Në Shqipëri me aktivitete të ndryshme është shënuar Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërsa institucionet në vend kanë organizuar edhe ekspozita.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka hapur ekspozitën në kuadër të 5 Shtatorit, Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës, me dokumente dhe fotografi, për jetën dhe veprimtarinë e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobël për Paqen.
Kjo ekspozitë në ambientet e Kalasë së Tiranës është organizuar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut (ITSHKSH), ndërsa do të qëndrojë e hapur për katër ditë.
Në aktivitetin e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili duke folur për veprën e Nënë Terezës, tha se “është një moment shumë i bukur sepse të gjithë shqiptarët jemi krenarë”.
“Shen Terezën të gjithë shqiptarët e kanë në zemër dhe në mendje dhe këtë ditë e kremtojnë me shumë krenari. Sot hapim këtë ekspozitë të kuruar me shumë dashuri dhe shumë kujdes nga shqiptarët e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë për të parë se sa e thjeshtë ishte kjo grua, por me një dashuri të madhe që bëri që gjitha bota ta ndiej”, tha Seferi.
Politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhe për këtë ditë, ndërsa institucionet qendrore dhe lokale kanë organizuar aktivitete të ndryshme, me qëllim promovimin e veprimtarisë së Nënë Terezës.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ajo ishte humniste dhe fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa tre vite më parë kreu i Vatikanit, Papa Françesku, e shpalli Nënë Terezën të shenjtë. aa
Komentet