Në Shqipëri janë rritur vitin e fundit paditë gjyqësore kundër pjesëmarrjes publike, që prekin gazetarët dhe shoqërinë civile, të njohura si padi strategjike SLAPP. Sipas të dhënave nga qendra SCIDEV, gjatë vitit 2023 u bënë 75 padi SLAPP ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile. Veprimtarët janë të shqetësuar për këtë shtim nga viti në vit të këtyre lloj padive, që synojnë të frikësojnë gazetarët investigativë si dhe shoqërinë civile.
Shifrat e vitit 2023 shënojnë rritje në krahasim me vitin 2022, duke e rënduar gjendjen përherë e më shumë, dhe duke u shndërruar në një kërcënim serioz për gazetarët, thotë për Zërin e Amerikës drejtuesja e SCIDEV, Blerjana Bino.
“Reagimet që marrim nga gazetarët, si dhe nga aktivistët e shoqërisë civile janë se ta ndjehen shumë të intimidiuar e të kërcënuar për shkak të këtyre padive. Qëllimi i këtyre padive nuk është që të vendosin drejtësi, por ato synojnë t’i bëjnë gazetarët që të heshtin, që të mos vazhdojnë me proceset e tyre hulumtuese ose investigative”, thotë zonja Bino.
Sipas të dhënave të mbledhura nga SCIDEV (Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim), nga viti 2022 në Shqipëri u hapën gjithsej 30 çështje gjyqësore kundër gazetarëve apo punonjësve të medias referuar neneve për fyerje dhe shpifje të Kodit Penal, u bënë 12 padi civile, nga të cilat 11 për publikime mashtruese ose të pasakta, si dhe një padi mbi ërgjegjësi për dëm jopasuror.
Ndërsa nga viti 2023, Gjykata e Lartë shqyrtoi dy padi, një penale dhe një civile. Gjykata e Apelit shqyrtoi 28 padi, nga të cilat 21 civile dhe 7 penale.
Sipas të dhënave, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë shqyrtoi 38 padi civile që përfshinin gazetarë dhe punonjës të medias, ndërsa në gjykatat në Elbasan, Gjirokastër, Durrës dhe Lezhë u regjistruan pesë padi civile.
Ekspertët vërejnë se gjatë vitit të kaluar u ngritën edhe disa padi nga individë apo grupe të fuqishme kundër gazetarëve me pretendim për shpifje, por me qëllim pengimin e hetimeve dhe kronikave të gazetarëve për praktika korruptive ose të paligjshme.
Një prej gazetarëve të vendosur nën paditë SLAPP është edhe drejtuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, një organizatë e sapokrijuar.
Ai thotë për Zërin e Amerikës se gjendja është shqetësuese dhe gazetarët duhet të denoncojnë sa më parë në organizatat ndërkombëtare paditë SLAPP që ngrihen kundër tyre, si përpjekje për t’u mbyllur gojën dhe për t’i frenuar në punën e tyre.
“Gazetarët, organizatat, aktivistët e shoqërisë civile janë duke u përballur me dhjetëra padi SLAPP në gjykatat shqiptare. Nevojitet një ndërgjegjësim më i madh edhe vet gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, që ato vet t’i kategorizojnë paditë kundër tyre si padi SLAPP, t’i denoncojnë sa më parë brenda dhe jashtë vendit, dhe të mos përballen të vetmuar nëpër gjykata”, thotë zoti Myzyraj.
Sipas Raportit të vitit 2023 të Safe Journalists Network, “liria e medias dhe siguria e gazetarëve në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha që meritojnë vëmendje të posaçme, angazhim të të gjithë aktorëve dhe ndërhyrje strategjike”.
Ekspertët vlerësojnë se mjedisi për gazetarinë e pavarur dhe profesionale në Shqipëri është aktualisht nën trysni të konsiderueshme për shkak të një kombinimi problemesh strukturore.
Mes tyre veçohet se ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe mediatike, së bashku me përqendrimin e pronësisë së medias dhe transparencën e kufizuar, kanë krijuar një atmosferë ku gazetaria e pavarur dhe me cilësi të lartë është gjithnjë e më e vështirë për t’u ruajtur.
Këshilltarja Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, thotë për Zërin e Amerikës se situata me paditë SLAPP është kritike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Masat kundër padive SLAPP sipas rekomandimeve të BE-së dhe Këshillit të Evropës varet nga vullneti politik i forcave në pushtet.
“Paditë SLAPP janë një kërcënim për gazetarët, për shkak se pa të drejtë e pa bazë i mbajnë ata nëpër gjykata, duke iu zvarritur seancat gjyqësore, duke iu krijuar kosto financiare. Kemi disa raste të tilla në Shqipëri dhe në Kosovë. Këto padi i mbajnë gazetarët larg punës së tyre. Për më tepër, efekti më i dëmshëm i këtyre lloj padive është mbi gazetarinë hulumtuese, të cilën siç po e shohim, nuk e kemi aq të zhvilluar sa ç’duhet ta kishim në Shqipëri dhe në Kosovë, ndaj kjo dukuri duhet luftuar me mjete ligjore”, thotë zonja Kusari.
Në një tryezë të rrumbullakët që organizoi sot me gazetarë, veprimtarë e politikanë Qendra SCIDEV mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe Paditë SLAPP dhe mbi përshtatjen e ligjeve të Shqipërisë me standartet Anti-SLAPP të BE-së dhe të Këshillit të Evropës.
Ekspertët theksuan se Shqipëria ende ka ende boshllëqe të mëdha ligjore që kërkojnë ndërhyrje dhe reforma urgjente për t’u mbrojtur nga paditë SLAPP.
Midis këtyre masave ata renditën nevojën për ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, dekriminializimin e plotë të shpifjes dhe përmirësimin e masave mbrojtëse për gazetarët, të cilët punojnë në kushte të këqija dhe nën kërcënime të vazhdueshme të sigurisë së tyre.