Në Shqipëri, ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati trazoi sërish ujërat e shumicës parlamentare ku bën pjesë, ndërsa gjatë fjalës së tij në parlament të mërkurën foli për nevojën e “ndarjes nga oligarkia. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet”.
Zoti Bushati i bëri këto komente ndërsa kundërshtoi një projektligj të Qeverisë për një shtesë të kontratës së koncesionit në Porto Romano të Durrësit, i dhënë në vitin 2015, një konsorciumi të tre sipërmarrësve shqiptarë Shefqet Kastrati, Friden Kuqi dhe Pëllumb Salillari. Në të vërtetë ajo që cilësohet si shtesë në kontratë, është kërkesa e konsorciumit për një aktivitet tërësisht të ri, të ndryshëm nga ai për të cilën fitoi koncensionin “për ndërtimin e Portit dhe ofrimin e shërbimit të ngarkim – shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure”. Koncesionari kërkon që portin e ndërtuar ta shfrytëzojë dhe për “përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë mallra”.
“Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve ti ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror, gjyqtar, avokat, jurist. Mjafton të kesh bërë leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti. Ne këtu duhet të kishim një projekt fizibiliteti aq më tepër që këto shërbime i ofron porti i Durrësit. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit”, deklaroi zoti Bushati.
Kërkesa e konsorciumit privat, i drejtuar nga emra të njohur të botës së biznesit, shpesh të lakuar për lidhjet e tyre të forta me politikën e që vitet e fundit kanë fituar disa koncensione në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duket se është trajtuar me një përparësi të pazakontë. Konsorciumi i është drejtuar autoriteteve me propozimin e tij më 24 shkurt të këtij viti. Dhe ndonëse që prej fillimit të muajit mars, institucionet kanë punuar me kapacitete të reduktuara, për shkak të pandemisë së koronavirusit, në rastin në fjalë ato janë treguar mjat efikase. Brenda pak javësh është bërë vlerësimi i propozimit, është firmosur kontrata, është miratuar në qeveri dhe më 10 prill i është kaluar për miratim parlamentit.
Ish ministri i Jashtëm deklaroi madje se shteti po investon dhe për ndërtimin e rrugës deri në Porto Romano. “Nuk ka pse Autoriteti Rrugor Shqiptar të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taska shqiptarët e zakonshëm të këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati”, tha zoti Bushati.
Fjala e tij u prit me kritika nga kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sipas të cilit zoti Bushati ka votuar në favor të koncensionit kur ishte në qeveri, duke aluduar se qëndrimet e ish ministrit janë tani të ndryshme e se bëhen për të tërhequr vëmendjen mediatike: “Kur një kompani, një investim privat ecën mirë, paguan taksa dhe ka nevojë për një ndryshim kontrate, kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interes të ditës, por thjesht për të kapur lajmin e ditës, nuk i bën nder askujt”.
Zoti Balla shkoi dhe më tej duke parashikuar se aktiviteti që kërkon koncensionari privati duhet t’i hiqet fare Portit të Durrësit. “Shtesa në kontratë është një domosdoshmëri, edhe për të çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që mund të bëjnë operatorë të ndryshëm, se aty ku është duhet të jetë thjesht një port turistik dhe udhëtarësh. Historia që mu në qendër të Durrësit shkarkohen kontenierë me qymyr, me krom e me plehra nuk mund të vazhdojë më”, theksoi zoti Balla.
Por për zotin Bushati “jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria. Ateherë ky është momenti për ta vërtetuar këtë. Për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar, ku në politikë njerëzit qëndrojnë vetëm për favore dhe ku oligarkët e shpërthejnë politikën”.
Ndaj polemikave për këtë koncension reagoi dhe ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës e cila ka firmosur kontratën me konsorciumin privat. “Ndryshimet e bëra së fundmi në këtë kontratë janë tërësisht ligjore dhe në përputhje me dokumentet strategjikë të zhvillimit të sektorit detar, të miratuar nga Qeveria Shqiptare”, theksoi ministria duke u shprehur se “shtesa e kontratës koncensionare ka qëllim të vetëm shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të lira të akuatoriumit në terminalin verior edhe në argjinaturën jugore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës së Porto Romanos”, nënvizonte njoftimi i ministrisë, i lëshuar sipas saj si një reagim ndaj një deklarate të Partisë Demokratike për rastin në fjalë. Kjo e fundit foli për “një skandal korruptiv. Edi Rama, me një shtesë të kontratës së koncesionit, ka vendosur që këtë port karburantesh ta kthejë në port për çdo lloj malli të menaxhuar nga këta oligarkë, njësoj si Porti i Durrësit. Kjo është shkelje flagrante e ligjeve dhe e standareve të sigurisë kombëtare të vendit. Ky është një skandal korruptiv dhe me pasoja të rrezikshme për Shqipërinë. Ky port privat për mallrat cënon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, dobëson luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës ndërkombëtare, përfshi trafikun e drogës”, theksoi Partia Demokratike.
Komentet