Në mbarë botën po bëhen përpjekje për të vaksinuar sa më shumë njerëz për të arritur imunitetin e turmës kundër koronavirusit. Zyrtarët thonë se po analizojnë efektshmërinë e vaksinave, por sipas ekspertëve, Rusia nuk ka ofruar deri tani informacionin e nevojshëm mbi vaksinën e saj, Sputnik V.
“Këto rezultate kaq të mira është vështirë të besohen!” thotë studiuesi Konstantin Andreev.
Në maj një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë botuan një letër të hapur në revistën mjekësore The Lancet ku shprehnin shqetësim për vaksinën ruse Sputnik V.
Shkencëtarë amerikanë, holandezë, francezë, italianë dhe rusë kanë cituar mospërputhje mes të dhënave nga Instituti Kërkimor Gamaleya, prodhuesi i vaksinës ruse Sputnik V.
Më saktësisht, në fazën e tretë të provave, Instituti raportoi se vaksina kishte efektivitet në mbi 91% të rasteve. Por shkencëtarët thonë se instituti nuk ofroi të dhëna të papërpunuara në mënyrë që shkencëtarë të tjerë të bënin analiza të pavarura. Ata kanë kërkuar informacion shtesë nga ky institucion.
“Nëse do të kishin ofruar materialet burimore, mund të ishin sqaruar disa nga mospërputhjet. Por nuk ofruan të dhënat. Prandaj ekzistojnë pikëpyetje mbi punën e tyre kërkimore,” thotë Vasili Vlasov i Universitetit Ekonomik të Shën Peterburgut.
Në përgjigje të letrës, ata që punuan për zhvillimin e vaksinës Sputnik V i shpjeguan mospërputhjet si “gabime të thjeshta shkrimi” dhe i cilësuan si “të habitshme” kërkesat e shkencëtarëve për informacion.
Shkencëtarët e institutit Gamaleya nënvizojnë se vaksina është miratuar për përdorim në mbi 50 vende. Por studiues të tjerë thonë se kjo nuk dëshmon që vaksina është e padëmshme dhe e efektshme në masën që thonë prodhuesit e saj.
“Prodhuesit e vaksinave perëndimore kanë bërë publike jo vetëm raporte të hollësishme për analizat shkencore që kanë zhvilluar, por edhe protokollet që kanë ndjekur gjatë zhvillimit të kërkimeve, ndërsa shkencëtarët rusë nuk pranuan të publikojnë protokollet që kanë ndjekur, prandaj lindin shumë pikëpyetje,” thotë zoti Vlasov.
Prodhuesit e Sputnik V thonë se vaksina e tyre është e sigurtë dhe se shkencëtarët perëndimorë paguhen nga “gjigandë farmaceutikë” për të bllokuar futjen e vaksinës ruse në treg.
Por studiuesit shkencorë thonë se prodhuesit e vaksinave të tjera si Johnson & Johnson dhe AstraZeneca kanë punuar nga afër me agjencitë rregullatore për të garantuar një produkt të sigurtë, gjë që s’ka ndodhur me laboratoret që krijuan Sputnik V.
“Nëse ata që prodhuan Sputnik V fillojnë të veprojnë si shkencëtarët që krijuan vaksinën Johnson & Johnson, e gjithë kjo situatë do të bëhej shumë më e thjeshtë. Ata vetë do të përfitonin. Por nuk e di nëse do ta bëjnë një gjë të tillë,” thotë zoti Andreev.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shkencëtarët shpresojnë të mësojnë më shumë gjatë vizitave në Rusi.
“Kemi krijuar një ekip që besoj se do të vizitojë fabrikën. Do të shkojnë në një numër objektesh gjatë vizitës,” tha zëdhënësja e OBSH-së.
Sputnik V nuk bën aktualisht pjesë në listën e vaksinave të miratuara për përdorim emergjent nga BE-ja. Autorët e letrës në maj kritikojnë mungesën e transparencës në provat klinike me këtë vaksinë dhe thonë se çdo problem ekzistues mund të gjejë zgjidhje.
Por mëdyshjet për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës Sputnik V nuk kanë penguar shumë vende, në një betejë të ethshme me pandeminë, ta ofrojnë këtë vaksinë për imunizimin e popullatës së tyre. Miliona doza të kësaj vaksine janë bërë deri tani në Rusi dhe në vende të tjera.