Nuk e di pse Kristaq Mitron fillova ta shikoja nga brenda trupit: zemra, mendja, mushkëritë, veshkat, mëlçia, gjer tek e padukshmja, shpirti. Ishte nje stetoskop hyjnor, pastaj një skaner që vinin prej blusë qiellore dhe maste të fshehtën e sëmundjes së mikut tim. Nuk parandieja asgjë të keqe, asgjë pothuajse. Sepse në atë kohë ishim rrëmbyer të dy nga ëndrra për të bërë film. Ëndrra nuk ka punë me asgjë lëndore, rron jashtë organizmit dhe vëmendjes sonë për çfarëdo lloj sëmundje. Përderisa ëndrra ishte aq e fortë, kishim besimin se na mbronte Zoti. Sa iluzion ka në punën e një artisti. Ai është dhe s’është. Vihet re vetëm kur një punë e tij pëlqehet. I heqin kapelen. Kaq. Pastaj e harrojnë. Ai është i padukshmi midis të dukshmëve që rrojnë natyrshëm pa i kaluar caqet këtej ëndrrës. Ëndrrës së artit që djeg dhe zhurit trupat e të padukshmëve. Po ç’është ajo botë e andej ëndrrës, e blusë qiellore, që s’dihet prej ç’fryme perëndie rron? A besohet po ta pohojmë këtë gjë? Do të na kuptojnë? Jo. Kurrë s’u kuptua. Sa herë jemi penduar për pak kohë dhe jemi ankuar; ç’e patëm këtë fat, si nuk u bëmë elektricistë apo hidraulikë… të gëzonim jetën e thjeshtë! Ç’fuqi duhet për të bërë art të mirëfilltë? Duhet t’iu drejtohemi miteve se realiteti nuk sugjeron asgjë. Madje do të më qeshin po të them se fuqia e Herkulit është fuqia e artit ( por në planin shpirtëror, të kësaj zeje që s’kuptohet. )
Ishte një karrige e qëllimshme, që nxirrej nga poshtë banakut dhe ftohej Kristaqi të ulej në të. Ai, pa e bërë të gjatë, ulej menjëherë dhe, pasi e merrte veten, lëshonte një nga ato batutat e tij që i bënin vajzat të qeshnin. Ishin shitëset e supermarketit italian Conad, ku ai blinte më shpesh ushqime, një oaz i çuditshëm, ku s’kishte beduinë me deve, apo pelegrinë që shkonin në vendin e shenjtë e që ndalonin aty gjatë rrugës, po një regjisor filmi, pa Mekë. Qëkur pa Mekë, pikërisht ai që dikur kërkohej ngulmueshëm të bënte film. Tani s’kërkohet më, po refuzohet. Ç’ka ndryshuar? Shqipëria. Ajo i vret artistët. Pa mëshirë. Edhe atë oaz të vogël, një karrige te Conadi, ajo s’ta jep më. Politikanët e rinj, bijtë e të vjetërve, i shkruajnë vete skenarët, i xhirojnë vetë filmat dhe po ata janë aktorët. Në filmat e tyre ka ujë, në jetë s’ka, në filmat e tyre ka rini të qeshur, në jetë s’ka, sepse ata ikin, ia mbathin nga Shqipëria, në filmat e e tyre ka Europë, po në jete s’ka, në filmat e tyre ka Amerikë, po në jetë s’ka, në filmat e tyre ka bollëk, po në jetë s’ka, të rinjtë ikin, pleqtë vdesin në mizerje.
U deshën katër vjet të shkruhej skenari ( unë jetoja në Amerikë ) dhe takimet tona ishin të rralla. Ai ishte skrupuloz, gjer në manierë, i rishkruante episodet, bënte tekniko – regjisorialin dhe pastaj e prishte. Është artificiale, thoshte, flitet për jetë, jetë të vështirë, është historia e një vajze të re të pafajshme, që dashuron mësuesin e vet dhe e vrasin, e therin në mes të qytetit. Skenari bënte fjalë për një vajze të përjashtuar nga shoqëria, sepse s’kishte asnjë mbështetje, përveç vetvetes. Asnjë ndihmë. Sepse, për më tepër, ishte shumë e bukur. Dhe për këtë arsye lehtësisht e vdekshme. Ai qytet i vogël nuk e duronte të bukurën. Ajo i shndërrohej në armike.
Dhe ne të dy herë e gjenim mirëkuptimin, herë nuk e gjenim. Ai kërkonte të pamundurën në art, atë që ishte iluzion, por jo mundësi. Katër vjet. A është normale kjo? Po. Me Kristaqin, po!
Në art koha nuk është koha reale. Katër vjet mund të jetë dhe një muaj, por edhe një ditë. Përsosmëria nuk njeh kohë. Pra, po flasim për kohën artistike, asnjanësen. Më hyjnoren dhe m të papërfillshmen.
Kristaqi ishte 73 vjeç, kur u rinjohëm pas 15 vjet shkëputjeje, ai në Shqipëri dhe Vienë, unë në Amerikë. I hajthëm, teper i qeshur e i sjellshëm, i thjeshtë gjer në ngasjen për ta ngacmuar, aq e pabesueshme dukej kjo thjeshtësi e tij. Kishte një të ecur prej atleti, gati i ajërt kur nxitonte per të takuar. Por në art ishte i vështirë, kërkues i marrosur. I paqetë. Ky shndërrim ishte dhembja e tij që nuk vërehej prej të dukshmëve të përditshëm. Atë kohë rrinte shumë me Kristaq Dhamon, e priste me padurim kur kthehej nga Amerika. E donte shumë për zgjuarsinë, dijen e gjithanshme kinematografike. Më ka ndihmuar shumë, Roland, më thoshte, më ka mbrojtur. Ai ishte nxitja që unë, pas dy tre dokumentarëve të suksesshëm, të guxoja të mendoja për filmin e parë artistik me metrazh të gjatë. Ashtu pa u kuptuar, krejt natyrshëm, ( ai fshihej pas kësaj lidhjeje ) më sugjeroi të gjeja nje regjisor tjetër, për ta patur më të lehtë. Eh, biografia, gracka e mallkuar. Ai s’donte që unë të bija në atë grackë. Kështu u realizua filmi i parë me Ibrahim Muçën; Dimri i fundit. Të gjithë filmat i bera me të. Ishim miq të ngushtë, plotësonim njëri-tjetrin. Por tani ka ardhur një moment tjetër në jetën time, dua të xhiroj filmin e fundit, të vë firmën time; Kristaq Mitro, një film autor. Kjo është ëndrra ime. Pse e dua kaq shumë këtë film? Ja sepse; sa herë nuk e kam mirë me ndonjë koleg, dëgjoj fjalë; e mo, se filmat i ka bërë Ibrahimi. Kur e kam mirë; e mo, se filmat i ka bërë Kristaqi. Ç’ditë të paharruara kemi kaluar; filmi zinte filmin. Shpejt, filloni filmin tjetër. Nuk kemi kohë. Duhen 14 filma. Është muaji dhjetor. Tek ju e kemi varur shpresën, që të dërgojmë lart lajmin e mirë; u plotësua plani, u bënë 14 filma. Vërtet, ç’ditë kanë qenë ato kur xhironim; Nusja dhe shtetrrethimi, Duaje emrin tënd, Njeriu i mirë, Apasionata, Një djalë dhe një vajzë, Vdekje a liri. Jam mbushur me kujtime, me dhembje, me lumturi, me pengje, mospëlqime, por gjithsesi ndjehem i paplotësuar, pa filmin që dua të bëj vetë. Ja, kjo tema e njeriut, sidomos e gruas, të përjashtuar nga shoqeria, që kërkon ndihmë dhe s’gjen, që shpik ndihmë nga vetvetja, më pëlqen shumë dhe e shoh filmin, e shoh gjer në detaje. S’fle. Më del përpara figura e saj ende e paplotësuar. Kemi ende punë.
Të shkruhet një skenar shtatë herë gjersa t’i mbushet mendja Kristaq Mitros. S’kishte patur fat me skenarin e parë, ( sipas një romani të Flutura Açkës ) tani kishte shpresa të mëdha te skenari i dytë, te Tereza që e therin burrat në mes të qytetit.
ËNDRRA
Sa do të rrish? Dy muaj. Mirë, kemi kohë. Ishte shumë entuziast. Vapë përveluese. Do të shkojmë te Senatori, më thoshte, aty ka kondicioner, është një mjedis i qetë, i pastër, me shumë dritë, si te tregimi i Heminguejt. Senatori është nje hotel luksoz, pranë shtëpisë së tij, atje mblidheshim mëngjeseve dhe mbrëmjeve, pjesën më të madhe të kohes ia kushtonim filmit të ardhshëm. Sa të miratohet, do ta përkthejmë skenarin në anglisht dhe do ta dërgojmë në Euroimazh. Dhe ëndrrat s’kishin fund. “Unë kam një ëndërr” më kujtoheshin fjalët e Martin Luther King.
Dhe buzëqeshja e tij ishte e tjetërllojtë, hapi i tij elastik prej të riu që i ka dalë e drejta e studimit dhe niset për në Universitet. Të gjitha ëndrrat e filmave qenë realizuar, tani priste një triumf të fundit, ndoshta, një Kengë Mjellme, më tepër vetjake, se sa për të tjerët. E quante si plotësim të të gjitha ëndrrave. Ishte ende një vrimë e zezë, një vrimë ozoni qe nxinte. Diçka eterne, si një fiksion emblematik. Zgjohej me të, e kalonte ditën me të, shikonte ëndrra me ëndrrën. Një natë e kaluar me ëndrra për ëndrrën, këtë më tha një ditë me shqetësim. E kishte një dyshim, një si parandjenjë zhgënjyese, sepse e shikonte se ç’bëhej. Më tha një ditë me humor; e di, Roland, ç’thonë për Qendrën e Filmit disa të rinj? Ec shkojme andej nga Kinostudioja se mos bojmë ndonjë dorë pare…
Pjesa më e madhe e filmave të tridhjetë viteve të fundit kishin përfunduar në harresë. Atje provohej dhe dështohej. Me aq pak para që jepej për filmin duhej një talent i madh që ta përballonte atë rrugë drejt Golgotës. Po talentet e vërtetë janë shumë të rrallë dhe prandaj kishte dalë ajo gastrole tallëse. Por unë do të bëj një film të mirë, e ndiej, natyrisht me një mbresë dyshimi që herë më rritet e herë më pakësohet. Ky do të jetë talismani im, filmi i fundit, më thoshte Kristaqi i përfshirë në ëndrrën e tij. Të them të vërtetën, unë nuk besoja kurrsesi, sepse e shikoja me sy të ftohtë gjendjen e Qendrës, zhytur në një mjerim artistik. Duke shtyrë dëshpërimisht diellin e sukseseve, siç largojmë perden për të parë më mirë jashtë, asgjë e re, por veç flluska entuziaste përplot ngjyra që të marrin mendtë. Premiera me zulmë e bujë, salla plot me miq e gazetarë të paguar, darka dehëse, çmime hipotetikë, tek e fundit asgjë e re. Nihilizëm? Jo, realitet. Ku ishim? Atje ku u nis. Përsëri e përseri shikohen filmat e vjetër, megjithe mëkatin ideologjik që i shoqëron mjerueshëm. Aty-këtu ndonjë fushqetë shprese që shuhet shpejt. S’ka para as për filma, as për dokumentarë, as për teatër, as për… por lavdia është e madhe! Me sikur…bëhet, sidoqoftë! Me sikur… ç’zhgënjim! Shikoj çdo natë nga një film të ri te kanali; Film autor. Mjeshtëri e lartë, Roland! Dhe më përmendëte emra regjisorësh që nga Felini, Trajkovski, Vajda, Polanski, Spilbergu, Kubriku… Shkonte çdo ditë te një tregtizë te rruga e Kavajës dhe blinte kaseta me filma. Ishte gëlltitësi më i madh optik dhe lexuesi më i zellshëm i letërsisë së mirë. Njohës i shkëlqyer i teknikës së filmit, provues i krisur i metodave te reja, tejet i suksesshëm si regjisor, filmat e tij shihen gjithmonë, por sot çuditërisht dyert për të mbeten të mbyllura. Dhe për kastën e kineastëve të vjeter, mësuesve të kineastëve të rinj. Është një refuzim elegant duke i mburrur e përgëzuar, por gjithsesi duke i përjashtuar. Sidoqoftë ëndrra është atomike, ajo s’pyet për dyer të mbyllura. Me këtë iluzion përkëdhelës mund të krijosh një jetë të dytë, atë të artistit kokëforte që s’pyet për dyer të mbyllura. Këtë jetë të dytë bënte Kristaq Mitro.
Kushedi sa libra më ka dhuruar; që nga romanet e Bukowskit, Saramagos, Modianosë… e gjer te klasikët e mëdhenj; Hygo, Balzak, Tolstoi, që unë s’i kisha më, se m’i kishin vjedhur. Më ofronte literaturë kinematografike, më shpjegonte sekretet e teknikes se filmit, të regjisurës në përgjithësi, të aktorit, operatorit, rrinte me orë të tëra duke skicuar mjedise dhe personazhe , pastaj i prishte e serish ia niste nga e para. Iluzioni nuk e lodhte, jeta e rraskapiste. Jeta e artistit në një kohë refuzuese.
Shkonte shpesh te libraria Adrion dhe pyeste për librat e rinj. Por një ditë nuk mund të shkonte më. Ishte koha kur vajzat e Conadit i nxirrnin karrigen për t’u ulur. Skenari nuk u pranua. Kjo ishte një goditje për të, goditja e dytë që merrte, pa e pranuar si arsye, por duke e pranuar si realitet, që kurrsesi nuk i pëlqente. Por e mblodhi veten shpejt, dukej sikur nuk u trondit dhe aq shumë. S’kam kohë thoshte, po ma vrasin dhe kohën. Ishte vajza dhe dhëndri i tij, ata që i premtuan t’ia gjenin paratë. Por s’ishte puna vetëm te paratë, duhej të lëvizte nëpër Europë, të gjente shtëpi filmike, partnerë, bashkëpunëtorë, se filmi nuk bëhet vetëm. Pastaj erdhën tërmetet, pandemia, izolimi, që ndikuan fuqishëm dhe në psikikën e tij. Në vitin 2000 m’u ankua për një dhembje të qafës. Ndoshta kam cervikale, më merren pak mendtë, më thoshte me njëlloj frike. Nuk ecte më aq lehtë, nuk e kishte atë buzëqeshje aq vëllazërore. Dhe komunikimit me të në Messenger sikur i erdhi një ngadalësim, njëlloj mungese dëshire. Ishte kapluar nga depresioni, që s’donte kurrsesi ta pranonte. I shmangej të vërtetës, mbyllej në ëndrrën e tij dhe mbyllte deren pas vetes. Donte të ishte fillikat vetëm në endrrën e tij. Sikur u mbyll pak në vetvete, s’jepej, edhe kur unë bëja përpjekje për ta nxjerrë nga ajo gjendje e çuditshme. Dhe ia arrita, ai më pranoi në ëndrrën e tij. Ç’duhej bërë për ta rigjallëruar? E mbaja fort të lidhur pas ëndrrës, i jepja kurajë, se gjithçka ishte e mundshme, se ai s’kishte asgjë serioze, një dhembje cervikaleje dhe aq. Ëndrra. Po ta lija jashtë saj, fillonte kallkanosja e fjalëve. Nuk mund të përmend gjithe atë kohë që kemi komunikuar bashkë, sepse zë shumë vend, por po shkëpus nga Messengeri fillimet e tij me filmin e parë; Dimri i fundit.
MESSENGER, FRAGMENTE.
Unë: S’më the gjë për Dimrin… Si doli film aq i mirë, ku qëndron sekreti?
Ai: Skenari ishte ndërtuar thjeshtë, gratë luajtën veten.
Ndihmoi shumë dëbora dhe të ftohtit e madh.
Unë: Dëbora duket që ka luajtur rol, është parë nga një sy…nga syri yt sikur të ishte një personazh.
Ai: Po.
Une: Ndihmoi dhe muzika e Aleksandër Lalos.
Ai: Po… edhe kërkesa për një aktrim realist deri në “kockë.” Bora hidhej me lopata përpara helikave të ventilatorit.
Une: Keni patur ditë që s’keni xhiruar dot?
Ai: Po, shumë ditë për shkak të mjegullës së madhe. Dhe të natës që vinte shpejt. Në fillim kemi vuajtur shumë me digat ruse… shumë… peshonin nga 100 kg secila… Nuk kishte burrë nëne që i lëvizte. Dhe erdhi Dhamo, na shpëtoi. Na solli tre diga Arifleks, 25 kg njëra. Ishin gjermane, të saponxjerra nga kutia. Të mrekullueshme. Dhe kabllo me trashësinë e gishtit që tërhiqeshin lehtë në dëborë. Ah, sa këshilla praktike më ka dhënë! Mos trego, më thoshte, kur lëviz pikën e xhirimit. Se ke shumë informatorë rreth teje… Gjithashtu më shpetuan dhe këpucët e diversantëve ( kështu i quanim ) që ishin me bateri. Ato… vetëm ato! Në dëborë këmbët e mia ishin valë të ngrohta.
Une: Edhe unë po të mos mbathja këpucë ushtarake, nga ato të zboreve, me kambale, s’do ta kisha të gjatë në Pukë…
Ai: Eliana më thuri me shtiza dy palë çorape leshi. Fusja kartona në gjoks. Pastaj kërkuam ushtarë se kishte ujq. Na sollën dhe një doktor.
Në këtë kohë ai dhe Eliana, e shoqja, nuk kishin shtëpi, e kalonin herë në një hotel, herë në një tjetër; Pensioni, Parku, Vjosa… Dy episode nuk do t’i harroj asnjëherë. Paraja nuk u dilte. Ishte e vështirë të qëndroje gjatë në një hotel. ( Në hotel lindi dhe fëmija e parë ) Ishin dy bohemianë të kinemasë, të ëndrrës, dy varfanjakë që kishin si monedhë të fortë, celuloidin, imazhin. E di ç’bëja Roland, më tregonte Kristaqi, i thoja dezhurnit te RGL-së ( Rojes së Gatishmërisë Luftarake të Kinostudios ) që merrte turnin e natës në gjashtë pasdite; shko fli në shtëpi, se na nxorrën nga hoteli, dua të vijë me Elianën të flejë këtu! S’gjetëm hotel tjetër. Po sikur të ketë vërtet alarm ajror? Po sikur të vijë kontrolli? përgjigjej ai. Ishte frikë e madhe të bëje nga këto prapësi, të thyeje rregullat ushtarake. Mund të pushoheshim të dy nga puna. Dëgjo, i thoja, bëje për mua, për Elianën, ajo është shtatzënë, ku të flemë, në stolat e parkut? Mirë, po në gjashtë të mëngjesit mbathjani, mos t’iu gjejë ai i turnit të parë. Ishte një dhomë e vogël me një shtrat, një tryezë, një telefon dhe një sahat me zile. Na dukej gjë e madhe, kishim gjetur shtëpi.
Dhe episodi tjetër, i paharruar. Për shkak të reformave, Kinostudioja u mbyll. S’mbeti njeri, të gjithë s’dinin ku të fusnin kokën. Pak personel mbeti, por askush s’vinte në punë. Vitet më të errët, ku njerëzit nuk punonin dhe kioskat pushtuan Tiranën. Po kishte shumë entuziazëm. Përditë mitingje, thirrje gjëmimtare; E duam Shqipërinë si Europën. E di Roland, as vetë nuk e besoj tani se si ndodhi, pushimet e verës i kaluam në Kinostudio. Ishim fillikat vetem, unë dhe Eliana. Pa para, të mbytur prej një nostalgjie të hidhur që e humbëm tempullin tonë. Eliana s’ma prishte, e dinte dalldinë time për atë Eldorado ku kisha gjetur arin kinematografik. Arin me të cilin s’blije dot shtëpi, po ëndrra të mëdha. Ajo ishte inxhiniere, po asnjëherë s’ma prishi. E donte artin, më donte mua, e donte dhe ajo atë vend të shenjtë qe më kishte bërë të njohur. Pesëmbëdhjetë ditë në Kinostudion e zbrazët, roje të saj, ku vinin veç zogj, spektator nostalgjikë, se netëve shikonim filma në studion e vogël te kinofikimit, filma me pullë të kuqe, filma të ndaluar. Mbaj mend se aty kam parë “Tetë e gjysmë” dhe “Amarkord” të Felinit, “ Nata” të Antonionit, “Martesë italiane” të De Sikës, “Muzgu i perendive,” të Viskontit, filma të Vajdës, të Kurosavës, të Bondarçukut, Skollomovskit… Hanim pak, se s’kishim, po ngopeshim me filma. Dhe kur ikem ndezem dy qirinj te shkallët e Kinostudios dhe u lutëm për filmin, si për një shpirt. Dhe tani, Roland, unë jam i harruar. Dy herë më kanë refuzuar të bëj film këta pinjojtë e rinj. Mosmirënjohja është gjëja më e keqe në botë, shkruhet në Bibël. Të gjithë kolegët e mi u bënë “Mjeshtër të Mëdhenj,” për mua s’u kujtua njeri. Nuk na duan, iu duket se ylli ynë ka perënduar me kohë. Prandaj jam kaq i mërzitur. Mjeku vienez, kur me bëri operacionin e parë, më tha; e ke nga stresi, nga puna e lodhshme. Po, ai e gjeti, kam qenë maniak, pasi i rishkruaja episodet gjer në hollësine më të marrëzishme, bëja skica për secilin personazh, mjedis… Në fakultet jam shquar si karikaturist, më jepej për pikturë. I kam në shtëpi të gjitha skicat e filmave të mi. Dhe në sheshin e xhirimit e ndieja si harxhohesha trup e shpirt. I ndryshoja gjërat, gjithmonë vija syrin në lupën e kameras për të gjetur pozicionin e duhur. Dhe kufiri i natës dhe ditës u zhduk. Ja, ku mbërrita, te stacioni i shëndetit, të lënë pas dore prej punës. Tani s’mund të udhëtoj më, ndonese autobuzi më pret, por do t’ia dal, filmin do ta bëj! Edhe kur u krye operacioni i dytë ai përsëriste; jam ketër. Si ai eci… Por kjo nuk zgjaste shumë, ai sërish mezi ecte. Viena e magjepste. Sa herë kthehej ai serish thoshte; tani kam ecjen e një kaprolli. Do të merrem me filmin.
Ëndrra e tij. Dhe aty, në atë zonë shpëtuese, e fusja gjithmonë, sepse artisti është shpirt, e harron trupin. Aty donte të mbetej, te ai oaz, ç’mbetej përtej ishte shkretëtirë. E ndiente gjer në kockë perjashtimin, harresën. Roland, Shqipëria më dha lumturinë, tani po më vret! Pse s’duan që unë të bëj film? Unë s’jam ndonjë mediokër, jam profesionist. Sa fillestarë marrin para dhe bëjnë filma të dështuar?
Ç’është ky instinkt i turmës që pa ditur kurrgjë di gjithçka e qe po kthehet në model? Jemi pjesë e një lirie pa cak që është kthyer në të kundërtën e vet. Këtë e thotë dhe Kamy. Qenka sëmundje botërore, por që tek ne bën spikamë të madhe, alarmante. Më duket sikur jetoj në mes të një talljeje dhe të një neverie që më zhbën si identitet, si artist. Apo e kam gabim? Ç’ti thoja? A mund të shikohej ajo fytyre aq e pikëlluar, pa i ulur sytë? Dhe ato çaste unë, i përfshirë nga një tërbim i sinqertë ( me falni per jomodestine ) mendoja se, po të isha drejtor i Qendrës do ta lusja të bënte film dhe sot ai ndoshta do të ishte gjallë. Jo i vdekur para dyerve të mbyllura prej zilisë, poshtërsisë, injorancës. Dhe kush isha unë? Një artist ende gjallë para dyerve të mbyllura. Kudo dyer të mbyllura.
Autobuzi e priste, po ai s’hipte dot, nuk kalonin as dy tri ditë dhe ai i kthehej sërish gjendjes së mëparshme. Mezi ecte. Dhe më në fund, kur ngrihej nga kafeneja, e priste ajo karrigja te Conadi, ajo mirënjohje e vajzave që ia kishin parë filmat dhe e nderonin. Viena nuk po bënte dot gjë, s’po e shëronte, po ai e adhuronte atë gjer në mahnitje. Dëgjoj si bien kambanat, më thoshte, dhe pastaj bie menjëherë muzgu. Ata tinguj kanë aromë. Më kujtohet nëna që bënte kryqin. Vërtet Roland, siç thua dhe ti për Nju Jorkun, aty edhe ajri ka muzikë, ka film.
Viena, operacioni i tretë, ndërhyrja vendimtare. Të pres, i shkruaja, edhe unë mendoj se filmi do të bëhet, por tani le të merremi ca me shëndetin, ç’ti bësh, i dashur mik, jemi prej mishi, jo prej hekuri. Në verë kur te vij atje do te merremi me filmin. Kjo më kishte mbetur, t’i përkedhelja ëndrrën. Vetem keshtu e vija plotësisht në gjendjen e një ekstaze të shpikur, të shndërrimit të ëndrrës në filmin e ardhshëm. Dhe më vinte prej larg kënga e fundit e mjellmës. Por, a do të kishte këngë të fundit? Ai më përgjigjej; po, sa të kthehem bashkë me Elianën do të shkojmë te Kepi i Rodonit ( atje, e bija kishte ndërtuar një resort të mrekullueshem ), është shumë qetësi dhe gatuhet mirë.
Nga data 7 gjer në 24 mars asnjë përgjigje. I shkruaja, po s’më përgjigjej njeri. Diçka parandjeva, por nuk doja ta mbaja mendjen aty. Eliana më ktheu pergjigje; “Përshëndetje, Roland! Ishte fat që nuk u kthyem në Tiranë se një natë përpara Kristaqit i filluan ca dhembje të forta, të padurueshme në të gjithë trupin. Mjeku na tha se ka të bëjë me nervat e trupit. E shtruam me urgjencë në spital. Dhembjet e forta vazhduan nga data 7 deri para dy ditësh. E qetësonin vetëm me morfinë. Nga dhembjet është më mirë, por pësoi hemoragji cerebrale. Po e mbajnë në regjim monitorimi, çdo gjashtë orë i bëjnë tomografi të kokës. Deri tani është jashtë rrezikut.
Por unë këmbëngulja të dija më tepër, vazhduan pyetjet e mia të nesërmen, të pasnesërmen, gjersa më erdhi përgjigjeja tjetër nga Eliana; Kristaqi këto dy ditë është njëlloj. Nesër besoj do t’i bëjnë rezonancën e kokës per të par gjendjen e hemoragjisë. Qëndrimi shtrirë po i shkakton probleme të tjera.Të shpresojmë shërimin e shkaqeve kryesore e pastaj me radhë.
Me vone erdhi lajmi i vdekjes. Kishte ndodhur një hemoragji e dytë të cilën ai nuk e kishte përballuar dot. Në fillim nuk e besova siç ndodh në këto raste kur humb përfundimisht një mik. Dhe ato çaste gati sa nuk thashë me zë; jo, një kirurg i zakonshëm, jo, qoftë dhe primari, duhej nje kirurg artist që të dinte të operonte ëndrrën. Ajo ishte goditur për vdekje!
Ai nuk i dëgjoi kambanat e Vienes kur ranë dhe gjithmonë i kujtonte nënën teksa bënte kryqin dhe lutej, as muzgun nuk e pa, muzgun vienez aq blu dhe të shndritshëm. As Elianën e tij, as vajzat, as… Patjetër në orët e pakta të kthimit të vetëdijes, në atë grimë filmi të ëndrrës, ai e pa filmin e tij të fundit që ia refuzuan. Shqipëri, ti të vret!