VOAL

VOAL

Shqipëri, shqetësim mbi gjuhën e urrejtjes në politikë, media dhe rrjetet sociale

November 12, 2022

Komentet

Humanisti Sami- Nga MENTOR PETRELA 

Inspirues për kohët moderne të Shqiptarisë do të mbetet Sami Frashëri, humanist enciklopedist, klonimet e të cilit duhen kërkuar me qiri në histori si ermitet. Për koincidence nominative pasues i denjë i tij qëndroi humanisti eseist Sami Repishti, që u nda nga jeta në vigjilje të Ditës së Pavarësisë. Antifashist, antikomunist antitotalitarist i shërbeu çështjes shqiptare deri në frymën e fundit me patriotizëm. Vuajti burgjet e torturat e komunizmit, por i inspiruar nga religjioni monoteik dhe Hana Arendt ai dinte të falte mbasi i konsideronte persekutorët e torturuesit e tij si Aishmanin tek Banaliteti i Djallit.Paqësor si çdo humanist, injorancën që mbjell kotësinë, mburrjen dhe agresionin sipas Butler e kishte përjetuar në përiudhën fashisto-komuniste, duke e përbuzur, megjithëse vuajti për pasojë torturën fizike e mendore. Ndër bisedat dhe shkrimet e tij ndjehet butësia e tmerrshme kur u drejtohej kundërshtarëve ose toleranca pa kufi, mbasi për të nuk ekzistonte koncepti që të konsideronte armik një shqiptar. Solidariteti i të burgosurve të ndërgjegjes me klerin katolik të martirizuar me të cilin e lidhte formimi, dialekti dhe Abrahami e bënë të qëndrojë i papërkulur ndaj çdo presioni. Ismail Kadare e çmonte humanizmin e tij dhe shprehte keqardhje që për arsye historike nuk kishte mundur ta njihte së afërmi.

Me urtësinë patriotike që e karakterizonte u bë zë i fuqishëm i Kosovës në SHBA, ku argumentimet e tij influencuan bindshëm administratën amerikane deri sa u arrit pavarësia e saj. Mendjen e tij në diktaturë e transkriptonim çdo natë te “Zëri i Amerikës” nëpërmjet mesazheve mesianike me variabël nga Arshi Pipa, Nikolla Pano tek Rexhep Qosja. Analizat e tij pas rënies së perdes së hekurt në zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, rajon e më gjerë mbi të gjitha fenomenet shoqërore e politike do të jenë dokumente për studiuesit, për t’i shërbyer asaj që në të ardhmen të mos përsëriten gabimet që shqiptarët më tepër se të huajt i kanë bërë vetes dhe trojeve të tyre. Njëherë, i mërzitur nga komente poshtëruese ndaj tij të disa mbeturinave staliniste në Shqipëri, njëlloj sikur hakerat rusë që paguan Putini, dr. Daren djali i tij, e këshilloi duke iu lutur në moshën 97 vjeç që të ndalonte shkrimet e analizat e tij brilante.

“Nuk mundem” ishte përgjigja e tij. Çfarë i shtyn të klonuarit si Samiu drejt ukronisë, utopisë apo magjepsjes pas Shqipërisë, Kosovës. Shpjegimin e gjejmë te formula Makiaveliste shtetformuese (jo Makiavelik që ka kuptim negativ), që është shkruar tek “Discorssi te Tite Livit”. Samiu shpresonte që mund të realizohej në Shqipërinë etnike të idealizuar shteti i harmonisë midis Princit, Parisë dhe Popullit, që konkludonte Tite Livi. Në meditimet e tij përpiqej të analizonte ngecjen në një nyje Gordiane të shoqërisë shqiptare.

Mendimi humanist i të klonuarve si Samiu, i liberal-demokratëve, gjatë dhe ndërmjet dy luftërave botërore së bashku me nacional-demokratët të persekutuar në komunizëm, ata u përpoqën të zgjidhin ose ta presin nyjën.

A është ky shembull që tregon se në dejet e humanistëve shqiptarë ndër shekuj pas Skënderbeut vazhdonte të rridhte ADN e Aleksandrit të Madh, që me shpate e zgjidhi nyjën?

Samiu humanist, iluminist nuk mund të ishte entuziast si Steven Pinker, mbasi edukimi i tij perëndimor ishte i ndërtuar mbi një atavizëm që iu ngjit në rini me vuajtjet nën totalitarizëm dhe me persekutimin e familjes në vazhdim. Shqipëria e Kosova e lirë nga regjimet shtypëse u bënë më në fund realitet, ndërtimi i shoqërive demokratike properëndimore në një tokë të begatë mbetën ëndrra e Sami Repishtit.

/Gazeta Panorama

Letra e Thaçit për FSK-në në veri, “ende e vlefshme”

Bekim Bislimi

Zotimi i Kosovës për të mos e dërguar Forcën e saj të Sigurisë në veri të vendit, pa pëlqimin paraprak të NATO-s, është i vlefshëm edhe sot, kur mandati i kësaj force ka ndryshuar, thotë për Radion Evropa e Lirë Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, deklaratat e njëanshme lëshohen nga shtetet dhe si të tilla konsiderohen obligative.

“Kosova duhet ta respektojë atë, për aq kohë sa nuk ndryshohet nga ndonjë kryeministër ose nga ndonjë përfaqësues tjetër i shtetit të Kosovës”, thotë Rrecaj.

Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.

Letra që Thaçi i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithëm të NATO-s.

Letra që Thaçi i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithëm të NATO-s.

Veriu i Kosovës është shpesh vatër tensionesh, pasi popullata shumicë serbe – e dirigjuar nga Beogradi – vështirë u bindet autoriteteve të Kosovës.

Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll.

Por, më shumë se një dekadë më vonë, ka zëra që thonë se ky zotim si i tillë nuk është më i vlefshëm, sepse statusi i FSK-së nuk është më i njëjti.

“Për NATO-n, FSK-ja nuk ka ndërruar, por ne e kemi ndërruar [misionin e saj përmes ndryshimeve ligjore]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Avni Arifi, dikur shef i kabinetit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas tij, FSK-ja nga viti 2018 e ka siguruar mandatin ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në kohën kur është bërë letër-këmbimi me NATO-n.

Pse flitet tash për FSK-në veri?

Pas incidentit të 29 nëntorit në Zubin Potok, ku një shpërthim i fuqishëm dëmtoi kanalin kritik të Ibër-Lepencit, KFOR-i tha se institucionet e Kosovës i kanë kërkuar autorizim për dërgimin e mundshëm të FSK-së në zonën e prekur, por se misioni e ka refuzuar.

“Komandanti i KFOR-it nuk e ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha ky mision në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kërkoi koment për këtë çështje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, por nuk mori.

Një ditë më herët, kryeministri Albin Kurti nuk konfirmoi se ka kërkuar një leje të tillë, por tha vetëm se “ushtria jonë – bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 – nuk mund të shkojë në veri”.

“Ndaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë”, tha Kurti në një konferencë për gazetarë.

Duke e konsideruar si të dëmshme për vendin, ai e dërgoi letrën e Thaçit në prokurori në vitin 2021, por në lidhje me të nuk u mor ndonjë vendim.

Po atë vit, gjatë një vizite që zhvilloi në Prishtinë, shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dakordimi për FSK-në në veri mbetet i vlefshëm.

“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg, duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar letrën në prokurori.

“FSK-ja ka tani mandat ushtarak”

Arifi, i cili ka shërbyer në kabinetin e Haradinajt nga viti 2017 deri më 2020, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes ligjit, ka siguruar mandatin e saj ushtarak, të cilin nuk e ka pasur në vitin 2013.

Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri.

Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë “mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Arifi thotë se, asokohe, vendet partnere të Kosovës i kanë kërkuar Haradinajt që ta rinovonte marrëveshjen për mosdërgimin e FSK-s në veri.

“Haradinaj u ka thënë ‘jo’… ‘konsiderojmë që [FSK-ja] duhet të ketë mandat të plotë dhe se Ministra e Mbrojtjes duhet të jetë operative në të gjithë Kosovën’. Haradinaj ka refuzuar, mirëpo ka thënë se koordinimi me NATO-n është esencial dhe nuk ndodh kurrë asgjë pa koordinim me NATO-n”, thotë Arifi.

Sipas tij, nëse kryeministri Kurti kërkon bazë ligjore për ta dërguar FSK-në veri, ai atë e ka – nisur nga pikëpamja e institucioneve të Kosovës.

Ndërsa nga pikëpamja e NATO-s, thotë ai, misioni i FSK-së nuk ka ndryshuar dhe mbetet ai i vitit 2008, kur ajo kishte mision “t’i ndihmonte autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera”.

“Letra ka karakter obligues”

Profesori Rrecaj nuk pajtohet. Ai thotë se letra e Thaçit ka karakter juridik obligues për Kosovën.

Sipas tij, ajo është një deklaratë e njëanshme, por rezultat i diskutimeve të përfaqësuesve institucionalë të Kosovës me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Për më tepër, shton Rrecaj, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende në fuqi dhe, bazuar në të, interpretimi final i situatës së sigurisë në Kosovë i takon KFOR-it.

“Sipas Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha shtetet janë të obliguara t’i respektojnë rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe vendimet e tij. Rrjedhimisht, kjo vlen edhe për Kosovën”, thotë Rrecaj.

KFOR-i u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pas përfundimit të luftës më 1999.

Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, e cila sot ka mbi 4.400 trupa.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Për dallim prej FSK-së, shkuarja e Policisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk është e kufizuar. REL

Ndahet nga jeta gazetari Zijadin Gashi

Zijadin Gashi, gazetar për shumë vite i Radios Evropa e Lirë, ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare.

Ai është përballur në muajt e fundit të jetës me tumor në tru.

Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.

Nga viti 2001 e deri më 2020 ka punuar për Radion Evropa e Lirë – si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë – për të vazhduar më pas kontributin në media tjera në Kosovë.

Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.

Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.

Radio Evropa e Lirë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij! REL

“Kurthe mjalti”- Një spiune ruse u dërgua për të joshur një gazetar të njohur në Britani, planifikuan ta torturonin. Si funksiononte rrjeti rus i spiunazhit

Një grup shtetasish bullgarë të akuzuar për spiunazh për Rusinë shënjestruan një gazetar investigativ me gazetën Bellingcat dhe u përpoqën ta joshin atë në një “kurth mjalti” përmes Facebook, thanë prokurorët në një gjykatë në Londër të hënën.

Në gjyqin në Londër, u zbuluan detaje të një operacioni kompleks nga rrjeti rus i spiunazhit që kishte në shënjestër gazetarin investigativ Christo Grozev, i njohur për ekspozimin e aktiviteteve të inteligjencës ruse.

Plani përfshinte përdorimin e të ashtuquajturit “kurthe mjalti” për të diskredituar apo shantazhuar Grozevin, u tha jurisë në Old Bailey.

Sipas provave, operacioni u organizua nga Jan Marsalek, një shtetas austriak i njohur me pseudonimin “Rupert Ticz” dhe Orlin Roussev, drejtuesi i një grupi spiun me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke përdorur komunikimin e koduar, dyshja përpunuan një plan në të cilin Grozev do të joshej nga Vanja Gaberova, një estetiste 30-vjeçare nga Londra.

Gaberova udhëtoi për në Valencia, Spanjë për të shoqëruar Grozev në një konferencë në Hotel Palace, ku mori pjesë edhe themeluesi i Bellingcat, Eliot Higgins.

“Ne kemi nevojë për vajza të forta dhe të pavarura, ajo është e sigurt në vetvete dhe një kurvë e vërtetë seksi për këtë punë”, tha Roussev.

Pse ishte një objektiv Kristo Grozev?
Grozev, një gazetar investigativ bullgar dhe anëtar i ekipit Bellingcat, ka qenë i rëndësishëm në ekspozimin e krimeve shtetërore ruse, duke përfshirë helmimin e Sergei Skripal në 2018 në Salisbury dhe rrëzimin e aeroplanit malajzian Flight MH17 në vitin 2014. Puna e tij në dokumentimin e lidhjes së agjencive të inteligjencës ruse me këtë dhe raste të tjera e bëri atë një objektiv kryesor të shërbimeve ruse të sigurisë.

Puna e tij për të ekspozuar rrjetin përgjegjës për helmimin e liderit të opozitës Alexei Navalny zemëroi më tej autoritetet ruse, si rezultat i së cilës Grozev u pa si një kërcënim për interesat e tyre. Operacioni kundër tij duhej të dobësonte reputacionin dhe punën e tij kërkimore.

Detaje të operacionit të spiunazhit
Gjatë konferencës, Gaberova e ndoqi Grozevin, duke bërë fotografitë e tij dhe duke monitoruar aktivitetet e tij. Ekipi i spiunazhit regjistroi gjithashtu ndërveprimet e tij me persona të tjerë me interes për Rusinë, si Eliot Higgins.

Mesazhet midis Marsalek dhe Roussev zbulojnë skenarë të tjerë të mundshëm, duke përfshirë rrëmbimin, djegien e pronës së tij dhe madje edhe vrasjen. “Do të doja ta rrëmbeja edhe më shumë”, dyshohet se ka shkruar Marsalek në një nga mesazhet.

Operacioni nuk u kufizua vetëm në Grozev. Spiunët ndoqën edhe objektiva të tjerë, duke përfshirë gazetarin rus Roman Dobrokhotov, themelues i portalit The Insider. Ivanova, një nga të akuzuarit, ishte përfshirë në spiunimin e Dobrokhotovit në fluturimin nga Budapesti për në Berlin, ku madje arriti të regjistrojë kodin PIN të tij në telefonin e tij celular.

Në bankën e të akuzuarve ishin shtetasit bullgarë Vanja Gaberova, Katrin Ivanova dhe Tihomir Ivanov Ivançev, ndërsa Orlin Roussev dhe Biser Zambazov tashmë e kanë pranuar fajin. Të pandehurit ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë që kryente aktivitete spiunazhi për Rusinë për gati tre vjet, duke synuar individë dhe vendndodhje me rëndësi strategjike.

Gjatë operacioneve, spiunët përdorën metoda të sofistikuara, duke përfshirë gjurmimin duke përdorur identitete të rreme dhe maskimin si shofer transporti ose personel mjekësor. bw

Kurti dhe Vuçiq më 3 dhjetor takohen me Kallasin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 3 dhjetor do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Takimet e ndara në Bruksel nuk do të zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.

Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 26 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.

Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.

Kurti dhe Vuçiq në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiq kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.

Autoritetet e Kosovës deri më tani kanë arrestuar disa persona të dyshuar për këtë rast dhe kanë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë operacioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. REL

The Telegraph: Harta që tregon se ‘lufta e fshehtë’ e Rusisë me Perëndimin tani ka filluar

Rrëzimi i avionit të mallrave të postës së shpejtë DHL në afërsi të aeroportit të Vilniusit të hënën, bombat që së fundmi frikësuan banorët e Londrës, nga sheshi Euston, aeroporti Gatwick e deri të ambasada amerikane, janë vetëm disa nga tentativat e Rusisë për të filluar luftën e fshehtë me Perëndimin, shkruan Telegraph.

 

Madje dronët që janë parë duke fluturuar mbi bazat ajrore amerikane në Britani të Madhe dhe shpërthimi i armëve në fabrikat e municionit në Wales në prill, vetëm sa kanë përshkallëzuar situatën.

Kabllot e telekomunikacionit që u këputën në Detin Baltik në fillim të këtij muaji, sulmet me zjarrvënie përfshirë ato të bizneseve ukrainase në Leyton në lindje të Londrës në mars të këtij viti, ndërhyrja në operatorët hekurudhor në Çeki, janë tregues i qartë, janë raste e tjera të regjistruara.

Dëmet në satelitë dhe pengimi, shkaktoi ndryshime në programet televizive në të gjithë Evropën. Dhjetëra incidente tjera të ngjashme ndodhën, ndërsa Perëndimi mbështet Ukrainën, nderkohe Rusia ka rritur veprimet e sabotazhit nëpër Evropë dhe më gjerë – duke ndjellë ndjenjën e pasigurisë në kontinent që nga Lufta e Ftohtë.

Shërbimet e sigurisë tashmë kanë dhënë alarmin. “Ne duhet të presim të shohim akte të vazhdueshme agresioni këtu në shtëpi”, tha drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum në një fjalim muajin e kaluar.

“GRU [shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë] në veçanti është në një mision për të krijuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane: ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë. Veprime të rrezikshme të kryera në rritje”, shtoi ai.

Është, tha ai, një “fushatë e bashkërenduar” që kërkon një “përgjigje të fortë dhe të qëndrueshme”.

Këtë javë, Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, tha se “masat hibride” ruse vetëm rrisin “rrezikun që NATO përfundimisht të konsiderojë thirrjen e klauzolës së saj të mbrojtjes reciproke [neni 5]”.

Dhe në një fjalim të përbashkët me homologun e tij francez të premten, Sir Richard Moore, shefi i MI6 – i njohur si “C” – foli për “boshtin moralisht të falimentuar të agresionit” të mbikëqyrur nga Vladimir Putin.

“Kohët e fundit kemi zbuluar një fushatë jashtëzakonisht të pamatur të sabotazhit rus në Evropë, edhe pse Putini dhe bashkëpunëtorët e tij i drejtohen goditjeve bërthamore, për të mbjellë frikë për pasojat e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për të sfiduar vendosmërinë perëndimore për ta bërë këtë”, tha ai.

Por, “siguria jonë – britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike – do të rrezikohet”, shtoi Sir Richard për perspektivën që Putini ta reduktojë Ukrainën në një shtet vasal.

“Kostoja e mbështetjes së Ukrainës është e njohur mirë, por kostoja e mosbërjes së kësaj do të ishte pafundësisht më e lartë”, shtoi ai. Panorama

1

 

Florjan Haçkaj ‘AMBASADOR I KOMBIT’ (TË RAMËS) APO OPOZITAR! Nga Milaim Nela

Nuk kisha ndërmend të nderuar miq të shkruaj këtë të djelë pasdite.
E hëna është shumë larg e është një datë e veçantë për mua e së cilës i kam kushtuar një shkrim që e kam shumë për zemër!
Këto 3 vjet kam qenë thuajse i vetëm në luftë kundër një njeriu dhe një organizate që ai udhëheq e përfaqëson e me argumente e sintezë logjike kam thënë që Florjan Haçkaj dhe Diaspora për Shqipërinë e Lirë është “Kal Troje” në shërbim të regjimit!

Nuk ka çeshtje që unë kam trajtuar më me shumë argumenta dhe logjikë se sa kjo çeshtje.

Kam thënë me argumenta se ky grupim është një çerdhe anti-berishistësh majtistë të thekur dhe kundër partisë demokratike duke luajtur shumë pisët si demek opozitarë!

Kam shkruar në mënyrë të vazhdueshme se këta janë vegla të regjimit.

Kam thënë që nuk mund të jesh opozitar apo kundër regjimit nëse ti ulesh dhe pozon me hallkat e pushtetit kriminal të rilindjes!

Nuk më besuat!

Kam thënë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për gjoja pranimin e votës së diasporës ka qenë një mashtrim dhe vetëm nje lojë për të na e shitur si opozitar Florjan Haçkajn dhe organizatën e tij!

Mbi të gjitha ka qenë një lojë e pisët për të na e shitur miratimin e votimit të diasporës me postë, ashtu siç u miratua si përgjigje ndaj kerkesave të diaspores që në fakt ishte lojë e njerëzve të Ramës si ky personi të infiltruar në organizata të diasporës!

Ju kam thënë që DPSHL është krijesë e Ministrisë se Diasporës (së asaj kohe)!

Nuk më besuat!!

Ju kam thënë që ai njeri ka gënjyer trashë kur në programin më të ndjekur televiziv shqiptar ai pretendoi se regjimi i kishte hequr pasaporten shqiptare!

Ju paraqita dekretin e presidentit Bamir Topi ku Haçkaj le shtetësinë me kërkesën e tij e ju sërish nuk më besuat!

Ju thashë që ai njeri ka votuar në zgjedhjet e vitit 2021 në shkelje flagrante të ligjeve të shtetit shqiptar sepse ai në atë kohë nuk kishte të drejtë vote sepse nuk ishte shtetas shqiptar!

Ju nuk me besuat!

Ju thashë që ky njeri është vegël e regjimit e ju sërish nuk me besuat!

Ju paraqita fotot me Erion Veliajn e ju sërish nuk më besuat!

Ju thashe që skenat e sajuara në Kuvendin e Shqipërise e tubimet e diasporës nga njerëzit e Haçkajt janë mashtrime të trasha e ju sërish jo vetem nuk më besuat por mu lëshuat se me këto veprime po dëmtoj kauzat e opozitës e se Haçkaj është kokrra e djalit e opozitar 24 karat!

Tani po ju paraqes dekoratën e lartë që Edi Rama i ka lëshuar Florjan Haçkajt si ‘Ambasador i Kombit’!

Vallë çfarë kishte bërë ky njeri në vitin 2019 që ti akordohej kjo dekoratë kaq e lartë?

Përgjigjen e kësaj pyetje besoj e kemi marrë në 3 vitet e fundit!

Haçkaj ka kohë që po kërkon “bashkëpunim” në partneritet me Partinë Demokratike sepse edhe vetë rilindja si organizate kriminale që është ashtu siç donte Lulin edhe Haçkajn e do në radhët tona opozitare sepse aty ju a bën atyre shërbimin më të madh!

Njerëzit e Haçkajt apo Haçkistët siç i quaj unë janë të infiltruar edhe në degët e PD-së në mërgatë e në ndonjë prej tyre diktojnë edhe axhendat e tyre!

Jo rastësisht ai është shumë shpesh edhe në median opozitare sepse në median e regjimit ai nuk ka asnjë kufizim!

Ju përshëndes e uroj që PD-së dhe mbështetësve të Haçkajt brenda saj të ju vijnë mendtë!

E kjo të ndodhë tani e jo atëherë kur nuk ju a hanë as qentë!

Post Scriptum:

Kjo është hera ime e fundit që unë shkruaj për këtë individ dhe organizatën e tij.

 

 

Sigurimi i së ardhmes: Kosova “të mos rreshtohet në anën e gabuar” të Trumpit

Poster me portretin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe ish të dërguarin amerikan për dialogun, Richard Grenell, ku shkruan “Bëje Kosovën sërish madhështore”. Prishtinë, nëntor 2024.

 

Valona Tela

“Dashuri e vështirë” – kështu e përshkruan marrëdhënien mes Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Ai thotë se nëse veprimet që Uashingtoni i konsideron “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara” bëhen normale e re në Kosovë, ajo do ta gjejë veten të cenuar dhe të izoluar.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e ka kaluar deri më tash këtë vit përmes një sërë mospajtimesh me aleatët perëndimorë.

Heqja e dinarit serb nga përdorimi, nisur nga shkurti, ka shkaktuar ndër kritikat më të ashpra kundër saj.

Në këtë valutë, komuniteti serb në Kosovë ka pranuar prej vitesh pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pensionet deri te shtesat për fëmijë.

Ndaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës të tërhiqet nga ky vendim, por më kot – ajo është thirrur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se mungesa e bashkërendimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në në këtë çështje, e ka vënë në pikëpyetje partneritetin mes tyre.

“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta në publik. Nëse ne nuk trajtohemi si partner, as ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien në shkurt.

Jehonë kësaj deklarate i ka bërë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, por edhe i dërguari i atëhershëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere.

Kurti është kundërpërgjigjur duke thënë se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, pavarësisht mospajtimeve për disa çështje.

“Bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë. Ne jemi partnerë, aleatë dhe miq. Kjo nuk do të thotë se pajtohemi absolutisht çdoherë, në çdo vend dhe për gjithçka”, ka thënë Kurti.

Po në shkurt, ambasadori Hovenier ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që – në përputhje me marrëveshjen me Serbinë – ta çojë draft-statutin e BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por zyrtarë të partisë së Kurtit janë përgjigjur duke thënë se BE-ja nuk ka kompetencë për të propozuar draft-statut të tillë.

Gjatë muajve në vazhdim pastaj – prapë në kundërshtim me këshillat e partnerëve perëndimorë – Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpronësimin e disa parcelave në komunat me shumicë serbe në veri, ka mbyllur disa komuna dhe institucione financiare serbe dhe ka bërë plane për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Të gjitha këto kanë shkaktuar vazhdimisht zemërim në Beograd, por edhe një tjetër reagim të ashpër nga Departamenti amerikan i Shtetit në muajin gusht.

“Kosova po i vë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar t’i krijojë. E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë zëdhënësi Matthew Miller.

Vetëm tri javë pas kësaj deklarate, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur edhe pesë institucione paralele serbe në veri, duke bërë që aleatët perëndimorë t’ia tërheqin sërish vërejtjen se “veprimet e tilla të pakoordinuara” po i lëkundin aleancat.

Për Kurtin dhe Qeverinë e tij, ato janë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe hapa drejt shtrirjes së autoritetit në çdo cep të territorit.

Kupchan, tani profesor në Universitetin Georgetown, pajtohet, por thotë se nuk janë veprime të mençura kur janë në pyetje aleancat, ose normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, nga i cili varet rrugëtimi euroatlantik i Kosovës.

Kupchan thotë se Kosova duhet t’i balancojë interesat e saj me pritjet e aleatëve.

“Mendoj se nuk është e vështirë për t’u bërë. Ajo duhet t’i shmangë hapat që shihen si provokues dhe të vijë në një situatë ku është e gatshme të ulet ballë për ballë me Serbinë – bashkë me BE-në atje dhe me SHBA-në atje. Ajo duhet të bëhet sërish një partnere, e cila përpiqet t’i çojë gjërat përpara”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Tefta Kelmendi, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin është dakorduar me Serbinë qysh në vitin 2013.

Por, për jetësimin e tij, Kelmendi thotë se duhet të bashkëpunojë edhe Serbia dhe të kontribuojë edhe vetë bashkësia ndërkombëtare.

“Partnerët ndërkombëtarë mund ta adresojnë këtë çështje, duke e balancuar qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe duke i ofruar një lloj sigurie asaj, sidomos sa i përket njohjes nga pesë vendet mosnjohëse”.

“Në këmbim të kësaj, pastaj, Kosova do të ofronte bashkëpunim më të madh, duke mos e bllokuar themelimin e Asociacionit”, thotë Kelmendi.

Ajo shton se rrethanat aktuale dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Qeverisë së Kosovës kanë çuar në reduktim të mbështetjes nga partnerët perëndimorë, çfarë ka ndikuar si në procesin e integrimit në BE ashtu, edhe në njohjen ndërkombëtare.

“Asnjë vend i ri në botë nuk e ka njohur Kosovën në katër vjetët e fundit. Nuk ka pasur as anëtarësim të ri në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Kosova është tashmë mjaft e izoluar nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Ajo vazhdon të mbetet edhe nën masat e BE-së që nuk e lejojnë të zhvillojë takime të nivelit të lartë me BE-në, si dhe të aplikojë për fonde shtesë të BE-së”, thotë Kelmendi për Exposenë.

Këto masa, BE-ja i ka marrë vitin e kaluar kundër Kosovës, për shkak të mosbindjes së saj për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në vazhdën e tyre, Kupchan kujton rëndësinë që kanë aleancat me Perëndimin për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës. Pa to, “Kosova nuk do të ishte Kosovë”, sipas tij.

“Ndaj, unë mendoj se gjëja e fundit që është në interes të Prishtinës, është t’i djegë urat e saj me ato vende që janë tejet të rëndësishme për mirëqenien e saj dhe për integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Unë shpresoj që Kurti dhe udhëheqësit e tjerë potencialë do ta kuptojnë këtë në fund të ditës dhe do t’i kthehen të qenët partnerë më bashkëpunues, ashtu siç kërkon BE-ja dhe SHBA-ja”, thotë Kupchan.

Kosova është më pak se tre muaj larg zgjedhjeve parlamentare. Në fillim të vitit të ardhshëm, në Shtëpinë e Bardhë pritet të kthehet edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Gjatë mandatit të parë presidencial, Trump ka qenë dëshmitar në nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike – megjithëse pak prej saj është zbatuar deri më tash në terren.

Kupchan thotë se Trump njihet për qasje transaksionale. Duke qenë edhe manjat i pasurive të paluajtshme, ai do të përpiqet të bëjë marrëveshje – qofshin ato në Ballkan, në Ukrainë apo në Lindje të Mesme, thotë ish-zyrtari amerikan. Ai do të bisedojë me ata individë që mendon se mund t’i zgjidhin problemet, sipas tij.

“Nëse unë do ta këshilloja Kurtin, do t’i thosha: ki kujdes! Nuk do që të rreshtohesh në anën e gabuar të Trumpit. Nuk do të jesh dikush që ia zë rrugën një përparimi të mundshëm dhe një marrëveshjeje që Trump do të donte ta prezantonte si të vetën”, thotë Kupchan.

Pa gjykuar për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, edhe Kelmendi thotë se administrata e re amerikane do të mund të kërkojë marrëveshje të shpejta mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat mund të mos jenë të favorshme për Kosovën.

“Dhe, ato mund të përfshijnë gjithçka – nga rikthimi i idesë për shkëmbimin e territoreve deri te largimi i Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe zëvendësimi i saj me trupat e KFOR-it. Kjo do të çonte, pastaj, në skenarin e një mini-Kosove brenda Kosovës”, sipas saj.

Në fjalimin vjetor para Kuvendit të Kosovës javën e kaluar, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka porositur se rrezikimi i partneritetit me aleatët e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.

“Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona”, ka thënë Osmani.

Osmani dhe Kurti e kanë uruar presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, për fitoren, duke e konsideruar SHBA-në si “mike dhe partnere” të rëndësishme të Kosovës.

Me fjalët e profesorit Kupchan, qasja ndaj aleatëve në përgjithësi duhet të nxitet nga të menduarit afatgjatë strategjik dhe jo nga përfitimet afatshkurta politike. Në këtë mënyrë, navigimi përmes peizazheve komplekse gjeopolitike mund të jetë më i ngadalshëm, por jo në drejtim të gabuar.

Ambasadorë të BE dhe SHBA, si do të reagonit sikur një fakt i tillë të ndodhte në vendin tuaj?- Nga ALBA KEPI

U.S. Embassy Tirana për ju fjala!
What’s up in Albania?

Edhe sot e si për vit e mbi një dekade rresht, Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve, gdhiu me këtë makabritet pamjesh e dhune kombëtare sic përcjell kjo foto.

Një ditë më parë u festua pavarësia kombëtare sot glorifikohet fatkeqësia kombëtare.

Tirana kryeqyteti i vendit aspirues për në BE, anëtar i Nato-s, gdhiu me imazhet si të viteve ’80.
Dear Ambasadorë të BE, të SHBA, përfaqësues të Osbe, ju që promovoni e mbroni shëndetin e sistemit demokratik në Shqipërinë tonë si do reagonit sikur një fakt i tillë të ndodhte në vendin tuaj?

Çdo të ndodhte në Itali sikur një qytetar të manifestonte me portretet e Musolinit?

Çdo të ndodhte në Gjermani sikur një qytetar të shëtiste në rrugët e Berlinit me fotografitë e Hitlerit?

Çdo të ndodhte në cdo kryeqytet vendi demokratik sikur varrezat e heronjve të kombit të mbusheshin me kryqin nazist o me benda e sopata e fashiste?

E padiskutueshme se e gjithë shoqëria civile, politika, rinia, elita e profesionistët me influencë në jetën e kombit do ishin bërë padia akuzuese ndaj shtetit që lejon një ngjarje të tillë e njëherësh palë mbrojtëse e mijëra viktimave që këto simbole e në emër të tyre u cuan në vdekje, persekutim, burgim.

Tirana gdhiu sot me këto fotografi, një dëshmi mizore e evokimit të diktaturës e harresës kombëtare ndaj dhimbjeve që kjo histori ka shkaktuar.

Derisa ylli komunist stampohet në kravata kryeministrore ndërsa jep “leksione” globalizmi e “strategji” europeiste, e shallat e kuq valëviten në kuti picash me poza diktatorësh, fotot e diktatorit kanë premisa e justifikime të varen dhe në mes të sheshit.

Shumë prej manifestuesve që i mbajnë në duar kanë statusin veteran e marrin pensionin e luftës dhe pse llogaritja matematikore thotë se ai më i riu që mund të ketë qënë në luftë ka sot moshën 95-97 vjecare.

Kjo është Shqipëria e 2024 ku si krimineli e hajduti nderohen me bekimin e qeverisë e me heshtjen hipokrite të elitës e shoqërisë civile.

U.S. Embassy Tirana për ju fjala!
What’s up in Albania?

29 nëntor 2024!
Poshtë diktatura komuniste!

Marie Lasgush Poradecit në lot: Babai e kishte jetën shumë të keqe, Shqipëria popull në vetëvrasje

Marie Gushos, vajza e poetit të njohur Lasgush Poradeci u shpreh mes lotësh në “Odeon” se ndjenë dhimbje të thelllë  për babain e saj. Gusho theksoi zhgënjimin për jetën e tij të vështirë në Shqipëri. Ajo u ndal te dashurinë e paepur e të atit për atdhenë, duke iu përgjigjur realitetit të një populli të shkatërruar dhe mosmirënjohës siç nënvijëzoi Maria. Në një reflektim të thellë, ajo flet për vuajtjet e tij dhe për dashurinë e tij të pashuar për familjen, ndërsa denoncon një shoqëri të përfshirë në llumin e mosmirënjohjes dhe injorancës.

“Më vjen për të qarë për babin. Më vjen shumë keq për babain tim, e kishte jetën shumë të keqe. Po si është ta duash këtë vend kaq shumë, ti japësh familjen, ti japësh fëmijët, ti japësh gruan, ti japësh të gjitha çfarë janë këta njerëz mosmirënjohës. Ata nuk duan shtëpitë e veta edhe fëmijët i kanë prej instikti nuk i kanë prej dashurie. Ai është me mua është te ëndrrat e mia është te ëndrrat e Kostandinës ai është te shtëpia jonë. Shiko prindit na duan edhe pas vdekjes, por njerëzit janë shumë mosmirënjohës. Lasgushi ishte shumë shpejt që erdhi këtu në Shqipëri, sepse ishte injorancë e madhe, doli nga Perandoria Osmane një popull i sfilitur, një popull i shkatërruar, analfabet që s’dinte, akoma analfabet. Ti do të shkosh në Europë apo do të rrish këtu te llumi, popull që e do llumin, do që të rrijë. Shiko, popull në vetëvrasje e sipër se nuk ka as njerëz për ta mësuar se si duhet të dali nga llumi”. sn

Makthi 2000-vjeçar i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat

Liberalët bëhen “dembelë” kur mendojnë mbi turmat. Ata kanë brohoritur për “fuqinë e popullit” kur ajo kërcënon regjimet që ata nuk i aprovojnë, si për shembull në Lindjen e Mesme, ndërsa nga ana tjetër bëjnë një sy qorr ndaj teprimeve nga protestuesit që ata mendojnë se janë në anën e djathtë të historisë.

Në gushtin e vitit 2020, një botues i çështjeve publike botoi librin“Në mbrojtje të plaçkitjes: Një histori e trazuar e veprimit jo civil” nga Viki Osterveil. Pushtimi i Kapitolit nga turma e mbështetësve të presidentit Donald Trump më 6 janar, ishte një kujtesë e rreziqeve që vijnë nga luajtja me zjarrin.

Është naive të supozohet se turmat do të kufizohen vetëm në anën “e bukur” të spektrit politik; nga natyra e tij lloji i turmave të krahut të majtë, gjeneron llojin e turmave në të djathtë. Dhe është dyfish naive të presësh që turmat do t’i vendosin kufij vetes; dalja jashtë kontrollit është në natyrën e tyre.

Filozofët politikë e kanë thënë këtë gjë vazhdimisht për më shumë se 2.000 vjet. Teoricienët politikë para-modernë, nuk u lodhën asnjëherë të paralajmëronin se sa herë që do të përfitojë nga rasti “përbindëshi me shumë kokë” do të shkelë rendin në fuqi.

Edhe mendimtarët liberalë shqetësoheshin se demokracia mund të krijonte “mobokraci” (sundim të turmave). Ata argumentuan se vullneti i njerëzve duhej të frenohej nga një kombinim i ligjeve të Kushtetutës (të drejtat individuale, bashkë me kontrollet dhe ekuilibrat) dhe i kulturës qytetare. Më i mençuri midis tyre shtoi se prishja e kufizimeve të tilla mund t`a shndërrojë demokracinë në sundimin e turmës.

Vepra e parë e madhe e filozofisë politike, “Republika” e Platonit, ishte, pjesërisht, një meditim mbi të këqijat që vijnë nga sundimi i turmës. Platoni e konsideronte demokracinë si më shumë sesa sundimi i turmës me një emër tjetër, ndoshta jo të dhunshme, të paktën në fillim, por me të njëjtën mungesë të kontrollit të impulsit.

Ai krahasoi qytetarët e demokracive me blerësit që shohin në treg një “pallto me shumë ngjyra”dhe e blejnë atë vetëm për të zbuluar se shqepet kur është veshur vetëm 2 herë. Ai vuri në dukje se demokracitë janë të vështira për t’u provuar kufijtë.

Gjithshtu, Platoni argumentoi se demokracitë degradojnë në mënyrë të pashmangshme në anarki, pasi të varfrit plaçkitnin të pasurit, dhe kaosi prodhon kolaps. Anarkia çon në sundimin e tiranëve:një lider autoritar, mund t’u drejtohet instikteve më të këqija të turmës, pasi ai vetëdrejtohet nga instiktet e tij më të këqija.

Ai është në një farë mënyre turma në formën e një personi të vetëm. Për Platonin, e vetmja alternativë e zbatueshme për sundimin e turmës, ishte sundimi i një kaste gardianësh: mbretër-filozofë, të stërvitur që në foshnjëri për të kontrolluar emocionet e tyre, dhe për t`a vendosur mençurinë përpara instiktit.

Aristoteli, nxënësi i madh i Platonit, bëri dallimin midis tre formave të ligjshme të qeverisjes:mbretërimit, aristokracisë dhe demokracisë. Ai argumentoi se secila prej tyre ka hijet e saj të errëta:tiraninë, oligarkinë, dhe sundimin e turmës.

Pastaj ai përshkroi mënyrat në të cilat këto forma të virtytshme të qeverisjes evoluojnë në të kundërtat e tyre:demokracia bëhet sundim i turmës, ku të pasurit rrëmbejnë pasurinë e shoqërisë. Duke qenë një mendimtar më praktik se Platoni, Aristoteli, argumentoi se kishte dy mënyra për të parandaluar degradimin e demokracisë në një mobokraci:përzierja e saj meelemente të mbretërisë dhe aristokracisë për të frenuar vullnetin e njerëzve; dhe krijimi i një klase të madhe të mesme, që ka interes stabilitetin e vendit.

Shekujt vijues sollën disa risi në të menduarit mbi turmën. Makiaveli spekuloi se princat e zgjuar mund të ishin në gjendje të përfitonin nga kaosi, nëse ata mund t`a përdornin turmën kundër një regjimi në shpërbërje e sipër. Ndërkohë, elitat kënaqeshin me demonizimin e saj.

Ata shpikën një mori emrash të frikshëm për popullin – “kafshë me shumë kokë”, “turmë e vrazhdë”, “vulgu i lëvizshëm”, ose një turmë e ndryshueshme, e cila dha shkas për termin anglisht mob “turmë”. Ata gjithashtu shpikën mënyra cinike për të devijuar energjitë e saj anarkike, veçanërisht “bukën dhe cirkun” në kohën e Perandorisë Romake.

Por qasja ndryshoi me revolucionet franceze dhe amerikane, të cilët bazoheshin në qasje të kundërta për sundimin e turmës. Në fillim shumë njerëz e lavdëruan “fuqinë e popullit” gjatë revolucionit francez. Por,po shumë prej tyre ndryshuan mendje, kur zbuluan se larg nga çlirimit të mirësisë natyrore të njeriut, revolucioni kishte liruar demonët e tij të brendshëm.

Pra,Revolucioni Francez prodhoi një kritikë të fuqishme konservatore ndaj sundimit të turmës. Në librin e tij “Reflektime mbi Revolucionin në Francë”, Edmund Burke, thotë se turma ka një psikologji kolektive që e bën të rrezikshme në një mënyrë unike.

Ai parashikoi shumë saktë se revolucioni do të përfundonte me masakrimin e mijëra njerëzve (përfshirë mbretin, mbretëreshën dhe priftërinjtë), dhe ngjitjen në pushtet të një diktatori që mund të rivendoste rendin dhe ligjin.

Revolucioni Amerikan pati sukses atje ku dështoi Revolucioni Francez dhe pasardhësit e tij, pasi u bazua në frikën ndaj “kaosit dhe neverisë dhe padurimit të turmës”. Etërit Themelues të SHBA-së, argumentuan se demokracia mund të shmangte shndërrimin në mobokraci vetëm nëse ajo ishte e mbrojtur nga një seri kufizimesh që kontrollojnë fuqinë e njerëzve.

Ajo u nda midis degëve të qeverisë, në një mënyrë të tillë që askush të mos përdorte më shumë sesa duhej. Qytetarëve iu dhanë të drejta të gjëra kushtetuese. Senatorëve mandate 6-vjeçare për të mos qenë të ndërvarur nga zgjedhjet presidenciale. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u emëruan për gjithë jetën, për t’u siguruar që ata të mos shkarkohen nga njerëzit e degëve të tjera të pushtetit.

Lufta e Dytë Botërore dhe disfata e nazizmit,sollën një epokë të vetëbesimit demokratik, ndërsa rënia e Murit të Berlinit në një eufori demokratike. Por disa pesimistë vazhduan të paralajmëronin se demokracitë mund të degjeneronin në sundimin e turmës, nëse ata neglizhonin shëndetin e institucioneve të tyre politike dhe kulturën qytetare.

Dhe vitet e fundit, pesimistët janë shtuar. Përvoja e vendeve të tilla si Egjipti gjatë Pranverës Arabe, konfirmoi paralajmërimet se pa institucione të forta, demokracia do t’i nënshtrohej sundimit të turmës. Zgjedhja e Donald Trump, një yll i Reality TV, ngriti pyetje të mëdha rreth shëndetit të regjimit politik të Amerikës.

Por epoka e naivitetit demokratik vdiq më 6 janar. Tani ka ardhur koha për një epokë të sofistikimit demokratik. Demokracitë mund të jenë mbrojtja më e mirë kundër sundimit të turmës, por ato mund të jenë të suksesshme vetëm nëse vendet bëjnë përpjekjet e nevojshme për të ushqyer institucionet demokratike:duke u mbrojtur nga pabarazia e tepruar, duke siguruar që votuesit të kenë qasje në informacione objektive, në reduktimin e fluksit të parave në politikë, si dhe në forcimin e kontrolleve dhe ekuilibrave.

Përndryshe, sundimi i popullit do të bëhet vërtet sundimi i turmës, dhe rendi i qëndrueshëm demokratik që lulëzoi nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, do të duket vetëm si një kuriozitet i shkurtër historik. /Bota.al/

Roth: Nëse Serbia qëndron vërtet pas saj, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, Michael Roth, lidhur me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi të premten mbrëma në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke dëmtuar rëndë kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, shkruan se këto janë metoda terroriste ruse kundër një vendi sovran në zemër të Evropës.

‘Nëse Serbia qëndron vërtet pas saj, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë’- shkruan ai.

Mesazhi:

Këto janë metoda terroriste ruse kundër një vendi sovran në zemër të Evropës. Këto sulme duhet të hetohen pa mëshirë.

Nëse Serbia qëndron vërtet pas saj, që shpresoj se nuk është, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë.

SN


Send this to a friend