Tradicionalisht vendi ynë ka pasur grupet e të fortëve, të cilët janë të njohur për vrasjet, kanosjet, gjobëvëniet apo rrëmbimet. Shpesh është thënë që mbretërimit të tyre do u vijë fundi, por akoma këta të fortë enden rrugëve.
Por si mund të bëhet goditja e tyre? Së fundmi, ishte kryeministri Rama ai që premtoi goditjen njëherë e përgjithmonë të të fortëve dhe se një strukturë e posaçme do të hidhet në aksion.
Por për çfarë bëhet fjalë?
Në 2012 u krijua rrjeti i ENFAST-it, qëllimi i të cilit është rritja e sigurisë brenda Bashkimit Europian duke përmirësuar ndjekjen dhe arrestimin e kriminalëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime.
RTSH raporton se kjo strukturë e re do të quhet FAST dhe do të ketë në përbërje 50 trupa të specializuar mes tyre ish-anëtarë te forcave speciale te ushtrisë, të stërvitur dhe pjesëmarrës në misione luftarake si në Irak apo Afganistan.
FAST-i shqiptar do të jetë i ngjashëm me ato të 24 vende të tjera të Evropës dhe do të funksionojë 24 orë, me qëllim kapjen e personave të cilët janë të përfshirë apo në kërkim për ngjarje të rënda kriminale.
Një detyrë të ngjashme aktualisht e bën RENEA dhe nuk dihet si do të ndahen rolet në policinë e shtetit. Ministri aktual Sandër Lleshaj e ka pasur fiksim të hershëm përfshirjen e ushtarakëve në polici, por ndryshimi në ligj u rrëzua nga vetë socialistët në Kuvend që u lanë ushtarakëve vetëm detyrat e xhenios dhe jo funksione të larta.
Komentet