Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, u shpreh se Turqia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
TIRANË – Shqipëria nis kontingjentin e radhës që do të shërbejë në misionin “Resolute Support” (RSM) në Afganistan. Ceremonia për përcjelljen e kontingjentit u zhvillua në ambientet e Policisë Ushtarake në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Dedë Prenga, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, ushtarakë dhe familjarë të efektivëve që do të nisen në mision.
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, theksohet se ministrja Kodheli në fjalën e saj tha se ky 5 dhjetor duhet mbajtur mend si “Fillimi i një angazhimi të ri”.
“Sfidat e reja të sigurisë, kërkojnë me ngulm shikimin e bashkëpunimit mes vendeve aleate si mundësinë primare jetike të suksesit, në këto kohë mungesash dhe radikalizimi. Gjendemi së bashku me aleatët tanë në zonat më të nxehta të globit, marrim përsipër angazhime në përmbushje të kërkesave të Aleancës, por dhe mendojmë në çdo moment për përmirësimin e realitetit me të cilin përballemi. Ngjarjet që po ndodhin kudo nëpër botë demonstrojnë rëndësinë që ka mirëpërgatitja për parandalimin e çdo agresioni të mundshëm ndaj Aleancës apo për t’iu përgjigjur çdo krize të mundshme”, u shpreh Kodheli.
Në fund të fjalës së saj, Kodheli falënderoi aleatët turq për të gjithë ndihmën e dhënë në plotësimin e angazhimit në Afganistan. “Bashkëpunimi me Forcat e Armatosura Turke, mbetet për ne mjaft i rëndësishëm dhe thelbësor”, ka shtuar ajo.
Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, u shpreh se Turqia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Turqia ashtu siç në çdo fushë edhe në fushën ushtarake ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Sot kërcënimet rajonale dhe globale po arrijnë përmasa tepër të vështira. Në këtë kohë rritet akoma më shumë roli rajonal dhe global i NATO-s për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Botë. Turqia është një mbështetëse e politikës e dyerve të hapura të NATO-s. Në të njëjtën kohë e shikon këtë aleancë si një garanci të fuqishme për stabilitetin dhe paqen në Ballkan. Në këtë kuadër Turqia e shikon si tepër kuptimplotë dhe tepër të rëndësishme kontributin që jep Shqipëria, aleate e jona në NATO, kontribut të cilën e jep edhe në Afganistan në kuadrin e komandës së NATO-s”, u shpreh Bayraktar.
Kontingjenti që nisen në Afganistan, i përbërë nga 30 efektivë shënon kontingjentin e 5-të të efektivave shqiptarë në kuadër të RSM-së. Ata pritet të zëvendësojnë trupa të kontingjentit të 4-tërt të Batalionit Komando, të cilët janë aktualisht duke kryer misionin e tyre në varësi të komandës turke në Kabul, Afganistan. Ashtu sikurse edhe kontingjentet e tjera, toga e efektiveve të Policisë Ushtarake, do të shërbejë për një periudhë 6 mujore. aa
Komentet