Shqipëria dhe Greqia me gjasë janë pranë një marrëveshjeje të madhe historike për përkufizimin e shelfit kontinental, që do të rishikonte cilësisht marrëveshjen e vjetër, ashtu si dhe për një qasje të re në lidhje me problemet historike të së shkuarës. Burime të mirinformuara politike dhe mediatike nga hoteli ku po zhvillohen negociatat, që pritet të zgjasin dhe ditën e diel, bëjnë me dije ekskluzivisht për Konica.al se marrëveshja e vjetër, e ashtuquajtur Marrëveshje e detit, hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, është prekur në pikën kryesore të saj. Më konkretisht, shkëmbi Barketa nuk do të konsiderohet si më parë, si kufi bregdetar i Greqisë, por si pikëkalim i vijës mesore që ndan brigjet e të dyja vendeve, pra do të humbë rëndësinë që kishte në marrëveshjen e mëparshme, duke i dhënë territor detar vendit fqinj. Pra, ndonëse, saktësojnë burimet për Konica.al, parimi i vijës mesore do të zbatohet për pjesën më të madhe të kufirit, në pjesën tjetër do të përdoret parimi i zgjidhjes së drejtë apo equitable solution, i cili konsideron si të rëndësishëm vetëm ishujt e banuar, në funksion të përkufizimit të kufijve detarë, përkatësisht shelfit kontinental. Me ndarjen e re, bregdeti i Himarës do të ketë 12 milje detare si det territorial të Shqipërisë, ndërsa ishulli Othonoi 6 milje, saktësojnë burimet për Konica.al. Nëpërmjet zbatimit të kombinuar të këtyre parimeve (parimit të vijës së mesme dhe atij të equitable solution), Shqipërisë i rikthehen mbi 200 kilometra katrorë të humbur me marrëveshjen e vjetër. Pra Shqipëria fiton, por fiton dhe Greqia: ajo zgjidh një problem të madh me fqinjin e saj të rëndësishëm verior, dhe përfiton si precedent në delimitimin e kufijve të saj detarë me Egjiptin, Libinë dhe Qipron. Mes dy vendeve çlirohen energji të mëdha diplomatike, por jo vetëm që do të përdoren diku tjetër.
Sipas burimeve ekskluzivisht për Konica.al, në mesnatë priten të bëhen të ditura përfundimet për të cilat janë marrë vesh palët në lidhje me detin. Ky akord i përgjithshëm pritet të shndërrohet ose në marrëveshje të re, ose në një aneks të së vjetrës, duke iu nënshtruar miratimit të institucioneve respektive, parlamenteve, dhe Presidencave të dy shteteve.
Nga burimet merret vesh që çështja e Ligjit të Luftës pritet të trajtohet brenda një Traktati të Miqësisë të ri mes dy vendeve, për të cilën nuk ka detaje. Mbetet të shikohet se si do të zgjidhet ndoshta çështja më e madhe në marrëdhëniet mes dy palëve.
Besohet se në lidhje me çështjen çame, si hap i parë relaksues do të jetë lejimi i qarkullimit të lirë të qytetarëve shqiptarë me origjinë çame në trojet e tyre.
Mediat larg punimeve të delegacioneve
Burime të mirinformuara nga Kreta bëjnë të ditur për Konica.al se në hotelin ku zhvillohen punimet e kësaj konference dypalëshe nuk janë lejuar mediat greke, diçka që tregon kujdesin e palës pritëse të mos helmojë atmosferën edhe ashtu të helmuar të opinionit publik grek. Nuk dihet se si Top Channel ka arritur të depërtojë brenda hotelit.
Pala greke pajtim me të gjithë: në dhjetor pritet Presidenti turk
Praktikisht diplomacia greke është hedhur në një ofensivë diplomatike në gjithë rajonin. Pritet që brenda këtij muaji të përmbyllen negociatat me Maqedoninë për çështjen e emrit. Në dhjetor pritet një vizitë e Presidentit turk, shenjë që Greqia kërkon të përqendrohet në problemet e veta, duke u rikthyer në rajon me një rol të ri, konstruktiv, jashtë problemeve historike. Ky rol do t’i mundësojë depërtim më të lehtë kompanive greke në rajon, në kërkim të hapësirave të reja për investime, ndërsa në Greqi po bëhet gjithnjë e më e vështirë me rritjen kontrollit shtetëror, taksave, etj.
Meritat i shkojnë shoqërisë civile shqiptare
Në pritje të konfirmimit zyrtar të të dhënave të mësipërme, mund të thuhet qysh tani se meritat për këtë fitore të madhe historike të Shqipërisë i takojnë një pjese të shoqërisë civile, ku shquhet profesor Myslim Pashaj, i cili e rriti ndjeshmërinë për marrëveshjen e padrejtë mes dy vendeve, me ndihmën e një pjese të mediave. Partia Demokratike, Berisha përfshirë, bën mirë të heqë dorë nga mbrojtja e marrëveshjes. Ky relaksim në përgjithësi zhvleftëson forcën e partive si PBDNJ-ja në jetën politike të vendit, sepse të mëdhenjtë kanë mundur të merren vesh me njëri-tjetrin pa ndihmën e tyre. Vlen për të theksuar se kjo qeveri pritej të ishte më e gatshme për një marrëveshje të madhe: jo thjesht për shkak të vështirësive të Greqisë sot, por dhe për shkak të prejardhjes politike të drejtuesve të saj. Kryeministri Cipras, i rritur mes shqiptarësh, ka qenë një lexues i hershëm i Marksit dhe është ushqyer me tregimet më të mira për miqësinë me shqiptarët gjatë Luftës Civile Greke të viteve ’40. Është për t’u përmendur se Cipras kurrë nuk ka folur për çështjen çame, apo kundër Shqipërisë, në një mënyrë ose tjetrën, në publik.
Atmosfera mes delegacioneve
Burime të mirinformuara i bënë me dije korrespondentit të Konica.al se atmosfera mes delegacioneve është e relaksuar. Ministrat kanë ngrënë drekë të shkëputur nga pjesa tjetër e delegacionit dhe me gjasë pritet një vizitë kolektive në një nga atraksionet e ishullit. Në darkë pritet t’i jepet dora e fundit marrëveshjes për detin.
Për t’u përmendur, në delegacionin shqiptar bën pjesë ambasadori i Shqipërisë në Londër, ish-sekretari i përgjithshëm dhe nuk bëjnë pjesë figura si Ferid Hoxha, i cili ka qenë në delegacionin që negocioi marrëveshjen e vjetër të detit.
Kanë vazhduar edhe gjatë mbasdites në ishullin e Kretës bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.
Mbasi janë pritur me këngë dhe valle në Lasithi, lokalitet pranë vendit ku mbahen bisedimet, emrin e sheshit të së cilës zoti Kotzias e ka pagëzuar me emirin “Europa” dy vjet më parë, të dy ministrat u janë rikthyer bisedimeve.
Ndoshta për të theksuar pikërisht këtë aspekt, zoti Kotzias deklaroi se, “po vazhdojmë diskutimet për integrimin europian të Shqipërisë”.
Bisedimet e mbasdites së të shtunës janë fokusuar në problemet e minoritetit grek që jeton në Shqiperi, si dhe do të diskutohet për pikat e mbetura pezull në marrëveshjet për të cilat palët kanë dakordësi ose qasje.
Ajo çka tashmë quhet e përfunduar, sipas burimeve të Top Channel, është Marrëveshja e Detit. Pala greke ka pranuar se me marrëveshjen e viti 2009 Shqipëria humb sovranitet në territor ndaj dhe është rënë dakord që të ketë një ndarje të re.
Pikërisht për këtë do të ketë referime të reja në terren, nga të cilat Shqipëria nuk do të humbë asnjë metër katror sipërfaqe.
Duket se çështja e varrezave të të rënëve të ushtarëve grekë në Luftën e Dytë Botërore do t’i bashkangjitet listës së çështjeve të mbyllura mes dy vendeve. Pala greke insistoi se bëhet fjalë për një çështje humane, ndaj dhe si e tillë duhet të trajtohet.
Për çështjet konsullore tashmë është rënë gjithashtu dakord dhe mbetet për të përfunduar formulën sesi do të aborgohet në praktikë edhe kjo çështje.
Për ligjin e luftës, palët kanë sjellë me vete edhe ekspertizën ndërkombëtare, ndërsa pala greke ka hulumtuar me presidencën për mënyrën ligjore të heqjes së ligjit në fjalë.
Për këtë temë ka një shqyrtim të presidencës greke, e cila ka vlerësuar se heqja e ligjit mund t’i bashkangjitet traktatit të ri të miqësisë, i cili do të formulohet në muajt në vazhdim.
Sipas experteve Shqiperia kishte humbur 340 km2 me marreveshjen Basha-Bakojanis. Tani ju na thoni jane rikthyer 200 km2, pra i bie qe serish na mungojne 140 km2. Ku eshte arritja ketu duke bere kompromis me pasurite tona?! Çfarë ju eshte dhene/premtuar grekeve qe te heqin dorë nga marreveshja e 2009-es?
Jetojmë ku jetojmë , por jemi Shqiptar !
Apelojm të institucionet Shqiptare që :
Mos luani me tokën e larë me xhakë .
Ska kufi pa të madhen Shqiperi !