Shpresa Lleshaj, suedezja me origjinë nga Kosova dhe amerikanin Cole Randall, njihen nga publiku si Flora Cash, dyshja e muzikës indie pop. Shpresa dhe Cole janë partnerë në jetë e në art. Ata jetojnë në Stokolm ku kompozojnë e bashkëpunojnë në muzikë dhe interpretojnë në të gjithë botën nën emrin Flora Cash. Ardita Dunellari e Zërit të Amerikës u takua me Flora Cash në Baltimorë, një ndër ndalesat e turneut të tyre muzikor në Shtetet e Bashkuara për të biseduar mbi suksesin e deritanishëm dhe planet për të ardhmen.
Është turneu i tretë i Flora Cash në Shtetet e Bashkuara dhe siç e thotë shprehja: e treta, e vërteta. Gjërat duken shumë ndryshe në këtë turne për Shpresën dhe Cole-in:
Shpresa: “Dinë më shumë prej këngëve tona”.
Cole: “Këndojnë bashkë me ne… Më përpara shihnin me habi ‘Kush janë këta të dy?’ Tani na njohin. Na bën të ndjehemi pjesë e një komuniteti, si një familje”.
Sidomos kur njerëzit nga salla bashkojnë zërat për të kënduar këngën e tyre të suksesshme You’re Somebody Else.
Kjo është kënga më e njohur e Flora Cash që tani e dëgjon në valët e radios amerikane pas disa javësh në renditjen e klasifikimeve Billboard për muzikën Adult Rock. Kënga përcjell furtunën e brendshme të individit që ka humbur veten nga ankthi, mungesa e besimit te vetja, presioni i jashtëm. Një mesazh që ka gjetur jehonë te audienca.
“Mendoj se njerëzit janë të etur për sinqeritet. Ata gjejnë veten tek kjo këngë. Ata e interpretonë në forma nga më të ndryshme. Prandaj kishte sukses, se ka një mesazh personal për shumë njerëz,” thotë Cole.
Duket se Shpresa dhe Cole kanë gjetur kordën e duhur si në skenë dhe në jetën personale. Ata e gjetën njëri-tjetrin në internet përmes muzikës, një histori dashurie nga dy skajet e oqeanit Atlantik që vazhdon të ruajë freskinë edhe në orët e gjata të rrugës në tune dhe nën dritat e skenës në interpretim.
“Ne jemi shokë të mirë. Kënaqemi me njëri-tjetrin. Gjithmonë e them: nuk e imagjinoj dot si do ta bëja këtë jetë pa ty. Me ty ndjehem se jam në shtëpi,” thotë Shpresa.
Origjina e Shpresës nga Kosova nuk është ende një fakt i përmendur për audiencën amerikane.
Një grup shqiptaro-amerikanësh kanë ardhur nga zona e Uashingtonit për ta përcjellë interpretimin me krenari të hapur për origjinën e Shpresës. Ka qenë një vit suksesi për interpretueset me origjinë shqiptare në Evropë e në Shtetet e Bashkuara. Shpresa Lleshaj është një emër i ri që i shtohet kësaj liste.
“Është koha jonë. Më në fund po del në pah kjo energji krijuese që ka qenë gjithmonë e pranishme. Është rezultat i mënyrës si jemi rritur,” thotë Shpresa.
Cole-i beson se një pjesë e mirë e suksesit ka të bëjë edhe me mbështetjen entuziaste që marrin nga admiruesit shqiptarë në mbarë globin:
“Është diçka vërtetë e bukur kur sheh këtë frymë të shqiptarëve që janë shumë të lidhur, që mbështesin njëri-tjetrin. Më duket shumë e bukur,” thotë Cole.
Jeta e artistit nuk është e lehtë, pohojnë Cole dhe Shpresa. Me suksesin që kanë pasur, turneu i tyre shton vazhdimisht ndalesa të tjera me koncerte të reja gjatë itinerarit. Këto janë vështirësitë e suksesit që tani çifti arrin t’i përballojë pak më lehtë pasi ka mbështetjen e firmës diskografike Sony/RCA Records. Shumë ndryshe nga ditët kur trokisnin në dyert e mbyllura të studiove, ende një emër i panjohur me këngë të padëgjuara:
Megjithë këmbënguljen, Zëri i Amerikës nuk arriti të mësojë sekretin pas emrit Flora Cash me të cilin çifti prezantohet para publikut. Por me çdo interpretim para spektatorëve e me çdo regjistrim të ri nga Flora Cash nuk ka diskutim që ky emër enigmatik po tani gjithnjë e më i dëgjuar për skenën muzikore amerikane.
Për të mësuar më shumë për turneun e grupit dhe për të dëgjuar këngët e tyre të reja vizitoni faqen e tyre elektronike Floracash.com.
Komentet