Shqiptarët janë ndër të paktët popuj të Europës që kanë dy emra nacionalë: Albanë; atë me të cilin njihen botërisht, dhe shqiptarë, një emër për përdorim të brendshëm. Këtu ka një kontradiktë që ndiqet me kokëfortësi. Ka një dyzim ose më mirë të themi një argument që askush nuk e ka marrë seriozisht për të pyetur: Pse ndodh kështu? Cili është shkaku që ky popull nuk lëkundet nga emërtimi i vet i parë?
A është kjo diçka e rastit, apo ka rrënjë më të thella, në histori, në legjenda? Është emërtim i një pesëqindvjeçari e tëhu, siç është thënë nga disa studiues shqiptarë, apo është rikthim tek emri i lashtë i një fisi apo simboli, i cili jeton në kujtesën e njerëzve, i shkëputur nga rrënja e vet, si një emërtim pa histori?
“Shqiptar, -ky emërtim i ri, shpjegon E. Çabej, – ka lidhje me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike”.
Mund të pranohet si argument i cili fjalën “shqip”, në krye të herës, e konsideron emër të gjuhës shqipe. Logjika ta do që “shqip” apo “skip”, apo “skep”, fillimisht do të ketë qenë emërtim i një fisi që e ka folur këtë gjuhë, emërtim i një krahine, e cila dikur e ka pasur një emër të tillë dhe që, me kohë, e ka zëvendësuar këtë emërtim me një emërtim tjetër.
Një paralelizëm i tillë mund të bëhet me popujt fqinjë si dhe me emërtimin e tyre: latinë -latinisht, maqedonë maqedonisht, grek- greqisht etj.
Prapashtesa “isht” ka treguar ose ka formuar të folmen e një popullsie. Një gjë e tillë nuk vihet re në shqipen. E folmja jonë, si emërtim, është “shqip” dhe emri shqiptar ka rrjedhur si rezultat i fjalës “shqip”, kështu “shqiptarisht” është një emërtim me prapashtesën “isht” për të treguar më tepër një nuancë trimërie. (Në asnjë rast e folmja jonë nuk është quajtur “albanisht”).
Duke pasur parasysh se bashkëtingëllorja “sh” rrjedh nga një “s” e dikurshme, e cila në krye të fjalëve ka dhënë një “sh”, si në rastet: Skodër (Shkodër), Skampa (shkamb) etj., emërtimin e vjetër të fjalës “shqip” do ta mendonim si të prejardhur nga një “skip”, para se të ketë ndodhur dukuria fonetike e kthimit të “s”-së nismëtare në “sh”.
Mendime me vlerë për emrin “Arbër” dhe “Arbëri” ka dhënë Çabej, duke i kërkuar gjurmët e një emërtimi të tillë në shekullin II. (Klaud Ptolemeu, në hartën botërore, shënon qytetin Albanopolis, në afërsi të Krujës, dhe emrin e një fisi, albanoi).
Për emërtimin shqiptar, Çabej nuk jep asnjë argument të vetin.
Mendimi që emri “shqip” rridhka nga një “skipeto” (greqisht: “pushkë”) nuk mbahet në asnjë shtyllë.
Ndërsa supozimi që “shqip” rrjedh nga latinishtja, “kuptoj”, është një mendim që duhet pasur parasysh, pasi, në mungesë të një ndarjeje territori të të gjithë shqipfolëve, emrat “shqiptar” dhe “Shqipëri” kanë shërbyer dikur për të përcaktuar popullin që fliste të njëjtën gjuhë ose kuptohej në të njëjtën gjuhë. Ky ishte dallimi i vetëm që mund t’u bëhej shqipfolësve, në kohë tepër të hershme, ku fisi dhe popullsitë diferencoheshin nga gjuha që flisnin dhe teritori ku jetonin. Mendoj se dikur, shqip dhe kuptoj kanë luajtur të njëjtin funksion.Unë flas dhe kuptoj në një gjuhë që është jona dhe që pikërisht kjo gjuhë na dallon nga fiset e tjera me të cilat jetojmë së bashku në territoret fqinje.
Për këtë emërtim, i cili u bë mbizotërues shumë shekuj më vonë, në mesjetë, ka dhe versione të tjera: Zanafilla e tij mund të jetë simboli i shqiponjës dodonase ose edhe i shqiponjës në përkrenaren e Pirros së Epirit, të cilin, pas fitores me maqedonasit, e quanin Shqiponja. Gjithsesi, ky emërtim kërkon të mbështetet mbi argumente historike dhe më shkencore.
Zanafilla mund të jetë edhe emri s kip ose “sqep , që nënkupton sqepin e një zogu, qoftë dhe sqepin e shqiponjës, totem për një nga fiset shqiptare. Me sqepin e shqiponjës mund të jetë i lidhur edhe emri i ndonjë fisi të lashtë ose i ndonjë treve që dikur është quajtur e tillë.
Përfundimisht, etimologjikisht, burimi i fjalës mbetet çështje e hapur. Në vështrim të parë, kjo gjë duket e parëndësishme. Ajo merr rëndësi kur dëshirojmë ta ngremë argumentin mbi shtylla të shëndosha, për t’u futur në labirintet e një fisi tepër të lashtë, i cili na çon gjer tek Feaka homerike.
Sipas historianëve të lashtësisë, Feaka gjendej brenda një territori mjaft të gjerë, që quhej Iliri. Ky emër gjendet në dokumentet e shumë popujve të Europës gjer në mesjetë. Emërtimi Iliri duhet të ketë ekzistuar gjer në shekujt XV dhe XVI. (1) Shekspiri, në komedinë “Nata e dymbëdhjetë”, i vendos ngjarjet në Iliri. Sipas veprës, pas përmbytjes së anijes në detin Adriatik, vëlla e motër dallga i hedh në vendin e quajtur Iliri.
Ptolemeu i përmend albanët, si një fis ilir: “Midis popujve ilirë ekzistojnë edhe albanët”, – thotë ai dhe i ata përcakton në Shqipërinë e Mesme.
Kjo nuk do të thotë që të gjithë ilirët ishin albanë. Në kohën e Ptolemeut ka pasur edhe fise më të dëgjuara që nuk kanë qenë në kontakt me rrugët kryesore, siç ishte fisi i albanëve prej të cilit më vonë nisi të emërtohej territori buzë Adriatikut.
Pas shekullit II, të huajt quajtën albanë të gjitha fiset ilire. Sipas Fallmerajerit, kjo ndodhi për shkak të fisit alban i cili “luante rol të rëndësishëm në Ballkan.”
Sipas Faik Konicës: “Albanët nuk kanë luajtur ndonjë rol në histori dhe është e vështirë të kuptohet përse ata ia dolën të zëvendësonin një emërtim kaq të ngulitur sa Iliria?”
Përse ka ndodhur që emërtimi “Shqipëri” u bë mbizotërues dhe i padiskutueshëm për të gjithë banorët e Shqipërisë, në Veri dhe në Jug, si të ishte ky një vendim dhe i marrë njëzëri me një referendum popullor, në kushtet e një shteti i cili nuk njihet të ketë ekzistuar gjer në fillimet e shekullit XX?
Emri “Shqipëri” është menduar se mund të jetë rezultat i një koncepti të hershëm trimëror për vendësit, duke e quajtur vendin “Shqipëri” ose vend shqiponjash¼.
Çabej ka hamendësuar që kjo fjalë mund ta ketë prejardhjen nga fjala latine “excipio”, që do të thotë “kuptoj”. “Shqipëri, thotë ai, – mund të ketë ardhur dhe nga fjala “kuptimëri”, si vend ku flitet e njëjta gjuhë ose vendi ku kuptojmë njëri-tjetrin. Nëse pranohet ky variant, duhet të pranojmë që emri “shqiptar” të jetë i kohës romake”.
Për sa i përket latinishtes, vetë Çabej, më vonë, ka bërë një sqarim: “Excipio” nuk do të thotë tamam “kuptoj”,-thotë ai,por, “marr”, “vë mënjanë”, “përjashtoj”, “pranoj.” As varianti që “shqiptar” të jetë i prejardhur nga fjala greke “skippetto” (pushkë) nuk duket bindës.
Një mendim që duhet marrë në konsideratë është ai i dijetarit dhe historianit me famë europiane, Ardt ., i cili ka thënë : “Në keltishten e lashtë, emri alb, alp, kishte kuptimin e maleve dhe, meqë në shqipen, ende edhe sot, shkip dhe shkipe tregojnë shkëmbin, del se me shtimin e një prapshtese tar, mund të ketë lindur emri shqiptar.”
Çabej ka qenë i bindur se: “Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër (Albani), si i tillë, pas gjase, ka lidhje me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke…”
Emri “arbër” filloi të përhapet qysh në shekullin X. Në vitin 1210, kontinenti përballë Korfuzit banohej prej “arbanenses”, kështu e quanin udhëtarët italianë dhe francezë. Është me interes të thuhet se edhe shqiptarët e Greqisë, edhe ata të Italisë nuk e kanë bartur me vete si emër të popullsisë së tyre emrin “shqiptar”, ata kanë vetëdijen se janë “arbëreshë”(në Itali) dhe “arvanitas” (në Greqi).
Kjo na bën të mendojmë se në mesjetë ky emër nuk paraqitej si emër popullsie, pra atë duhet ta kërkojmë përtej mesjetës ose shumë më herët…Mund të jetë edhe një shtrembërim fonetik i fjalës “hiperi”. “ Hiperies plot me fusha rreth e rrotull, për fat të zi, i kishin qëlluar afër si fqinjë ciklopët , njerëz të prapë . Cila është kjo Hiperie plot me fusha rreth e rrotull dhe përballë Korfuzit? Sigurisht, duhet të bëhet fjalë për territorin pjellor të Bajkait.
Te kjo Hiperie antike e ka zanafillën edhe emri i i humbur dhe pastaj i rimarrë, për t’u ricikluar më vonë nën emrin Shqipëri… Në një shënim të hershëm të gjuhëtarit Andrea de Poza, (1587) për gjuhën e vjetër spanjolle, flet edhe për gjuhën shqipe.
“Gjuha shqipe, – thotë ai, – është gjuha e albanezëve, e quajtur në lashtësi Epir”’. Nga kjo mund të kuptojmë se dikur trojet tona në Jug njiheshin me emrin Epir . Ka të ngjarë që emrat “shqip” dhe “Shqipëri” banorët e Epirit të vjetër t’i kenë përdorur fillimisht për të diferencuar tokat shqiptare të Epirit shqipfolës. Shqipfolësit quheshin “shqiptarë”, për pasojë, edhe emri i shqipfolësve u quajt “Shqipëri.”(!?)
Është edhe një fakt tjetër me interes i cili, nga të gjitha anët që e zë, të çon tek fjala “shqipe”. Në Çamëri, shqipes i thonë “Ipe” dhe Epirit “Iperi”.
A kanë lidhje këto dy fjalë: Ipe dhe Iperi? Ndoshta që të dyja, në zanafillën e vet, kanë “shqiponjën pellazge,”kultin e pellazgëve të lashtë” Straboni, kur përmend Epirin, flet edhe për territorin e “Akuilesë”, që, në gjuhën shqipe, kuptohet territori i “shqiponjave”.
“Gjiri i Jonit, – thotë ai, – ka një pjesë që ne e quajmë Adriatik, i cili djathtas kufizohet nga bregu i Ilirisë dhe majtas nga bregu i Italisë, deri në fund gjendet Akuilea. Mos ndoshta ky territor është quajtur qysh herët Shqipni dhe romakët toponimin Shqipni e kanë përkthyer në gjuhën e vet, Akuilea”(?)
Këtë fakt Straboni e përmend edhe pak më poshtë, në librin IV: “Pas këtyre fiseve vijnë gjithë ato që zënë brigjet Adriatik dhe territorin e Akuilesë.”
Shqipfolësit, në të gjitha kohët, shqiponjën e kanë pasur simbol të trashëguar dhe e kanë ruajtur së bashku me gjuhën. Gjuhën dhe shqiponjën shqiptarët i kanë trashguar brez pas brezi, nga kohët më të lashta gjer në kohët tona.
Është interesant fakti që, në Labëri, te kalaja e Kadafiqit (në Kuç), është gjetur një gur me emblemën e Kadafiqit: një shqiponjë me dy krerë, me krahë dhe bisht të stilizuar, që ka të gdhenduara tri gjethe lisi, shenja të simbolit të tempullit të Dodonës. (R.Memushaj, “Kurveleshi”)
Në mungesë të kufijve shtetërorë, në mungesë të një ndarjeje të mundshme territoriale, të shqipfolësve nga greqishfolësit e Epirit të përzier, do të ishte gjuha ajo që do të shërbente si kriter ndarës për dy popujt dhe territoret e tyre. Gjuha u bë kriter ndarës dhe diferencues i fiseve dhe i trojeve. Shqipfolja e lashtë dhe rezistente e shqiptarëve nisi të identifikonte kombin, në mungesë të pasaportës dhe të dokumenteve të tjera të identitetit të shqiptarit.
Nuk duhet hequr vëmendja edhe nga thënia e gjuhëtarit të shquar Eqrem Çabej: “ Të dy emrat ( Albani dhe Shqipëri) do të kenë luftuar në shekuj me shoq-shoqin për përhapjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shek. XVII, emri i ri doli fitues ”. (St.H. V, f.107)
Shënim: Në mesjetën e hershme , në kohën e Despotatit të Arbrit, popullsia shqiptare që banonte ndanë Adriatikut, u quajt popullsia arbërore. Ky emër e ka zanafillën qysh me Despotatin e Arbrit, para pushtimit turk. Me këtë emër nisi të njihej në Europë shteti i parë shqiptar. Dhe mërgimtarët e parë të mesjetës këtë emër bartën me vete, në Itali dhe Greqi. Emrin “Shqipëri” Çabej e sheh si një fakt kokëfortë, në një dyluftim shekullor me emrin “Albani”, gjer në fitoren e vet të ligjshme. 1. Emri i Ilirëvepërmendet për herë të fundit në vitin 584,në kohën e luftrave të Bizantit me avarët;nuk përmenden më as kaonët, molosët, thesprotët. Pikërisht në këtë kohë, aty rreth shekullit të VII, shfaqen si popuj të veçantë arbërit,grekët, rumunët. “Himara”. R.Memushaj
*VOAL po boton “ Shqipëri… është emërtim i ri, apo i lashtë?” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet