Shqipëri-Serbi është ndeshja më e kërkuar e dekadës në vendin tonë. Kërkesa për të blerë bileta për takimin e 8 tetorit që do të luhet në “Elbasan Arena” po vijnë çdo ditë në FSHF, madje edhe nga shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshe të Europës.
Burime të besueshme në institucionin e futbollit shqiptar, treguan për “Panorama Sport” se praktikisht 70% e stadiumit mund të quhet e prenotuar që tani, kur jemi më pak se një muaj nga zhvillimi i ndeshjes.
Në fakt, në federatë hezitojnë të japin sqarime për detajet rreth biletave, por gjasat janë që javën e ardhshme të ketë një njoftim zyrtar për mediat. Përtej interesimit të jashtëzakonshëm, që nuk
është hasur kurrë më parë, fatkeqësisht vetëm 12.700 tifozë do të kenë mundësi ta ndjekin takimin nga shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”.
Burime në FSHF tregojnë për gazetën se që pas hedhjes së shortit për kualifikueset e Europianit dy vite më parë, kanë mbërritur kërkesa për të prenotuar bileta për ndeshjen e 8 tetorit. “Është një interesim i jashtëzakonshëm. Nëse për ndeshjet e kaluara ka pasur deri në 30 mijë veta që donin të pajiseshin me biletë, për Serbinë numri i tyre mund të shkojë në 50 mijë. Institucione të ndryshme të shtetit,
kompani vendëse e të huaja, agjenci menaxhimi e emigrantë shqiptarë kanë kërkuar të rezervojnë prej kohësh biletat për Serbinë”, tregojnë burime në FSHF.
Në këtë të fundit, duket se janë në një siklet të madh për selektimin e të interesuarve që duan të rezervojnë. Pritet që listat e rezervimeve të rishikohen në ditët në vijim, ndërsa për vetë rëndësinë që ka përballja, organizimi duhet të jetë model. Jo vetëm FSHF dhe Policia e Shtetit, por edhe institucione të tjera të qeverisë do të vihen në funksion të ndeshjes që pritet me padurim nga tifozët shqiptarë.
Masat – Në ndeshjen ndaj Portugalisë për herë të parë u aplikuan biletat e personalizuara. Edhe këtë herë do të ndodhë e njëjta gjë, por masat pritet të jenë më të rrepta. “Policia është e qartë për listën e personave që ndoqën takimin e fundit. Ndaj Serbisë kërkohet një angazhim më i madh, në një kohë që kontrollet do të jenë më të rrepta.
Policia do të marrë masa që tifozët të kontrollohen para hyrjes në stadium edhe për armë apo sende të tjera të rrezikshme”, sqarojnë të njëjtat burime për gazetën sa u përket masave që mendohet të merren.
Çmimet – Nga FSHF mësohet se ajo pjesë e biletave që pritet të hidhet në treg, do të ketë të njëjtat çmime si në ndeshjen ndaj Portugalisë. Pra, nga 10 mijë lekë të vjetër pas porte deri në 100 mijë lekë të vjetër në tribunat qendrore. Shumica e kapacitetit të stadiumit ka një çmim që varion nga 10 mijë lekë të vjetër, deri në 30 mijë lekë.
Komentet