Them “shënimet e një gazetari” për t’i dalluar nga shënimet, komentet apo gjykimet e një trajneri, e një specialisti, e një analisti, si të thuash teknik. E kjo sidomos sot, sepse ka pra do kohë të mira që në këto punë e kanë marrë përparësinë jo gazetarët, por trajnerët, specialistët, analistët teknikë. Madje deri në përmasa thuajse sunduese, duke vendosur Shqipëria edhe në këtë fushë “të sporteve” një tjetër “rekord europian” të llojit.
Tjetër punë pra janë shënimet e gazetarit, sidomos për vështrimin e paanshëm që ky profesion ia siguron atij, për teknikën e të shkruarit, për aftësinë profesionale të informimit, për pavarësinë e mendimit, pra. E kështu, sipas këtij kuptimi prej gazetari, na del se në ndeshjen me Spanjën, Shqipëria nuk ka luajtur keq, ka luajtur shumë keq!
E rëndë kësisoj, apo jo? Po përse të mos e pranojmë këtë? Ngaqë mërzitet FSHF-ja dhe lidershipi i saj? Ngaqë mund të na mërzitet trajneri De Biazi? Ngaqë mund të na mërziten komentatorët dhe analistët pranë FSHF, të cilët, në vend që të pranojnë të vërtetën e qartë që na tregon se Shqipëria nuk luajti keq, por luajti shumë keq, rrinë e çojnë në qiell Spanjën e famshme? A thua se kjo sapo u zbulua e nuk e dimë se ajo është skuadra ndër më të mirat e botës!…
Vërtet, nuk mund të kuptohet përse nuk e thonë me plot gojën se Shqipëria kësaj radhe nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq! Nuk kuptohet përse nuk u dashka thënë e vërteta që na tregon se për 90 minuta të tana Shqipëria gati nuk e kaloi as mesin e fushës. Apo që mirëfilli nuk gjuajti asnjëherë në portë e që kushedi sa herë ndodhi që të mos e prekte topin deri dhe për dytri minuta rresht!
Cila ishte mbrojtja? Cila ishte mesfusha? Cili ishte truri organizativ i skuadrës? Cili ishte sulmi? Ndoshta Bala, i cili, jo për faj të tij, për minuta të tana nuk prekte asnjë top, duke “e zbritur” numrin e lojtarëve shqiptarë nga 11 në 10!
Pa shkuar mandej tek ajo tjera që ta çarmatos gjithë optimizmin që mund t’i ndikosh vetes, teksa gati i mahnitur vëren se si një trajner, edhe pse i shkollës së çmuar italiane të futbollit, guxon që brenda tri ditëve të dalë thuajse me dy 11-sha të ndryshëm, Me sa duket vetëm ngaqë po luante me një “vogëlfuqi” me emrin Lihtenshtejn, kur kjo ndeshje e lehtë, përveç synimeve të tjera, duhej të ishte edhe thellim i përsosjes harmonike tekniko-taktike të 11-shit në synim të ndeshjes me Spanjën.
Dhe papritmas ndaj Spanjës një 11-sh me pesë të tjerë: Lila, Lenjani, Agolli, Memushaj, Xhaka! Si të ishte Shqipëria e vogël Hungaria legjendare e Pushkashit 1954 apo Brazili fantastik i Peles 1970 që kishin dy 11-sha gati të njëllojtë! Guxim i fortë vërtet, i kësaj Shqipërie të 2016-tës! Do të ishte njëlloj sikur Spanja, e cila ndoshta me Shqipërinë mund të ketë një ndryshim po aq sa ka Shqipëria me Lihtenshtejin, mbas tri ditëve të Italisë të vinte në Shkodër me një 11- sh krejt tjetër. Në të vërtetë, ajo bëri vetëm dy ndryshime të detyruara prej 11-shit të saj të ndeshjes me Italinë.
Them se Shqipërisë ndoshta i është rritë mendja jo pak. Ndonëse jo larg, këtë e kemi paralajmëruar qysh në shkrimin e “Panorama Sport” kur kemi titulluar se “Shqipëria duhet ta ulë paksa kryet”.
Nuk ka faj ajo. Ia kanë rritë mendjen “gazetarët”, opinionistët, televizionet, propagandistët e Federatës Shqiptare të Futbollit, disa prej të cilëve pra ishin vrenjtur jopak të dielën në mbrëmje. Kishin harruar se futbolli ka fitore e humbje. Dhe interesant vërtet: vështirë të gjeje një studio televizive pa qenë ndonjë i afërt me FSHF. Deri dhe arbitra e vëzhgues të saj!
E megjithatë, Shqipëria e së dielës në mbrëmje nuk mund të mbrohet prej askujt. Sepse Shqipëria nuk ka luajtur keq, ka luajtur shumë keq! E, për ta vërtetuar këtë mjaftojnë vetëm shifrat “e vogla” teknike të FIFA-s.
Vështroni se sa të pamëshirshme që janë:
Shqipëria e ka mbajtur topin vetëm 29 për qind, Spanja 71 për qind!
Shqipëria ka arritur të pasojë 194 herë, Spanja 874 herë!
Shqipëria nuk ka gjuajtur asnjë goditje këndi, Spanja 9 të tilla!
Mjaftojnë vetëm këto shifra të shpejta, por themelore, për t’u bindur edhe avokati më gjenial se Shqipëria nuk ka luajtur keq, por ka luajtur shumë keq! Dhe ka humbur 0-2. Megjithatë krejt normale, sepse 2-0 Spanja me Shqipërinë mund të fitojë sa herë të dojë. Por rrallë, tepër rrallë mund të ndodhë që duke humbur kësisoj 2-0, Shqipëria e sotme të luajë kaq keq sa të dielën e 9 tetorit 2016.
Dhe është vërtet mëkat që të merresh kaq fort me gabimin e portierit Berisha që dhuroi golin e parë. Kur ai mënjanoi e pakta nja tre gola gati të sigurt. E, si në një absurd, na duhet të themi se Shqipëria, në njëfarë mënyre arriti një lloj suksesi, si të thuash “sui generis”: ajo humbi vetëm 2-0 një ndeshje që duhej ta kishte humbur 4-0.
Mirëpo, ja që futbolli i tillë është: kapricioz, i pabesë, një aventurë plot befasira logjike dhe jologjike. Mû këtë e harroi Shqipëria e mbrëmjes të së dielës kur Stadiumi Kombëtar “Loro Boriçi” regjistroi humbjen e parë të një Kombëtareje Shqiptare në krejt historinë. Për fat, në 70-vjetorin e ndeshjes dhe fitores së parë kombëtarase.
Besoj se e kuptoni që nuk mëtoj që patjetër duhej të fitonim me Spanjën botërore, ndonëse edhe fort çudi nuk mund të ishte kur dihet se Shqipëria nuk është më ajo e dikurshmja. Madje sot ajo është e 18-ta e Europës në fundoret e freskëta të një Kampionati Europian. Kur dihet ndërkaq se vetëm në këto kohë të fundit ajo ka fituar deri dhe me Francën, Portugalinë e Norvegjinë, madje me këto dyja jashtë fushës së vet.
Pa harruar se kjo Spanjë, prapë e mrekullueshme, datuar 2016, por e 14-ta e Kampionatit Europian 2016, kurrsesi nuk është ajo e titujve të saj eurobotërorë 2008- 2010-2012. Është një Spanjë disi tjetër, e cila po riformohet falë talenteve të saj që nuk i shterojnë kurrë. I shfaqi bukur e mirë edhe në ndeshjen me këtë Shqipëri që nuk luajti keq, por luajti shumë keq!
Tash po bëj pyetjen më të thjeshtë: përse Shqipëria nuk luajti keq, por luajti shumë keq? Ose më qartë: çfarë synonte Shqipëria në këtë ndeshje? Të barazonte për punë “fame” me Spanjën? Të mos humbiste thellë? Të shtynte sa të shtynte 45 minutat e para e mandej “Zoti e bëftë mirë”, siç dhe e bëri?
Me sa duket, vetëm një vlerë të madhe të futbollit ajo nuk e desh: të luante futboll të mirë, qoftë dhe kundër Spanjës. Dhe le të humbiste 2-0. Fatalisht, ajo kujtoj se do ta ruante autoritetin e saj të sapondërtuar duke barazuar me Spanjën, çka ndoshta edhe mund ta ruante. Nuk ruajti as njërën as tjetrën. Përse?…
Këtë do të mundohem ta shtjelloj në numrin e nesërm të “Panorama Sport”.
Komentet