TIRANË – Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka mbizotëruar mot me vranësira dhe reshje, ku në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit ka patur reshje bore. Si pasojë e motit të keq, në disa akse rrugore ka patur probleme për qarkullimin e automjeteve në Dibër, Elbasan, Shkodër, etj, ndërsa shumë fshatra kanë mbetur të bllokuar dhe pa energji elektrike.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, në Qarkun Kukës moti në të gjithë qarkun, ka qenë me reshje shiu dhe dëbore, të shoqëruara me erëra të fuqishme, ndërsa temperaturat e regjistruara janë -4 deri në 5 gradë celsius.
Ndërkohë dëbora ka zbardhur edhe Malin e Dajtit në Qarkun e Tiranës, ku është shfrytëzuar nga shumë qytetarë dhe pushues për të kaluar fundjavën.
Në disa segmente të Rrugës se Kombit trashësia e dëborës është 45 cm, por sipas autoriteteve mbi rrugë nuk ka dëbore sepse 8 borëpastrueset janë vazhdimisht në punë.
Gjithashtu reshje dëbore ka patur edhe në qarkun e Dibrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës dhe Beratit, ndërsa meteorologët parashikojnë një mot të acartë edhe në ditët në vijim.
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se përfaqësuesit e emergjencave civile të bashkive po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për evakuimin e familjeve, në qoftë se do të rrezikohen nga përmbytjet.
Komentet