Por afshet politike në jetën e Shtetit shqiptar shpërthyen mâ së forti me Kongresin e Lushnjes. Disa intelektualë, dalë nga shkolla revolucionare e Turqve të rinj, oficera e civila, patën formuem nji komitet të fshehtë me emnin Krahu Kombtar. Qênë këta qi luejtën rolin mâ kryesorin për t’a shtrîmë pakënaqësinë në vênd kundra qeverísë së Durrsit, jo vetëm tue shpërndamë me qëllim lajmet e këqija mbi fatin e Shqipnísë, por edhe tue zmadhuem këto lajme ; qênë këta qi e shpejtuen mbledhjen e kongresit para se të kryhej veprimi i nisun në Krujë për eliminimin e influencës esadiste në Shqipní të mesme ; qênë ata qi e mbuellën mâ së forti pakënaqësinë nëpër gjithë shtresat e popullit shqiptar, në bashkpunim edhe me esadistët, kundra Qeverísë së Durrsit, tue e paditun këtê për vegël pasive t’imperializmës italjane e për shkaktare të gjithë të zezavet qi po i kërcnoheshin atdheut së jashtmi ; qênë ata qi e shpejtuen mbledhjen e Kongresit të Lushnjes tue shoqnuem n’atë vepër kombtare deri agjentat mâ aktivë e mâ të rrezikshëm të nji tradhtori si Esadi ; qênë ata qi e vûnë e e përkrahën në kongres kandidaturën për kryeministër të nji funksionari turk, të cilit, ndonse shqiptar i ndershëm, kurrë s’i kishte ramë ndër mênd për Shqipnínë deri ditën qi qevería turke s’pat mâ nevojë për tê ; qênë po ata qi e bânë begun e ri të Matës përnjiherë, si ministër të mbrêndshëm, factotum të fatit të Shqipnísë në nji ças krize kombtare dhe u bânë vetë për katër vjet rresht shkallë të të hypunit të tij deri atje ku ai s’kishte mâ nevojë për ta e ata s’patën mâ fuqí me e zbritun, as me e ndaluem të mbërrîmët e tij në kikël të pushtetit. Por deri atëherë, deri ditën qi Ahmet Zogu bâhet “Zog i I, mbret i Shqiptarvet” gjithë jeta politike shqiptare nuk âsht tjetër veç se nji skenë tragjikomike ku shumë shtatpulqerë intelektualë rreken e gulshojnë për të rrëzuem nji vigan gjysintelektual, prej pjedestalit ku e kishin ngritun vetë.
Mbas Sulejman Delvinës, e formoi qeverinë Iljaz beg Vrioni, i cili shpalli zgjedhjet e përgjithëshme për të parin parlament shqiptar në bazë të nji ligji ad hoc.[1] Ahmet Zogu duel deputet i Matës. Njerzit e komitetit të fshehtë Krahu Kombtar u bânë promotorë të themelimit të nji partije qi e pagzuen “popullore” e, me gjithë këtë titull të madh, qi tregonte nji tendencë reformash për popullin e vobektë në kurriz të klasës së beglervet e tue harruem qi pak muej parandej Ahmet beg Zogun e kishin hjekun prej qeveríje edhe për qëllime diktatorjale, e futën edhe këtê si antar të mirpritun në partín e tyne, jo vetëm, por edhe në komitetin e fshehtë, qi ishte motorri i padukshëm i çdo veprimi të partisë. Sa për Zogun vetë, edhe këtij kjo pozitë i binte për shtat mâ së miri. Partija Popullore përfshînte mâ tepër Jugorë, të cilët patriotizmës e kulturës së tyne i shtojshin edhe nji ambicje pa frê, e për t’a realizuem këtê kishin nevojë me u mbështetun mbë nji Gegë gjithaqë ambicioz e të fortë : kjo ka qênë e vetmja arsye për të cilën i kishin shtrîmë dorën begut matjan qysh në Kongresin e Lushnjes. Por edhe ky qysh atëherë e kishte kuptuem se pa nji mbështetje të shëndoshë mbi opinionin e Jugës do t’a kishte të vështirë me i realizuem planet personale të tija, sikur s’pat mûndun as Esad Toptani qi kishte nji pozitë mâ të fortë se ai. Âsht e vërtetë se kundra Zogut kurrkush nuk mûnd të gjênte ç’me thânë nga pikpamja patriotike në jetën e tij të deriatëhershme, por ishte ende i ri e shêmbulli i Toptanit i epte të drejtë ndokujt së paku me dyshuem për t’ardhmen. Mbasandej në Gegní kishte kundra edhe influenca personale e krahinore qi në Toskní s’ekzistojshin. Këtje, mâ tepër se influenca personale bânte punë demagogjia politike. E qe tashti Zogu beg demokrat par excellence,[2] shtyllë e partisë popullore, shtyllë e reformavet shoqnore me plot dëshmitarë ultrademokratë jugorë. Deri Fan S. Noli, apostull i kishës ortodokse autoqefale e prînjës i kolonisë shqiptare n’Amerikë âsht po atje. E nëse për popull e reforma shoqnore diç u bâ njimênd dikur në Shqipní, nuk qênë ata qi i trumbetuen realizatorët nuk qe as Zogu demokrat e populluer, por vetëm Zogu mbret. Ky âsht fakti historik.
Nji tjetër partí politike u formue, mbas popullores, në gjî të të parit parlament shqiptar, e cila u quejt “përparimtare”. E përbâjshin elementët mâ konservatorë t’atij parlamenti, megjithë qi emnin e kishte përparimtare ; deputetë të provincave të Dibrës, Elbasanit, Beratit e Durrsit me beglerët e tyne në krye. Burra të stërvitun ndër shkolla të nalta, këtu kishte shumë mâ pak se në partínë popullore. Asnji temperament revolucionar a njeri qi t’a ketë pasë qitun ndonji herë shorti me u përziem në ndonji lëvizje revolucionare të Vêndit. Kishte për lider begun mâ pasanikun e Shqipnís, Shefqet Vërlacin, e për luminar Mehdi Frashërin. Vinte ma në fund, “grupi Shkodrës e i Bunje”, 10 deputetë të qarkut të Shkodrës dhe nji i distriktit Bunjaj. Këta mbetën si grup indipendent pa marrë pjesë as në njânën as në tjetrën partí. Kishte ndër ta intelektualë si kryepoetin kombtar Atë Gjergj Fishtën, priftin dijetar, gjuhtar e letrar, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin e Mustafa Krujën.
Ishte kjo nji dasí absolutisht anormale dhe e bazueme mbi konsiderata mâ tepër – për mos me thânë vetëm – personale e metodash se programore. Antarët e grupit të Shkodrës gjithça i afronte mâ tepër kah partíja popullore se kah përparimtarja, dhe ka shumë gjasë qi do t’ishin bashkuem me tê sikur mos të kishin qênë këto pengime : 1) Ata e dijshin se ajo partí drejtohej e frymzohej prej nji komiteti të fshehtë revolucionar e madje dhe terrorist, e kjo gjâ konsiderohej prej tyne antidemokratike, antiqytetnore, antifetare e antikombtare ; 2) Ahmet Zogun e njihshin shumë mâ mirë se bashkpuntorët e tij e i a drojshin ambicjet e pamasa qi kishte, të cilat s’i çmojshin të përpjesueme me stërvitjen intelektuale të tij. Partija Popullore i ftoi me kâmbëngulje e mâ se nji herë qi të merrshin pjesë në tê, sidomos personalisht Gurakuqin e Krujën. Nuk deshën e sod, në dritën e 25 vjet ndodhive të kalueme, mêndja dhe zêmra e nji shqiptari të kulluet nuk mûnden mos me ua zânë për faj. Por mbasandej, ky faj u bâ mâ i rândë për ta, kur në nji ças idhnimi të drejtë kundrejt nji qëndrimi të padênjë të partisë popullore në nji çâshtje kombtare, me insistencën e Bajram Currit e të Hasan Prishtinës, të dy Kosovarë, u bashkuen njâjze me partinë përparimtare, ku ata shpirtnisht e intelektualisht ishin krejt në shtëpí të huej. Sado i drejtë të ketë qênë shkaku ndîesuer i idhnimit të tyne, si politikanë duhej të kishin pasun durim e të kishin mbyllun nji sŷ.
Nji tentativë bujare bâhet prej anës së nji grupi të vogël patriotësh në vjeshtën e 1921-shit për nji besë politike ndërmjet dý partivet, mbrênda e jashtë parlamentit, deri ditën qi të merrshin fund të gjitha problemet ndërkombtare të Shqipnisë. Dhe po të realizohej nji besë e këtillë, do të zgjidhej nji qeverí koalicioni prej personalitetevet mâ t’aftëve qi do t’u gjîndshin ndër të dyja partitë e, po t’ishte e mûndun, pa marrë parasŷsh partí aspak. Ky mêndim leu në shtëpí të Qazim Koculit në Vlonë ndërmjet të zotit të shtëpisë, Avni Rustemit e Mustafa Krujës, me rasën e të parit kryevjetuer të shlirimit të Vlonës prej okupatës italjane. U vêndos qi kjo iniciativë t’u lêhej në dorë dy personave, për patriotizëm të naltë e asnjânsínë politike të tyne askush nuk duhej të dyshonte : Bajram Curri e Avni Rustemi. Dhe kështu u bâ. Në parim dy ndërmjetsit nuk gjetën kundërshtime të forta. U shpall nji bashkim kombtar me emnin “Bashkimi i Shênjtë”. Por kur erdhi puna te formimi i qeverisë së këtij Bashkimi të Shênjtë, partía popullore nisi me vûmë veto kundra personash të partisë tjetër qi s’i pëlqejshin, e me të njâjtat armë i u përgjigj edhe përparimtarja tue përjashtuem persona të popullores. Duel kështu, jo mâ e afta, por mâ e dobta qeverí qi mûnd të kishte Shqipníja. Ministritë u danë baraz ndërmjet dy partivet. Por kryeministër u bâ Pandelí Evangjeli, nji populluer, e dy ministritë ma të rândsishmet, ajo e punvet të mbrêndshme dhe ajo e luftës ranë ndër duer dy oficerësh të Krahut Kombtar, qi aso kohe quhej unji “Klika”. Partija Përparimtare, për mos me prishun Bashkimin e Shênjtë nuk bâni zâ në fillim. Por nji ditë prej ditësh, kur nën shtrëngimin e Lidhjes së Kombevet, trupat serbe po tërhiqeshin nga zonat veriore të Shqipnísë qi kishin okupuem gjatë luftës e mbajtun deri atëherë, qevería emnon pa pikë nevoje e pa dekret të Kshillit të Naltë Ahmet Zogun si komandar të përgjithshëm për me marrë në dorzim ato zona, në vênd qi me dërgue atje administratorë civila. Ministrat e partisë përparimtare e quejtën këtë gjest të kolegve të tyne si nji manovër për t’a vûmë Zogun në gjêndje me mbledhun trupa civile ndër malsina e me to me pushtuem qeverínë. E mbasi protestimet e tyne s’u muerën para sŷsh e Zogu u nis me nji fuqí ushtarake të rregullt për malsí, ata i dhnë dorhekjen Kshillit të Naltë. Parlamenti gjîndej i shpërndâmë. Prandej, normalisht Kshillit të Naltë i përkiste me dekretuem menjiherë mbledhjen e tij. Por s’e bâni këtê, se edhe ai besonte, si përparimtarët, në nji komplot të “klikës” për nji diktaturë me Zogun në krye. Kshill’i Naltë proçedoi në tjetër mënyrë : nji mendimi i nji grupi deputetësh përparimtarë qi ndodheshin në kryeqytet, emnoi nji qeverí extraparlamentare nën kryesín’e Qazim Koculit dhe në këtë mënyrë, baza e qeverisë së koalicionit bipartiak qe zhdukun e kryeministri duhej t’epte dorhjekjen e kabinetit mbarë. Por ai këtë nuk e bâni, as nuk kërkoi prej Kshillit të Naltë nji dekret për mbledhjen e parlamentit qi ndodhej i shpërndâmë, por desh të qeverisë me zâvendësa në vênd të ministrave dorhjekës deri qi kabineti të plotsohej me ministra të rij. Kshill’i Naltë bashkohej me ministrat përparimtarë dorhjekës në dyshimet qi kishin për nji tentativë diktature të “klikës” me Zogun në krye e qëndrim’i kryeministrit populluer me dy ministrat “klikarë” në dikasterin e punve të mbrêndshme dhe n’atê të luftës i a forconte edhe mâ fort ato dyshime. Prandej desh t’i bjerë punës për shkurt : emnoi nji qeverí të re ekstraparlamentare nën kryesín’e Fatosit të Vlonës, Qazim Koculit, qi pat komanduem ushtrinë vullnetare në luftën kundra Italjanvet për shlirimin e atij qyteti. Por as prestigj’i këtij patrioti të madh, as arsyet e Kshillit të Naltë nuk vleftën përpara vendimtarisë së Klikës. Kjo kishte në dorë gjithë aparatin ushtarak, policuer e burokratik. Pa pasun énde kohë me vûmë dorë në punë qeveríj’e re, Shqipnía mbarë u gënjye me telegrama false se në kryeqytet kishte ndodhun nji “Coup d’Ètat” kundra qeverísë legale prej Kshillit të Naltë, të përkrahun prej forcash civile e me bashkëpunimin e disa deputetve reaksionarë. Qazim Koculit i mbërrînë telegrama si breshni prej Juget qi e shtrënguen me dhânë dorhekjen në krye të 24 orëve e me u nisun për Vlonë. Kshill’i Naltë, tue e kujtuem veten në rrugë të drejtë nuk u ligshtue. Formoi nji qeverí tjetër, gati me të njâjtat persona nën kryesinë e Hasan Prishtinës. Ksi shteku, Klika përdori aparatin burokratik, të gjithë nëpunsat e shtetit në kryeqytet bânë grevë, asnji nuk duel në zyrë, përkundrazi duelën tue bâmë demostrata rrugëve të Tiranës. Kështu edhe qeveríj’e Hasan Prishtines falimentoi. Mbas katër ditsh, Kshill’ i Naltë formoi nji qeveri të përkohshme nën kryesín e Idhomene Kosturit me sekretarët e përgjithshëm si zvêndës ministrash, tue pritun qi të kryhej fati i vet e i vêndit siç ishte thânë. Duhet shënuem këtu se ky “coup d’Ètat” i çuditshëm nuk bâni asnji viktimë, s’u prek kurrkush as me gjeth trândafili, gjâ qi – as âsht nevoja me e thânë – tregon se Kshill’i Naltë besonte plotsisht se ishte në rrugë të drejtë, në rrugë legale e s’kishte ndër mênd as nevojë për veprime përdhunore.
Ahmet Zogu, i lajmëruem hollsisht mbi punët e Tiranës, i a befti atje me nji fuqi siç thojshin atëherë, nja katërmijë vetësh, e shumta civila bashkë me kontigjentin ushtarak qi kishte pasë marrë me vete. Zbret në zyrën e komandës së përgjithëshme të gjindarmërisë dhe nis menjiherë me dhânë urdhna si komandar i përgjithshëm i fuqive t’armatosuna të Shqipnísë. Mblidhet parlamenti e formohet nji qeverí nën kryesín e Xhaferr Ypit, ku vetë Zogu, si në Lushnje, e sheh me udhë qi të kënaqet vetëm me ministrinë e mbrêndshme. Ishte zot absolut i situatës : qeverí a Kshill’i Naltë s’mûnd të bâjnë tjetër, s’mûnd të dekretojnë tjetër veçse ç’i pëlqen atij. Klika âsht e kënaqun, partía popullore âsht e kënaqun, qeverínë tash e kanë krejt të vetën, nemose kështu u duket atyne e me këtë fytyrë paraqiten. Mbas pak kohe edhe Kshill’i Naltë ndërrohet, por …. nuk proçedohet gjyqsisht kundra tij për “coup d’Ètat”-në qi kishtë bâmë. Por parlamenti formon nji komisjon hetues kundra deputetve qi kishin bashkpunuem n’atë rasë me Kshillin e Naltë. Këta, tue e pamë rrezikun, lânë parlament e kryeqytet e largohen nëpër vêndet e tyne a gjetí. Parlamenti u a hjek mandatin e forca policore merr urdhën me i arrestuem. Por nuk i gjên sa hap e mbyll sŷtë. Âsht fillim’ i vjetës 1922.
Shkojnë nja tre muej kështu. Dukej sikur gjêndja kishte râmë fashë. Nji lajm bredh gojë mbë gojë me zâ t’ulët në kshill : Bajram Curri, Elez Isufi e Halid Lleshi qênkan mblêdhun në kuvênd, dikû ndër malet e Gegnís. Ahmet Zogun asnji prej sish nuk e don. Ergo [3] … ai kuvênd u duket atyne qi e marrin vesht sikur diç do të ndodhte së shpejti. Dhe ashtu gjau njimênd. Ata tre krênë të malevet paskan pasë damë me mësŷmë Tiranën mbë tre drejtime për me mbërrîmë atje nji ditë të caktueme të marsit. Por Ahmet Zogu nuk flên. Merr masat e tij deri larg. Fuqíj’e Halid Lleshit shpartallohet para se të kishte bâmë shumë rrugë prej Dibre e ajo e Bajram Currit te Vau i Dênjës. Por Elez Isufit s’i kishte qênë bâmë befti fare : ky mbërrîn si rrufé me nja katërqind në malsí të Krujës dhe niset me ta fill për Tiranë, për me mbërrîmë atje ditën e caktueme, pa dijtun se beslidhunit e vet ishin mûndun.
Nji bataljon qeveritar ndeshet me kundërshtarët e rreptë Dardhânë e Qidhnakë te do suka në të djathtën e Tërkuzës, mbrênda nji të katërt ore shpartallohet e ikën, tue lânë dekun në fushë të nderit edhe komandantin e vet, Meleq Frashërin, nji oficer trim qi kish qênë plaguem edhe në projën e Durrsit në kohën e Wiedit. Forcat rebele hŷnë atë mbrâmje natën në nji lagje të Tiranës, e atje u ndalën. Krejt kabineti kishte qênë nisun për Elbasan, tue lânë në kryeqytet ministrin e ri, trim e energjik të punve të mbrêndshme, malsorin qi dinte me luftuem me malsorë dhe me ato pak dërmí forcash qi i kishin tepruem, i sigurtë se ato mûnd t’i shtonte, mjaft qi të mujte me qëndruem edhe 24 orë të vetme. Ai e dinte për mâ tepër, se malsorët e Dibrës ishte e para herë qi po bîeshin në nji betejë qyteti me anmiq të fshehun ndër barrikada e ndër shtëpija, deri ndër maje minaresh, siç kishte dijtun vetë me i shpërdâmë forcat e paka qi kishte nën urdhën. E dinte qi ata, kur t’u kërsitte pushka para e mbrapa, në të djathtë e në të mângjët, do të hutoheshin e do të vriteshin po, mû si luâjt, por përpara nuk mûnd të shkojshin. E, në rasën mâ të keqen, ishte i ri e po t’u bânte me ikun, kâmbë e me pushkë në dorë, shtigje për me çamë shëndosh dikah ishte i sigurtë se do të gjênte.
Por Ahmet Zogut s’i u desh me ikun, sepse me armët vrastare e me armët dhelatare, me mjeshtrín’ e tij të freskët në përdorimin e të dy palëvet ai dijti me ngadhnjyem. Ministri fuqiplotë i Britanisë së Madhe Ayres-i, nji levantin qi e flitte turqishten edhe mâ mirë ndoshta se Zogu, vrapoi herët n’e nesret në Tiranë. Dragoman’i tij vot e e pau Elez Isufin e i bâni të falat e ministrit të vet. I tha se Mr. Ayresi kishte ardhun nergut nga Durrsi për me hŷmë ndërmjet e me shikuem nëse Elez aga kishte ndonji ankim të drejtë prej qeverís, se këto turbullime s’ishin të mira për Shqipnín. Po të donte Elez aga me e pamë ministrin anglez, ky ishte gati me e pritun në praní të ministrit të mbrêndshëm të Shqipnís, ku ai mund të vente lirisht, pa kurrfarë frike, në besë të mbretit t’Anglisë. Vot Elez aga në ministrí të mbrêndshme, se bes’e Gjergjit V s’ishte për t’u përbuzun e atje gjet, siç i qe thânë të dy ministrat bashkë. Parashtroi ankimet e veta lirisht, të cilat i kishin bâmë me marrë gjithë atë rrugë qysh prej maleve të Dibrës. Njerzit e tij i kishin bâmë Shtetit shërbim n’ato kohna si ushtarë civila për rojën e Vêndit kundra Serbvet për disa muej, e këtë shí me urdhnin e ministrit të mbrêndshëm Ahmet begut (Elez aga s’ishte mësuem ende me thânë Zogu). Ata lypshin të drejtat e veta, ishin gjînd të vorfën e s’kishin mâ durim me pritun. E qe sepse tash gjîndej në Tiranë me gjithë ta ; por qevería u kishte nxjerrë para ushtrí e i kishte pritun me pushkë e i vinte fort keq qi ishin vramë në të dý anët sa gjînd kot e për lavd të Zotit. Me gjithë këtê ai ishte gati me kthyem dalë kah kishte ardhun po t’i paguheshin rrogat qi i detyrohej qevería shqiptare e qi kapshin tridhetë mijë napoljona ar tingëllues. Ahmet Zogu i pranonte arsyet e Elez Isufit e i shoqnohej këtij për keqardhjen e mosmarrëveshtjes qi kishte shkaktuem do të vramë e të plaguem, por ç’ishte bâmë s’kishte si me u zhbâmë. Sa për çâshtjen konkrete të tridhetëmijë napolonavet, ministri mbrêndshëm rezervohej me e shqyrtuem mbrênda 24 orësh, se shifra i dukej pak si tepër e naltë. U dá nji orok i dytë për të nesërmen për t’i dhânë fund gjithsej ksaj llogaríe. Deri atëherë të dý anët do t’u epshin urdhna të vetëvet për mos me u gërgamë e me ndêjtun andêj e këndêj nëpër llogoret e tyne pa shtîmë pushkë as kot. Ato 24 orë, Elez aga sigurisht do t’i ketë kaluem tue i xixëlluem gjith’ai ar para sŷvet tue vramë mênden se sa përqind vallë do t’i zbritte Zogu, se mâ, tashti qi kishte hŷmë ndërmjet përfaqsues’i mbretit t’Anglísë, për tjetër nuk dronte. Ne nesre në të njâjtën orë, Zogu kishte bâmë gati jo tridhetë, por njizet mijë napoljona, e para se me i a dorzuem Elez agës qeshet me tê : “Elez aga, sa mushka ke prûmë për paret ?” “Mushka kam mjaft, Ahmet beg” i përgjigjet Elezi, “por po më vjen keq qi s’të kërkova pak mâ tepër se më bân haku !” Me këto fjalë, Elez aga desh me i dalë para skontës qi do t’i bâhej padyshim. Por këtu âsht shi vênd për me përdorë fjalën e popullit, s’i bâni pare. “Haku, Elez aga, nuk të bân mâ tepër se njizet mijë ; por sa kohë qi të jemi miq un e ti, Zoti ka me e bâmë gjithmonë mirë” i a ngalli malsori malsorit e ky, i zgjuet sa s’bâhet mâ, e muer vesht mâ së miri dhe s’mungoi me i a vërtetuem.
Kështu mbaroi dhe incident’i Elez Isufit, edhe ky vetëm me guximin e zgjuetín’ e Ahmet Zogut. Kâng’ e “shpëtimtarit” qi pat nisun të pëshpritet qysh mbas Kongresit të Lushnjes vetëm me lajka, mbas “coup d’Ètat”-së u bâ vjershë e zû me u deklamuem e mbas incidentit t’Elez Isufit u bâ gati nji hŷmn triumfal. Klikarët e këndojshin përfaqe tue hângër veten përmbrênda nga smira. Patën kujtuem intelektualët e klikës e miqt e tyne në partinë popullore se me atë gjysintelektual malsuer do të mûjshin me ngînjun gjith’ambicjet e tyne edhe me luejtun si maca me miun me tê. Mbas Lushnjes e rrëzuen prej qeverijet për t’i dhânë nji mësim, me mênden e ngushtë të tyne deshën t’a bâjnë me kuptuem se e kishin në dorë me e ngritun e me e ulun, me e ulun e me e ngritun kur të dojshin ata ! Zogu e kuptoi mësimin mâ së miri, dhe muer masat e tij në nji mënyrë aq mjeshtrore, sa gjithë ditunitë e zgjuetitë e kokave të tyne bashkë, prej Eshref Frashërit e te dr. Syrja Pojani e prej Fan Nolit e te Banush Hamdiu – për me përmêndun vetëm ekstremet e klikës e të partís popullore – s’qênë të zotnit me i a marrë vesh. E muerën vesh kur ai s’kishte nevojë me u a fshehun mâ, e qe tepër vonë për ta.
Ishte krejt punë absurde, madje qesharake mâ qi Zogu të rrinte nën nji kryeministër tjetër. Deri ata qi për nji kohë u gënjyen e për nji kohë tjetër deshën të gënjejnë veten se Zogu nuk ishte vetëm nji shoq i imponuem prej rrethanash, nji shoq i detyruem me ecun mbas direktivave të Klikës e mâ vonë të partís, deri ata e panë se nji komedí e tillë nuk shkonte mâ, e prandej, bon gré mal gré,[4] e shpallën e e bartën kryeministër.Gjithë dikasteret e tjera u zûnë prej tyne, dhe kjo ishte nji gjâ e natyrshme. Posë njiu, veç, qi s’prekej, qi ishte feud i Zogut vetë : dikasteri i punve të mbrêndshme.
Tashti Shqipnía ishte skânj mbë skânj në qetsí të plotë : kufîjt ishin caktuem krejt e s’kishte asnji kâmbë ushtari të huej në tokë të vet. Kundërshtarët e Zogut, ata qi s’kishin qênë asnjiherë partizanë të tij, ishin bâmë miza kualsh, dikush dalë jashtë, dikush shtruem e dikush ramë mbë bark e mbŷllun gojën. Parlamenti ishte ende ai i vjetri, i 1920-ës. Në vênd t’atyne deputetve qi qenë rrëzuem prej mandatit të tyne për shkak të “coup d’Ètat”-së ishin… zgjêdhun të tjerë, ata kandidatë qi kishte paraqitun e dashtun vetë qevería. Por kishte ardhun koha mâ qi Shqipnía të vêndoste statutin e vet nëpër nji Kuvênd Kushtetues. Prandêj, parlamentit të vjetër i ipej fund për me filluem kompeticjonin për zgjedhjet e Kuvêndit. Si partí s’ka tjetër mâ posë popullores. Përparimtarja kishte mbaruem qysh mbas “coup d’Ètat”-së. Por në Shqipní aso kohe kishin peshë mâ tepër personat se partitë e programet. Me gjithë këtê, partía popullore kishte nji disiplinë ë nji mjeshtrí propagande relativisht të fortë e prandêj mjaft shpresë me fituem shumicën në Jugë e me prestigjin e Zogut nji pjesë të mirë në Verí. Mirpo tashmâ, në të vërtetë, Zog e partí ishin bâmë dy gjâna, e partíja donte të kishte nji shumicë qi t’i ndëgjonte asaj e jo Zogut. E këtê e qitën për fushë tue kërkue prej leader-it[5] të fortë të tyne me i a lëshuem përkohsisht ministrín e mbrêndshme ndonji shoqi tjetër. Zogu ishte kryekëput i sigurtë për prestigjin qi tashmâ mbas kaqë suksesesh e karrjere të shkëlqyeshme, kishte fituem ndër turmat ku mâ shumë e ku mâ pak në Shqipní. Prandêj mûndi me u tregue burrë me “shokët e partisë”. Por menjiherë desh me u dhânë edhe provën qi mûnd t’a kapërcente edhe partín : i lëshoi popullit nji proklamë personale, tue i lypun votat për kandidatët e tij. Alea jacta est ![6] Si për magjí u zhdukën të gjitha devilet e huashme e komedít’ e deratëhershme ndërmjet njeriut qi s’kishte stofë me ndëgjuem urdhna veçse deri ditën qi të kishte ardhun koha me kaptuem Rubikonin e intelektualët qi e kishin blemë, jo për nji malsuer qi kishte lêmë sundues, por për nji “malok” – siç e quejshin me zâ t’ulët ndër vete – me u bâmë mashë e ambicjeve të tyne. Zgjedhjet mbaruen me fitimin e Zogut e me nji fillim të vleravet e t’idevet politike në Shqipní. Partía popullore u dá dysh, mâ mirë me thânë u zhduk. E për fat të mirë të Shqipnís u zhduk edhe Klika. Dhe, gjâ shumë kuptimtare, kryetar’i saj Eshref Frashëri me shokët mâ të lidhun me tê mbetën besnikë të Zogut. Shumkush e ka komentuem këtë fakt tue thânë se Zogu ka qênë aq thellë në dijení të disa sekreteve të tyne qi s’kishin si t’u dajshin prej tij. Por mâ fort âsht për t’u mênduem se ata e kishin kuptuem qi tashmâ s’u kishte mbetun asnji kredit në Shqipní e prandêj u a donte interesi me i u mbështetun atij qi i kishte aksionet mâ nalt se të gjithë. Popullorët e tjerë me Fan Nolin mbë krye, të bashkuem edhe me deputetët e Shkodrës Luigj Gurakuqin më krye, formuan opozitën parlamentare, e kështu me emnin Opozitë vepruen deri sa zgjati kuvêndi kushtetues. Ishte vjeta 1923.
Duhet shënuem këtu, e theksuem në mënyrë krejt të posaçme qi kurrë s’ka pasun Shqipnía, në gjithë jetën indipendente të saj deri në 1939, nji Kuvênd Kombtar të zgjedhun me nji lirí aq të plotë, pa as mâ të voglën ndërhymje nga ana e pushteteve qeveritare, sa këtë kuvênd kushtetues, shprehje gjenuine e direkte e vullnetit të popullit. Dhe ky fakt ka rrjedhun thjesht prej grindjes e mosbesimit të kundrejtshoshojnë ndërmjet Zogut e partís popullore qi së bashku ishin në fuqí, të cilët vetëm mbi bazën e lirís mûndën me u marrë vesh për këto zgjedhje : partía dronte leader-in e saj se mos përdorte aparatin administrativ për dobí të vet personale e i hoq, për deri në mbarim të zgjedhjeve, ministrín e mbrêndshme. Ky, si kryeministër, ushtroi mbi atê ministrí mâ të madhin kontroll qi mos t’a përdorte at’aparat për dobí të partís, të cilën ai s’e konsideronte mâ të vetën. Në këtê gjêndje mûndën edhe kundërshtarët e Zogut a të partísë popullore me votuem lirisht. Kështu, liríj’e zgjedhjeve qe e përgjithshme. E këndêj del vetvetiu sheshit qi shumica zogiste e këtij kuvêndi ka qênë absolutisht legale. Ka qênë quejtun prej Opozitës e kundërshtarvet përgjithsisht “shumic’e gishtit”, sepse në çdo veprim nuk dijshin me bâ tjetër veçse me ngrêjtun gishtin në shênj pëlqimi për ç’propononte qevería. Por, me kuptim a pa kuptim, në cilën demokrací të botës âsht pamë qi partía qeveritare të votojë kundra qeverísë ? Sikur mos t’ishte kjo disiplinë në partín e shumicës, kush i dilte përpara djalektikës së nji Fan Noli, të nji Luigj Gurakuqi, të nji Stavro Vinjau ase të nji Koço Tasi e fjalimeve xixëlluese të nji Ali Këlcyre qi ishin në krye të Opozitës ?
Por, ofshé ! E mjerë për Shqipnínë. Populli shqiptar, mbas sa qindvjet robnije, porsa kishte çelë sŷtë në dritën e lirís. Njimênd malet e saj kishin rruem të lira, me zakonet e ligjet e veta ; kishin pasun e kishin demokracín e vet të mrekullueshme, ku secili ishte zot në qarkun e të drejtavet qi i kishin caktuem ligjet e zakonet shekullore ; kishin pasun e kishin pleqsitë e kuvêndet e veta, ku gjithkush flitte sa ishte nevoja me folë, pa zhurmë, pa bërtitun, urt’e butë e me arsye për me gjetun të vërtetën qi kërkohej së bashku për të mirën e përbashkët. Por tashti këto kohna, po thojshin intelektualët e Shqipnís së Re, kishin perënduem : kohë e re, ligje të reja, zakone të reja. Të gjithë, mir’ a keq, shum’a pak kishin kënduem revolucjonin e Francës, shumë atê të Turqve të rinj e metodat e këtyne. Lirinë e kuptojshin ashtu siç e kishin kuptuem evropjanët e amerikanët, e ashtu dojshin edhe për Shqipnínë. Por ky largim i madh shpirtnuer prej popullit të vërtetë nuk mûnd të kishte pasoja të mira. Ahmet Zogu qe shumë mâ afër popullit se intelektualët autentikë, dhe dijti me e joshun e fituem për vete, siç e provoi Kuvêndi Kushtetues. Intelektualët, qi mbas teorive të tyne, nxânë nëpër shkolla, s’e shihshin të dênjë atê për misjonin qi dukej se i kishte caktuem vetes, disa ndoshta edhe për smirë, të vetëdijshme e të nënëvetëdijshme, u përpoqën t’a shkreditojnë me ligjëratat e tyne parlamentare dhe ligjërimet private kudo qi u binte me folë si dhe me artikuj gazetash. Por populli kuptonte mâ mirë gjuhën e Zogut se atê t’intelektualvet.
Përfundimi qe tragjik. Shqipnía kishte edhe nji djelmní, edhe ajo shkollare. Nji ksi djelmsh, nja katër vjet parandej pat kryem nji gjest, me vrasën e nji tradhtori, qi e pat ngrêjtun n’altarin e adhurimit të nacionalizmës intelektuale të Shqipnís mbarë. Por duhet t’a theksojmë këtu fjalën intelektuale. Se populli, 90 % , s’i kishte kuptue tradhtít e Esad Pashë Toptanit, sikur s’kuptoi as gjestin e Avni Rustemit. E n’e ka admiruem këtê, e ka admiruem vetëm për trimnínë qi bâni tue vramë nji pashë në mes të Parisit, sikur pat admiruem njizetenji vjet mâ parë nji tjetër Shqiptar qi pat bâ nji gjâ analoge në mes të Stambollit. Avniu s’qe frymëzuem prej fjalimeve flakëdhânse, as prej kshillave të kurrkujt, por vetëm prej situatës qi kishte përpara sŷvet dhe sensibilitetit patriotik të jashtzakonshëm të tij. Por qe bâmë nji shêmbull i rrezikshëm për djelm të rij si ai. Mûnd t’ishin shumë qi mezi pritshin nji rasë për me fituem famën e nji fatosi me nji gjest të tillë. E nuk mûnd të pritej prej së rijsh nji pjekuní e mjaftueshme për t’i dalluem me siguri ato rasa në qoftë se nuk u mungon trimníja. E qe se nji ditë prej ditësh Avni Rustemi bân nji gabim mjaft të rândë : “Sikur të mos kisha frikë”, i thotë nji shoqi të vet “se do të më quente bota nji kriminel t’etshëm për gjak, mbasi kam vramë edhe nji tjetër, Ahmet Zogu sigurisht nuk do të kishte mâ jetë”. E shoqi, nji djalosh edhe mâ i ri, qe gati me i u përgjegjun “Lepe, tek jam vetë !”. S’ishte aspak rasa me pamë n’Ahmet Zogun nji Esad Pashë të dytë. Ç’shênj tradhtije kishte dhânë në tânë jetën e tij ? As kundërshtarët mâ të papërkulshmit qysh në fillim të karrjerës së tij s’e kishin shqiptuem kurrë nji padí të tillë për tê. Të tjerët e kishin brohoritun për patriot deri në shpëtimtar t’atdheut, dhe kishin bashkpunuem me tê deri te zgjedhjet e Kuvêndit Kushtetues. E tashti a thue se u bâ tradhtuer vetëm pse populli shqiptar i dha besimin e vet nëpër këto zgjedhje të lira e të rregullta ? Jo, por vetëm patriotizma morboze e nji të riu, mbërrîmë deri në paroksizëm në nji atmosferë të helmatisun prej nji djalektike e nji oratorije të papeshueme, e bashkueme me manín e nji tjetër të riu me u bâmë “i madh” me nji krim të famshëm puell atentatin kundra Ahmet Zogut me…. te shkallët e parlamentit në Tiranë, me të gjitha pasojat qi tërhoq përmbrapa.
Plumbat e revoles së Beqir Valterit, bashkvêndës i viktimës së shënueme dhe student në nji shkollë t’Evropës me nji bursë të blatueme prej këtij, s’e kapën mirë kryeministrin. Shpëtoi me ndonjë plagë të lehtë. E ndërsa ai mjekohej në shtëpi të vet, kolegët e tij s’patën mâ guxim me vazhduem në funksionet e tyne ase nuk e panë me vênd qi të pritshin shërimin e të plaguemit. Ky dha vetë dorhjekjen për gjithë kabinetin simbas rregullores kostitucionale e u formue nji qeverí tjetër nën kryesín’ e Shefqet Vërlacit po prej së njâjtës shumicë parlamentare. Valteri, i torturuem, kallzon për Avniun. Mbas pak kohe ky vritet. Dorasi qe nji farë Isuf Reçit nga Tirana. Ishte nji kriminel i këputun. Motmot e gjymsë mâ parë i qe ofruem nji kundërshtari politik të Zogut për me vramë këtê për katërqind napoljona e qe dëbuem si qen. Opozita e shfrytoi deri në fund gjakun e Avniut. Të gjithë tok, opozitarët u nisën për në Vlonë tue shpallë se në Tiranë s’kishte mâ as sigurí jetet. Por shkaku e qëllim’i vërtetë ishte me përgatitun nji kryengritje kundra Zogut. Qevería qe paralizuem kryekëput. S’ishte mâ e zonja me marrë asnji masë kundra tundullueset. Posë qi krênët ishin të prûejtun prej imunitetit parlamentar, se ishin misa të Kuvêndit Kushtetues, vras’e Avni Rustemit kishte tronditun e egërsuem krejt nacjonalizmën shqiptare e qevería s’kishte guxim me vûmë dorë në kurrkênd. Opozita ishte bâmë tym e flakë, e të mbërrîmen në Vlonë desh me i qitun kushtrimin gjithë popullit e forcave t’armatosuna të Shtetit. Por në gjî të saj gjîndej ndonji qi ishte i zoti me gjykuem me gjak të ftohtë e me peshuem të mirën edhe të keqen e nji pune t’atillë ku luente fati i kombit. Ky ishte Luigj Gurakuqi. I thellë n’arsyetime, psikolog e njohës i mirë i turmavet shqiptare si dhe i gjithë njerzvet qi kishte pasun rasë me u gjîndun në kontakt me ta, Gurakuqi s’pritte për Vêndin asnji përfundim të mbarë nga nji kryengritje n’ato rrethana. S’ishte ndonji punë e vështirë, mêndonte ai, me u shliruem prej Zogut për do kohë. Por, e mbasandaj ? Zogu kishte përmbrapa votat e shumicës së popullit qi e kishin konfirmuem për kryetar qeveríe. E Gurakuqi nuk shihte e nuk besonte qi gjaku i Avni Rustemit t’i a kishte tronditun atij prestigjin e fituem gjatë katër vjetve të kalueme pranë turmavet popullore. Këto nuk i gjykojshin as nuk i ndjejshin do punë si patriotët intelektualë. Avni Rustemi kishte vramë, e i lumtë gishti, se kishte vramë nji fajtuer, o makar vetëm pse kishte qênë trim. Por malsori shqiptar ka ligjet e veta shekullore, qi i thonë “për faj gjaku s’jet pa u marrë” e se “edhe trimin e shpon plumbi”. Fjala ishte përhapun se Avniu qe vramë për gjak t’Esad Pashës, e shumkush do t’a besonte cilado t’ishte e vërteta. Avniu kishte provokuem atentatin qi kishte shtruem kryeministrin në shtrat me plagë, e shqiptari thotë se âsht “mâ i keq gërgasi se dorasi”. Për të gjitha këto arsye, deputet’i Shkodrës mêndonte se vras’e Avni Rustemit nuk do t’a kishte cënuem thellë pozitën e Zogut në popull. Mb’anë tjetër, e tue qênë puna kështu, asnji ndër opozitarët me mênd në krye nuk besonte në nji kryengritje popullore. Gjithë shpresat e tyne mbështeteshin në nji rebelim t’ushtrísë. Por Gurakuqit s’i pëlqente me e bâmë ushtrínë vegël qëllimesh politike, tue vazhduem me metodat e Klikës, e aq mâ pak me bâmë protagoniste dramash revolucjonare. Nji arsye mâ tepër për atê politikan të hollë e patriot pa njollë ishte dhe fakti qi në krye t’ushtrís ndodheshin aso kohe dy kolonela secili mâ i pazoti se shoqi, të cilët sihurisht da t’a kishin tânë qeverín në dorë. Summa summarum [7], Gurakuqi ishte i bindun qi me këto kushte e këto elementet e tjera, nji lëvizje revolucionare, edhe tue mbaruem në fillim me sukses të plotë, në fund të fundit do të dilte me dâm, sepse para se rênd’i ri i dalë prej saj të ketë kohë e mundsí me u shestuem definitivisht, Zogu do t’ishte kthyem përsëri në fuqí e mâ i fortë sesa ishte. Por zâni i këtij t’urti qe nji predikim në shkretinë. Kurrkush s’pat veshë me e ndëgjuem e kushtrimi u dha në të katër anët. Dhe Luigj Gurakuqi, i dëshpruem e kundra vullnetit të vet, s’mûndi me u damë shokësh. U nis për Shkodër për me i dhânë prej asaj ane ndihmesën e vet nji lëvizjeje qi s’kishte dashun e qi muer emnin “Lëvizj’e Qershorit” nga mueji i vjetës 1924 në të cilin po bâhej. Populli, në pjesën dërmuese të tij, tregoi mâ të plotën apatí kundrejt saj. Por të dy grupet e ushtrisë, i jugës me kol. Kasem Qafzezin në krye, dhe i Veriut me kol. Rexhep Shalën për komandar, u nisën për Tiranë, tue kaluem kudo përpara sŷvet të habitun të popullatave të mërzituna nga politikanët e tundullimet politike të padame : ato dojshin vetëm qetsí e punë, dhe ishin gati me pritun me krahë hapët çdo qeverí qi t’u siguronte këto dý sênde vitale për nji popull. Por ende s’e kishin pamë qartas se kush mûnd t’ishte ai qi mûnd t’ua jepte, e kishin humbun besimin në të gjithë e tash do t’a hûmbshin edhe mâ tepër.
Zogu ishte ende i pamëkâmbun mirë e prandêj nuk mûndi me bâmë nji qëndresë personale tue thërritun forca civile, as nga Matja, vêndi i tij. Qevería e Vërlacit e humbi pushtetin e besimin e vet ndaj forcat e sigurimit qysh atë çast qi u rebelue ushtría, e cila hŷni në Tiranë…. ngadhnjyese pa pushkë të shtime. Zogu, me pak besnikë të vet u nis për udhë kah Dibra e gjet strehë në Jugosllaví me gzim të madh t’asaj qeveríe.
“Lëvizja e Qershorit” puell regjimin e Fan Nolit. Shqiptar i lemë, i rritun e i stërvitun përjashta Shqiníjet, Noli e ka dashun atdheun e kombin e vet sigurisht me gjithë zêmër e pa asnji interes personal dhe pa e pasë pamë kurrë me sŷ deri ditën qi vot e u bâ deputet i Korçës në të parin parlament shqiptar në 1920. Ishte aso here burrë i pjekun e i formuem me nji kulturë të gjânë perëndimore, plot 40 vjetsh. Lemë nga nji familje ortodokse në nji fshat shqiptarësh, Ibrik-Tepé, të mërguem kamot atje në guvernatoratin otoman t’Edrenesë, edukuem për prift ortodoks ndër shkolla greke, gjithçka, posë gjakut atnuer e gjuhës âmnore, e shtynte me u bâmë, si shumë të tjerë në të njimêndat kushte, nji propagandist i helenizmës. Por ai jo ; ai ndëgjoi zânin e gjakut e të gjuhës dhe, përkundrazi, luftoi me të tânë energjinë e tij, me të tânë mjetet qi kishte në dorë, me gojë e me pêndë, kundra helenizmës gjithku kjo pretendonte me shuem shqiptarizmën. Kush e ka njohun Fan Nolin nuk mûnd të besojë qi ai ka qênë i grishun prej natyre të vet për prift. Por mbasi e shpunë rrethanat n’atë rrugë, misjoni i u duk i volitshëm për t’i shërbyem nji tjetër ideali gjithaqë të shênjtë, kombsís së vet. Ndër Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, ku e qiti fati edhe atê, kishte shumë shqiptarë ortodoksë të mërguem. Këta faleshin ndër kisha greke, meshoheshin e predikoheshin greqisht. “Pse greqisht ndër kisha greke me priftën grekë ?” nisi me mênduem vete me vete Theofani i ri e me ua bâmë këtë pyetje edhe kombshokve të tjerë me të cilët rrinte e flitte. “Pse jo shqip me gjuhën t’onë t’âmbël e të bukur ?” “S’ka priftën shqiptarë ? Po ja ku jam un ! S’na lên dhespoti, patriku grek ? Ç’punë kanë, ç’përzihen ata ndër punë qi s’u përkasin ? Mos vallë e ka folë Krishti ungjillin greqisht ? Mos e kanë shkruem apostujt greqishten ? Mâ parë e mâ dalë, vallë e kanë dijtun ata farë njiherë greqishten ?” Kështu e filloi Fan Noli propagandën e kishës shqipe n’Amerikë, qi mbërrîni mâ në fund me u bâmë, po me zellin, mûndimin e zotsín e tij, Kisha autoqefale shqiptare, kryevepra kombtare e atij burri. E dijtun se për eprorët grekë të kishës ortodokse Fan Noli do të kishte mbetun gjithë jetën prift, në mos edhe prift i mallkuem. Prandêj i u desh t’a marrë shugurimin për dhespot prej eprorësh të kishës ruse. Duen të thonë se s’ka asnji të keqe pa ndonji të mirë dhe asnji të mirë pa ndonji të keqe : a thue mûnd të jetë edhe kujtimi i mirnjohës i shugullimit prej nji dhespoti rus njâni nga kushedi sa faktorë tjerë të flirteve të mâvonshme qi, sidomos këto dhjetë vjet të fundit na e bânë Nolin t’onë gati të panjohshëm ?
Fan Noli s’i ka shërbyem Shqipnís vetëm përmjet kishës e predikimevet kombtare. I ka shërbyem shumë fort edhe përmjet pêndës. Cilit shqiptar i asht dhânë deri sod me lânë – por shpresojmë edhe mâ të tjera prej pêndës së tij – kaq vepra letrare, të përkthyeme e të shkrueme, sa Fan Noli ? Kombi shqiptar s’ka deri sod nji historí të veten, por ka nemose nji, të shkrueme prej këtij letrari të shquem, nji historí të mâ të shkëlqyeshmes periodë të jetës së vet, historín e Skënderbegut.
Mjerisht, veç, si shtetist nuk mûnd të bâhet asnji lavd për Fan Nolin. Gjashtë muej qeverí nën kryesín e tij na ka lânë kujtimet mâ të këqijat. E ishte dashun t’a njihshin shokët mâ t’afrit para se t’a vêjshin në krye të qeverís së Vêndit në nji kohë aq të vështirë. Por edhe këtu, si në Vlonë, s’u gjînd asnji tjetër posë Luigj Gurakuqit qi t’a kuptonte gjêndjen e t’a thonte haptazi, edhe ndër sŷ të Fan Nolit vetë : qi ky s’ishte për kryetar qeveríje, se nuk e njihte aspak Shqipnínë e Shqipníja atê. Mbasi dý dikasteret mâ të rândsishmet, ai i mbrêndshmi dhe ai i luftës, do t’u gjîndshin ndër duer të dý kufomave ambulante, si Rexhep Shala e Kasem Qafzezi qi fati i keq i Shqipnis i kishte çuem mâ parë mbë krye t’ushtrisë e tash po i sillte ndër vênde përgjegjsíje kombtare, Gurakuqi ngulte kâmbë qi nemose përmbi ta të vêhet nji kryeministër i gjallë, me të gjitha virtutet e mêndjes e të shpirtit, i zoti me e bâmë natën ditë si Qazim Koculi. Por jo, Gurakuqi as këtu s’ u ndëgjue. Nuk u ndëgjue sepse të tânë gati, sa ishin rreth Fan Nolit, rrojshin në tjetër botë, në republikën e Utopisë. Vetë Fan Noli s’ka qênë kurrë ambicioz, por vetëm nji temperament i paqëndrueshëm e i lëshuem mbas çdo rryme qi të dinte me i folë fjalë naltushtuese e të përshtatshme fantazivet të tija utopiste. Ishin miq me Gurakuqin e objeksjonet e këtij kundra emnimit të tij për kryetar s’i a ka marrë kurrë për të keq. Qe nji provë e modestisë e bujarisë së tij : nja motmot e sa mâ vonë, Gurakuqi ishte vramë në mërgim dhe Fan Noli gjîndej po i larguem prej atdheut. Nji shpirt i zi shqiptari, zêmra e të cilit s’kishte dijtun kurrë me dashtun kênd sinqerisht posë vetes së vet, e pat padijtun në nji fletore shqipe se s’kishte qênë tjetër në Tiranë veçse nji vegël e Gurakuqit. E si i përgjigjet Fan Noli ? “Nuk besoj, shkruen, por edhe në qofsha bâmë ndonji herë pa dijtun vegël e atij burri e patrioti të madh, e kam për nder !” I citojmë këto fjalë ad sensum[8] , siç na kanë mbetun ndër mênd, se nuk e kemi tekstin para sŷshë.
Nja nji javë dit si pat hŷmë ushtría revolucjonare në Tiranë e disa qinda civilash me tê a mbas saj nga Juga, rrugët e qytetit gjëmojshin nga brohorítë e manifestuesve entuziasta nga fitimi. Kryesisht djelmníj’e asaj kohe qi i ndyemi Avni Rustemi kishte organizuem në nji shoqní me emnin Bashkim. Në krye kishin Fuad Asllanin, qi mâ vonë, në nji kabinet të rijsh, mbreti Zog e pat emnuem ministër të punve të jashtëme. Të rij ishin e, si gjithmonë e gjithkund të rijt kishin të drejtë me u gzuem për nji sukses t’idevet përparimtare, demokratike e popullore pa mênduem mâ gjatë. Por nji punë e keqe ndodhi prej anës së tyne : me përdorë në Tiranë kundra zogistavet vojin e trashë e do foshnjí tjera, sikurse kishin bâmë turmat fashiste nëpër qytetet e Italísë afro dý vjet parandêj. Ndryshe, me gjithë anarkinë qi mbretnonte ato ditë, asnji e ligë nuk ndodhi në Tiranë as gati kurrkund në Shqipní prej ndryshimit qi u bâ.
Me gjithë anarkinë qi mbretnonte ato ditë, thamë. Por e vërteta me pasë për t’a shquem krejt regjimin e Fan Nolit në historí me nji karakteristikë të vetme për të gjashtë muejt qi ka ngjatun, asnji tjetër. Mâ e saktë e mâ e shkëlqyeshme s’mûndet me qênë veçse anarkí, por me kuptimin gati krejt rrânjuer të fjalës ase, të themi, me kuptimin doktrinar të saj : mungesë thuajse absolute e çdo pushteti ! Kurrë s’ka gzuem shqiptari nji lirí aq të plotë, kurrë s’ka mûndun me bâmë verevërte gjithë ç’ka dashun vetë e mos me bâmë atê qi s’ka dashun. E megjithë këtê, kurrgjâ e keqe për me trazuem rândë qetsín’ e Vêndit nuk ndodhi. Arsyeja, e vetmja arsye e vyeshme ka qênë, mbas mêndimit t’em, pritja e gjithkujt se si po dahet belegu i mbrapëm ndërmjet Ahmet Zogut, qi ishte shtruem në Beligrad tue pritun orën e vet, dhe Opozitës, qi ishte shtruem në Tiranë kush në nji mënyrë e kush në nji tjetër, simbas shijes së secilit.
Se si do të mbaronte ky beleg ndritte si vetë dielli ndër sŷtë të gjithkujt. Vetëm qeveritarët vetë bâjshin pallë me mênd. Për kryeministrin çdo gjâ ishte në rregull e për tê s’kishte mbetun tjetër me bâmë veçse, si poet e artist qi ishte, me stërholluem nji grimë mâ tepër fakultetet muzikore të tij. Nji trupë e vogël koristash rusë kishin ardhun për kryekishën ortodokse të Tiranës e vetë kryetari ushtrohej me i ramë fyellit. Mâ shumë gjindej në zyrën e tij kishtare se qeveritare. Këtu mundimet burokratike i a hiqte shef’i kabinetit presidencial, studenti Sejfullah Malishova.
Por pandërgjegjsía mâ flagrantja e gjêndjes shihej ke dy kolonelat. Rexhep Shala, për arsye intime të tij, mâ të shumtën rrinte në Shkodër se në Tiranë, ku për barrët e rânda politike e zavêndsonte ministri pa ministrí Xhemal beg Bushati e punët e zakonshme i kryente sekretar’i përgjithshëm Haki Tofiku, nji specialist i shkollës otomane aq i zoti, sa i u dukeshin mênt deri përmbi flokët e dêndun e të blondë. Tjetri kolonel kishte tjera kujdese, nji pjesë analoge me ato të kolegut të tij, pjesa tjetër ishte botilj’e shkretë, gati gjithmonë në shoqní të kândshme me miq e shpesh herë edhe me ahêng në shtëpi të vet.
Luigj Gurakuqi, brênte veten tue kundruem këto skena, por ç’me bâmë s’kishte. Sëmundja e pashërueshme e natyrës së tij ka qênë kjo, qi s’donte a, mâ drejt me thânë, s’mûjte me prishun qejf me askênd, aq mâ pak me miq e shokë të vet, e kishte tepër frikë nga kritikat. Ishte kjo e metë e tij qi i pat frymzuem shumë mâ parë nji kundërshtari të pamëshirshëm me ngjallë për tê se ishte “miku i gjithë botës”. Kjo dobsí e bâni me marrë pjesë kundra bindjes e vullnetit të vet në Lëvizjen e n’atë qeverí e po kjo e ndalonte me u shkëputun soje. E mbasi asnji rol politik s’ishte i zoti me luejtun n’atë gjêndje kaotike, qe vûmë me mish e me shpirt mbas shestimit të financavet të vorfna të Shqipnís e i a pat dalë me krijuem për të parën herë nji buxhet të barazuem në 14 miljon frâng ar. S’kishte ç’të bânte kurrkush, si nji mallkim për qiellësh kishte ramë mbi atë regjim. Deri mêndet mâ të kthiellta, si ajo e nji Fan Noli, e nji Luigj Gurakuqi, e nji Stavro Vinjau, energjitë mâ të fortat, si ajo e nji Qazim Koculi kishin ngrîmë kryekëput. Duhej realizëm e guxim për nji ndryshim radikal të shpejtë, porsa nuk mbet kurrkush mâ, mbas pak javësh, pa e kuptuem se nji qeverí e tillë ishte e dënueme me mbaruem për turp të të gjithëve. Shqipnía ishte tue bjerrë çdo kredí e konsideratë edhe përjashta. Sulejman Delvina, ministër i jashtëm, ish burokrat otoman e për mâ tepër i ngrîmë deri në trû prej nji lëngate të padukshme qi i a shkurtoi jetën pak mâ vonë, s’ishte për atë vênd. Mussolini, tue drashun se Zogu do të kthehej në pushtet i lidhun kushedi me çfarë kushtesh me Beligradin, i pat ofruem Tiranës në konfidencë absolute nji marrveshtje të përnjihershme me Romën për t’a forcuem qeverín e Fan Nolit me armë e municion pa asnji shpërblim, me nji hua të bâme me anën e Lidhjes së Kombevet e, po të donte Shqipnía, nji aleancë mbrojtëse. Ndërmjetës për t’i a kumtuem Tiranës këtë proponim, i ngarkuemi me punë i Shqipnís në Romë Tefik Mborja, i cili niset menjiherë për kryeqytetin e vet. E përsërisim, oferta e Romës ishte bâmë në konfidencë absolute deri ditën qi Tirana të kishte vêndosun me dhânë nji përgjigje. Por nuk shkuen 48 orë e fjalët muerën dheun. Mussolini pati durim deri sa u kthye Mborja në Romë, për t’i thâne, me anën e Contarini-t, sekretar i përgjithshëm i ministrís jashtme, se gjithshka kishte mbaruem, si mos me pasë qênë kurrë me qeverín’ e Fan Nolit. Erdhi, tekembrâmja marríja mâ solemne : Fan Noli lidhi marredhâna diplomatike me Bashkimin Sovjetik, dhe Moska po përgatitej me hapun në Tiranë nji legatë qi do të kishte nji personel 40 nëpunsash ! Shtetet ballkanike, Italía e deri Anglía mbetën të habitun e t’alarmuem prej këtij lajmi.
Asnji çudi, pra, qi ky regjim u tret si krypa n’ujë mbrênda pak ditësh përballë sulmit të Zogut me pak forca civile të komandueme prej disa ish oficerash caristë të rekrutuem në Jugosllaví. Zogu i nisi veprimet sulmuese gjatë tanë kufînit shqiptar – jugosllav aty ka gjymsa e dhetorit 1924. Pa dyshim, forcat e tij ishin përqëndruem n’atê vênd nga do të fillojshin sulmin, n’anën e Dibrës. Gjithkund gjeti gjatë kufînit krisma pushket e mitralozash s’ishte veçse manovër diversjonesh për të shtrënguem forcat qeveritare qi të shpërndaheshin grima-grima gjithkund. Ato pak forca qi ishin, sa me thânë e sa me auktorizuem të mbajtunit mbë kâmbë të nji ministríje lufte për Kasem Qafzezen. Këto demostrata gjatë kufînit i bâjshin vetë rojet jugosllave, se kush ishte tue i kontrolluem ? Se mos do të kishte Shqipnía nji shërbim spiuníje e kundërspiuníje ? Qe mjaft madje qi Ali pashë Kolonja, ministri fuqiplotë i Shqipnís në Beligrad dijti me marrë vesht me kohë e me lajmuem Tiranën disa dit përpara se Zogu po përgatitej me mbësŷmë.
E vetmja qëndresë qi gjetën forcat e Zogut prej anës së qeverísë, qe ajo e dibranvet qeveritarë nën komandën e Elez Isufit, ku mbet dekun edhe ky vetë bashkë me të nipin, Isuf Xhelilin. Andej e mbrapa, deri në Tiranë, asnji përpjekje për t’u përmêndun nuk ndodhi. Deri qafat e shkallët malore, si qafa e Murrizës e shkalla e Tujanit u kapërcyen prej forcavet sulmuese pa hjekun keq aspak e pa derdhun pikë gjaku ! Ato u futën në Tiranë më 23 dhetuer e nesret, natën e Krishtlindjevet, mbërrîni edhe vetë Zogu. Vlen me u shënuem se qeveritarët e kishin lânë Tiranën të marrmen vesht, më 23, se anmiku kishte mbërrîmë te shkall’e Tujanit. Zyra e telegrafës u zû menjiherë n’emën të Zogut prej partizanësh të tij, deri atë çast në shërbim të regjimit fanolist si oficera sigurimi botuer e si nëpunësa civilë. Ishte epilogu i nji drame kombtare qi kishte filluem, si u pa, me atentatin e Beqir Valterit te shkallët e parlamentit shqiptar kundra Ahmet Zogut, atëherë kryeministër legal i Shqipnísë. Nji dramë e pikëllueshme për shqiptarët, gati nji tragjedí ; vênde – vênde, por, edhe me disa aspekte komike qi nji të huej, shum’a pak cinik mûnd t’a argëtojë, ndërsa nji patriot shqiptar nuk mûndet mos me e ndîem veten të therëm në zêmër edhe atje.
[1] Lat : posaçërisht
[2] Angl. : i shkëlqyeshëm, shembull E.M.)
[3] Lat : pra, për pasojë (E.M.)
[4] Fr. Dashje pa dashje (E.M.)
[5] Angl. : udhëheqës,drejtues (E.M.)
[6] Lat. : U hodhën zaret ! (Në kuptimin se u muar vendimi) (E.M.)
[7] Lat. : Si përfundim, me një fjalë, shkurt (E.M.)
[8] Lat. : Afërsisht simbas kuptimit (E. M.)
Komentet