ROMEO GURAKUQI/ Si është studiuar Historia e Shqipërisë deri më tash? Shqipëria dhe bota shqiptare gjatë dhe pas LDB është studiuar nga historiografia e vendit të izoluar, si histori e një kombi të ndarë në pjesë territoresh, qëndrimesh dhe rrjedhash dhe fatkeqësisht kjo vazhdon edhe sot. Një vend dhe komb i ndarë në fragmente, i privuar nga një ndërlidhje efektive dhe me padijeni për strukturat institucionale, që krijuan shtetin dhe unitetin nacional në harkun kohor të viteve 1913-1939, prodhoi zyrtarisht edhe një dije historike me dy vektorë të ndryshëm për qenien nacionale: një në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë, pavarësisht ndërvarësisë së sotme të krijuara nga nevojat e diplomimit në Tiranë.
Të dyja të pasakta dhe të shtrembëruara në raport me dijen zyrtare të para vitit 1939, për shkak të varësive të epërme. E kam thënë dhe dua të përsëris se historia duhet të shkruhet si një sistem i tërë dhe jo më si një histori e përbërë vetëm nga një copëz me interes politik dhe propagandistik, ose një copëz territor shqiptar. Historia nuk mund të ndërtohet më vetëm si një histori e shkëputur e një vendi nga bota mesdhetare dhe e paprekur nga faktorët imponues të fuqive të mëdha të kohës, por si Histori e Shqipërisë që përfshin “Shqipërinë e Vjetër” dhe territoret shqiptare të riintegruara në shtetin shqiptar të ndërtuar nga italianët dhe gjermanët okupatorë (1941).
Si një histori e të gjithë komponentëve politikë, sociale, krahinorë, kulturorë dhe jo vetëm si histori e lëvizjes komuniste; si histori e një vendi të vogël, të prapambetur me rritje të ndërprerë nga imponimi i faktorëve të Fuqive të Mëdha të kohës dhe qarqeve shoviniste të vendeve fqinjë ballkanike. Një fragment kohor i një historie nacionale, përfshirë në një kornizë të përgjithshme të historisë europiane të periudhës së LDB dhe fazës menjëherë pas saj, i kuadrit të rindërtimit të balancës fillestare të LF. Për rrjedhojë, studimi ynë nacional nuk mund të shkëputet nga paradigmat gjeneraliste mbizotëruese të historiografisë botërore mbi të njëjtën periudhë dhe shkollat studimore.
Dhe në qoftë se kjo logjikë qëndron, qasjet njëdimensionale të përdorura deri më tani, mendoj se janë të pamjaftueshme dhe të çojnë në rezultate, së paku të përcipta, për të mos thënë larg të vërtetës. Shkollat historiografike dallohen nga mënyra se si u japin përgjigje pyetjeve të tilla si: Kush është përgjegjës për pushtimin italian të Shqipërisë? Cilat janë disa nga veçoritë e pushtimit italian të Shqipërisë? Si shpjegohet thyerja e plotë e njerëzve me pushtet para agresionit të 7 prillit dhe kolapsi i plotë i shtetit? Cili ka qenë vendi i Shqipërisë në Komunitetin Perandorak Romak? A ishte ai pushtim një zaptim dhe nënshtrim klasik, apo një sistem i protektoratit? Cila ka qenë shkalla e autonomisë së autoriteteve shqiptare të qeverisë kukull në Perandorinë Fashiste? Cilat janë tiparet e kolaboracionizmit në LDB? A ishte kolaboracionizmi shqiptar tipik, apo mbart dallime në raport me atë të vendeve perëndimore dhe atë të vendeve ballkanike? Si shpjegohet, që kuislingët shqiptarë, jo vetëm që nuk ndërmorën fushata antisemite, por kryen edhe mbrojtje ndaj popullsisë me origjinë hebreje brenda territorit të tyre sovran? A ka pasur në Shqipëri Luftë Civile? Cili është raporti në mes Luftës për Çlirim dhe Luftës Civile? A ka pasur në Shqipëri një ndarje të brendshme klasike mes forcave politike rreth qëndrimit ndaj Aleatëve Antifashiste?
Pse forcat tradicionaliste, elita e vendit mbajti një qëndrim përgjithësisht akomodues dhe herë-herë bashkëpunues e negociues me ‘arkitektët’ italianë të pushtimit? Si mund të klasifikohet qëndrimi i ekipit drejtues vendës në kohën e pushtimit gjerman? Si shpjegohet që në Shqipërinsë e okupuar nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste qeveritë vendase nuk kanë ndjekur politika antisemite, madje zyrtarisht kanë marrë në mbrojtje hebrenjtë? A është Shqipëria e LDB vendi ku skemat ndarëse ndër kampe politikoushtarake mund të aplikohen rigorozisht, apo kemi të bëjmë me një rast të posaçëm? Si duhet kuptuar qëndrimi në bllok jo armiqësor i popullsisë shqiptare të “Tokave të Lirueme” ndaj italianëve dhe gjermanëve? A u çlirua mirëfilli populli shqiptar më 29 nëntor 1944, duke u përfshirë si shtet i trojeve etnike, në botën e lirë, demokratike, të ekonomisë së tregut të lirë dhe i pavarur nga fuqia moskovite? Cilat kanë qenë forcat kryesore motivuese që ndikuan në shkatërrimin e shtetit shqiptar në rrjedhën e vitit 1944, që krijuan vakumin institucional, kaosin social, rrënimin e elitës themeluese dhe kapjen e mbajtjen e pushtetit prej komunistëve?
A ishin interesat komuniste jugosllave për rimarrjen e “Tokave të Lirueme” në vitin 1941, në shtetin e tyre të viteve 1945-1946, një faktor vendimtar në fuqizimin e komunistëve brenda antifashizmit në Shqipëri dhe fshirjen e plotë të linjave kombëtare pararendëse? Pse Shqipëria, kuptuar si Shteti i vjetër, përfshihet nga historiografia perëndimore ndër Kombet e Robëruara të varuna nga Kremlini që në fillimet e Luftës së Ftohtë? Pa i dhënë përgjigje bazuar mbi studim këtyre pyetjeve që janë themelore për historiografinë botërore, ne nuk mund të ndërtojmë një Hartë të Kuptimeve të Historisë së Luftës së Dytë Botërore, nuk mund t’i japim një kuptim botës shqiptare të viteve 1939-1945, nuk mund të themelojmë një të Kaluare të Re mbi Luftën e Dytë Botërore dhe post-luftën në trevat shqiptare, nuk mund të arrijmë në produkte shkencore konkurenciale dhe të pranueshme në debatin bashkëkohor. Po ashtu, ne nuk mund të shkruajmë një historisë të besueshme, pa shpjeguar kontekstet historike nëpër të cilat kaloi vendi ynë aq intensivisht në 6 vite rrënimtare, pa kuptuar formacionet kulturore përbërëse, mjediset sociale të ndërtuara në kontekste të diferencuara historike dhe civilizuese, të krahinave etnografike të Shqipërisë, të veçantive religjioze të kompozitave të shoqërisë sonë.
Në qoftë se ne sot sërish nisemi nga parimi se konkluzionet e arritura 40 vite më parë, ende përbëjnë referencë; në qoftë se përdorim të njëjtën dhe të vetmen metodë, dhe të njëjtat burime të ofruara për përdorim të detyrueshëm, ose nisemi nga udhëzimi për kryer lëmime revizioniste, por në asnjë rast rishkrim postrevizionist dhe tradicionalist, ne me siguri do të vijojmë të vonojmë me dritëshkurtësi mbërritjen e së vërtetës, por kurrë nuk do ia dalim të jemi të besueshëm dhe të pengojmë mbërritjen e bashkëkohësisë studimore në vendin tonë. A mundemi ne të vazhdojmë të shpjegojmë si një bllok unik jetën shqiptare në çdo segment të territorit, të qyteteve pole kulturore, të fiseve dhe të krahinave me tradita të veçanta etnografike dhe përkatësi të ndryshme religjioze, që në shumë raste kanë pasur dhe kanë, konceptime të ndryshme për identitetin shqiptar dhe ardhmëninë, pa përdorur një metodë gjenetike, duke iu shmangur arsyetimit të zbatuar me urdhnim nga historiografia vendase? Unë mendoj që jo.
Nevoja për të kuptuar ngjarjet, personazhet, posaçërisht disa prej figurave të mëdha të shtetformimit, qëndrimet e tyre respektive, të pashpjegueshme deri më tash me metodat hulumtuese të historiografisë leniniste, dikton përdorimin starteve të tjera, hermeneutike dhe kritike në studim. Pa përdorimin e tyre ne nuk mund shpjegojmë mënyrën e mendimit, të arsyetimit dhe vlerësimit të ngjarjeve nga ana e personazheve më të spikatura fondatore të shtetit, që janë etiketuar deri më tash si mirëfilli kolaboracionistë, ironikisht në anën e gabuar të historisë dhe njëkohësisht për t’i vendosur ata përballë kundërshtarëve politikë, që i kanë denigruar deri vonë. Po ashtu, duke qenë se në harkun kohor të viteve 1939-1945, Shqipërisë i është dashur të ndryshojë disa kontekste politike dhe korniza kushtetuese, të pësojë në fund fare një ndryshim radikal sistemesh, për të shqyrtuar fillin e ndërlidhjes dhe vazhdimësisë mes dy epokave përmes tri fazave thyerjeje që kaloi ky vend, është e nevojshme të kryhet vlerësimi i kornizave institucionale të krijuara në vitet 1939, 1943 dhe 1945/46, të kryhet krahasimi i pasojave politike, shoqërore dhe humane që rezultuan pas gjithë këtij destabiliteti shtetërorë.
Dhe studimi nuk mund të realizohet pa ndjekur një metodë vlerësimi historiko-juridik, që është gjegjësisht një metodë krahasuese. Kjo sepse kemi të bëjmë me vendosjen e tri sistemeve juridiko-institucionale, që janë të ndryshme për secilën fazë të kohës së LDB. Kemi të bëjmë me tri qasje të dallueshme ndaj të ardhmes së vendit dhe orientimit ndërkombëtar të elitave që dolën në krye. Dhe në fund fare, kemi edhe tre grupe udhëheqësie, që ndërrohen në Shqipëri, në prill 1939, në shtator 1943 dhe në nëntor 1944. Grupi i fundit ishte pa asnjë lidhje me të gjithë elitat pararendëse dhe me program tërësisht të kundërt me strukturën ideologjike dhe politike kombëtare mbi të cilën u ndërtua shteti shqiptar. Dhe shkolla jonë zyrtare ende nuk e ka realizuar një kërkim mbi një bazë të tillë. E kaluara tradicionale e prodhuar nga Etërit e Ndaluar të Kombit, nuk duhet të konsiderohet më si diçka e huaj dhe armiqësore në vitin 2024, por më tepër si një pjesë e horizontit jetues, në të cilin ne gjendemi dhe si nevojë e ecjes bashkërisht si komb unitar, i bashkuar në shtyllat më themelore të së shkuarës së miratuar bashkërisht. Kornizat e vjetra të njohjes së periudhës së LDB, përcaktuar mbylltazi nga historiografia komuniste shqiptare duhet të konsiderohen të thyera me mbylljen edhe të brezit politik që ishte përpjekur t’i vuloste hermetikisht ata pa ndërrim.
Përvoja shqiptare historiografike e periudhës së djeshme, që jetoi padrejtësisht edhe në tranzicionin e Shqipërisë drejt demokracisë, që pësoi edhe rigjallërim në momente të caktuara, për një seri rrethanash politike, ekonomike dhe jetësore, besoj se nuk do të duhet të jetë më pikë reference për t’u mësuar nga brezat e ardhshëm të nxënësve shqiptarë dhe nuk do të përbëjë më skemën ndërtimore të historisë zyrtare të Shqipërisë. Në dekadën e tretë të shekullit XXI, ne duhet të jemi një vend, një komb, me histori, shkollëformim, histori tekstuale, komunikim letrar të standardizuar e të konsoliduar, bazuar mbi rezultate të verifikueshme të kërkimit shkencor, dhe të mos e përjetojmë gabimisht vetveten, si një komb me një sistem dijeje, të vërtetash historike dhe shkollë, të lulëzuar në kornizat e vetëm 80 viteve të fundit, mbasi kjo mund të konsiderohet më si një dukuri progresiste dhe as të dobishme.
Vijon nga numri i djeshëm
/Gazeta Panorama