Ambasadori ynë në Athinë, Dashnor Dervishi ka reaguar në lidhje me ndalimin dje të dy shoferëve, Altin Tafa dhe Agim Asllani nga autoritetet greke, pasi transportonin tekste Abetaresh dhe libra në gjuhën shqipe, në përmbajtje të të cilave kanë gjetur elementë që sipas fqinje kanë përmbajtje provokuese.
Në prononcimin e tij për “Gazetën Shqiptare” ambasadori Dervishi sqaron se, në librat që dy shoferët kishin me vete nuk ka pasur asnjë përmbajtje provokuese, por ishin tekste që vijnë çdo vit për kurset e gjuhës shqipe.
Ai hedh poshtë aludimet se në tekste ka patur hartë të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.
“Shoferët janë ndaluar nga punonjësit e doganës, ku te njëra nga pakot kanë parë librat me hartën, dhe më pas ka shkuar konsulli ynë për të sqaruar këtë ngjarje. Një nga librat ka një hartë të Shqipërisë, harta normale e Shqipërisë, dhe tregon që popullsi shqiptare ka edhe në vende të ndryshme të botës. Ka në Kosovë, Maqedoni, Amerikë, Australi, Kanada; gjysma janë brenda, gjysma janë jashtë vendit, pra tregon përhapjet e popullsisë shqiptare jashtë territorit shqiptar. I gjen në Ministri të Arsimit, në Ministrinë e Jashtme; nuk janë për shkolla, janë për kurse. Kanë ardhur çdo vit këto libra, nuk është hera e parë”, shprehet zoti Dervishi.
Nga ana tjetër, ai shprehet se këta libra do të shikohen edhe njëherë. “Librat do vazhdojnë do shikohen, do seleksionohen. Po e ndjekim këtë çështje, ka një procedurë”, – ka përfunduar ai.
Arrestimi i dy shoferëve shqiptarë të MPJ-së ndodhi në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë disi të tensionuara, për shkak të vendimit për shembjen e 19 banesave në Himarë dhe teksa Greqia pretendon se po cenohet e drejta e pronësisë së popullsisë me përkatësi greke.
GSH
Komentet