikor serb vjen nga fakti se shqiptarët e Sanxhakut, të terrorizuar nga dhuna e pushtetit gjatë mbi 100 viteve, nuk guxojnë të thonë se janë shqiptarë dhe i kanë detyruar të regjistrohen si boshnjakë.
Ndaj përbën një akt guximi madhor deklaratat dinjitoze publike të vajzës shqiptare nga Sanxhaku, Amina Nuroviç, e cila ndonëse jeton në mes të terrorit fizik dhe psikologjik antishqiptar, guxoi të shpallë me zë të lartë: “Unë jam shqiptare”. Ajo çoi në vend amanetin e gjyshit, i cili i kishte rrëfyer të vërtetën e origjinës shqiptare. Ja deklarata e saj lapidare: “Përmes rrjetit social përpiqem ta vetëdijësoj popullin e Masbjeshkës, Sanxhakun, shqiptarët e dikurshëm e boshnjakët e sotshëm, që t’ua hapi sytë e të përpiqem t’i bindi që ne nuk jemi boshnjakë, që ne s’kemi qenë kurrë të tillë, por që të gjithë ne nga rajoni i Masbjeshkës në historinë tonë shumëshekullore jemi vetëm shqiptarë. Pjekuria dhe guximi mua më vijnë nga zemra ime, nga dashuria dhe respekti im tepër i madh për popullin tim. Shqiptarët ekzistojnë në Sanxhak, unë jam shqiptare, nesër fëmijët e mi do të ndihen shqiptarë, do të mësojnë shqip, ndërsa unë nuk do të qetësohem kurrë përderisa ta shoh Flamurin Kombëtar Shqiptar se si valëvitet në Novi Pazar. E di që duhen shumë vite për me ardhë deri tek ajo ditë, por këtë do ta realizojmë nëse është e nevojshme edhe me forcë, në mënyrë që të gjithë shqiptarët e asimiluar t’i kthejmë kah rrënjët e veta, pasi e vërteta herdokurë del në dritë, ajo fiton gjithmonë”.
Amina Nuroviç është shëmbëlltyra e vajzës trime shqiptare, e cila guxoi dhe theu tabunë false shekullore se Sanxhaku nuk ka shqiptarë. Është një dëshmi e bujshme e ekzistencës së një komuniteti të gjerë, një zë i fuqishëm i tij, që u kujton të gjithëve, edhe shqiptarëve, edhe serbëve se janë mijëra shqiptarë që jetojnë në trojet e veta në Sanxhak, pavarësisht se tmerri nga pushteti i pengon ende të deklarohen shqiptarë. Janë shumë fshatra të populluar me shqiptarë, të cilët asimilimi i dhunshëm serb i ka detyruar që të harrojnë gjuhën amtare, por që në grumbullimet familjare e miqësore midis tyre dhe mes miqsh e pohojnë se janë shqiptarë me gjak dhe origjinë shqiptare. Madje, edhe vetë kryemyftiu i Sanxhakut dhe kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorliç, për origjinën e tij ka deklaruar se babain e ka shqiptar nga Gucia dhe nënën shqiptare nga Shkreli.
Kushtrimi i të parëve i Amina Nuroviçit dhe i mijëra shqiptarëve të heshtur të Sanxhakut hap një derë të rëndë të detyrës së shtetit dhe të kombit shqiptar për t’u kujdesur për pjesët e trupit të tij, të humbura ose të harruara nga aksidentet e historisë dhe nga dhunat asimiluese të atyre, që zaptuan trojet shqiptare. Akti i Amina Nuroviçit meriton një mirënjohje publike dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse është zëri i ndërgjegjes shqiptare të popullsisë së Sanxhakut.
Historitë e ringjalljeve kështu fillojnë: me zëra heroikë dhe me kalorës të vetmuar të së vërtetës. Në librin tim “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”, botuar në vitin 2009, kam shkruar dhe kam tërhequr vëmendjen për kujdesin që duhet treguar për ringjalljen e shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, të cilët nuk guxojnë të deklarohen shqiptarë. Në vitin 2011 doli i pari shqiptari Branko Manolovski, i cili deklaroi se ishte shqiptar ortodoks i Maqedonisë. E kam përshëndetur atëherë aktin e tij dhe i kam bërë thirrje shtetit shqiptar për nderim dhe mirënjohje ndaj tij. Proceset historike nuk mund t’i ndalë kush dhe sot shqiptari ortodoks, Branko Manolovski është deputet i parlamentit të Maqedonisë nga një parti politike shqiptare dhe profesori shqiptar ortodoks Branislav Sinadinovski deklaron se janë 70 mijë shqiptarë ortodoksë në Maqedoni.
Ndriçimin e rrugës, që bëri Branko Manolovski për shqiptarët e humbur ortodoksë në Maqedoni, po e bën edhe vajza trime shqiptare, Amina Nuroviç për shqiptarët e Sanxhakut. Është një moment i rëndësishëm reflektimi dhe veprimi për shtetin dhe kombin shqiptar për të rivendosur të drejtën e ekzistencës së pjesëve të kombit të humbur nëpër aksidentet historike.
Çështja e popullsisë shqiptare të Sanxhakut nxjerr detyrën e madhe të shtetit të Shqipërisë për t’u interesuar dhe për të mbrojtur pakicën shqiptare në Sanxhak. Shqipëria në marrëdhëniet e saj diplomatike me Serbinë ka plotësisht të drejtën ligjore në bazë të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, që të interesohet për fatin dhe të drejtat e pakicës shqiptare në Sanxhak. Serbia është shtet kandidat për në BE dhe ka hapur edhe bisedimet për traktatin e pranimit me BE. Ajo ka detyrimin ligjor të zbatimit të kritereve të anëtarësimit, ku në radhë të parë hyn trajtimi i barabartë i pakicave dhe dhënia e të drejtave të plota dhe të statusit të pakicave, e ndër to edhe pakicës shqiptare në Sanxhak.
Kjo do të thotë që diplomacia dhe shteti shqiptar ta shtrojnë si pjesë të rendit të ditës në bisedimet e tyre zyrtare me Serbinë çështjen e pakicës shqiptare në Sanxhak. Kjo do të jetë edhe një nga provat për të dëshmuar Serbia se sa demokratike është, për të dëshmuar gatishmërinë e vërtetë për të zhvilluar marrëdhënie miqësore me shqiptarët dhe me Shqipërinë.
Shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë të pranishëm në Sanxhak, të takojnë njerëzit, të ngrenë kurse të gjuhës shqipe, të ndihmojnë me abetare dhe libra, me filma dhe video, me veprimtari kulturore e artistike nga Shqipëria dhe me gjithfarë mjetesh informacioni për të nxjerrë në dritë dhe për të legalizuar identitetin e tyre kombëtar. Televizionet shqiptare bëjnë mirë që dërgojnë ekipe në Ukrainë, Azerbajxhan apo Afganistan, për të qëmtuar komunitetet e harruara shqiptare, por edhe më urgjente të qëmtojnë në Sanxhak pakicën e heshtur shqiptare, që nuk është shpërngulur nga trojet e veta. Sanksionimi i së drejtës së pakicës shqiptare në Saxhak për statusin e pakicës don të jetë një provë e maturisë së Serbisë për anëtarësim në BE. Sidomos është tregues i seriozitetit të saj për të ndërtuar marrëdhënie të vërteta miqësore dhe bashkëpunimi me Shqipërinë.
Në drejtim të mbrojtjes dhe sanksionimit të të drejtave të pakicës shqiptare në Sanxhak nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj ngurrimi apo kompleksi. Shqipëria vetë është treguar aq dorëlëshuar, saqë ka lejuar situatën që diplomacia serbe dhe institucionet e specializuara serbe të livadhisin si në shtëpi të vet në Shqipëri dhe të shkëpusin arbitrarisht një grup boshnjakësh myslimanë nga “Shoqata e Boshnjakëve” të ardhur në Shqipëri si muhaxhirë në luftërat ballkanike dhe të shpikin një të ashtuquajtur pakicë myslimane serbe në mes të Shqipërisë. Natyrisht, ky absurditet i të ashtuquajturës pakicë myslimane serbe u realizua edhe nëpërmjet implikimit të lobit serb në Tiranë.
Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdesen më shumë partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, sepse jetojnë në të njëjtin shtet me shqiptarët e Sanxhakut dhe kanë mundësi ta ngrenë zërin për të drejtat e tyre në parlamentin e Serbisë. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të kujdeset edhe shteti dhe diplomacia e Kosovës, duke hedhur në tavolinën e bisedimeve me Serbinë çështjen e pakicave shqiptare në Serbi, qoftë në Luginën e Preshevës, qoftë në Sanxhak, sa herë që qeveria e Beogradit kërkon qiqra në hell e deri autonomi për pakicën serbe në Veri të Kosovës. Për pakicën shqiptare në Sanxhak duhet të ndihmojnë shoqatat joqeveritare dhe qendrat studimore në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat, para se të shpërndajnë tym me pseudostudimet për lidhjet historike miqësore midis Shqipërisë dhe Serbisë, le të shkojnë në Sanxhak për të ndihmuar në realizimin e standardeve njerëzore dhe demokratike për shqiptarët e Sanxhakut.
Por e përsëris, që barra kryesore i përket shtetit dhe diplomacisë së Shqipërisë, të cilët duhet të ndjehen dhe të jenë të pranishëm në Sanxhak dhe ta shtrojnë çështjen e pakicës shqiptare të Sanxhakut si pjesë të dosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Që në vitin 2011 kam tërhequr vëmendjen për nevojën e interesimit të shtetit dhe të diplomacisë sonë për shqiptarët e Sanxhakut. Në një artikull me titull “Autonomia e Sanxhakut”, të botuar te “Gazeta Shqiptare” në 5 prill 2011, kam shkruar: “Sanxhaku është dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen, pjesë e shahut diplomatik dhe gjeopolitik në Ballkan. Ai ndodhet në zemër të rajonit dhe nuk duhet harruar se atje jetojnë edhe shumë shqiptarë, për të cilët shteti dhe diplomacia shqiptare kanë detyrë kushtetuese dhe kombëtare të interesohen. Është mirë ta kuptojë si detyrë edhe Ministria e Jashtme, ku për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjysma e saj nuk e dinë se ku bie Sanxhaku dhe çështja e Sanxhakut”.
Unë kam folur dhe kam shpëtuar shpirtin. Amina Nuroviç, shqiptarja trime nga Sanxhaku, i ra kambanës shqiptare. Le ta dëgjojnë dhe të veprojnë Tirana dhe Prishtina bashkë.
Komentet