Shqipëria përmendet si një nga vendet kryesore në botë të kultivimit të kanabisit në raportin e fundit botëror të drogave 2022, një publikim i UNODC, zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet.
Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit.
Në dekadën e fundit, kultivimi kanabisit në të zezë duket se është dega më produktive e bujqësisë dhe ka evoluar me shpejtësi gjatë pesë viteve të fundit, në drejtim të teknologjisë dhe kultivarëve.
Gazetari Artan Hoxha shprehet se, procesi i kultivimit është përmirësuar ndjeshëm nëpërmjet investimeve dhe ekspertizës, duke bërë që trafikantët të ruajnë fitimet, duke zvogëluar sipërfaqet e mbjella.
20 mijë të punësuar, 1 miliard euro në vit të ardhura
Në të gjithë vendin angazhohen në kultivimin e kanabisit të paligjshëm rreth 20 mijë persona në vit me sezone, thotë z. Hoxha. Ata zënë rreth 5% të punësimit total të raportuar nga INSTAT.
Një punonjës në sektorin e prodhimit paguhet mbi 2 mijë lekë në ditë, nga rreth 1,5 mijë lekë që paguhet një punonjës në ditë në serrat e Lushnjës dhe Divjakës.
Ndërsa në procesin e përpunimit, pagesat janë më të larta dhe shkojnë nga 3 deri në 5 mijë lekë në ditë, sipas të dhënave nga tregu.
Kultivimi i kanabisit në të zezë është bërë një biznes më i kontrolluar, duke ulur sipërfaqen dhe duke rritur vlerën e prodhimit prej teknologjisë dhe përmirësimit të kultivarëve. Grupet po ruajnë nivelin e të ardhurave, duke kultivuar shumë pak.
Shumica e mbjelljeve nuk dëmtohen nga policia, sepse kryhen pasi të jenë inspektuar zonat në pranverë nga Guardia di Financa. Kultivarët e Gorrillas mbillen dhe piqen për 6-9 javë sipas zonave, në kohën mes kontrolleve që zakonisht bëhen në pranverë dhe në vjeshtë.
Në Shqipëri ka shumë ferma që kultivojnë nga 5 deri në 100 mijë rrënjë edhe më shumë, shpjegoi z. Hoxha. Institucionet financiare ndërkombëtare e konsiderojnë ekonominë informale në 30-40% të PBB-së ose 14 miliardë euro më 2021.
Sipas këtyre raporteve, pjesa e ekonomisë së zezë është më shumë se rreth 4 miliardë euro, ku rreh një e treta mbi 1 miliard euro vlerësohet se gjenerohet nga tregtia e kanabisit.
Sipas gazetarit Hoxha, të ardhurat nga kanabisi gjejnë shpërndarje në formën e korrupsionit që nga qarqet politike, policisë, pushtetit lokal dhe gjithashtu në formën e pagesave për transportuesit, përpunuesit, transportuesit dhe agronomët etj.
Kanabisi siguron të ardhura të rregullta për rreth 20 mijë familje në vendin tonë. Kultivimi i bimës ka nxitur tregtinë që mbështet rritjen kanabisit, që nga inputet bujqësore, deri te njësitë e sofistikuara laboratorike për prodhimin e vajit.
Përmirësohen kultivarët dhe teknologjia e serrave
Nga viti 2016, kur bimët narkotike u mbollën masivisht në të gjithë vendin, duke krijuar mbiofertë që ndikoi në uljen e çmimit në tregun europian, tani proceset janë më të kontrolluara, tha Artan Hoxha gazetar me përvojë në çështjet e kronikës së zezë dhe krimit të organizuar.
Z. Hoxha tha se, farat e kanabisit që mbillen në Shqipëri vijnë nga Holanda dhe janë të sigurta, teksa një lloj kultivari i cilësuar Gorrilla ka bërë revolucion në rendimet.
Ky lloj hibridi i formuar në laboratorët spanjollë jep prodhim për rreth dy muaj dhe ka një nivel shumë të lartë të substancës rekreative (THC-së) 25% nga rreth 12-14% që kishin kulturat e tjera që mbilleshin në Shqipëri. Bima është rezistente dhe jep prodhim të sigurt dhe të lartë në pak sipërfaqe.
Ndryshe nga bohçet e llojeve të tjera të kanabisit, një kilogram nga lloji Gorrilla kushton deri në 4500 euro. Kultivuesit gjithashtu kanë shmangur përdorimin e farave vendase që shpesh kanë dalë shterpë, duke importuar fara të sigurta nga jashtë.
Duke operuar në territore shpesh të vështira dhe pa infrastrukturë kultivuesit e kanabisit kanë zhvilluar teknika të reja dhe moderne në parcela, që nga sistemet e ujitjes me pika deri te zhvillimi serrave moderne.
Zoti Hoxha disponon foto, të cilat tregojnë disa hektarë serrë të mbjella me kanabis, të cilat do t’i kishte zili edhe biznesi më i mirë i serrave të perimeve në Shqipëri. Për mbulesë përdoret një lloj plastmase, që kushton 20 euro metri katror, dhe siguron dritën dhe temperaturat e duhura për bimën.
Të gjitha parcelat janë të pajisura me sistem vaditës me pika, teksa shërbimet e konsulencës agronom merren nga jashtë. Një pjesë e madhe e kultivuesve kanë investuar në teknologji për të shmangur rrezikun e kontrolleve dhe zbulimin nga policia.
Z. Hoxha thotë se, fermat e konsoliduara kanë instaluar sisteme teknologjike nga Izraeli, të cilat monitorojnë parcelat dhe zonat rreth e qark, duke shmangur rojet që shpesh shndërrohen në dëshmitar kur i kap policia.
Sofistikohet prodhimi dhe zinxhiri i përpunimit
Për të ruajtur të ardhurat, bizneset e paligjshme të kanabisit kanë diversifikuar prodhimin. Tendenca për të zgjeruar kultivimin në shtëpi është rritur së fundmi, për shkak të kohës së shpejtë të vjeljes dhe çmimit të lartë.
Kushtet e kontrolluara të prodhimit në banesë japin një prodhim të sigurt, tha z. Hoxha. Një kilogram kanabis i kultivuar në shtëpi kushton rreth 2100 euro. Sipas tij, ka të dhëna se vetëm në Tiranë ka rreth dhjetëra banesa të mbjella me kanabis.
Kultivimi i kanabisit për qëllime rekreative është zhvendosur në një pjesë të madhe në serra edhe në zonat malore, sidomos në male. Serrat sigurojnë rritje të shpejtë dhe cilësore të prodhimit, si për të gjitha kulturat e tjera bujqësore.
Një kilogram kanabis në serrë kushton rreth 1800 euro. Si në çdo kulturë tjetër bujqësore, edhe për kanabisin, investimet në përpunim e rrisin vlerën e produktit dhe fitimet gjithashtu. Vitet e fundit, grupet kanë rritur investimet në laboratorët dhe njësitë e përpunimit të kanabisit, tha zoti Hoxha.
Stoqet e kanabisit që nuk mund të shiten jashtë si bohçe të paketura bëhen vaj ose çokollatë (një proces presimi që u bëhet bohçeve për t’i ruajtur me gjatë).
Klima dhe fuqia punëtore e bën Shqipërinë konkurruese në tregun e zi
Shqipëria, si një vend mesdhetar ka avantazhin klimatik, si për çdo kulturë tjetër bujqësore, edhe për kultivimin e kanabisit. Sipas z. Hoxha, ky është një avantazh i cili ndihmohet gjithashtu nga një fuqi tashmë e kualifikuar punëtore, që merret me kultivimin dhe përpunimin e bimës. Rendimenti i prodhimit, edhe për kanabisin, është sipas zonave gjeografike.
P.sh. në Veri, sezoni i korrjes zgjat më shumë dhe rendimenti është më i ulët, ndërsa në qendër dhe në Jug, klima është më e favorshme duke siguruar mbjellje më shumë se dy herë brenda vitit. Rendimentin më të lartë e kanë kultivarët në zonën e Jugut.
Përveç klimës së favorshme, tashmë Shqipëria ka një fuqi punëtore të kualifikuar që punon prej vitesh në kultivimin e kanabisit. Procesi i prodhimit zakonisht realizohet nga djem të rinj dhe gra, ndërsa në kohën e vjeljes dhe zhveshjes së bohçeve angazhohen shumë punonjës që kryesisht janë gra.
Punonjësit kanë përshkallëzuar njohuritë në përpunim, sidomos për nxjerrjen e vajit dhe çokollatës. Një litër vaj kanabisi kushton mesatarisht 40 mijë euro dhe kërkon së paku 20 kilogram bohçe. Transporti i vajit bëhet më lehtë, për shkak të sasisë së ulët, ndërsa fitimi është i lartë në krahasim me eksportin bruto të bohçeve./Monitor