Ashtu siç pritej zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut rikthyen në pushtet partinë konservatore VMRO-DPMNE. Ajo siguroi thuajse shumicën e vendeve të nevojshme në parlament për të qeverisur vendin. Po kështu, kandidatja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova u bë presidentja e parë grua, duke fituar bindshëm ndaj rivalit social-demokrat, Stevo Pendarovski.
Në fjalimin e fitores, presidentja e zgjedhur, përcaktoi si përparësi për vendin “fillimisht Ballkanin, pastaj Europën”, duke lënë shijen e hidhur të rikthimit në retorikën e dikurshme nacionaliste. Në ceremoninë e betimit të saj si presidente, në përputhje me zotimin publik të fushatës zgjedhore, ajo nuk iu referua emrit kushtetues “Maqedonia e Veriut”, të njohur si të tillë ndërkombëtarisht qysh prej Marrëveshjes së Prespës të vitit 2018, që i dha fund mosmarrëveshjes disa vjeçare me Greqinë.
Në shkëmbimet e para të mesazheve të urimit me homologë të vendeve të rajonit në platformën sociale X, me presidenten e Kosovës ra në sy mospërmendja e Kosovës si shtet dhe mospërdorimi i simboleve të saj. Presidentja u mjaftua me përdorimin e gjuhës shqipe, duke vendosur theksin tek “sinergjia femërore”, për shkak të pozitave kyçe të grave në rajonin tonë dhe tek “e ardhmja e përbashkët europiane”.
Humbja e social-demokratëve ishte e pritshme po aq sa edhe fitorja e konservatorëve. Por duhet theksuar se ato pësuan një humbje dërrmuese, më të rëndën në historinë e tyre, si në zgjedhjet presidenciale ashtu dhe në ato parlamentare. Për herë të parë, social-demokratët e gjejnë veten si forcë e tretë parlamentare. Megjithëse morën më shumë vota se koalicioni “Fronti Europian” i udhëhequr nga BDI, për shkak të sistemit zgjedhor, social-demokratët kanë një deputet më pak se koalicioni i BDI-së.
Lëvizja e re politike ZNAM, drejtuar nga kryetari i komunës së Kumanovës, fillesat politike të të cilit i gjejmë tek partia social-demokrate, shënoi një rezultat surprizë, duke marrë një numër të barabartë mandatesh me partinë e majtë Levica. ZNAM pritet të jetë pjesë e qeverisë së re.
Zgjedhjet parlamentare shënuan një garë më të fortë mes partive shqiptare: koalicionit të udhëhequr nga BDI nga njëra anë, dhe partive të koalicionit opozitar VLEN, nga ana tjetër. Koalicioni opozitar VLEN siguroi një numër rekord votash, por nuk mundi të tejkalojë numrin e votave të BDI-së, për shkak të koalicionit të kësaj të fundit me partitë që përfaqësojnë minoritetet e ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Megjithëse numri i deputetëve me kombësi shqiptare në parlamentin e ardhshëm është i madh, influenca në vendimmarrje do të jetë më e kufizuar krahasuar me të shkuarën, çka e bën të domosdoshme nevojën për bashkërendim mes shqiptarëve në qeveri dhe opozitë. Ndërkohë që BDI shkon në opozitë, pas shumë vitesh qeverisje me partnerët maqedonas të të gjitha ngjyrimeve politike, VLEN pritet të ketë më pak pushtet se BDI-ja, dhe më pak mundësi influencimi në koalicion, nëse analizojmë numrin e deputetëve të VMRO-DPMNE dhe ZNAM.
Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, me daljen e BDI-së në opozitë, do të kemi një ndryshim të plotë të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga qeveritë e udhëhequra nga social-demokratët, qeveria që pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 8 majit nuk do të varet nga partnerët në koalicion. BDI-ja arriti të dominojë hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut duke u bërë partner i pazëvendësueshëm i partive maqedonase në bashkëqeverisje.
Partitë e grupuara në VLEN janë përballë një sfide të trefishtë. Së pari, duhet të dëshmojnë kohezion dhe unitet mes tyre për çështje që janë në interes të shqiptarëve dhe vendit duke moslejuar përçarjen.
Së dyti, partitë e VLEN duhet të përballojnë një partner koalicioni si VMRO-DPMNE, e cila, ka kritikuar vazhdimisht pozicionin dominues të BDI-së në qeverisjen e vendit përtej peshës dhe numrit të votave. Gjithashtu, është fakt i njohur se VMRO-DPMNE, ka qenë një kritike e zëshme e platformës politike të partive shqiptare të vitit 2017, zbatimi i pjesshëm i të cilës solli një përmirësim të ndjeshëm të të drejtave dhe përfaqësimit të shqiptarëve si komunitet shtet-formues në Maqedoninë e Veriut.
Së treti, partitë e VLEN duhet të përqendrohen në jetësimin e agjendës europiane të vendit, të marrin pjesë aktivisht në proceset që çimentojnë fqinjësinë e mirë dhe mbi të gjitha të kujdesen për përparimin e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve si komunitet shtet-formues, duke mos lejuar rikthimin e Maqedonisë së Veriut në skutat e errëta të nacionalizmit.
Rikthimi i VMRO-DPMNE, sidomos me këtë rezultat, deri para pak kohësh mund të mos mendohej. Rrëzimi nga pushteti i kësaj partie në vitin 2017 erdhi si pasojë e një lëvizjeje të gjerë politike e qytetare kundër abuzimit me pushtetin të qeverisë së Nikola Gruevskit, duke i dhënë fund një krize politike dyvjeçare dhe duke siguruar një frymëmarrje politike për vendin, që u kurorëzua më anëtarësimin në NATO dhe adresimin e mosmarrëveshjeve bilaterale me fqinjët.
Arsyet e rikthimit të bujshëm të VMRO-DPMNE janë komplekse. Ato kanë të bëjnë pjesërisht me dështimin e qeverisë në ikje për të jetësuar zotimin për një qeverisje më të ndershme dhe efektive, një zotim kyç që mobilizoi qytetarët në protestat kundër qeverisë Gruevski dhe që solli social-demokratët në pushtet.
Nëse Nikola Gruevski përdorte nacionalizmin për të mbuluar qeverisjen e keqe, në mënyrë ironike, qeveria në ikje, gjatë viteve të fundit, e ka përdorur rrëfimin europian për të njëjtin qëllim. Në njëfarë mënyre rrëfimi europian u kthye përmbys.
Kapitali politik i investuar në Marrëveshjen e Prespës që i dha fund mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe që siguroi anëtarësimin në NATO, për fat të keq nuk u shpërblye nga BE-ja. Qytetarët në Maqedeoninë e Veriut humbën besimin tek BE-ja dhe klasa politike humbi pronësinë mbi procesin e reformave.
Eksperienca e vendit fqinj na mëson se nuk mjafton të zgjidhësh çështje dypalëshe për të qenë pro-europian. Duhet gjithashtu të qeverisësh ndershëm dhe në mënyrë efektive, të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe jo të bashkëjetosh me to. Përndryshe, shpresa popullore kthehet në zhgënjim.
A ka nxjerrë mësime VMRO-DPMNE nga situata e krijuar? Po nga eksperienca e hidhur në qeverisje? VMRO-DPMNE arriti të kanalizojë me sukses zhgënjimin e qytetarëve në një mandat popullor për të. Por mënyra se si do të ndërtohet qeveria dhe cilësia e qeverisjes janë testi i pjekurisë së kësaj force politike.
Së pari, pavarësisht retorikës që shoqëroi fushatën zgjedhore dhe sulmeve ndaj BDI-së, garantimi i pakthyeshmërisë së proceseve politike të trupëzuara në kushtetutën e vendit që synojnë barazi të plotë ndërmjet dy komuniteteve kryesore shtet-formuese përbën parakusht për stabilitet dhe legjitimitet qeverisës. Shqipëria, si një fqinj i mirë i Maqedonisë së Veriut, nuk duhet të ngurojë ta përcjell këtë mesazh, pasi çelësi i suksesit të marrëdhënieve të konsoliduara fqinjësore qëndron pikërisht tek respektimi i marrëdhënieve ndër-etnike, ku shqiptarët janë forcë lëvizëse dhe garantuese e përkatësisë euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.
Së dyti, nevojitet një qasje pragmatiste në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, ashtu siç bëri Demokracia e Re kur erdhi në pushtet në Greqi në vitin 2019, pavarësisht se e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje dhe nuk e kishte votuar kur ishte në opozitë, mbi bazën e parimit të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare pacta sunt servanda.
Së treti, po me të njejtën qasje pragmatise, duhet siguruar një proces dhe votat e nevojshme në parlament për kalimin e ndryshimeve kushtetuese, që do të mundësonin heqjen e vetos bullgare nga rruga europiane e Maqedonisë së Veriut.
Megjithëse në planin afatshkurtër është më e lehtë për të krijuar një rrëmujë më të madhe sesa për të adresuar “tiraninë e të çastësishmes”, ndërmarrja e hapave të mësipërme, do të dëshmonte se VMRO-DPMNE ka nxjerr mësimet e duhura nga e kaluara dhe se për të stabiliteti demokratik rajonal, fqinjësia e mirë dhe anëtarësimi i vendit në BE janë objektiva plotësisht të arritshëm.