Reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të tokës në disa akse rrugore, duke sjellë vështirësi në qarkullim e automjeteve, sidomos në aksin rrugor Tiranë – Elbasan
TIRANË – Pas reshjeve të shiut me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, Ministria e Brendshme e Shqipërisë informon se ka një përmirësim të situatës. Por për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq ka pasur evakuime të popullsisë.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të tokës në disa akse rrugore, duke sjellë vështirësi në qarkullim e automjeteve, sidomos në aksin rrugor Tiranë – Elbasan.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, në zonën e Mallakastrës në qarkun e Fierit ka reshje të dendura shiu, ndërsa lumi Seman ka filluar të dalë nga shtrati, por pa sjell sjellë dëmtime.
Ndërsa si pasojë e rritjes së nivelit të prurjeve në lumin Shkumbin ka përmbytje në disa fshatra në Bashkinë e Divjakës. Shtabi i Emergjencave në bashkëpunim me forcat e Policisë së Lushnjës kanë evakuuar rreth 30 familje dhe kanë lajmëruar banorët të largohen nga banesat më të rrezikuara.
Në Bashkinë Rrogozhinë ka përmbytje si pasojë e daljes së lumit Shkumbin nga shtrati dhe aktualisht janë marrë masat për evakuimin e banorëve, në zonat më të prekura. Në Bashkinë Shijak janë evakuuar rreth 50 familje, ndërsa në njësinë administrative Sukth janë evakuuar rreth 30 familje dhe vazhdon evakuimi i familjeve të tjera.
Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar rreth 180 forca, mbi 20 mjete të ndryshme dhe një helikopter për përballimin e situatës
Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me pushtetin lokal, po ndjekin situatën e krijuar si rezultat i reshjeve të rëna gjatë orëve të fundit në Shqipëri.
Komentet