Me 27 shkurt 2017, gaze ta prestigjioze amerikane, “The New York Times”, botoi dy artikuj që ironikisht ndërlidheshin, dhe që për mue ishte nji kombinim i dobishëm i trajtimit të nji subjekti themelor: Shqipëria dhe krimi komunist në Shqipëri.
I pari: “Albania Slow to Act…”, nga Matthew Brunwasser, tregon plogështinë e shoqënisë civile shqiptare, dhe mospërfilljen 26- vjeçare të problemit të zbulimit, dokumentimit dhe dënimit të krimeve komuniste në Shqipëri (1944-1991), dhe sidomos problemin thellësisht njerëzor të evidentimit të varrezave të qytetarëve shqiptarë të zhdukun pa lanë gjurmë (në gjuhën e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, këto viktima cilësohen si “enforced disappearances” (afërsisht: “zhdukje që kërkojnë drejtësi”).
Artikulli raporton se “…nga vendet e Europës Lindore, Shqipëria ka pasë regjimin ma të ashpër dhe ma të izoluem. Enver Hoxha, nji stalinist kambëngulës, krijoi nji aparat shtypës që mbijetoi edhe mbas vdekjes së tij (1985), deri në shkërmosjen e atij regjimi (1991)”. Ai vazhdon: “Edhe në nji zonë ku drejtësia për krimet komuniste çalon shumë, Shqipëria dallohet si njeni nga vendet që akoma nuk ka qenë në gjendje me ndërtue nji institucion që të lehtësojë kërkimet e qytetarëve në dosjet sekrete, ashtu si u ba në Rumani dhe Gjermaninë Lindore”. Autori i referohet ligjit të vitit 2015 (që u përkrah edhe nga Kryeministri) e që shpresohej se do të jepte nji zgjidhje, dhe do të pakësonte spekulimet rreth zyrtarëve të sotshëm që kanë përfitue nga lidhjet me regjimin e kaluem komunist. “Megjithatë- shkruen ai- nuk pritet nji rezultat i madh, sepse rreth 70 për qind (ndoshta 90 për qind) dosjet janë zhdukë misteriozisht nga zyrtarë që vepruen me mbrojtë veten”, si dhe për arsye se nuk ka akoma nji metodë procedimi (ligjor) kundër ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, organizatë kriminele, “arma e mprehtë e Partisë” (PKSH/PPSH). “Kaq e ngadaltë ashte puna në sektorin publik, sa që edhe sot, dy vjet mbas aprovimit të ligjit nga Parlamenti për krijimin e “Komisionit”, puna nuk ka fillue…”
(Nji parenthezë: Në vitin 1948, nji oficer i ish-Sigurimit të Shtetit në Shkodër, Gjovalin Mazrreku, i prekun nga terrori i ushtruem kundër popullsisë katolike në përgjithësi dhe kundër klerit katolik shqiptar në veçanti, u revoltue, u arrestue dhe u dënue me 15 vjet burgim. Gjatë bisedave konfidenciale, ai më tregoi se ka dy lloje dosjesh: njena përmban materiale që implikojnë “autoritetin”; nëse ndryshon gjendja politike në vend, ata shkatërrohen plotë- sisht, kështu që ju nuk keni dokumentacion për dënimin tonë. Dosja e dytë përmban material nga “informatorët”, shumica e të cilëve janë nga familjarët e të persekutuemve; ata dosje do t’i gjeni të paprekuna, dhe do të kuptoni sa randë janë komprometue të afërmit tuej.
Kështu ju do të ziheni njeni me tjetrin e nuk do të keni kohë të mirreni me ne…!” Fatkeqësisht, kjo u vërtetue mbas vitit 1991. Djallëzia nuk njeh kufij! Detyra e zbulimit të varrezave të viktimave të zhdukuna pa gjurmë (në Shqipëri) ashtë akoma ma e vështirë se në vendet e tjera të Europës Lindore, sepse Shqipëria nuk ka kalue nëpër procesin e “destalinizimit” si vendet e tjera ish-komuniste”, deklaron Henrikas Mickevicius, lituanez, anëtar i grupit të OKB-së për zbulimin e të zhdukunëve që kërkojnë drejtësi.
“Edhe dekada mbas mbylljes së gulagëve stalinistë” shton ai, “…Shqipëria vazhdoi me fushatat e torturës, burgosjes, e vrasjeve deri në vitin 1991”. Ish i persekutuemi dhe aktivisti Fatos Lubonja mendon se Qeveria, nëse dëshiron “pajtimin” (reconciliation), mund të deklarojë “amnistinë për dëshmitarët”, raporton shkrimi i gazetës “The New York Times”, “ose edhe të fajtorëve të dhunës politike, në shkëmbim të gjetjes së varrezave të viktimave”. Ai akuzon të dyja palët kryesore (PS dhe PD) si të komprometueme gjatë regjimit komunist.
“Në vend që të zbulohet e vërteta, ata përdorin (dosjet) si armë për shantazhe me sulmue kundërshtarët si “bashkëpunëtorë” (me regjimin komunist)…. Këtu kemi nji përleshje në mes dy grupeve banditësh që përdorin çdo mjet njeni kundër tjetrit”, shton ai. Koncepti i “pajtimit” ashtë, natyrisht, fisnik në vetvete. Suksesi në pajtimin që pati Afrika Jugore me komisionin “E Vërteta dhe Pajtimi” (Truth and Reconciliation) -imitue ma vonë edhe nga shumë vende të tjera- nxori në shesh krimet e shumta e të shumëllojshme, dhe dënoi disa kriminelë, aktet e të cilëve prekën thellë ndërgjegjen dhe sensin moral të popullsisë jug-afrikane.
Ai “komision” shërbeu edhe si “catharsis” për viktimën! Por kjo rrugë pajtimi u nis nga nji bazë e fortë: krimineli gjeti guximin e nevojshëm me denoncue krimin e kryem, dhe përuljen e duhun me kërkue faljen. Ky akt moral i naltë, krijoi atmosferën e përshtatshme për viktimën me falë fajtorin, e me dënue publikisht fajin. Fatkeqësisht, kjo nuk ngjau në Shqipëri! Si mund të falet faji e fajtori kur nuk kërkohet falja e fajit dhe e fajtorit nga vetë “fajtori”? Fajtori shqiptar, i dehun nga arroganca e pushtetit absolut 45- vjeçar, nuk arriti as të pranojë ekzistencën e nji regjimi kriminel komunist, dhe përjetoi periudhën e sundimit të kuq vetëm si “lavdia e luftës nacionalçlirimtare”.
Fakti që kjo “lavdi” u përdor me vendosë diktaturën ma të tmerrshme në historinë e vendit tonë, nuk shqetësoi ndërgjegjet e tyne të vrame nga krimi i kryem. Megjithatë, kjo ngjau në Shqipëri me nji formë edhe ma fisnike: përbuzjen e hakmarrjes nga ish të persekutuemët e viktimët e komunizmit. Në Shqipëri, ky gjest sublim do të mbetet si nji nga faqet ma të ndrituna të qytetnimit shqiptar, dhe si model suprem për brezënitë e ardhme. Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj ish të persekutuemëve, vëllazën e motra në vuejtje, për këtë qëndrim moral dhe politikisht pozitiv, që në vitin 1991 përbuzën hakmarrjen si qëndrim antinjerëzor, dhe përqafuen ndryshimin e gjendjes me mjete paqësore.
Çuditërisht, nji qëndrim i këtill –që unë quej madhështor!- ngjet në nji vend ku koncepti i “hakmarrjes” ashtë i ngulun thellë në psiken e në traditën tonë popullore, dhe në nji vend ku që nga viti 1944-45, hymja e brigadave partizane në qytetet e fshatet e vendit tonë të martirizuem nga pushtimi fashist e nazist shoqënohej me “bataljonet e hakmarrjes”, që banë kërdinë në popullsinë e pafajshme, që nga Konispoli deri në Kukës dhe Kelmend….! Nji shembull. Në nandor 1946 sollën në qelinë time të burgut nji prift plak, Dom Ndoc Suma. I tronditun, prifti jetonte kujtimin e skenës makabre të ditës që posa kishte përjetue, dhe dënimin me 20 vjet burgim.
E përshëndeta. Ma vonë e pyeta: “Uratë pse të kanë arrestue?” Ai më shikoi me thjeshtësinë e nji fëmije, e me za që dridhej më tha: “Pasha Krishtin nuk e di pse më kanë dënue! Shokun tem (prift) e pushkatuen!” Arrestue në mëngjez, gjykue në drekë, dhe pushkatim të menjihershëm. …pa arsye, pa faj! Sot, 71 vjet ma vonë, kujtimi i tij më mundon. Ai ashtë tashti në jetën e amshueme, por çiltërtia e tregimit të tij dhe tronditja nga ajo që kishte dëshmue atë ditë kanë qenë aq të forta, sa që u ngulën për jetë në mendjen time. Ashtu si nuk mund të harroj mijëra e mijëra Dom Ndocë të tjerë…!
* * *
Artikulli i dytë: “Enemy of the peoplean expression with a venomous past…” nga Andrew Higgins dhe Julia Hirshfield-Davis, trajton nji subjekt që “…ka tronditë jetën politike të SHBA-ve”. Nji shprehje joamerikane u përdorue nga Presidenti Trump në cilësimin e tij të shtypit dhe mediave informative amerikane. Ai i quejti këto mjete informimi e hetimi për të vërtetën si “armiq të popullit”, shprehje me konotacion shumë negativ dhe historikisht e lidhun me terrorin revolucionar të lëvizjeve të majta europiane, që nga Revolucioni Francez i vitit 1789 deri në fund të diktaturës komuniste leninistestaliniste të ish- Bashkimit Sovjetik dhe “kampit të madh socialist”.
“Armiku i popullit” shkruejnë autorët, “ashtë nji shprehje toksike edhe për nji veteran komunist të egërsuem nga “lufta e klasave” në ish-Bashkimin Sovjetik,” manifestimi ma elokuent i egërsisë antinjerëzore që u institucionalizue nga regjimet komuniste në shumë vende të botës. Ashtë fjala për Nikita S. Krushçev, personaliteti që kërkoi heqjen e shprehjes “armik i popullit” nga përdorimi, sepse “…eliminon mundësinë e çdolloj konflikti ideologjik”. (Me nji ‘armik të popullit’ nuk diskutohet; ai/ajo likuidohet fizikisht!) Shprehja “armik i popullit” ka hy në përdorim në mënyrë të veçantë, me qëllim të eliminimit fizik të individëve të këtillë” shkruejnë ata; “zakonisht, në vendet ish-komuniste, ajo u zbatue kundër atyne që kundërshtuen udhëheqsin suprem, J. V. Stalin.”
(Shqiptarët e njohin shumë mirë këtë praktikë kriminele.) Ashtë nji titull i dhanun në përgjithësi nga nji qeveri despotike, e jo nga vende demokratike, siç janë Shtetet e Bashkueme. Kur Presidenti Trump akuzon shtypin amerikan si “armik të popullit”, qindëra miljonë qytetarë amerikanë tronditen. “A ka mundësi që nji udhëheqës politik, i zgjedhun lirisht në nji vend demokratik, të përdorë këtë “titull” mbas vdekjes së Stalinit, në nji kohë kur edhe në ish-Bashkimin Sovjetik ai konsiderohet i ngarkuem me nji kuptim vdekjeprumës?”, pyesin autorët.
Pa dyshim, Presidenti Trump nuk ka dijeni për origjinën e kuptimin e marrun historikisht të shprehjes “armik i popullit”, aq ma pak për evoluimin politik të saj. Shprehja “armik i popullit”, shpjegojnë autorët, “ka hy në fjalorin politik për të parën herë në vitin 1789, me Revolucionin Francez. Ajo u përdorue pa dallim si slogan kundër të gjithë atyne që kundërshtuen revolucionin. Por, me rritjen e rezistencës kundër terrorit të Revolucionit, shprehja mori nji kuptim frikë- sues, dhe nji status ‘legal’ me adoptimin, në vitin 1794, të ligjit që krijoi Gjykatën Revolucionare” –gijotinën- “për dënimin e anmiqve të popullit, dhe kodifikoi fajet që dënohen me vdekje. Në mes tyne “fajtorët që përhapin lajme falso e që synojnë ndasi e hutim në popullsi”.
(Shqip: agjitacion dhe propaganda). (Kushtetuta e RSP e Shqipërisë e vitit 1976 përmban ma shumë se 70 nene që parashikojnë dënimin me vdekje!) Afërsisht 90 vjet ma vonë, në vitin 1882, botohet në Oslo, Norvegji, drama “Armiku i Popullit” nga autori Henrik Ibsen. Ashtë historia e nji mjeku idealist dhe guximtar që denoncon të keqen publikisht. Ashtë fjala për ujin e kontaminuem të banjave publike. Mjeku sulmohet nga autoritetet lokale dhe nga spekulatorët dhe ma në fund dënohet si anmik i popullit. Drama e Ibsenit u ba subjekt frymëzimi për brezënitë e ardhme edhe në vendin tonë, në dekadat ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem.
Ashtë me të vërtetë tragjike që Revolucioni i Tetorit, 1917, transformoi këtë “shprehje” në nji slogan që derdhi lumej gjaku qeniesh fisnike, të pafajshme dhe të pa mbrojtje. Jo pa arsye thuhet se humanizmi marksist u vra pa mëshirë nga Lenini dhe Stalini….! Vetë Lenini shkruente në gazetën “Pravda” se terrori “jakobin” kundër anmiqve të popullit ishte “instruktiv” dhe se “duhej ringjallë me qëllim pastrimi të popullit nga mbeturinat e zgjedhës së çifligarëve dhe kapitalistëve si klasë”. (Në Shqipëri, kjo formë terrori “jakobin” u glorifikue me emnimin “Rruga Komuna e Parisit”, shembull ekstrem i terrorit të kuq, në mes të Tiranës!)
Akoma ma keq: ky vlerësim i Leninit u lexue si “udhëzim” për zhdukjen e klasave “reaksionare” – pronarë tokësh, tregtarë, ‘kulakë’, intelektualë perëndimorë, e anëtarë familjesh të njohuna, me rezultate katastrofale për shoqëninë shqiptare. Mbas vdekjes së Leninit (1924), J. V. Stalini perfeksionoi aparatin shtypës shtetnor me formacione të reja të policisë politike, sekrete dhe publike, si “armë e mpreftë e Partisë” legjone të indoktrinueme pa mend dhe pa zemër që sakrifikuen jetët e ma shumë se njizetë miljonë qytetarëve rusë dhe jorusë –që i shikonte si rivalë- në altarin e çmendurisë së ndërtimit të “njeriut të ri” nji monstër me fytyrë njeriu, i çoroditun dhe antinjerëzor.
(Në Kinë besohet që revolucioni i Maos ka kushtue rreth 70 miljonë viktima.) Në esencë, shprehja “armik i popullit’ ishte nji cilësim që u ba sinonim me “dënimin me vdekje”. Nënkuptohet si: “ju, jeni ma pak se nji qenie njerëzore, jeni nji krymb i panevojshëm, dhe damtues i shoqënisë! Ky ishte kuptimi që i jepte secili që jetonte në nji vend komunist, ose të gjithë ata që dinin diçka mbi Bashkimin Sovjetik, “shpjegon prof. M. Orenstein. Sot, nji shprehje e këtill ka humbë peshën e vet kërcënuese, sepse nuk kërcënon përsëri.
Në Shqipëri nuk mendon kush që skuadrat e ekzekutimeve të ish-Sigurimit të Shtetit kriminel do të rreshtohen përsëri me ekzekutue individë e grupe “armiq të popullit”; nga kjo pikëpamje, shprehja “armik i popullit” vetëm se sjellë kujtimet e frikës së kalueme, dhe për brezënitë e ardhme vetëm nji buzëqeshje të hidhët dhe tallëse …ashtu si në të vërtetë e meriton. Prof. W. Taubman, biografi i N. S. Krushçevit, e quen shprehjen “armik i popullit” si prezenca e vazhdueshme e frikës dhe kërcënimit që “…asnjeri nuk dëshiron përsëritjen….
Unë nuk e kam ndigjue në Rusi, vetëm kur kemi folë për histori, ose kur jemi tallë….”, thotë ai. Prof. Nina Krushçeva, mbesa e N. S. Krushçevit, që jep mësime në nji universitet të New York-ut, tregon: “…gjyshi im sigurisht përdoronte slogane sovjetike, por ai nuk pranoi me ba denoncime gjithëpërfshirëse të segmenteve të tana të popullsisë sovjetike…”
Duket qartë që Presidenti Trump nuk ka lexue as Leninin, as Stalinin, as Maon; por, formulat që fyejnë, përçmojnë, denoncojnë, vejnë vulën e keqe, krijojnë anmiq, dhe japin emna të këqij, janë përherë po ato, në kohë dhe në hapësinë…! Edhe sot! Edhe në Shqipëri! Ashtë nji paralajmërim që nuk duhet harrue! Ashtë nji praktikë që nuk duhet pranue! Sepse, rrjedhimet e kësaj “shprehjeje” i kemi përjetue tragjikisht edhe në vendin tonë të shumëvuejtun!