“Në solidaritet të plotë me qytetarët dhe autoritetet britanike, Presidenti Nishani i dënon me forcë këto akte mizore dhe nxitësit e tyre”
TIRANË – Presidenca e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë dënuar sulmin terrorist në Manchester.
“Presidenti Nishani iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë. Në solidaritet të plotë me qytetarët dhe autoritetet britanike, Presidenti Nishani i dënon me forcë këto akte mizore dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet e shoqëritë e lira”, thuhet në reagimin e Nishanit, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.
Gjithashtu sulmi në fjalë është dënuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë. “Ministri Bushati u shpreh i trishtuar nga sulmi dhe duke shprehur solidaritetin për qëndresën ndaj këtij akti barbar, u transmetoi ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shqipëria do të vijojë të qëndrojë me vendosmëri përkrah vendeve mike dhe aleate në çdo përpjekje në luftë kundër akteve të tilla”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ-së.
Sipas njoftimit nga ky institucion, nga informacionet e deritanishme nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë të lënduar.
Kujtojmë se gjatë shpërthimit të mbrëmshëm në koncertin e Ariana Grande në Manchester Arena, humbën jetën 22 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. aa
Komentet