Përfaqësues politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po bëjnë thirrje për mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar dhe përfshirjen e tyre në bisedimet Kosovë-Serbi të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa ankohen për qasje diskriminuese të autoriteteve serbe.
Ragmi Mustafa, që drejton Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi, me seli në Bujanoc, thotë se shteti serb po keqpërdorë ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim duke mos e zbatuar atë në tërësi dhe duke fshirë adresat e banorëve shqiptarë.
“Ajo që është me rëndësi të theksohet është se ne e konsiderojmë një proces masiv, është selektiv i drejtuar ndaj qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës krahas kësaj ne konsiderojmë që me këtë po legjitimohet një spastrim i heshtur nën petkun administrativ”, tha ai.
Sipas të dhënave të këtij Këshilli, deri tani në tri komunat e banuara me shqiptarë, Preshevë, Merdvegjë e Bujanoc, janë fshirë të dhënat e rreth 6 mijë vetave.
“Serbia është shumë më perfide për shkak se pasivizimi i adresave në vetvete është vetëm një çështje administrative por që efekti i këtij procesi është anulimin e drejtave themelore të qytetarëve që nënkupton të drejtat e tyre civilo-juridike duke përfshirë nga trashëgimia e deri te e drejta për të votuar dhe për të qenë i rizgjedhur dhe një mori të drejtash tjera që lidhen drejtpërdrejt me letërnjoftimin”, tha zoti Mustafa.
Zoti Mustafa thotë se qytetarët më të prekur janë ata që jetojnë në Kosovë.
“Por kryesisht janë pjesa që dikur në Luginën e Preshevës janë konsideruar juridikisht të papamë pra të cilët gjatë luftës 1999 që ka ndodhur këtu pasi që ishte çliruar Kosova për shkak të kushteve këtu të vështira, për shkak se kishte filluar edhe lufta e UÇPMB në këtë rajon ata ishin zhvendosur në Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë e kështu me radhë e që atëherë kanë mbetur pa dokumente të Serbisë”, tha ai.
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të asaj zone thonë se disa qytetarë tashmë kanë ngritur këtë shqetësim në nivele të gjykatave ndërsa janë duke u grumbulluar fakte që kjo çështje të trajtohet nga institucionet ndërkombëtare.
Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e vitit 2020 të Bashkimit Evropian për Serbinë. Raportuesi për Serbinë në parlamentin Evropian, Vladimir Bilcik dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon -Taubadel në muajin mars të këtij viti paralajmëruan shqyrtimin e pretendimeve për fshirjen e adresave.
Zyra e e zonjës Viola von Cramon -Taubadel në një përgjigje për Zërin e Amerikës përmes postës elektronike tha se “ajo po punon për këtë çështje dhe se është në kontakt me disa studiues në lidhje me situatën. Kur hulumtimi do të përmbyllet, zonja von Cramon varësisht nga rezultati, mund të shqyrtojë mundësinë që t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare dhe aktorëve përkatës”, thuhet në përgjigje në të cilën theksohet se zonja von Cramon mund të vizitojë rajonin e Preshevës në fund të muajit korrik.
Përfaqësuesit politik thonë se situata në rajonin e Luginës së Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit të para 20 vjetëve ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në këtë zonë.
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila mori postin e kryetares së komunës së Preshevës ditë më parë, thotë për Zërin e Amerikës se edhe pas 20 vitesh, qytetarët e kësaj pjese po diskriminohen.
“Komuna jonë para se gjithash është një komunë e shtypur sa i përket të drejtave, një ndër më të diskriminuarat, më e pazhvilluar ekonomikisht, shkalla e papunësisë është mbi 70 për qind dhe është e nëpërkëmbur kjo sepse shumica e qytetarëve të komunës tonë kanë gjuhë, etni, kulturë ose religjion tjetër”, tha ajo.
Udhëheqësit politik të Luginës së Preshevës i shohin bisedimet Kosovë-Serbi si një mundësi për siç thonë realizimin e të drejtave të tyre themelore, përfshirë edhe problemin e adresave.
“Tash patjetër është e domosdoshme, është jetike që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në tryezën e bisedimeve”, tha kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës thonë se marrëdhëniet jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasqyrohen edhe në situatën në këtë zonë të banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Komentet