Shpopullimi i Shqipërisë është një nga sfidat më të mëdha të shekullit në të cilin jetojmë. Sipas INSTAT, në 1 janar të vitit 2023, popullsia e vendit ishte 2,761.785 banorë dhe u zvogëlua në 1,1 % në krahasim më popullsinë e 1 janar, 2022. Piku më i lartë shfaqet në vitin 2022, ku u larguan nga vendi 46,460 rezidentë, ose 10 % më shumë se në vitin 2021. Po sipas INSTAT, çdo vit largohen nga vendi rreth 42,000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420,000 rezidentë. Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40,000-42,000 banorë, u fshi nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një shifër një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona. Pra, bashki të tilla si: Mallakastra, Librazhdi, Mati, Cërriku, Belshi, Vau i Dejës apo Vora, të cilat kanë një popullsi rreth 40,000 banorë janë asgjësuar nga harta e Republikës se Shqipërisë, nga viti në vit. E shprehur më thjeshtë, çdo vit ne kemi humbur nga një bashki dhe kjo është ulëritëse. Kjo analizë induktive bëhet mbi të dhënat zyrtare të INSTAT, imagjinoni se sa e frikshme duhet të jetë situata reale në terren e shpopullimit demografik. Fatkeqësisht, do vijë një situatë e tillë kur nuk do të kemi jo vetëm banorë rezidentë, por as votues. Popullsia totale e Republikës së Shqipërisë në vitin 2022 ishte 2,7 milionë banorë, më një rënie 1.3 % krahasuar me vitin 2021.
Efektet më të mëdha të migrimit dhe shpopullimit janë më të dukshme në zonat dhe komunitetet rurale. I pamatë është shpopullimi i fshatrave në Shqipëri, nga veriu në jug të vendit ku dhjetëra e mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë dhe trojet e tyre. Aq i madh ështe shpopullimi saqë ai po ndikon jo vetëm në shkretimin e fshatrave dhe zbrazjen e komuniteteve rurale, por edhe në tkurrjen e qyteteve të vogla e të mëdha, siç janë Elbasani, Dibra, Fieri, Shkodra, Patosi, Kukësi, etj. Një tregues i ekosdit të madh rural përgjatë viteve të fudnit, është edhe rënia drastike e numrit të nxënësve në shkolla. Nga veri në jug, mund të gjesh shkolla të mbyllura ose me klasa kolektive të nxënësve nga klasa e parë në klasën e 6-të.
Shumë shkolla fillore në vend u mbyllën për shkak të mungesës së nxënësve dhe lindshmërisë së ulët në këto zona. Në fillim të vitit akademik 2023-2024, rreth 53,000 nxënës më pak u regjistruan në ciklin e e mesëm. Kurse numri i studentëve të ulur në auditoret shqiptare ishte 220,000 më pak se 15 vjet më parë. Është alarmante rënia drastike e numrit të nxënësve dhe studentëve për një popullsi sa popullsia jonë. Shkolla në fshatin Shtëpez në bashkinë e Gjirokatrës kishte vetëm një nxënës, Diljani i cili ishte në klasë të parë dhe shoqen e vetme në klasë kishte gjyshen e tij 80 vjeçare që qëndronte me të në klasë gjatë procesit mësimor. Në fakt, shpopullimi i një vendi është në simbiozë të plotë me migrimin human i cili është largimi i njerëzve nga një vend në tjetrin, nga një shtet në tjetrin.
Migrimi në vetvete tregon modelin e një bote që po ndryshon në aspektin politik, gjeografik dhe demografik. Migrimi sendërtohet në fakt në zemrën e ndryshimeve ekonomike, sociale e kulturore të shqiptarëve që nga vitet ’90 e këtëj. E ndodhur në qendër të Ballkanit, asnjë vend nuk ështe prekur përgjatë 3 dekadave nga emigrimi/ migrimi më shumë se Shqipëria. Pas rënies së komunzimit në 3 vitet e para, pra përgjatë viteve 1990-1993, rreth 200,000- 300,000 shqiptarë u larguan nga vendi duke emigruar kryesisht në Itali dhe Greqi. Rritja e popullsisë së Shqipërisë, ishtë një ndër më të shpejtat në Europë gjatë komunizmit pasi u rrit nga 1.2 milionë banorë në vitin 1950, në 3.2 milionë banorë në vitin 1989. Kjo e dhënë është e shkruar në artikujt shkencorë të profesorit Russell King, i cili e ka studiuar Ballkanin dhe kryesisht fenomenin e migrimit të ballkanasve për 3 dekada me radhë. Pas rënies së komunizmit, pra duke filluar në vitin 1991 deri në vitin 2001, më shumë se 1/5 e popullisisë vendase, mendohet se ka lënë vendin apo ka migruar.
Gjatë regjimit komunist, për rreth gjysmë shekulli shqiptarëve iu mohohej të lëviznin jashtë kufinjve të vendit prandaj kushdo që ëndërronte apo guxonte ta bënte këtë përndiqej, ekzekutohej ose internohej familjarisht. Gjatë diktaturës, mobiliteti nuk ishte i çrregullt dhe popullsia shënonte vetem rritje demografike. Duke qenë se shumica e njerëzve jetonin në varfëri ekstreme, emigrimi drejt Italisë dhe Greqisë që ishin edhe afër gjeografikisht, u pa si një strategji efektive për përmirësimin e kushteve ekonomike të tyre. Deri në fund të dekadës së parë, mendohet se rreth 800,000 rezidentë shqiptarë u larguan nga vendi dhe jetonin jashtë kufinjve.
Fatkeqësisht, të dhënat empirike në lidhje me shpopullimet e para dhe migrimin e shqiptarëve janë shpeshherë kontradiktore dhe kaotike edhe për shkak se shumica e këtyre lëvizjeve ishin klandestine e për rrjedhojë të paregjistruara. Nuk ka asnjë dyshim, se pas viteve ’90, shqiptarët kaluan eksodin e tyre më të madh. Shpopullimi masiv i shqiptarëve përgjatë 10 viteve të fundit, mund të konsiderohet si vala e dytë e një eksodi të parë të nisur në vitet ’90. Ndryshimi substancial qëndron tek arsyet e shkaqet e këtij eksodi i cili në vitet ’90- të ishte kryesisht për arsye ekonomike, pas një varfërie ekstreme të shqiptarëve, ndërsa sot nuk migrojnë vetëm shqiptarët që nuk kanë një punë apo një pagë mujore por edhe individë të kualifikuar të shtresës së mesme, specialistë e profesionistë të fushave të ndryshme.
Sociologët dhe ekonomistët flaisn për faktorët shtytës dhe faktorët nxitës (push-pull factors). Faktorët shtytës janë faktorët “negativë”, ata që e shtyjnë dikë të largohet apo të emigrojë në një vend tjetër, siç mund të jetë: mungesa e shërbimeve të mira shëndetësore, klasa e korruptuar politike, skandalet e një qeverie të papërgjeshme, mungesa e ligjit dhe e drejtësisë sociale, pra ku njerezit e ndiejnë se ligji nuk është i barabartë për të gjithë, por fryma e tij funksionon me dy standarte. Kurse faktorët nxitës janë faktorët “pozitivë” që e tërhoqi dikë të imigrojë në shtetin e tyre, siç mund të jenë: siguria e jetësës, shkolla më të mira për fëmijët, shpresa për një të ardhme më të sigurtë, të ardhura më të larta financiare, cilësia më e lartë e jetesës, etj.
Shpopullimi, është një nga dramat më të mëdha të shekullit XXI, pasi pasojat e tij ndihen dhe reflektohen në gjithë sektorët dhe nivelet e stratifikimit social. Ai reflektohet në sektorin e arsimit, të bujqësisë, të ekonomisë, të identitetit dhe kulturës lokale madje edhe në shëndetin mendor të shqiptarëvë për shkak të atomizimit të mëtëjshëm të familjes dhe shoqërisë.
Plakja ose moshimi i popullisë është një tjetër problem që ndikon direkt në demografinë e një vendi. E gjithë Europa po vuan nga plakja e popullsisë, dhe mesa duket këtij trendi modern nuk i ka shpëtuar as vendi ynë. Moshimi i popullsisë shfaqet në nivele befasuese. Kështu për herë të parë në historikun e tyre, kishim disa qytete apo bashki ku numri i lindjeve ishte më i ulët se numri i vdekjeve, siç është bashkia e Korçës ku gjatë vitit 2022 kishim 300 lindje më pak sesa numri i vdekjeve, ose 300 vdekje më shumë sesa numri total i bebeve të lindura. Mosha mediane në Janar të vitit 2022 ishte 38,8 kurse në Janar të vitit 2023 ishte 38,2. Kjo tregon se ka një trend rritës së moshimit të popullsisë, për shkak të numrit të ulët të lindshmërisë dhe numrit të lartë të migrimit të njerëzve.
Ajo që është shumë shqetësuese është raporti i vitit 2021 të Kombeve të Bashkuara ku citohet se nisur me këto ritme të shpopullimit deri në fund të këtij shekulli, pra në vitet 2090 popullsia totale e Shqipërisë do të jetë më pak se 1 milion banorë dhe do të jetë një popullsi e moshuar. Imagjinoni që përgjatë 100 viteve pra nga viti 1990 ku shënohët shifra më e lartë e popullsisë me 3.2 milionë banorë, popullsia e vendit në vend të dyfishohej, të rrudhet në 1/3 e saj, pra në më pak se 1 milion banorë. Këtu nuk kemi marrë parasysh të dhënat e fundit të Censusit, të cilat do të mbahen të fshehta nga qeveria shqiptare edhe për 6 muaj të tjerë e që me shumë gjasa do të jenë alarmante, sepse shpopullimi dhe emigrimi/imigrimi masiv i shqiptarëve gjatë viteve të fundit ka qenë i ngjashëm me migrimin e banorëvë që dalin nga vendet e luftës. Deri atëherë le të shpresojmë, se do të ketë ende shqiptarë që do të zgjedhin të mos largohen nga vendi dhe shtëpitë e tyre.