Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit njoftuan goditjen e dy grupeve që organizonin trafikun e emigrantëve nga Azia Jugore, kryesisht nga Bangladeshi, drejt vendeve të Bashkimit europian, duke përfshirë Shqipërinë si vend tranzit. Të paktën 22 persona u arrestuan ndërsa për dy të tjerë është dhënë masa e “detyrimit për paraqitje”. Dy të tjerë janë në kërkim. Mes tyre rezultojnë 11 sipërmarrës, dhe 4 punonjës policie.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Mehmet Rrumbullaku “hetimet kishin nisur pasi gjatë vitit 2023, nga struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit, ishte konstatuar rritja e numrit të të huajve, të pajisur me leje qendrimi dhe leje pune, të kapur në tentativë për t’u larguar drejt vendeve të tjera”.
Skema e ngritur, përdorte si mbulesë disa agjenci ndërmjetësimi e agjensi punësimi si dhe sipërmarrje tregtare, të cilat i tërhiqnin të huajt me leje të rregullta qëndrimi dhe pune në Shqipëri. “Agjencitë e ndërmjetësimit të punësimit, në bashkëpunim me shoqëri tregtare me objekt veprimtarie kryesisht fasonerie, me seli në Vlorë dhe në Durrës, kanë kryer aplikime për leje unike pune dhe më pas për pajisje me vizë të tipit “D”, për shtetas të huaj. Këto procedura janë kryer në mënyrë fiktive, pasi qëllimi nuk ka qenë punësimi i tyre, por pajisja me vizë, në mënyrë që ata të mund të hynin lirshëm në territorin Shqiptar, për t’u larguar më pas, në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, shpjegoi Prokuroria e Posaçme, duke shtuar se “gjatë aplikimeve për punësim dhe për vizë, janë paraqitur kontrata qeraje fiktive banimi, çertifikata profesionale dhe njohjes të gjuhëve të huaja të falsifikuara, dhe me ardhjen e këtyre shtetasve në Shqipëri, ata nuk kanë kryer deklarimin e tyre si punonjës, apo e kanë kryer këtë deklarim vetëm për pak kohë për të shmangur dyshimet”.
Grupet e trafikantëve, të cilat dyshohet të kenë lidhje me grupe të tjera jashtë vendit, kujdeseshin për të gjithë elementët e trafikut, që nga aplikimi i të huajve deri të pritja në aeroport apo dhe akomodimi e deri te përcjellja e tyre në kufijtë e vendit, për të vijuar udhëtimin drejt vendeve të BE-së, dhe për këtë, migrantët paguanin 5 mijë euro, sipas policisë. “Janë identifikuar dhe grumbulluar prova për administratorët e agjencive të ndërmjetësimit dhe ato pritëse të punësimit, personat pritës të tyre në Aeroportin e Rinasit, vendin e qëndrimit të tyre, personat transportues të tyre dhe destinacionin përfundimtar të tyre, i cili në disa raste ka rezultuar dukshëm që ka qenë në drejtim të Kukësit për në Kosovë e Serbi”, bëri të ditur Prokuroria e Posaçme.
Punonjësit e Policisë të përfshirë në këtë aktivitet, ndihmonin pajisjen me viza për migrantët dhe kalimin e tyre pa problem në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, ku ata mbërrinin kryesisht me fluturime nga Emiratet e Bashkuara. “Gjatë hetimit janë mbledhur prova për punonjës të policisë të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në nivel qëndror dhe rajonal, të cilët kanë lehtësuar dhe ndihmuar grupin kriminal në procedurat për pajisje me vizë të tipit “D”, kundrejt përfitimit material, apo në mosdokumentimit dhe raportimit gjatë kontrolleve që duhej të ushtronin gjatë detyrës së tyre, si dhe për punonjës policie të Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët për shkak të detyrës së tyre kanë pranuar përfitime të parregullta në formën e transfertave monetare nga grupi kriminal”, njoftoi Prokuroria e Posaçme.
Nga kontrollet e ushtruara përgjatë operacionit të policisë, ku u angazhua një numër i madh forcash, u sekuestruan, përveç disa armëve dhe dokumentash të ndryshme, edhe vlera të larta monetare që arrinin në më shumë se 1 milion euro.
Shqipëria konsiderohet pjesë e “Rrugës ballkanike” që migrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme përshkojnë për të mbërritur ilegalisht në vendet e Bashkimit europian. Gjatë viti të shkuar, numri i migrantëve të paregullt erdhi duke u ulur në më pak se nëntë mijë, ndikuar nga rënia e kalimeve përmes Ballkanit perëndimor.
Sipas Agjencisë europiane të Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX prurja e mirantëve të parregullt në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2023 ishte 31 përqind më e ulët krahasuar me vitin 2022 . Frontex është prej vitit 2019, pjesë e patrullimit të kufirit shqiptaro grek me policinë kufitare shqipatre me rrreth 162 efektivë.