Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ulen sot në të njëjtën tryezë me vendet anëtare, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë priteje, zvarritjesh dhe pengesash.
Kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Dimitar Koveçevski u pritën nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe kryeministri i Republikës së Çekisë Petr Fiala, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së.
“Ky është një moment historik”, deklaroi presidentja Von der Leyen, ndërsa vuri në dukje përpjekjet e të dy vendeve në rrugëtimin e tyre të integrimit. “Ky është suksesi juaj, i juaji si qeveri, i qytetarëve tuaj, i popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona”, nënvizoi zyrtarja e lartë evropiane, duke vënë në dukje se perspktiva të reja hapen për të dy vendet. “Do të ketë rritje të investimeve, do të ketë bashkëpunime të ndryshme në fusha kyçe si energjia dhe transporti. Ju do të maksimizoni impaktin e fondeve të BE-së që do të thotë punësime të reja, mundësi të reja e pikërisht për këtë kanë pritur kaq gjatë qytetarët tuaj dhe këtë meritojnë”, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian.
Në fjalën e tij të shkurtër kryeministri Edi Rama falenderoi nga njëra anë drejtuesit europianë, dhe presidencën franceze që bëri të mundur zhbllokimin e ngërçit mes Sofjes dhe Shkupit, por dhe popullin shqiptar “i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e udhëtimit europian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë, pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar ku refuzimet prej Këshillit Evropian nga njëra anë dhe tërmeti, pandemia, lufta nga ana tjetër, krijuan një situatë vërtet të vështirë, por na forcon më shumë seç ishim”
Zoti Rama vuri në dukje se një rrugë e gjatë është përpara vendit të tij, kur tha se “ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit, por është fundi i fillimit por situata është kjo që është dhe është mirë kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur perëndimor, të fortë dhe demokratik”.
Për kryeministrin maqedonas Kovaçevski, vendi i të cilit nis procesin e bisedimeve pas 17 vitesh pritjeje, për shkak të mosmarrëveshjeve fillimisht me Greqinë e së fundmi me Bullgarinë “sot po fillojmë përfundimisht negociatat, po hapim një perspektivë të re për vendin tonë dhe për qytetarët tanë dhe në mënyrë të sigurt, do i bashkohemi familjes së madhe europiane. Kjo ka qenë qëllimi ynë strategjik prej vitesh”.
Kryeministri Kovaçevski u shpreh veçanërisht i kënaqur që propozimit francez i cili mori miratimin e parlamentit të vendit të tij, pavarësisht kundërshtimeve të forta të opozitës, “përkufizon gjuhën maqedonase pa shtesa, shpjegime, shënime në fund të fletës, diçka që ka qenë e një rëndësie të madhe për ne. Dyert e hapura për gjuhën tonë maqedonase, për t’u bërë një nga gjuhët zyrtare të BE-së, është diçka që unë personalist e shikoj si një nga arritjet më të mëdha dhe sukseset më të mëdha”, u shpreh ai.
Siç shpjegoi presidentja e Komisionit Evropian, hapi i parë në procesin e bisedimeve pas konferencës ndërqeveritare do të pasohet nga puna mes Komisionit dhe ekipeve negociuese për “shqyrtimin e akteve europiane që do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet, mbi të gjitha marrëveshjet europiane e ne do të vijojmë shumë shpejt me të”.
Komentet