Edhe pse me origjinë nga Brataj i Vlorës, Shqipja ka lindur në Tiranë. Këndoi që në moshë të vogël dhe babai i saj për këtë arsye e çoi në Liceun Artistik për piano që në moshën shtatë vjeçare.
Madje ajo i përket 9 nxënësve të parë të Liceut Artistik që çelën studimet artistike në këtë moshë.
Do vazhdojë studimet për piano deri në moshën 18-vjeçare kur do ta dëgjonte rastësisht dirigjentja e parë shqiptare dhe mezo-sopranoja Rozmari Jorganxhi duke kënduar me Robert Radojën gjatë provave për një koncert. Rozmaria do e çonte që të nesërmen në Opera tek Profesori Mihal Ciko, me të cilin do të përfundonte edhe studimet e saj.
Emri i saj vitet e fundit është lënë në harresë edhe pse është një nga këngëtaret e para lirike që u diplomua në Konservatorin e Tiranës me notat maksimake, duke mbrojtur diplomën me “Toskën”.
Rrugëtimin e saj të gjatë do e niste si studente me role të ndryshme në disa opereta dhe me interpretime në koncerte me pianisten Bebi Kristidhin, ku do fitonte disa çmime të ndryshme.
Pas përfundimit të studimeve në ILA, ajo do transferohet në vitin 1969 për tre vjet në Estradën e Fierit. Atje do interpetonte një rol tek opereta e Nikolla Zoraqit “lartësitë”. Sipas saj, në Fier do të përballej me probleme të veçanta për “llojin e artit” që ajo praktikonte.
Në vitin 1973 do emërohet si soliste në TKOB, por megjithatë fillimi i saj atje nuk do të ishte më i miri i mundshëm, pasi gjatë vitit 1973 Shqipja pergatitet të verë në skenë “Nedën” nga opera Paliaçi dhe “Zanfirën” nga opera Aleko (Rahmaninov) dy vepra që do të kapeshin nga censura partiake e revolucionit ideologjik e kulturor pas provës gjenerale.
Emrin e saj do e gjejmë për herë të parë në rolin e Anës tek fletspalosjet e operetës shqiptare “Dhëndri u transerua” me muzikë të Agim Prodanit (1974). Një vit më vonë do shkëlqeje edhe në rolin e nënës tek Opera “Komisari” me muzikë të Nikolla Zoraqit. Në memorien kolektive të brezave më të vjetër ndoshta do të mbetet si “Mrika” absolute e gjeneratës së dytë, ndërsa në vitin 1978, do ta shohim edhe në rolin e Olimpisë nga Opera “Lulja e Kujtimit” të Kristo Konos si dhe në rolin e vogël të Bertës nga “Berberi i Seviljes” të Rosinit.
“Njollë e zezë” në karrierën e saj për regjimin e asaj kohe do të mbetej një ngjarje e ndodhur gjatë një koncerti në mesin e viteve ’70 me pianisten Nermin Daja, kur befas Shqipe Mingomata do interpretonte arien e Toskës në gjuhën Italiane.
Në kulmin e karrierës së saj dhe në një kohë kur operat e huaja ishin të ndaluara në Shqipëri, ajo do të shquhet në role dramatike, të cilat do t’i qepin kompozitorët shqiptarë mbi vokalin saj, si në Operën “Vjosa” të Tish Daisë vënë në skenë në vitin 1981, ashtu edhe tek “Borana” e Avni Mulës, vënë në skenë në vitin 1984.
Pergamenë do të marrë edhe gjatë fundit të viteve ‘80, kur gradualisht do të shfaqen serisht në Skenën e TKOB disa nga operat e repertorit botëror. Shqipja do paraqitet mirë gjatë vitit 1985 në rolin e “Mimisë” tek Bohema, ose në rolin e “Floria Toskës” në vitin 1987 si dhe një vit më vonë në rolin e Santucës në “Kavaleria Rustikana” të Maskanjit me të cilën do mbyllte edhe karierën e saj brilante në TKOB.
Dy momente historike dhe të veçanta në rrugëtimin e saj, sigurisht që do ishin roli karakteristik i nënë Refos nga opera “Nëna e trimave” serisht me muzikë të Avni Mulës (1987) dhe roli i “Lokes” nga opera e Pjetër Gacit “Toka jonë” (1981).
Gjithashtu vërtet i madh është edhe kontributi i saj në Akademinë e Arteve ku nxori një sërë studentësh, si psh sopranoja e mirënjohur Eva Golemi, Emiliana Palushaj, etj.