Voal – “Bota” me regji të Iris Elezit, është filmi që Shqipëria sivjet nominon për ceremoninë e 88-të të Oscars, gjegjësisht për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.
Kësisoj ka vendosur Qendra Kombëtare e Kinematografisë sot, pas një mbledhjeje ku juria ka vendosur këtë vendim. E gëzuar me lajmin është vetë regjisorja, e cila ka shkruar në Facebook se i falënderon të gjitha ata që kanë bërë të mundur realizimin e filmit.
Flonja Kodheli, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Artur Gorishti janë aktorët kryesorë të filmit .
“Bota” është një kafene. Personazhi Juli, e cila mban kafenenë, kujdeset për gjyshen e sëmurë dhe ka shumë probleme financiare, ëndërron të largohet nga ky vend. Mikja e saj Nora, është e përfshirë me pronarin e kafenesë, Benin, i cili është i martuar. Kur pranë kafenesë fillojnë ndërtimet, duket se gjërat do të ndryshojnë për këto personazhe. Historia ndodhë në një rajon të harruar ku gjatë regjimit diktatorial, armiqtë e regjimit u internuan me familjet e tyre.
Ndërkaq që ky film ka marrë pjesë dhe në disa festivale filmi që janë zhvilluar jashtë. Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Çeki, “Karlovy Vary”, ai u shpall fitues në programin “East of the West”. Filmi me produksion kosovar, shqiptar dhe italian, “Bota” nga regjisorët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, mori çmimin “Fedeora”. / KultPlus.com

Komentet