Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ofroi të mërkurën NATO-s portin e Durrësit për ta ndërtuar një bazë të flotës detare, ndërkohë që kërkoi dialog të vazhdueshëm të aleancës me Ballkanin Perëndimor për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
“Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin përkundrejt situatës dhe po kështu detyrimet që i kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim dhe të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë”, tha Rama në konferencën e përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në këtë kontekst, ai tha se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e vetë tradicional “në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht stabilitetit”, teksa kërkoi dialog të vazhdueshëm të Aleancës me Serbinë.
“Ne besojmë shumë që është tejet e rëndësishme të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë e cila nuk është pjese e Aleancës tonë, por ende është pjesë e rajonit tonë”, u shpreh Rama teksa kërkoi edhe përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, pa marrë parasysh kufizimet politike nga disa anëtarët që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tregoi se ka prezantuar ambiciet e Shqipërisë për të mirëpritur NATO-n në portin e vet.
“E vlerësoj shumë disponueshmërinë tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s, një bazë të flotës detare të fjalës së fundit”, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare.
Në anën tjetër, Stoltenberg ka falënderuar Ramën për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës dhe rreshtimin e vendit përkrah aleatëve perëndimorë.
“NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj në luftën ndaj Rusisë. Ne po ofrojmë mbështetje dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën si dhe angazhimin tuaj për ndihmë humanitare. Vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti”, theksoi sekretari i NATO-s.
Rama ka vizituar Ukrainën më 15 qershor të këtij viti, prej ku mbështeti marrjen e statusit të kandidatit të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Stoltenberg nënvizoi se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë do i bënte të dyja vendet më të sigurta dhe NATO-n më të fortë, dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në miratimin e anëtarësimit të dy vendeve skandinave në Aleancë.
Shqipëria është ndër vendet e para anëtare të NATO-së që ka miratuar plotësisht anëtarësimin e dy shteteve evropiane në Aleancën Veriatlantike të mbrojtjes.
Finlanda dhe Suedia, vende që me dekada mbajtën status neutraliteti ushtarak, aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në NATO pasi që pushtimi rus i Ukrainës shtoi shqetësimet e sigurisë në këto dy shtete evropiane.
Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, tashmë është nikoqire e një baze ushtarake të NATO-s dhe selisë së Komandës Evropiane të Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SOCEUR.
Një pjesë e madhe e manovrave ushtarake të NATO-s në detin Adriatik vitin e kaluar janë mbajtur në Shqipëri, me emrin e koduar “Defender21”.
Komentet