Shpenzimet për reklama janë të parat që ulen në kohë të vështira. Burime nga agjencitë publicitare pohojnë se pjesa më e madhe e kompanive i kanë ndaluar të gjitha fushatat aktuale dhe kanë anuluar ato që ishin në fazë përgatitjeje.
Situata është problematike që tani, por, nëse zgjat periudha e karantinimit, do të përkeqësohet më tej në muajt në vijim.
Për momentin vetëm telekomunikacionet, bankat e bizneset farmaceutike dhe produktet ushqimore po vijojnë aktivitetin. Bankat kanë përshtatur fushatat me shërbimet bankare online. Por, operatorët e tregut pohojnë se shumë biznese të tjera po rishikojnë buxhetet. Kur nuk shesin e nuk blihet, shumë kompani kanë pezulluar dhe kontratat e reklamave në media. Mbyllja e emisioneve argëtuese në oraret më të shikuara për shkak të kufizimit të dy personave në studio ka ndikuar negativisht, teksa ato tërhiqnin reklamuesit me tarifat më të shtrenjta (deri në 2100 euro për një spot prej 30 sekondash).
“Për momentin, pasojat janë të paparashikueshme, pasi ne nuk e dimë se sa do të zgjasë izolimi”, thotë Oliver Petrovski drejtor menaxhues i agjencisë publicitare dhe të kreativitetit, “New Moment”.
“Nëse zgjat një muaj ose dy, ne mund të jemi në gjendje ta kalojmë me një krizë të vogël që do të mund të rikuperohej me shpejtësi. Por, nëse zgjat në vjeshtë, ashtu siç thonë disa… kjo do të jetë shkatërruese. Qeveria duhet të mbështesë sektorin e biznesit, në mënyrë të ngjashme me atë që po bën tashmë Danimarka, Franca, Gjermania, sepse shumë industri pothuajse kanë ndaluar së punuari tërësisht. Dhe punonjësit e tyre duhet të marrin paga çdo muaj”.
Petrovksi shton se gjithsesi, “po rishpikim strategji të reja për klientët tanë, në mënyrë që ta përballojmë dhe të dalim të fituar nga kjo situatë. Është një situatë e re, e paparë më parë, ku vëmendja do të jetë te kreativiteti dhe ne kjo gjë na pëlqen”.
Tregu i reklamave qarkullon rreth 38-40 milionë euro në vit
Sipas vlerësimeve të mëparshme të “Monitor”, prej disa vitesh, tregu i reklamave në vend vlerësohet i mbërthyer në shifrat e 37-39 milionë euro në vit. Edhe pa ardhur kjo goditje, tregu ishte në stanjacion vitet e fundit për shkak të tkurrjes së buxheteve nga kompanitë e telekomunikacionit, që janë reklamuesit më të mëdhenj në vend dhe moshyrjes së sipërmarrjeve të reja, me buxhete të mëdha publiciteti.
Rënia e reklamave, krahas medias, pritet të ndikojë negativisht dhe agjencitë e publicitetit, të cilat menaxhojnë një pjesë të konsiderueshme të buxheteve të reklamuesve./Monitor
Komentet