Me disa aktivitete në mbarë vendin në Shqipëri shënohet sot Dita Kombëtare e Rinisë, e cila festohet në përkujtim të lëvizjes studentore që solli rënien e diktaturës komuniste në vend, raporton Anadolu Agency(AA).
Me rastin e kësaj dite, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe përfaqësues të organizatave rinore zhvilluan homazhe pranë bustit të ish-liderit të lëvizjes studentore të vitit 1990, Azem Hajdari, në Qytetin Studenti në Tiranë.
Gjithashtu u organizua online edhe konferenca shkencore me temë “Shqipëria në rrugën e integrimit europian-30 vjet drejt demokratizimit”, nën kujdesin e Institutit të Studimeve Evropiane pranë Universitetit të Tiranës.
Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, përfaqësuesve nga disa institucione të Shqipërisë, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe studiuesve nga Shqipëria dhe jashtë vendit.
“Punësimi i të rinjve vazhdon të jetë një sfidë. Punësimi i studentëve ekslelentë në administratën publike apo programi kombëtar i praktikave të punës janë iniciativa që kanë dhënë një impakt pozitiv dhe janë mirëpritur nga të rinjtë, por natyrisht duhet të shoqërohen edhe me politika të tjera”, u shpreh gjatë fjalës në konferencë ministrja Kushi.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në bashkëpunim me organizatat e të rinjve ishte i pranishëm në fushatën e mbjellje së pemëve në Njësinë Administrative Farkë.
Veliaj gjatë aksionit të mbjelljes së pemëve tha se “Jam sot shumë krenar për të gjithë organizatat rinore që na u bashkuan në këtë fillim dite. E filluam mbarë duke mbjellë disa pemë, në atë që ne do ta quajmë kopshti i rinisë.”
Mesazhe nga Meta dhe Rama
Me rastin e 8 Dhjetorit, zyrtarët e lartë të vendit, presidenti i Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe protagonistë të lëvizjes studentore kanë publikuar mesazhet e tyre në rrjetet sociale.
Presidenti Meta, në mesazhin e tij shkruan se “Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre.”
Ndërkohë, në mesazhin e tij Rama shkruan se “Bëhen plot 30 vjet sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit”.
Që nga viti 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, 8 Dhjetori përkujtohet si festë kombëtare në nder të studentëve të lëvizje së dhjetorit 1990, që me demonstrata u bë iniciatore e rënies së komunizmit dhe lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.
Komentet