Besimtarët myslimanë shqiptarë po festojnë sot Fiter Bajramin, pas një muaji sakrificash të Ramazanit. Shumë prej tyre falën namazin në sheshin Skënderbej në Tiranë, uruan njëri tjetrin pas agjërimit gjatë në muaji dhe dëgjuan mesazhet e drejtuesve fetarë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u bëri thirrje besimtarëve të respektojnë prindërit, të ndalin dhunën në familje dhe të mos largohen nga vendi, por të punojnë për zhvillimin e tij.
“Le të bëhet ky Bajram një ditë uniteti mes nesh, ditë mirëkuptimi dhe tolerance ndërfetare me të tjerët. Uniteti, harmonia e dialogu janë vlera unikale të shoqërisë tonë, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë dhe si të tilla ato janë një garanci e sigurtë për të ardhmen e shoqërisë tonë dhe të brezave pas nesh. Thirrja ime është që t’i ruajmë këto vlera”, tha zoti Spahiu.
Një pjesë të madhe të fjalës gjatë ceremonisë së sotme ai ia kushtoi dhunës në një pjesë të familjeve shqiptare.
“Njerëzve që kanë humbur durimin u bëj thirrje që të ndalin agresivitetin, të qetësojnë shpirtërat e tyre, duke u kthyer nga e mbarë e Zotit. Mos i prekni gratë, se ato janë shpirti i familjes, bërthamës së shoqërisë”, tha zoti Spahiu.
Ai tha se shoqëria po kalon një krizë morale, ndërsa dukuri si emigrimi dhe ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen.
“Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme; garanci për të rinjtë, përkujdes për të moshuarit dhe mbështetje për të varfërit e të pamundurit. U bëj thirrje të rinjve: Mos e braktisni vendin tonë! Rezistoni përballë çdo vështirësie!”, tha zoti Spahiu.
Ai theksoi se prindërit, shoqëria dhe Shqipëria kanë nevojë për të rinjtë, ndaj ata duhet të qëndrojnë dhe punojnë në atdhe, për ta bërë atë më të mirë dhe më të begatë, duke shmangur edhe pabarazitë ekonomike mes njerëzve.
“Ka pabarazi të jashtëzakonshme në nivelin e jetesës së njerëzve. Një pjesë që janë në bollëk nuk ndajnë ndihmë, ndërsa shumica e njerëzve mundohen të mbijetojnë në kushte tepër të vështira e primitive, kushte jo të denja jetese. Indiferenca për hendekun mes shtresave të shoqërisë është e pafalshme dhe e patolerueshme”, tha kryetari Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Udhëheqësit fetarë drejtuan ceremonitë e festës së Fiter Bajramit, ndërsa besimtarët dhuruan shuma të hollash për të varfërit. Sipas regjistrimeve statistikore, besimtarët myslimanë janë komuniteti më në shumicë në Shqipëri, ndërsa më të pakët janë besimtarët katolikë, ortodoksë e bektashi. Mes tyre në shekuj nuk ka patur ndonjë konflikt me bazë fetare, përkundrazi, ekziston një bashkëjetesë dhe tolerancë e vlerësuar nga studiuesit sociologë.