”What should be done to end this drama where the Albanian Question is caught up?” (1) (Çfarë duhet bërë për t’i dhënë fund dramës në të cilën ka ngecur çështja kombëtare Shqiptare?) Kësaj pyetjeje, të shtruar nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, në platformën e saj të vitit 1998, për zgjidhjen e çështjes kombëtare, i është “përgjigjur” njëzet vjet më pas Kryeministri i Shqipërisë dhe i është përgjigjur dy herë. Së pari, më 18 shkurt 2018, gjatë festimeve jubilare për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Duke folur në seancën plenare të Parlamentit të Kosovës, Kryeministri Edi Rama propozoi zgjedhjen e një Presidenti të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën. (2) Propozimi krejtësisht i papritur e bëri edhe më solemne heshtjen në sallën e Parlamentit të Kosovës, që ishte zbukuruar edhe me flamurin kombëtar kuqezi, i cili zyrtarisht është flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë. Habia e të 120 deputetëve të Republikës së Kosovës dhe gati e të gjithë “parisë” politike të Tiranës, gjithashtu e pranishme në sallën solemne, sidomos përpjekja për ta fshehur këtë habi dhe tek-tuk buzagazi ironik i të zgjedhurve të popullit nga të dyja anët e kufirit, dëshmonin se propozimi për një President të përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte thjesht një ide e Kryeministrit të Shqipërisë, e pakonsultuar as në Tiranë dhe as në Prishtinë.
Së dyti, më 26 nëntor 2018, gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Pejë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ftoi Kryeministrin e Kosovës që të dy Ministritë e Punëve të Jashtme të fillonin punën për përgatitjen e një dokumenti strategjik për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në vitin 2025. I gjendur në befasi, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ishte edhe mikpritësi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, pranoi para gazetarëve se kishin diskutuar edhe për “përgatitjen e një dokumenti analitik, strategjik, se si do të ecin deri në vitin 2025” dhe cila do të ishte perspektiva e shqiptarëve në Ballkan, (3) por pa iu referuar bashkimit të dy shteteve të propozuar nga homologu i tij nga Republika e Shqipërisë.
Gjatë njëzet vjetëve të fundit, këto janë dy propozimet e vetme që vijnë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, pas Platformës së Akademisë së Shkencave të bërë publike më 1998-ën. Në këtë platformë, që është identifikuar si traktati i nacionalizmit shqiptar për “të realizuar Shqipërinë e Madhe”, pyetjes se çfarë duhet bërë për të zgjidhur dramën e çështjes kombëtare shqiptare, Akademia e Shkencave i përgjigjet: E vetmja zgjidhje është ndërhyrja urgjente e Komunitetit Ndërkombëtar për ta detyruar Beogradin të njohë Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur dhe… të hapur edhe ndaj Serbisë, edhe ndaj Shqipërisë. (4)
Njëzet vjet më parë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes platformës për zgjidhjen e çështjes kombëtare, propozonte si objektiv maksimal një Kosovë të pavarur nga Serbia, por të hapur edhe ndaj Shqipërisë, edhe ndaj Serbisë. Po çfarë ka ndodhur që Shqipëria po i ikën këtij objektivi të përcaktuar nga Akademia e Shkencave? Përse njëzet vjet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe dhjetë vjet pas shpalljes dhe njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, Shqipëria përmes dy propozimeve kërkon bashkimin e të dyja shteteve? Çfarë ka ndodhur realisht në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës: a është bashkimi e ardhmja e përbashkët e të dy shteteve dhe a po përgatiten të dyja shtetet për këtë bashkim?
Nga pikëpamja strategjike, Shqipëria dhe Kosova e shikojnë të ardhmen e tyre të përbashkët si anëtare të Bashkimit Europian dhe për të cilin po flitet gjithmonë e më shpesh. Gjatë gjashtë ose shtatë viteve të fundit, ideja e bashkimit të dy shteteve apo e bashkimit kombëtar, duket të jetë gjithnjë e më e pranishme në narrativët politike në Shqipëri dhe në një sërë iniciativash të ndërmarra kryesisht nga qeveria shqiptare.
Duke filluar nga viti 2014, Shqipëria dhe Kosova organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dyja qeverive, një nismë që u propozua nga Tirana zyrtare. (5) Asnjë nga marrëveshjet e shumta të nënshkruara në takimet e përbashkëta të të dyja qeverive, përfshirë edhe marrëveshjen për partneritetin strategjik, nuk i referohet në mënyrë eksplicite çështjes së bashkimit të dy shteteve. Megjithëkëtë, skenografia e mbledhjeve të përbashkëta plot ngjyra dhe simbole kombëtare, ku është e vështirë të dallosh simbolet shtetërore dhe sidomos fjalimet politike të udhëheqësve, që flasin gjithë ekuivokë për kombin, të ardhmen e përbashkët dhe bashkimin (6) si dhe raportimet që shkojnë te publiku për bashkimin doganor, për heqjen e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës, (7) po forcojnë gjithmonë e më shumë idenë se ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është bashkimi i tyre.
Paralel me sferën e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Kosovës, duket se ka edhe një kontekst tjetër që ushqen narrativën e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë apo bashkimin kombëtar: Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe pikërisht status quo-ja, nëse jo hapat mbrapa në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Teza se përveç bashkimit me Europën, ekziston edhe mundësia e “bashkimit të shqiptarëve mes vedit” duket se po zë vend gjithmonë e më shumë në narrativat politikë në Shqipëri. (8)
Kur dy vjet më parë, nëntor 2018, Kryeministri i Shqipërisë i kërkoi Kryeministrit të Kosovës që të dy Ministritë e Punëve të Jashtme të fillonin përgatitjen e një strategjie për bashkimin deri në vitin 2025, (9) argumenti kryesor për bashkimin e Shqipërisë dhe të Kosovës lidhej me mungesën e vullnetit të Bashkimit Europian për të vijuar procesin e integrimit me Shqipërinë dhe Kosovën. Qëndrime të tilla tingëllojnë njëherazi edhe si hakmarrje, edhe si presion, nëse jo si shantazh për këtë mungesë vullneti.
Sido që të jetë, në vend po forcohet ideja se bashkimi kombëtar mund të jetë një alternativë ndaj integrimit europian të Shqipërisë: Në rast se “Europa i mbyll dyert për Shqipërinë”, atëherë zgjidhja mbetet bashkimi mbarëkombëtar, që nënkupton së pari bashkimin me Kosovën.
Përveç këtij konteksti, teza e domosdoshmërisë së bashkimit është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme dhe vijon të mbështetet në dy argumente të lidhura me njëri-tjetrin. Së pari, argumenti historik: kombi shqiptar dhe territoret e tij janë ndarë padrejtësisht dhe bashkimi kombëtar do të zgjidhë një padrejtësi historike dhe përfundimisht do të zgjidhë çështjen kombëtare shqiptare. Argumenti i dytë ka të bëjë me viabilitetin/funksionalitetin e shtetit shqiptar. Arsyeja perse Shqipëria historikisht ka pasur dhe ka një shtet të dobët, jo viabël/funksionues është “ndarja e kombit dhe copëtimi i territoreve të tij”. Nga bashkimi i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha territoreve shqiptare do të përftohet një shtet funksional i fortë, konkurrues, do të sigurohet përparimi ekonomik dhe do të rritet prestigji dhe fuqia politike dhe diplomatike e Shqipërisë, si dhe do të fuqizohet kombi shqiptar.
Ndërkaq, në median ndërkombëtare po qarkullon edhe teza e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën mbi baza fetare. Sipas kësaj teze, refuzimi i BE-së për të pranuar si anëtare Shqipërinë, një vend me shumicë myslimane, do ta inkurajojë këtë të bashkohet në një aks religjioz, islamik, me vende që kanë të njëjtën fe, duke filluar nga Kosova. (10)
Gjithsesi dhe pavarësisht nga motivet, fakti është se edhe përmes këtij konteksti, çështja e bashkimit Shqipëri-Kosovë po bëhet gjithnjë e më popullore.
Historikisht, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë apo zgjidhja e çështjes kombëtare ka qenë një fushë ekskluzive e qarqeve nacionaliste/populiste, të cilat kanë qenë përgjithësisht periferike, të vendosura kryesisht në diasporën shqiptare në Perëndim dhe pa ndonjë influencë në shoqërinë shqiptare në Republikën e Shqipërisë. Gjatë pesë-gjashtë vjetëve të fundit, ndonëse me të njëjtën paqartësi, plot ekuivokë dhe kundërthënie, çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është gjithmonë e më e pranishme në narrativat politike të partive kryesore politike dhe organizatave të tjera, përfshirë edhe median. Po kështu, mbështetja e publikut për bashkimin gjatë së njëjtës periudhë është rritur në mënyrë befasuese, spektakolare. Nëse në tetor 2018 në Shqipëri do të ishte zhvilluar një referendum për bashkimin apo jo të Shqipërisë me Kosovën, 74,8 për qind e qytetarëve do të kishin votuar ”pro” këtij bashkimi. (11) Ndërsa nëse ky referendum do të ishte zhvilluar në Kosovë, varianti i “bashkimit” gjithashtu do të kishte “fituar” ndonëse me një rezultat më të ngushtë, 63,9 për qind. (12)
Ku po shkon Shqipëria dhe Kosova?
Studimi “Shqipëria dhe Kosova – A është bashkimi e ardhmja e përbashkët” shqyrton në mënyrë kritike çështjen e bashkimi të Shqipërisë me Kosovën, duke tentuar t’iu japë përgjigje pyetjeve të mëposhtme: A po shkojnë Shqipëria dhe Kosova drejt një bashkimi? A është realisht i dëshirueshëm bashkimi i të dy shteteve? Përse duhet të bashkohen Shqipëria dhe Kosova? A është i mundshëm ky bashkim? A është bashkimi një alternativë ndaj integrimit europian? A e përjashtojnë njëra-tjetrën integrimi europian dhe bashkimi kombëtar? Cilat do të ishin implikimet e mundshme në mjedisin e brendshëm për Shqipërinë dhe për shtetin që do të ishte produkt i bashkimit?
Dhe së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, në rastin e një bashkimi, cilat do të ishin implikimet potenciale në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit të ri që do të lindte nga ky bashkim?
Komentet